Kreu Kinematografi Kinematografia në Kosovë në mes të ambicieve dhe (pa)mundësisë financiare 

Kinematografia në Kosovë në mes të ambicieve dhe (pa)mundësisë financiare 

Nga Gani Mehmetaj

Kinematografia e Kosovës në dhjetëvjetëshin e fundit veçohet me hapjen e dukshme ndaj  bashkëprodhimeve e bashkëpunimeve ndërkombëtare, me pjesëmarrjen në festivale ndërkombëtare, me përpjekjet për të komunikuar me shikuesit e huaj. Ka më shumë se asnjëherë më parë kineastë të rinj, disa prej të cilëve janë premtues, me ambicie dhe kulturë filmi. Projektet kinematografike realizohen me buxhet të vogël, më të voglin në rajon, prandaj dramat urbane që janë në mes të filmit artistik e dramës televizive nuk janë të pakta; meqë nuk kërkojnë shpenzime të mëdha, bëhen me ekipe të vogla xhiruese e me pak aktorë. Llojet e filmave (zhanret) janë nga më të ndryshmet: drama, komedi, filma psikologjikë, filma aksioni etj. Filmat më të kushtueshëm kryesisht janë realizuar nga regjisorët e vjetër me një përvojë më të gjatë në film. Mjetet që jepen për kinematografi janë më të paktat në Gadishull. Të gjithë konkurrentët në konkursin publik marrin nga pak, ndërsa asnjëri nuk është i kënaqur, sepse asnjëri nga producentët, po nuk gjeti mbështetje tjetër, nuk mund të përthekojë as gjysmën e shpenzimeve për projektin.   

Kinematografia e Kosovës është kinematografi e vogël. Asnjëherë nuk është shquar për ndonjë prodhimtari të madhe, ndërsa ka bërë përpjekje të ngulmëta të dalë nga izolimi rajonal dhe të komunikojë me botën. Disa nga këta filma kanë marrë pjesë në qindra festivale ndërkombëtare, janë kthyer me çmime. Megjithëse deri para ndonjë viti nuk pati stimulim apo buxhet të veçantë për pjesëmarrjen e filmave në festivale ndërkombëtare, ishin producentët e regjisorët, apo ndonjë mbështetje ndërkombëtare, që i mbulonin shpenzimet.

Filmi dokumentar dhe ai i animuara sikur janë lënë anash, janë më të paktë sesa filmi artistik i gjatë dhe ai i shkurtër. Është e habitshme se si edhe brezi i ri ngurron të kultivojë filmin dokumentar e të animuar.

Filmat kryekëput i financon shteti – Ministria e Kulturës përmes Qendrës Kinematografike me konkurse publike, – ndërsa televizionet nuk marrin pjesë as në mënyrë simbolike në financime, edhe pse kanë aq pak programe origjinale artistike.

Problem të veçantë për shfaqjen e filmave te shikuesit vendës paraqet mungesa e kinemave, sallat e vjetra mbi gjashtëdhjetëvjeçare. Gjatë fazës së privatizimit, një pjesë e këtyre kinemave e kanë ndryshuar veprimtarinë kryesore, të tjerat janë një përzierje e pronës publike, pa mirëmbajtje të duhur dhe pa leje që të punojnë në parimin e ligjeve të tregut. Agjencia e privatizimit u rri mbi kokë, as nuk i privatizon, as nuk i lejon të punojnë të pavarura. Nga 33 kinematë e dikurshme që shfaqnin rregullisht filma dhe 20 kinemave shëtitëse, kanë mbetur katër-pesë kinema funksionale, ndërsa të tjerat shfaqin filma nga rasti në rast. Filmat artistikë të vendit a bashkëprodhimet me shtetet e rajonit apo të Europës Perëndimore nuk e kanë shikueshmërinë e dikurshme, sepse pjesa më e madhe e tyre gjatë fazës së privatizimit e kanë ndryshuar destinimin, ose nuk shfaqin filma fare.

Sistemi i kinemave multiplekse që ka filluar ta mbulojnë territorin e Kosovës është i natyrës së veçantë. Jo të gjithë filmat artistikë të vendit shfaqen në të dhe jo të gjithë janë për këtë rrjet të kinemave. Sipas parimeve të ligjeve të tregut, asnjë film të ne nuk i mbulon shpenzimet me shfaqje në kinema. Ky problem është problem i kinematografive në tërë Gadishullin Ballkanik, mirëpo te ne është më i shprehur se kudo tjetër. Televizionet qendrore e shfaqin me shumë ngurrim filmin e vendit, ose paguajnë aq pak sa nuk vlen të jepet leja për shfaqje, meqë mund ta dëmtojë pastaj shfaqjen në sistemin e portaleve me pagesë. 

Në dhjetëvjetëshin e fundit dy herë janë bërë përpjekje të plotësohet e të ndryshohet Ligji për Kinematografi (2004), mirëpo interesat e ndryshme dhe mospajtimet në mes të kineastëve e zyrtarëve të shtetit kanë ndikuar që ligji të mos plotësohet.  

Do të bëjmë një paraqitje telegrafike të filmave më karakteristikë të produksionit të Kosovës, që u shquan me qasjen ndryshe, me temat e tyre, specifikat e jetës urbane dhe me ngulmimin për identitet.

Filmi “Babai”, sipas skenarit e regjisë së Visar Morinës (arsimimin filmik e ka mbaruar në Gjermani), është ndër filmat më të veçantë dhe më të suksesshëm në dhjetëvjetëshin e fundit që u shfaq, pos në festivale ndërkombëtare, edhe në rrjetin e kinemave gjermane. Autori i ri Visar Morina, përmes fatit të babait e të birit, paraqet atmosferën e dhunës dhe varfërinë e skajshme në Kosovë në dhjetëvjetëshin e fundit të shekullit XX. Në përpjekje për të ikur nga varfëria dhe nga dhuna policore, protagonistët e filmit nuk kalojnë më mirë as si refugjatë në Gjermani. Përkundrazi, zhgënjehen pas shumë peripecive që përjetojnë.  Filmi “Babai”, me dendësinë e emocioneve, kthesat e papritura dhe zymtësinë  e atmosferës, s’të lë të qetë, të mban pezull, ndërsa të nxit në përsiatje edhe një kohë të gjatë pasi të kesh dalë nga salla e kinemasë. Protagonistët, Nori (në interpretim të vogëlushit Val Maloku), Gëzimi (babai Astrit Kabashi), kalojnë nëpër peripeci e trauma. “Babai” ka atmosferë të neorealizmit italian, të asaj fryme që të mbërthen në vaje dhe të lë shijen e hidhur të jetës së rëndë, është i realizuar me mjeshtri e invencion. Filmi është bashkëprodhim i “NikoFilm” (Gjermani), produksioni “Krusha” (Kosovë), “Skopje Film Studio” (Maqedoni) dhe “Eaux Vives Productions” (Francë). Mori katër çmime në festivalin e madh “Filmfest Munchen”, ndërsa në “Karlovy Vary” u laureua me çmimin për regjinë më të mirë, si dhe çmimin “Europa Cinemas Label”, që jepet nga “Europa Cinemas Network”.

“Gomarët e kufirit”, sipas skenarit të Jeton Nezirajt dhe regjisë së Jeton Ahmetajt, është dramë që paraqet ndërthurjen e fateve të banorëve të një katundi kufitar. Ngjarja ndodh në fund të viteve gjashtëdhjetë të shekullit të kaluar. Katundarë, ushtarakë, policë dhe kureshtarë sillen në një rreth të mbyllur, ndërsa është një mësues idealist i cili më së voni këndellet. Ka në këtë film situata tragjikomike, humor të zi, por edhe metafora politike. Interpretojnë Shkumbin Istrefi, Florentina Ademi, Hysen Binaku, Luan Daka, Hazir Haziri.

Ndërkaq, “Heroi” i Luan Kryeziut, autor i skenarit dhe i regjisë, me aktorët: Arben Bajraktaraj, Adriana Morina, Çun Lajçi, Salahudin Bilali, Enver Petrovci, Xhemi Aga etj., është ndryshe nga filmat e tjerë për luftën e fundit. Ai trajton fatin e luftëtarit, gjendjen sociale dhe zhgënjimin, sepse askush nuk e kupton dhe nuk përpiqet ta ndihmojë atëherë kur ia ka nevojën shoqërisë. Në vend të mirënjohjes, e pret përbuzja e shpërfillja. Filmi është pritur mirë nga opinioni me qasjen e ngrohtë që ka ndaj personazheve dhe me përpjekjet për të fshikulluar shoqërinë e korruptuar dhe realitetin e hidhur.  

Regjisori me përvojë Agim Sopi (Njeriu prej dheu, Lulëpjeshkat e dashurisë, Kulla, Përtej vdekjes, Vjeshta e trëndafilave, Anatema etj.) në filmin “Agnus dei” merret me luftën e fundit, të trajtuar nga prizmi i dramës kolektive dhe fateve individuale. Duke ndjekur peripecitë e dy të rinjve të cilët lufta i afron, por përkatësia kombëtare i armiqëson, regjisori pastaj ndërthur fatin e tyre, duke e nxjerrë incestin si lajtmotiv. Mbi incestin ndërtohet tragjedia e tyre e dyfishtë. “Agnus dei” është filmi më i shfaqur i Kosovës në festivale ndërkombëtare dhe filmi që mori më së shumti çmime ndërkombëtare. Interpretuan: Astrit Alihajdaraj, Dafina Berisha, Zaklina Ostir, Enver Petrovci, Çun Lajçi, Bajrush Mjaku.

“Tri dritare dhe një varje”, në regji të Isa Qosjes (Proka, Rojat e mjegullës, Kukumi), me skenar të Zymber Kelmendit, drejtor i fotografisë ishte Gökhan Tiryaki, kameraman i regjisorit të njohur turk Cejlan, për dallim nga shumica e filmave tanë të luftës, vetëm shkarazi i referohet luftës, ndërsa përqendrohet në pasojat. “Tri dritare dhe një varje” nxjerr në pah katundin e varfër dhe të braktisur, ku heshtja dhe përpjekja për të fshehur të kaluarën është makth për të gjithë. Në çastin kur del e fshehta e grave të përdhunuara, pasi njëra nga to i jep një intervistë gazetarit të huaj, nis histeria e linçimit të asaj që e nxjerr këtë temë tabu. “Tri dritare…” e përfaqësoi Kosovën në konkurrimin për “Oscar”. Aktorët kryesorë: Irena Cahani (Lushe), Luan Jaha (Uka), Donat Qosja (Sokol).

Brezi i kineasteve reja  

Lendita Zeqiri, Blerta Zeqiri, Arzana Kraja e Burbuqe Berisha, janë katër emra të rinj të regjisoreve shqiptare të Kosovës. Disa prej tyre në filmat e parë të metrazhit të shkurtër  korrën suksese edhe jashtë vendit, si Lendita Zeqiri me filmat “Ballkoni” e “Gardhi”, një qasje ndryshe që u prit mirë dhe mori çmime në festivale ndërkombëtare. Me filmin tjetër, “Aga”, dramë për gratë e keqtrajtuara dhe të dhunuara që pastaj i ngrysin ditët në një azil, Zeqiri nxjerr në pah gjendjen tragjikomike të kësaj kategorie sociale. Janë dialogët e dendur që rrjedhin pa pra, me lëvizje të shpejta të kamerës, ato që i portretizojnë karakteret dhe paraqesin mjedisin ku jetojnë, nxjerrin në sipërfaqe fatet e tyre, por, megjithatë, gjejnë forcë të tallen, të tregojnë rrëfime, të ndërtojnë një jetë të re. Filmi ka një qasje interesante, degëzim të rrëfimit dramaturgjik, portretizim të mirë të personazheve.

E motra, Blerta Zeqiri, me filmin “Martesa”, ku është edhe skenariste me Kreshnik Berishën,  jo vetëm që solli temë të veçantë me atmosferë të veçantë, por theu disa tabu tradicionale, nxori në sipërfaqe temën për debate që e bënë filmin me atraktiv. Regjia ishte dinamike, karakteret e portretizuara dhe të realizuara. Përmes mjedisit urban, kafeneve, muzikës, dasmës jokonvencionale, paraqitet jo vetëm mendësia, por edhe frustrimet, traumat, konfliktet me mjedisin, ndërsa të gjithë janë të frustruar, dikush më shumë e dikush më pak. “Martesa” ndryshon shumë nga filmat e tjerë të Kosovës. Interpretojnë Alban Ukaj, Adriana Matoshi, Genc Salihu. Bekimi, Anita dhe Noli janë personazhet që krijojnë një trekëndësh të çuditshëm: ajo e dashuron Bekimin, Bekimi e dashuron Nolin, ndërsa Noli prapë e do Bekimin. Alban Uka në këtë film shquhet më një interpretim dinamik e ekspresiv. Adriana Matoshi është një emër tjetër i filmit në Kosovë, e veçantë për mënyrën e interpretimit, sharmante me figurën, farfuritëse me buzëqeshjen, e këndshme për ekran.

Arzana Kraja, regjisore dhe skenariste e filmit “Fusha e mëllenjave”, një rrëfim dramatik për fatin e fatkeqësinë e ish-të burgosurve që nuk gjejnë prehje, trajton një temë që nuk është e pranishme në kinematografi. Syla, një ish-i burgosur politik, pas njëzet vjetësh kthehet në vendlindje për të kapur fijet e humbura të jetës së tij të dikurshme. Londra, që ia rikthen të kaluarën, bëhet makth e torturë, prandaj kthehet aty ku e nis jetën që iu këput në mes.

“Një tregim Prishtine”, në regji të Burbuqe Berishës e skenar nga Getoarbë Mulliqi Bojaj, mund të quhet edhe një rrëfim për Kosovën e pasluftës, kur varfëria, dëshpërimi, krimi i organizuar dhe korrupsioni mbizotërojnë mbi vlerat e qytetërimit. Drama sociale del në plan të parë, por korrupsioni dhe krimi janë lajtmotiv i filmit. Edhe vrasjet e krimit të organizuar dalin në pah. Rolet kryesore i interpretojnë Teuta Krasniqi, Donat Qosja, Luran Ahmeti, Artiola Hamdijaj.

Dramat urbane, vetmia

“Qiell i trazuar”, regjia e skenari Anton Ndreca, me Jehon Goranin, Arta Muçajn, Imer Kutllovcin etj., është një qasje interesante në mjedisin urban. Një familje moderne nuk ka probleme ekzistenciale, por e mbërthen sëmundja e së sotmes, raportet e komplikuara ndërnjerëzore. Babai vuan nga depresioni dhe kotësia e jetës si pasojë e përsiatjeve filozofike, djali bëhet narkoman ngaqë ndihet i braktisur, kurse vajza bëhet lesbike, sepse ashtu e ndien veten më mirë. Është nëna ajo që përpiqet t’i lidhë fijet e këputura të marrëdhënieve në familje, por që, njëkohësisht, ajo është e infektuar nga sëmundja moderne, ambiciet për karrierë.

“T’padashtun”, regjia dhe skenari të Edon Rizvanollit, me Adriana Matoshi, Jason de Ridder, Niki Verkaar, është film që pjesën më të madhe të ngjarjeve e zhvillon në Perëndim, atje ku jetojnë nëna me djalin, të ikur nga Kosova. Arsyet e ikjes shpalohen më vonë, që janë po aq dramatike. Ndërkaq vetminë e braktisjen i përjeton djaloshi i cili kapërcen nëpër fazën kritike të adoleshencës. Vetmia në mjedisin urban është temë trajtimi e këtij filmi me një qasje të ngrohtë. Djaloshi nga Kosova me vështirësi inkuadrohet në Amsterdam, ndërsa nëna, refugjate që ikën për t’iu shmangur një drame tjetër, fsheh një të kaluar të dhimbshme…   

Për filmin “Shok”, me regji nga Jamie Donoughue, u fol dhe u shkrua shumë. Filmi i bashkëprodhimit britaniko-kosovar, i mbështetur në ngjarje të vërteta nga viti 1998, ishte filmi i parë nga Kosova që kandidonte ndonjëherë për një çmim “Oskar”. Është filmi më i mirë dhe më tronditës për luftën 1998-1999 në Kosovë, që të shokon. Dramatik, i drejtpërdrejtë, i ashpër, emocional, goditës e fshikullues, me kuadro të shpejta, të lidhura mirë dhe me një ritëm që të mban pezull. “Shok” është filmi që e kërkuam me ngulm. Me të drejtë, ishte në rrethin e ngushtë për çmimin “Oskar”, por, fatkeqësisht, nuk fitoi.

Ndërkaq, kur ta kesh shikuar filmin “Kolona”, një ndjenjë e vrasjes së ndërgjegjes të mbërthen sikur të ishe protagonist, ai që duhet të vendosë për jetën e vdekjen e dy adoleshenteve, e jo policët ata që i ekzekutojnë.    

*Autori është drejtor i “Kosovafilm”, skenarist e profesor në Fakultetin e Arteve Mediale në Prishtinë.

SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

Ju lutem lini komentin tuaj!
Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

Artikujt më të fundit

Anna Dostojevskaja: Një bisedë me Tolstoin

Me konteshën Sofia Andrejevna Tolstaja jam njohur në vitin 1885, kur në një nga ardhjet e saja në Peterburg ajo, e panjohur...

Arb Elo: Piramidale

1. Pas njëzet e ca vjetësh prej botimit të parë, u bëra mbarë të lexoj “Piramida” e I. Kadaresë,...

Yzedin Hima: Vjeshta e përjetshme e Dhori Qiriazit

I harruar në atë fushëtirë të ngrirë në këmbë të maleve në Juglindje, Dhori Qiriazi shëtit pasditeve më tepër brenda vetes se...

Ali Aliu: Ndryshe ndihem mirë në Shkup, ndryshe në Tiranë, ndryshe në Prishtinë

Intervistoi: Bujar Hudhri I nderuar profesor, kujtimet e fëmijërisë nga Kranja, fshati juaj i lindjes buzë liqenit të...