Kreu Arte pamore Hyjni Ceka: Simfonia e shenjtë (Kushtuar piktorit Zef Kolombi)

Hyjni Ceka: Simfonia e shenjtë (Kushtuar piktorit Zef Kolombi)

Sa qasej dreka, zinin kambanat e binin, nëpër kisha… Ia thoshte edhe myezini lart, në minare, te Xhamia-Mbret…

Atë kohë, dilja në prag të derës së madhe. Kisha qejf të shihja profesor Zefin, kur shkonte rrugës. Gjithnjë, po në një kohë, më kalonte përballë. Me hap të gjatë… Trupit i jepte përpara.

Sokaku ynë zgjatej e zgjatej. Më dukej pa fund. Por, mbyllej larg… Te sergjet e Paparistos…

Pak përpara, më të mëngjër, çelej një rrugicë. Gjithë-gjithë, njëqind metra kalldrëm. Andej banonte dhe profesori: Rruga Papa-Mihalej.

Thoshin që kishte grua të bukur dhe djalë të vetëm. Unë… s’kisha parë gjë. Po, kur shihja sa e zgjaste hapin për shtëpi, mendoja veç një gjë… Sa fort i donte profesori atë grua dhe atë djalë!..

Për Zef Kolombin flitej shumë nëpër Elbasan… Për të mirë, sigurisht. Tregonin se, po të kthehej nga puna, mbyllej. S’dilte më nëpër qytet. Merrej… veç me grua e veç me djalë…

Tregonin edhe për shtëpinë. Muret e dhomave i kishte zbukuruar, cep më cep, me piktura. Portrete të gruas, portrete të djalit… S’më besohej gjithë kjo. Mgaqë s’më arrinte gjer këtu mendja…

… Asi kohe, isha mbushur pa mbushur shtatë vjeçët. As në shkollë që veja. Ç’ish nderimi im për Zef Kolombin, përpara atij të mbarë qytetit?!

E adhuronin.

Vendosi njëherë kavaletin nga Porta e Kalasë… Këndej nga futeshe për në lagjen tonë. Kalimtarët, sa e shihnin, mënjanonin. Anash e anash… Rrëzë muresh… Maja gishtash… Si e si të mos shqetësohej artisti… Të pikturonte i çliruar. Ta ngjeshte penelin i frymëzuar…

Shkoi një copë herë kështu.

Pastaj vinin njerëzia te Porta e Kalasë. Ndalnin aty. Shihnin piktorin nga larg… I binin rreth e përqark ahere. Gjëkund se pipëtinte zë!

… Në të hyrë të Portës ishte rrojtorja e Liçit.

-Ç’bëhet kështu?!-habit Liç Berberi. -M’u shkretua dyqani.

I thanë me zë të ulët:

-Ka dalë zotni Kolombi .. Pikturon faqen e Ullishtës.

Dajë Liçi zbriti. Ashtu, me pantofla… Gjeti edhe shkak… T’ia mbante për shtëpi njëherë.

 Drejt… Ku qe ngulur Zef Kolombi. Mes dyerve të Ali Cungut e të Met Mirakut.

Piktori, atë kohë, zhytur në mjegull frymëzimi. Sytë i pat qepur larg fare. Mbi faqe të Ullishtës… Shihte dhe kambanoret, dhe xhaminë, fare pranë.

Cigarja i varej. Kish harruar ta thithte.

Liç Berberi nga buzët nxirrte mjaltë.

-Të lumtë ajo mendje, profesor!.. Të lumshin ato duar!

Ai se si ktheu… E falënderoi.

I qenë ngjitur të dy kavaletit… veç ata.

-Oh, ç’nder!.. Po na nxjerrke lagjen! Ti je “xhanan”, profesor!

Zef Kolombi mezi u shkëput prej vetvetes.

-Jo, zoti Ali!… Po krijoj tablonë e “Simfonisë së Shenjtë”… S’e sheh? Vijnë njëri pas tjetrit. Minarja, kambanorja e Shën Marisë dhe ajo e Shën Pavlit përtej… Ullishta në sfond… Paqe e tëra.

Në lagje tre besime, vëllazëruar!

Liçi u befasua. Si i verbëri kur i shkrep, papandehur, drita e syve…

-Bah!-shpërtheu… Dhe heshti e ra në mendime.

Kaq vite që mbante rrojtoren “Normalisti”, te Gryka e Kalasë! Kaq vite që priti e përcolli sa e sa profesorë!… Kaq vite që shkoi nëpër duar mendjet më të ndritura të Shqipërisë!… Kurrkush nuk ia pat thënë atë fjalë… Vjen shkodrani, prej anës e anës, e ia thotë. Ku t’i gjesh këta njerëz, more!.. Ta dojë tjetri Elbasanin, si ta ketë vatrën e tij!… Të bëhet dhëndërr në këtë qytet!… Ta pikturojë!… Ta zbukurojë!… Ta lulëzojë!..

-Më lër të përqafoj, o zoti profesor!

U shtrënguan qafë e për qafe. Si motit… Herë më një krah, herë në krahun tjetër…

Si u ndanë, berberi u lut përsëri:

-Lërmë t’i puth ato duar, të paktën!

-Jo, zoti Ali!.. Të kam në vend të babait.

-Or, po do t’i puth se flori i paske!… Flori!…

Dhe ia puthi vërtet.

Gjithë këtë jo se e krijoj… Por e kuptoj… Se më ka qenë ngulur në mendje që nga kohwra-thellë. Bëhen shtatëdhjetë vite. Ndoshta edhe më tepër. Më mbetet peng veç për një gjë. Si nuk u bë i gjallë një elbasanas e të kish thënë dy fjalë për Zef Kolombin?! I kemi hyrë në hak. Jo se u shkri për Elbasanin… Por u shkri me këtë qytet… Bashkë! Elbasanas, njëzet e katër karat!

E pat marrë mbarë… Nga s’e nguli atë kavalet të uruar! Në Qoshe, te Gjirizi, ballë për ballë me Shkëmbin e Letanit… Në Tabake, te Çardhaku, përballë me Krastën e Madhe… Te Gjurma e Mushkës… Tek Tri urat. Nëpër tablo e mbodhi gjithë. Që nga Ullishta e deri buzë Shkumbini.

Kush e bëri këtë?… S’e bëri djali yt, o Elbasan! Por Zef Kolombi.

***

Qasej pranvera nga fundi i shkurtit… Merrte për krahu gruan, djalin për dore, pasdrekeve, nisej Arave të Gjata, rrugës së Shën Thanasit. Bridhte çarjeve e futej gëmushave. Mblidhte lule behari deri sa errej.

Kthehej e përzihej me vargun e shtëtitësve… Me tufa manushaqesh nëpër duar… Me tufa karakaftesh…

Për Ditë Vere rrihte ballakume. Bënte qoka, si gjithë elbasanasit, çonte dhe djalin  “për kamë”, në shtëpinë e vjehrrës…

Ngjitej pastaj te Rrapi i Mansit, bashkohej me pelegrinazhin. Njerëzit, dhe ulur të ishin, çoheshin në këmbë. Viheshin në rresht, të nderonin profesorin. Kolombin e Madh!

Ai përkëdhelte të vegjlit dhe tokej me të rriturit… Uronte për Ditë Vere…

… Mori zakonet tona të sjelljes. U miqësua me ortodoksë e muhamedanë. S’do mend. Me të diturit, sojin e vet. Nuk vinte re për sekte fetare.

***

Afronin Pashkët e Mëdha, bënte si gjithë lagjja… Ngjyroste vezë. Ndante “koqeve të kuqe” e “kuleçë” nëpër dyer myslimane. Nxirrte Julin me kanistër. Radhë i merrte dyert e profesorëve. Gostiste për festën e të krishterëve.

Vinin pastaj ditë me shenjë e të shenjtëruara. Kishim Shën Gjonin pranë, Teqenë e Madhe… Ç’të numëroj tjetër?! Zef Kolombi bënte respekt për festa fetare. Ndiqte shartet, me përpikmëri, si gjithë elbasanasit.

Kur shkonte për Shën Gjon Vladimir, e kish caktuar poltronën, ngjit dhespotit e kryepeshkopit… Ama, dhe ai dinte të nderonte. Mot për mot nga një ikonë dërgonte. E ndriste ikonostasin me pikturën e tij.

Qe kohë e shenjtë ajo e atyre viteve. Elbasani, me besë në Zot. Të “mençmit e dheut” këtu qenë mbledhur… Lef Nosi e Sotir Kolea.

Dhe Zef Kolombi po mes tyre!

***

Më tej… S’i eci më. Një mijë e nëntëqind e tridhjetë e teta ka qenë… Kohë dimrash, me rrebeshe. Binte shi rrusgjerë!

Atë mot vdiq gruaja e Zefit, Liria… I gjithë Elbasani nxiu. U mbyll Normalja. U mbyll pazari, si nuk pat ngjarë ndonjëherë. U shkul njerëzia, u dynd nëpër rrugët e “Kalasë”, te Papa-Mihalët. Po si nuk u ndal një çast si shi?!… Qanin qiejt… Vajtonin Lirinë, gruan e Zef Kolombit. Myslimanë e të krishterë, ç’pat Elbasani, mbanin qirinj për përshpirtje… Si nxinte kisha njerëzit.

Rrugës për në varreza, në ballë u vu banda “Afërdita”… Me “Rekuiemet” e Bethovenit e kanë përcjellë të ndjerën Liri.

Kohë më vonë, Zefi ngriti mbi varr të së shoqes një mauzole-lapidar: “Simfoni e Shenjtë. Rreth e rreth me zinxhirë të rëndë…

***

Kolombi s’e çoi më kokën.

Lapidari atje gjendet. Shenjtëron mes varrezave, siç e ndreqi Zefi…

… Me duart e veta.

SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

Ju lutem lini komentin tuaj!
Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

Artikujt më të fundit

Viktor Frankl dhe kërkimi për kuptimin

Nga William J. Winslade Më 27 janar 2006, në gjashtëdhjetë e një vjetorin e çlirimit të kampit të vdekjes së...

Pajtim Statovci fitues i çmimit më prestigjoz në Finlandë për letërsi, “Finlandia”

Çmimet më prestigjioze të librit në Finlandë për letërsinë, jo-letërsinë dhe letërsinë për fëmijë u dhanë më 27 nëntor nga Fondacioni Finlandez i Librit...

Shkrimtarët mbështesin Agron Tufën

Te dashur Virion dhe Zoica, Deshiroj te jeni mire me shendet te tre dhe me gjithe familjet tuaja ne Gjirokaster.

Mimoza Hysa: Diktatura kërkon një trajtim nga brenda, me gishtin drejtuar vetes dhe jo tjetrit

Intervistoi Violeta Murati Pas një përvoje tridhjetëvjeçare me përkthimin e autorëve si Giacomo Leopardi, Dino Buzzati, Eugenio Montale, Antonio Tabucchi,...