More
    KreuLetërsiBibliotekë"Jetë me alarm", poezi nga Nurie Emrullai

    “Jetë me alarm”, poezi nga Nurie Emrullai

    1.
    Unë jam 6 vjeç, 6 vjeç është ai.

    Kërcejmë mbi litar dhe këndojmë:
    Hë-na!
    Die-lli!
    To-ka!
    Qie-lli!
    Trë‒nda‒fi‒li!

    Përsëri:

    Hë-na!
    Die-lli!
    To-ka!
    Qie-lli!
    Trë‒nda‒fi‒li!

    Këmbët ngatërrohen në litar,
    Përplasemi në tokë, por dhimbjen të qeshurat e mundin.

    1.1
    Tani që muzgu po bie
    unë duhet të ik,
    se jetoj larg,
    shumë larg teje,
    i thonë mbasbjeshkë e thatë,
    ku fluturat nuk lindin nga krimbat,
    ku secili dru ruan hijen e tij,
    dhe është kaq e mrekullueshme
    se si ti e ndjen këtë,
    se e njëjta flutur vjen nga krahu im te krahu yt,
    e njëjta hije bredh nga trupi im tek i yti.
    Nata leshkorrë ia vesh veladonin vetes…

    1.2.
    Unë jam 18 vjeç, ai 24.

    Fytyrën me dhimbje të vendit tim e bart me vete
    unë, përkundër tij, jetën e kam me alarm.
    Andaj ngutem t’i mbaj mend të gjitha,
    shiun, dhëmbin e parë, dorën e shtrënguar…,
    i dashuri im vjen me hapa të rëndë dhe më shkel çdo ditë me mungesën e tij.

    Mes një kike dhe një tjetre po shikohet filmi im,
    Mes ëndërrave dhe jetës do të rrafshohen malet e këtij
    shekulli të anuluar.

    1.3.
    Unë jam 28, ai 18

    Tokë,
    shtresë e kadiftë rreth gjinjve të mi,
    jastëku i birit tënd modern,
    që të ka mbuluar me injeksione, barna koke, shiringa, fasha pastruese,
    dhimbje venësh, kotje në kllapi, ku pareshtur vijnë mesazhe nga nëntoka në gjuhë të panjohur.
    Omanet ua mbulojnë sytë,
    diejt e trupave të tyre ruajnë kaltërsinë e qiellit,
    përzierje e qëllimshme,
    për të harruar se jetën e kanë me alarm.
    Barnat u pinë për këtë ditë.

    1.4
    Unë jam 34, ai 14

    Këtu,
    në kotësi kërkoja dëfrimin
    dhe vuaja duke buzëqeshur,
    e gëzoheshin të tjerët:
    ‒ Ja dhe një njeri që jeton lumturisht.
    Por, unë nuk kisha ku të shkoja,
    jetoja brenda kutisë së vogël,
    që më la formën e kësaj që jam sot.

    Trishtimi rodhi ëndrrave të mia
    dhe lagu cohën e tyre të mëndafshtë.
    Gjithçkasë shkëlqyese i mbetën veç majat e thara të barit.

    E di që kjo nuk është e bukur,
    madje është e urryeshme:
    të të njoh në dhimbjen tënde,
    të të njoh me dhimbjen time.
    Se ti më përket,
    se të përkas ngado që i iki vetes.

    1.5
    Unë jam 45 vjeç, ai 10

    Kujtoj, mamaja mblodhi buzët e tha:
    ‒ Nuk mund të hamë më bukë në këtë vend,
    është kaq i braktisur.

    Unë mblodha krahët dhe s’thashë asgjë,
    E as nuk dija të qaja.

    U ula në gjunjë,
    nisa të lutem në gjuhën e fëmijërisë,
    s’kuptoj fjalë por,
    në tinguj besoj,
    njësoj siç bën nëna ime
    dhe dikur gjyshja ime,
    dhe ndjej frikën të më lëvizë
    si jehona zgafellave të maleve
    dhe heshtje.

    Për pak kohë edhe ne e kishim harruar jetën tonë me alarm.

    1.6
    Unë jam 60 vjeç, ai 6 vjeç

    Ne luajmë me litar dhe këndojmë:
    Hë-na!
    Die-lli!
    To-ka!
    Qie-lli!
    Trë‒nda‒fi‒li!

    Hë-na!
    Die-lli!
    To-ka!
    Qie-lli!
    Trë‒nda‒fi‒li…

    Dhe ngatërrohemi në litar dhe biem,
    dhe fryma na ndalet nga e qeshura e tejzgjatur e publikut
    të pangopur për dështime.

    Unë mbyll sytë, lutem
    në tokën, diellin, qiellin.
    Dhe ngrihem dhe shkund dheun prej meje
    dhe filloj përsëri lojën,
    këtë herë edhe më shkujdesshëm…
    Ndërkohë kujtohem
    se kam harruar të blejë
    furçë dhëmbësh Colgate
    dhe pastë dhëmbësh Colgate White

    Dhe pastaj kujtoj,
    një bisedë të lënë diku,
    kur unë do t’i thoja: “Të dua! Mos ik!”
    Dhe ai do t’më thoshte: “Asnjëherë!”

    E lutem për botën time të vogël,
    sado që dua të përfytyroj të madhe,
    truri ngec në rrokjen e numrave me shumë shifra…
    Unë vazhdoj buzëqesh dhe pres
    derisa gjithë kjo të shkojë në vesh të duhur.

    Dua të plakem ngadalë, këtu, në veten time…

    Unë jam 74 vjeç dhe ai veç 6.
    0.01

    Tani që muzgu ra,
    ti mos më lut të rri,
    Unë jam duke ikur,
    Po kthehem në mbasbjeshkë.

    Një flutur fluturoi nga krahu im tek i yti
    dhe t’u fut në zemër.

    Nga drunjtë
    po bien krahë halorë të engjëjve.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË