Kreu Letërsi Bibliotekë "Kalorësi", rrëfim nga Shqiptar Oseku

“Kalorësi”, rrëfim nga Shqiptar Oseku

équiem ætérnam dona eis, Dómine; et lux perpétua lúceat eis.

I.

Unë jam kalorësi i mbramë i Skënderbeut. Kur shokët e mi u tërhoqën drejt anijesh unë u fsheha pas rrapit në shesh, e mbeta. Nuk mund ta braktisja varrin tënd timzot, as në disfatë. Ata më pritën ca kohë. Pastaj kapiteni çoi një patrollë të më kërkojë në qytetin bosh. Katër veteranë pleq thërrisnin emrin tim katër herë në çdo kryq. Prehje të amshueshme jipju Zot, e dritë e përhershme i ndriçoftë: troku i kuajve të tyre mbi gurë oshëtinte si meshë e vdekjes. Por rrapi im më fshehu, ashtu si më kish fshehur kur kisha qenë djalë i vogël. Dikur ata u kthyen kokëvarur, e anijet u nisën. Velat e tyre tashti jenë mbledhur palë në palë të kohës, por një kujë thërrese grash e fëmijësh nga barqet e anijeve jehon ende në këtë qytet, për atë që di të dëgjojë. Kuja jehon ende në veshët e mi.

2.

Osmanët mbërritën vonë pasdite, e unë vura re se se pararoja e tyre ishin armiqtë tanë më të çartur, ata që flisnin arbërisht. Mes tyre dallova djem fisnikësh, që i bënin nderime pashait të vet. Atë e njohta menjëherë, ndonëse ia kisha dëgjuar veç emrin, e s’e kisha parë kurrë më parë. Ishte Ballabani i Ri. Djali i Ballaban Baderës, tradhëtarit që kisha vrarë me harkor nën muret e Krujës.

3.

I ngjante të atit, e njëjta mjekërr cjapi, i njëjti shkëlqim i zgjuar në sy. Osmanët tjerë dukeshin të lehtësuar që kish marrë fund gjithçka. Disa syresh nisën të falen duke puqur tokën me ballë. Por ata tanët ishin egërsuar, pse u kish shpëtuar nga dora familja e Iskander Kainit. Ballabani i Ri pështyu ujin blu. Të shtjerrtë Allahu ty, thirri, e i vraftë reja murtadët e kufarët kudo qofshin. Unë vura re se disa nga shpura e tij në ato çaste ulën sytë e shikuan tokën. Mes të arratisurve me anije ishin dhe familjet e tyre, tatëvëllezër e amëvëllezër pleq të cilëve u kishin harruar emrat, por që rronin në kujtime të vjetra, nga koha para luftës. Një gotë qumësht. Një përqafim. Një marrje në grykë, e një puthje në faqe.

4.

Ballabani i Ri u ul në breg të detit e nisi të qante me lot, dënesë që ishin ndryrë në zemër qyshkur. Kur mbaroi, ai fshiu lotët me dorë si djalë i vogël, e nisi të falet. Bashkë me të u fal dhe shpura e tij. Pastaj ai brofti në këmbë e urdhëroi shokët, çohuni more të prishim varrin e gjakatarit. Ndërsa osmanët tjerë po plaçkisnin qytetin e braktisur, tanët nisën të shkatërronin varrin tënd imzot. Rrapi që më kish fshehur hapi degët e veta aq sa të shoh, e imazhet i kam të djegura në retinë të syve. Ata ndanë rrobat tua në katër grumbuj, imzot, e hodhën zare për to.

3. 

Atë natë, kur qyteti po kthehej në shkrumb, unë dola tinëza nga kurora e rrapit dhe u mora shpirtin të gjithë atyre që kishin marrë eshtrat e teshat tua, imzot. Të parin e therra Ballabanin e Ri. Grahma e tij e mbytur qe e shkurtë. Ai vdiq në gjumë pa arritur t’i falet Zotit për mëkatet e veta, e unë lutem që shpirti i tij të degdiset nëpër katër qoshet e ferrit gjer në ditën e gjykimit. Para se të kthehem, ktheva sytë edhe një herë të fundit, për të parë qytetin ku kisha lindur. Flakët e kishin kafshuar si demon. Trerë e tjegulla kishin rënë, e muret ishin nxirë nga bloza e shkrumbi. Vetëm rrëza e gurtë qëndronte ende, si amanet. Unë ktheva te rrapi im, e pres aty që atëhere.

4.

Nganjëherë më bëhet sikur të shoh tek kthehesh, imzot, me kalin tënd të bardhë e parzmoret që të shkëlqejnë në diell. Dhe unë të zgjas arkën e lashtë me eshtrat e rrobat tua aty. E ti qesh, si qeshje atëbotë, e më pyet ku paskam qenë kaq shekuj me radhë. Dhe unë të them, kam pritur në hijet e rrapit të lashtë, imzot. Por kur dua të ta dëftoj vendin rrapi nuk është më, as pusi mes sheshit. E ty të bie një pikëllim mbi fytyrë. Ti zhbëhesh në ajër të rrallë, e mua më ndalet fryma.

5.

Kam parë osmanët të largohen drejt jugut, e nga jugu të vijnë grekët. Kalonin përgjatë njëri-tjetrit por pa u vërejtur, pse marshonin në kohëra të ndryshme. Kam parë serbë, gjermanë, austriakë, italianë, bullgarë, amerikanë të kalojnë këtej, në sulme e tërheqje të vazhdueshme drejt Krujës. Të gjithë janë të ndërsyer ta pushtojnë kryeqytetin tënd të lashtë imzot, e njerëz tanë me mjekra cjapi e sy të zgjuar u dëftojnë shtigjet. Por të gjithë i shoh të kthehen mbrapsht nga kanë ardhur, me vello të zhgënjimit mbi fytyrë. Unë i kundroj të gjithë nga kurora e rrapit, tek ikin të thyer.

6.

Nganjëherë vjen një grua e vjetër e më ofron të blej gështenja të pjekura në zjarr. Më duket sikur e njoh, nga kujtime të vjetra, nga koha para luftës. Një gotë qumësht. Një përqafim. Një marrje në grykë. Një puthje në faqe. Sa here i them se s’kam më çfarë t’i jap pos shpirtit, ajo shkrihet duke qarë.

7.

Unë jam kalorësi i mbramë i Skënderbeut. Kur shokët e mi u tërhoqën drejt anijesh unë u fsheha pas rrapit të vjetër dhe mbeta. Prehje të amshueshme jipju Zot, e dritë e përhershme i ndriçoftë: troku i kuajve të tyre mbi gurë oshëtinte si meshë e vdekjes. Rrapi im më fsheh, ashtu si më ka fshehur kur isha djalë i vogël. Velat e tyre tashti jenë mbledhur palë në palë të kohës, por një kujë thërrese grash e fëmijësh nga barqet e anijeve jehon ende në këtë qytet, për atë që di të dëgjojë. Kuja jehon ende në veshët e mi. Dhe unë pres, imzot. Pres që ajo të mbarojë kur të kthehesh ti.

(Shkruar për orën letrare për Skënderbeun, Stockholm 19 maj 2018)

SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

Ju lutem lini komentin tuaj!
Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

Artikujt më të fundit

“Më mungon pas mesnate” rrëfim nga Andreas Dushi

1 am dhe më mungon -Po bëhet më e thjeshtë? – Po, po bëhet! – Sa? Si? – Epo... Jo,...

“Dëshira e premierës”, cikël poetik nga Ilir Shyta

Requiem për J… Kambanat gjëmojnë papushim, litarët e gjatë akrobaci i bëjnë ajrit. Organo luan requiem Mesha filloi...

Pra, në të vërtetë, nuk qenka Gutenbergu ai që shpiku shtypshkronjën

M. Sophia Newman Nëse një libër do të cilësohej “i njohur botërisht si më i rëndësishmi nga të gjithë librat...

“GJON MILI – njeriu kurth…” nga Besim Fusha

…Mili nuk ju vret. Por, më zi se aq, ju zë të gjallë… Mili ju kap gjallë në gjendje të pagatuar… dhe...