More
    KreuLetërsiBibliotekë"Këpucët", tregim nga Hysen Kobellari

    “Këpucët”, tregim nga Hysen Kobellari

    1

    Atje, në fund të dhomës time, si përfund botës së tejçartur të kotësisë, prehen të heshtura, gojëhapur, besnike, të frikëshme si e nesërmja, si e vërteta që fsheh sekrete, këpucët e mia.

    Çfarë doni të thoni e dot nuk flisni, buzëplasura, memecet e mia të dashura ?!

    Trak-trak ! Trak e trak … Jehon pafund e në përjetësi e shkuara juaj e lavdishme. Dhe e ardhmja.Trokun tuaj baritës fort e dua, ajo është pjesa më e mirë, më e dhembshur e jetës sime; ju kam thënë, kudo shkoni më merrni me vete, duromëni edhe mua të mjerin… Besniket, të heshturat, martiret e durimit të vërtetë të njeriut !

    Të zgjidhura, – rrini rehatisht ndjallagjumëse, si zhukatja e blerës. Të lidhura, – ikni me nxitim, me ngut, me mua, me ne, drejt jetës që zhurmon e s’kuptohet qartë se çfarë thotë, që është si pallmë bualli … Ndryshe nga qentë.

    Aty, pranë derës rritni vigjilencën, megjithëse në pushim e në prehje, ruajeni, duajeni, mbrojeni këmbën që iu braktisi përkohësisht, kujdesuni për njeriun! E kini amanet këtë.

     Armikun që vjen, kthejani drejtimin, se pa njeriun rrezikzi që doni edhe ju nuk kini kuptim.

    Me erën që lëshon goja juaj e hapur, si vesh mënxyre, kumtojani armikut se ku i ka rrënjët këmba, e cila pati lëvizur, luftuar dhe ecur mizorisht brenda jush …

    2

    Këpuca ime, o shpellë e spërndritur, vesh i pangopur, sy i uritur ! …

    Me foshnjën e stërmadhe, Turmë, bisedoj dhe dot s’e zgjidh se ç’janë këpucët për njeriun. Por me veten time ujdinë e arrij: jeta për njeriun është këpucë për shpirtin e tij …

    I mençuri, budallai, vrasin mendjen, tëmthat e kokës birojnë me gisht, përse vetëm këpucët, si enët e lashta magjike mbushen e zbrazen vazhdimisht; këpucët, të dashurat e padashura, përjetësisht, shtysë dhe pengesë njëkohësisht…

    Të mbash këpucë do të thotë të kesh pushtet mbi veten, të përmbahesh atëherë kur duhet dhe atje ku duhet …

    Dhuro një palë këpucë ! Unë për vete kam dhuruar. Kur njeriu dhuron diçka, duket sikur e largon të keqen nga vetje, duke e degdisur në drejtim të paditur. Teksa dhuron këpucët, ke dhuruar një ftesë për ecje, një grahje për të vrapuar …

    Dhuro, qofsh i bekuar !

    3

    Më magjeps monologu i këpucëve të lodhura, monodrama e tyre e pakuptueshme plotësisht. Mos u tall, or mik; kurrë nuk lodhen këpucët së luajturi mëngjesthi teatrin e tyre të pambarim e absurd. Ato ankohen vazhdimisht, të heshtura, megjithëse rrinë gojëhapur pa nxjerë zë. Lum kush i kuptoi !

    Le të derdhet shafran lumi i vrerit të cmirëzinjve nën këpucë. Brenda tyre ka paqe. Jo për sy e faqe …

    Dielli mbi këpucë si xhufka farfuritëse e dramës së pashkruar. Hëna mbi këpucë si fiongo kolopuçi që edhe qan, edhe qesh; nën këpucë – fytyra e misterit, të fshehtat e mëdha dhe interesante që na tërheqin  pas…

    Zjarri mbi këpucë, fytyrë pabesie. Pështyma mbi këpucë, ruajnazot, mosmirënjohja e vrerët e qoftëlargut …

    Ah, jetë e mbjellë dhe e korrur ! Do t’i mbledh brenda jush këmbët e mia të trembura, për t’i shndërruar në përrua lotësh të shpirtit të lodhur. Jeta shpesh këtë të bën: t’i vë këmbët në një këpucë !

    Kur s’të ecën, s’të ecën dhe ti zemërohesh e dot nuk e frenon ngutjen; godet me këpucë ç’të del përpara, gurë e drurë; shqelmon shelgjet shfrenueshëm, shan e mallkon, zemërohesh me njerëzit, me Zotin …

    Mos u ngut ! Mos u zemëro ! … – të këshillon këpuca pasi ka hapur gojën e është shqyer për hatër të rebelimit tënd pa fre.

    Dhe ti i vë gishtin kokës, qetësohesh, e merr shtruar, pendohesh dhe kërkon rrugë të tjera për të qënë fatbardhë e suksesiv…

    4

    Këpucët e mia të dashura, a do të kem mundësi t’iu njoh mirë ndonjëherë ?! Sa nis t’iu njoh ndopak, ju shqyeni veten dhe më duhet t’iu ndërroj me të tjera. Për shkak edhe të zemërimit tim dhe faktit që më duhet të kaloj udhë e pa udhë. Duke më ngrënë kësisoj paratë, ato kursimet e mia të mjera.

    Më vratë keq ditën e parë që iu vesha ! Si plakun proteza me dhëmbët e rinj që i duhen të përtypë kohën që i ka mbetur.  Djersë dhe gjak shtërëzimesh mëkatare …

    Këpucët e mia të dashura kurrë me mua nuk tallen: një zog i vetëm vdes; dy së bashku – ringjallen …

    Këpucët e mia të heshtura, si nuse me tel; njëra qenka Faust, tjetra – Mefistofel …

    Këpucët e mia magjike, ku jeta më mbërthen me ganxha; njëra qenka Don Kishot, tjetra – Sanço Pança …

    Këpucët e mia besnike, ushtare të dritës; njëra e së resë, tjetra – e traditës. Të dyja iu kam dritë të jetës pa travaj, këngë kukuvajkash në maj …

    5

    Një fllad i lehtë kur fryn e kapelën tej ta flak, ndërsa këpucët, eh !, këpucët … I ke më të sigurta se ç’ke sipër kokës. Nuk i ndahen Anteut…

    Ngadalë ec, or mik ! – të thonë.

    Ç’besnike janë, të uruarat; kurrë s’mërziten, s’bërtasin kot më kot …  Po gojën e hapin. Si peshku jashtë ujit.

    Eh, ato, atje, të boshta- pa këmbët. Jetime tek rrinë, tek dera – zvogëlohen përposh, si zgavra sysh- bosh !…

    Bëjeni njeriun të ecë, graheni për udhë !  Zogj flamurtarë të lëvizjes… Njerëzojeni botën, miket e mia prej lëkure !

     Bëjini zap këmbët e të ligut, vriteni paq në thembër, si Akilin shigjeta ! Sosini ata si soj. Njeriun e mirë nguteni, të ecë më shpejt, graheni për udhë ! … Trak e truk ! Në punë. Tak e fak ! …

    Vras shpesh mendjen se pse dreri nuk ka këpucë, që të kënaqet kur i zbath e i lë prapa derës. Trak e truk bën këmba e tij nëpër pyll ! Me kepucët e gjalla që bashkëlindin e bashkëvdesin me të. Këpucët e tij quhen thundra. Po. E ka magjinë me vete kjo fjalë. Thur ëndrra. Prandaj ajo murga gjyshe më tha të pi ujë në një gjurmë dreri e të bëhem njeri me fat; fatmadh, fatli, fatbardhë, domethënë …

    Se pse m’u kujtua Thundra e hekurt tani …

    Hirushja, ajo vajza jetime nuk pati këpucë; ecte zbathur, në kërkim të fatit. Papritur ajo i gjeti ato në ëndërritje; këpucët e fatit ishin. Kur t’i gjeni ato, mos i lëshoni ! … Këpucë të tilla janë fat i kërkuar, një lloj engjëlli fatndjellës …

    Njeriu, ndërsa e ndjen se e ka braktisur fati, mbase njërën këpucë duhet ta humbasë qëllimisht. Detyrohet ta kërkojë të humburën. Njërën. Po kurrësesi të dyja. Dhe kur të zësh miq, shiko që ata të jenë me këpucë, që pas tyre të paktën të mbetesh me opinga, se po shkove me ata që mbajnë opinga, kur të ikësh prej tyre mund të mbetesh zbathur fare …

     Kush e mendon se fati fshihet në ato këpucë, ose që fatin e gjen vetë këpuca ?! E gjen kush e gjen … Fatin e gjen lëvizja, ecja pa u lodhur, kërkimi me durim e shpresë. Këpucët janë vetëm shkaku. Këpuca është si trupi. Këmba është si shpirti. Jetë të suksesshme e të lumtur të takon të bësh ti, o njeri ! Magjia e suksesit vjen nga veprimi, vrapimi, ecja …

    Me ose pa këpucë.

    Kujdes me këpucët ! Tani, në kohët moderne njerëzit  këpucët nuk i heqin nga këmba edhe kur shkojnë nëpër dasma, nëpër morte, nëpër vizita tek njëri- tjetri; madje edhe në dhomat intime ku mishi i butë njerëzor mëkaton pa asnjë pendesë; as kur kryejnë nëpër zyra akte të mëdha korruptive për fitime marramendëse, këpucët nuk i ndajnë prej këmbe. Kësisoj ato dinë shumë gjëra, mësojnë shumë sekrete shtetërore e njerëzore …

    Dikur, nga mosdurimi ose pafajësia ato mund të bëhen pjesë e shërbimit informative të shejtanit.

    Të fuqishmit me këpucë të rënda s’venë re ku shkelin e kë shkelin, kë lëndojnë. Ju, këpucë fisnike, kini mëshirë, se të drejtë nuk kini si të jepni, se ju jeni veç këpucë …

    6

    Shpirti, e thashë, miq të dashur, edhe shpirti ka këpucë; një këpucë … Trupin.

    Kjo do të thotë se atë e gjen Princi i Kaltër, që quhet Zot dhe që e ka dërguar vetë për ta gjetur, pastaj për të kërkuar të ngjashmen e për të shënjestruar njeriun e vërtetë, të cilit i buzëqesh fati i paracaktuar. Kështu na gënjen mendja.

    Pastaj, desha të them që këpucët mos i shikoni  thjesht si të tilla, këpucë dhe aq ! Thellohuni kur të mendoni për to; mendohuni mirë, meditoni,  përmblidhuni paq kur t’i vishni. Nga vete, nga shkon, buka është me racion …

    Thashë se trupi është këpucë e shpirtit; dikush mund të mendojë se është e kundërta. Ndoshta mund të kemi të drejtë të dy, kush e di plotësisht të vërtetën ?! … Ja, do të thotë ndonjë gërrnjar, po na çudit edhe ky, duke i vënë shpirtit këpucë ! Epo, besomëni, more njerëz, përse profetët i besoni, a nuk jam edhe unë njeri si ata ?! A nuk kam të drejtë edhe unë të frymëzohem, si ata ?! Se çështje frymëzimi është edhe profecia … Edhe ju, ama, kini të drejtë të frymëzoheni për të kundërtën, ose të mos frymëzoheni fare, ç’gajle kam unë ?!…

    Por këpucët s’kini për t’i harruar. Këpucët janë një lloj atdheu …

    Mos kujtuat se këpucët janë Leva e Arkimedit ?! Leva janë këmbët, këpucët janë këllëfi i tyre. Ato kanë çorapet si ndërmjetëse. Si  dorashkat për gishtat e dorës. Gishtat janë si pesë kontinentet e tokës; ndërsa çorapja i bashkon, dorashka i ndan ato.

    Po për çorapet do të vijë radha të flas një herë tjetër…

     Ja, si shfaqet fenomeni këpucë në trajta të ndryshme në këtë botë !…

    Në të vërtetë, po ju them: Mos u bëni ziliqarë për këpucët e mia; mua shamëni, që i lodh e i mbaj gjatë, deri sa të çelin gojë! 

    Këpucët e mia të dashura !  Dikush m’i ka zili. Ah, sa frikë kam nga ziliqarët! Megjithëse thonë që është më mirë të kesh ca ziliqarë, se sa një thes florinjsh mbi trarë … 

    Epo, mos u bëni ziliqarë as për këmbët e mia; për këpucët bëhuni! Këto që kam veshur sot i kam nga Nju Jorku. Këpucëve të mija të dashura ua marrshi të ligat, nëse kanë të liga !

    Përfytyroni një botë pa këpucë; ç’botë koti …

    Sa botë e mjerë ! – thonë disa. 

    Kulmi i lirisë, fundi i rrobërisë ! – bërtasin ca të tjerë. Dhe ec e gjejini këpucë sipas masës, mendimeve e ndjenjave të njerëzve, ju lutem shumë !…

    Këpuca se pse më kujton gruan. Gruan, në ditët e saj më të mira. Këpuca se pse më ndjell dëshira të marra, të ëmbla, marrosëse, gudulisëse, të vetvetishme, si gruaja kur e kam pranë. Këpucët mos i bëj me baltë, po gruan ushqeje me mjaltë ! … Majltë jep, mjaltë do të marrësh.

    Ah, sikur të mund të ngrija një Kullë Babiloni me këpucë ! …

    7

    Nëna Terezën, shënjtoren më të re, e kam parë nëpër rrugët e kryeqytetit tim tek ecte me Jezu Krishtin në sy. Ajo shkelte zbathur nëpër dherat e ngrohtë të atdheut tonë të bekuar. Shënjtorja edhe këpucët nuk donte t’i lodhte. I putha duart, por nuk arrita ta pyes nëse këpucët janë bekim apo mallkim për njeriun. Dhe nëse i donte apo i urrente këpucët. Do t’a pyes kur të takohemi herën tjetër, tek të bëhemi bashkë me të shumtit. Se m’u duk ca e lodhur atë ditë me qiellin, me dheun dhe me njerëzit brenda tyre …

    Shpesh vras mendjen se si guxuan të vishnin këpucë të 12 apostujt, pasi profeti ua lau këmbët, duke iu shërbyer me paravoli, teksa theksoi zgjuarsisht se po të jenë të pastra këmbët, është i pastër tërë trupi !

     Po këpucët ?!…

    Mos harroni që këpucët njeriu i merr me vete edhe në varr. Të reja fare.

    Besniket e përjetshme dhe të përtejjetshme të njeriut !

    Besoj se edhe kur të ringjallemi do të vijmë me këpucët veshur …

    Atëhere fillon loja përsënjëzi.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË