E piva kafen e helmët pa ty, këtë mëngjes,
Dhembjen, fillikat, me kë ta ndaja,
Chateau Juvenilja tek e shoh më ngjan,
Më shkretëtirë se Saharaja…
Ike heshtjes si gjigant, i menduar,
(Bëre vallë pakt të fshehtë me ikjen?!)
Le bosh pas vetes, në mijëra zemra,
Zbrazëti pa skaj, apokaliptike…
…
(Pse vijnë gjenitë dhe ikin nga kjo botë..?!)
Ikja jote është shtegëtim qiellor,
Vdekjen s’mund as ta imagjinoj dot!
Mortin s’mund ta marr as me mend..
Një zog erdh’ a m’u faneps
Fluturimin ndali, u ul në vendin tënd,
…
(Të ish hij’ e Nobelit ai udhëhumbës,
Me pendesën në vete, një gjasë aq e rrallë,
U nis por mberriti vone, nga erërat që frynin,
Korb u bë nga mërzia, se s’të gjeti gjallë…)
U përmenda ne fund, humbes në atë bosh,
Hodha sytë në qiell, përtej, te e panjohura,
Me pafundësinë u shkri, atje perjetshëm,
Shpirti yt shteg’tar që kapërcen kohërat.