František Janouch, një fizikan bërthamor, tregon peripecitë e një udhëtimi për të takuar dramaturgun e famshëm Samuel Beckett në Paris me porosi të mikut të tij Václav Havel
Në vitin 1982, Samuel Beket i kushtoi një dramë të re të titulluar Katastrofa, Vaslav Havelit, i cili në atë kohë ishte një i burgosur politik në Çekosllovaki, i dënuar me katër vite e gjysmë për “veprime subversive”. Havel e falënderoi Beketin që i kushtoi dramën Katastrofa. “Për një kohë të gjatë pas kësaj,” shkruan ai, “në burg më shoqëroi një gëzim dhe emocion i madh, i cili më ndihmoi të jetoja midis gjithë pisllëkut dhe poshtërsisë”.
Kur Havel u lirua vitin tjetër, ia ktheu nderin Beketit duke i kushtuar një dramë të titulluar Gabim. Kjo është diçka pak e njohur nga karriera e të dy shkrimtarëve. Dramat u luajtën bashkë në Stockholm në vitin 1983 dhe u botuan për herë të parë në vitin 1984, në revistën Indeksi mbi censurën.
Personi i parë që i kërkoi Havelit të shkruante një dramë kur doli nga burgu, ishte miku i tij, František Janouch, një fizikan bërthamor, të cilit i kishin dhënë azil politik në Suedi, në vitin 1974. Më vonë ai themeloi Fondacionin Charter 77, për të mbështetur lëvizjen e disidentëve në vendlindjen e tij.
Pas lirimit të Havelit, Janouch shërbeu si ndërmjetës në një shkëmbim letrash midis Beketit dhe kolegut të tij dramaturg.
Janouch-it më pas i erdhi një ide. Ai i kërkoi Beketit nëse mund ta vendosnin në skenë Katastrofën, së bashku me Gabimin. “Regjisori i shkriu në një shfaqje, që njerëzit të cilët nuk i njihnin këto drama, ta kishin të vështirë të dallonin se ku mbaronte Haveli dhe ku fillonte Beketi”.
Për punë teatri jam kokë e këmbë diletant, barbar diletant madje. Për të vajtur në teatër nuk më mbetet kohë fare, sidomos kur jam në Suedi, ku kohën e kam më të kursyer se kudo gjetiu; nuk jam shikues i rregullt e i përkushtuar i teatrit, edhe për një arsye tjetër: nuk e marr vesh mirë atë që flitet aty, kuptoj diçka ndërmjet 50 e 80 përqindshit, në varësi të akcentit të veçantë të aktorëve dhe akustikës së sallës.
As për Beketin [Beckett] nuk dija shumë gjëra. Vërtet vite të shkuara pata parë Në pritje të Godosë, pata lexuar do tregime të tij të stilit absurd, dhe pata ndjerë se ai mund të hynte në radhën e atyre që quhen mjeshtër klasikë. Por thellësinë dhe madhështinë e fuqisë së tij artistike munda ta përvijoj vetëm kur lexova një letër për Beketin, që Vaclav Haveli [Václav Havel] e shkroi pasi doli nga burgu. Për Havelin Beketi ishte Perëndi e zbritur nga Olimpi, kurse mua, një fizikan i thjeshtë e vdekatar, po më binte për hise t’ia dorëzoja këtë letër. Mirëpo, për dorëzimin e letrës, qysh në fillim më dolën do pengesa. Beketi nuk kishte kurrfarë adrese postare. Pas hulumtimesh, që më morën goxhá kohë, rashë në gjurmë të agjentit të tij letrar (në të vërtetë, tek ai më shpuri një miku im, aktori Ivo Palec) i cili më tha, se do të bëja mirë, që letrën për Beketin t’ia dërgoja me postë restante botuesit të tij në Paris. Si shkrova veçan do rreshta në frymë shoqërore, ua nisa atyre. Nuk kaloi shumë dhe mora përgjigjen e Beketit, së bashku me një letër të shkurtër, që duhet t’ia dorëzoja Havelit. Ende duke e marrë si diçka të zakontë, pa e ditur se isha bërë lajmëtar ndërmjet një Perëndie dhe një njeriu vdekatar, nuk ma mori mendja se shënimi i shkruar me bojë të zezë, me shkronja të imta, të ntrashura fort në letër prej dore njeriu të moshuar, do ta ngazëllente marrësin aq fort. Vaclavi vërtet u ngazëllye pa masë: e ndjeu veten krenar dhe letrën e Beketit e vuri në xham, në mënyrë që ta soditnin të gjithë miqtë e vet. Kryehyu Beket kishte zbritur poshtë në Tokë dhe i kishte shkruar disa rreshta me dorën e tij. Unë, nga ana ime, i dërgova Beketit një pusullë të shkurtër për t’i thënë sa ngazëllim kishte ngjallur përgjigja dhe libri që ai i solli Havelit. Beketi u përgjigj edhe ai me një pusullë të shkurtër, bashkangjitur me një çek të majmë për Fondacionin Karta 77.
I shkrova prapë për ta falënderuar, dhe me kaq kapitulli i Beketit u mbyll – për aq sa kishte të bënte me mua, si i pafé e shpirt mëkatar që jam. E, megjithatë, më duhet të them se iu betova vetes që, me rastin e parë, pa tjetër do të shihja ndonjë pjesë të Beketit.
* * *
Në vjeshtën e vitit 1983 m’u dha t’i hyj teatrit me zulmë të madhe, matanë perdes së skenës. Jo si spektator – po si, kush isha unë? As agjent teatri, as regjisor, as aktor, as dramaturg e as drejtor teatri. Thjesht, njerí që nuk shihja shfaqje teatrore.
Iu luta Havelit të shkruante një mini-pjesë për një mbrëmje në një teatër, të planifikuar për muajin tetor dhe të organizuar prej disa prej aktorëve më të shquar suedezë në Stokholm.
Vaclavi mirënjohës pjesën teatrale ma solli, dhe kështu, pa pritur e pa kujtuar, u gjenda mes veprimtarishë dhe një mjedisi krejt të panjohur për mua. Të gjithë të panjohur: regjisori, drejtori i teatrit, aktorët e aktoret, asistent-regjisorët, agjentët teatrorë, si dhe të gjithë ata, që ende nuk i kam pjekur, përkthyesit, punonjësit e sallës, ata të biletarisë dhe reklamës; për mua kuturisje e vërtetë, madje e pandalshme. M’u kujtuan xhindet që dalin nga shishja. Kush ka kënduar rrëfenja orientale, e di sa e vështirë është t’i mbledhësh prapë e t’i mbyllësh në shishe.
Rreth 5-6 javë para premierës, më shkrepi një mendim: të shtypnim një fletë-palosje, me siguri do të pritej mirë. Ideja ime ishte të botonim letërkëmbimin e Havelit me Beketin, dhe këtë e bisedova me regjisorin Stefan Böhm. Ai ma pëlqeu idenë dhe u tregua entuziazt, sidomos pasi i këndoi vetë të dyja letrat. Po si i kishin rënë në dorë Havelit? Natyrisht, prej meje. Dhe përse ato letra ndodheshin tani në dorën time? Doemos del nevoja ta sqarojmë, se jetojmë në një periudhë normalizimi, që është thellësisht jonormale, aq sa unë nuk mund t’ia dërgoja letrën e Havelit, me atë deklaratë të rëndësishme që përmbante, një adrese të pasigurtë pariziene dhe, po ashtu, nuk mund t’ia përcillja Havelit përgjigjen e Beketit pa i bërë një kopje, për ta patur në rast se nuk i binte në dorë.
Me shërbimin postar suedez nuk kam përvojë edhe aq të mirë. Kam patur letërkëmbim të shpeshtë me ta, duke harxhuar disa mijëra korona suedeze për letra të humbura, të postuara prej meje drejt Lindjes dhe Jugut e që nuk mbërrinin në vend. Mirëpo, për botimin e dy letrave më duhej pëlqimi i të dy autorëve. Haveli ma dërgoi menjëherë. Beketit i bëra një kërkesë tjetër, duke i shpjeguar si kishte ndodhur që kisha një kopje të letrës e që duhej për programin e asaj mbrëmjeje. Autori i dramave të teatrit absurd nuk pa asgjë absurde në kërkesën time. I shkrova që mundësisht të më përgjigjej me telegram a me telefon dhe kështu, një mbrëmje, më ra zilja e telefonit.
– Samuel Beketi jam, – dëgjova një zë të thellë njeriu të mplakur.
U shtanga, por m’u dha të mendoja sa do të ishte shtangur vetë Vaclav Haveli në atë çast.
– A mund të flas me Z. Janouh?
– Uuunë jaaam, – mezi belbëzova.
– E mora letrën tuaj. Natyrisht, mund ta botoni letrën time dërguar Vaclav Havelit. Po, të të pyes një herë, si është ai?
Beketi ia shqiptoi emrin me një tingëllim frengjisht, vaklavel. Dihet se francezët e kanë problem shqiptimin e H-së nistore, vështirësi që mund të krahasohet me atë të kinezëve, të cilët nuk e shquajnë në shqiptim R-në nga L-ja.
– Bëjini të fala prej meje, ju lutem.
Zura t’i flas për Havelin dhe, me që unë nuk jam Haveli, dhe prandaj edhe i hutuar disi më pak nga thirrja telefonike e Beketit prej Olimpit të tij, më shkrepi një ide (Mua kurrë nuk më shterojnë idetë. Si ishte ajo sarkazma e hollë e Ostap Benderit: idetë – tonat, paratë – tuajat):
– Zoti Beket, a ka mundësi që në atë mbrëmjen e Stokholmit, të luajmë edhe pjesën tuaj Katastrofa që ia keni kushtuar Vaclav Havelit? (Më duket se edhe unë ashtu ia shqiptova, “vaklavel”)
– Pa tjetër mund ta luani, po ua jap pëlqimin qysh tani, kurse tekstin e pjesës do t’jua dërgoj së shpejti.
* * *
Regjisori Böhm sa nuk po fluturonte nga gëzimi. Premiera botërore e të parës pjesë të shkruar prej Havelit mbas katër vjetësh burgu dhe premiera suedeze e pjesës së Beketit – të dyja bashkë në një mbrëmje dhe të dyja bashkë besuar një regjisori të ri të një teatri të vogël “Fria Proteater” – për më tepër në një sallë të madhe teatri qyteti, që ne po kuturisnim ta mbushnim plot e përplot.
Mirëpo, unë këtu nuk e kam fjalën te mbrëmja jonë, e kam fjalën te Beketi. Rreth dy javë para natës së parë të shfaqjes më telefonoi një kritik teatri suedez i mirënjohur. Kishte takuar Beketin në Paris dhe kishin biseduar për mua.
– Si ia dole të lidhesh me të? – më pyeti. – Beketi u bën bisht njerëzve, nuk takon kërkënd dhe jeton krejtësisht i mbyllur në botën e vet.
Druaj se përgjigja ime nuk mbushi mendjen.
– Si nismëtar shërbeu Haveli; unë as nuk e kisha haberin për madhështinë e Beketit, për të si fenomen i jashtëzakonshëm në botën e teatrit – unë kujtoja se ai qe një vdekatar i zakonshëm, si të gjithë.
Për të mos hyrë në hollësi të panevojshme: ne këmbyem letra për të drejtën e autorit, unë i dërgova një informacion për mbrëmjen me shfaqjen e suksesshme në Stokholm dhe – në shenjë falënderimi ndaj Beketit për mirëkuptimin dhe ndihmesën e tij – i shkrova se do t’i dërgoja një print punimi në grafikë, të frymëzuar prej pjesëve të tij, dhe të bërë prej një piktori çek.
Ai më falënderoi ende pa e marrë dhuratën – kurse një muaj më pas tubi me printin e grafikës m’u kthye mbrapsht në Stokholm. Botuesi në Paris e kishte ridërguar pakon rekomande me adresën e shtëpisë së Beketit, por ai nuk kishte vajtur në postë për ta marrë. Me këtë mënyrë ia mora vesh adresën e shtëpisë në Paris.
Beketi nuk kishte pse të bëhej merak fare: unë nuk do t’ia tregoja adresën askujt mbi dhé dhe do ta respektoja inkonjiton e burrit të moshuar.
Pasuan dy letra të tjera të shkurtra. Beketi më njoftoi adresën e një botuesi tjetër për t’i dërguar printin e grafikës. Kur e mori, më falënderoi përsëri me letër.
Po bëhesha gati për të kaluar fundjavën e 1 prillit në Paris. Kisha patur një si mbledhje diku në Zvicër – kurse Parisi është qytet i këndshëm për të kaluar fundjavën, sidomos kur kostoja e biletës së avionit për në Zvicër është njëlloj edhe kur kalon nga Parisi.
Nuk e di sesi më shkrepi: i shkrova Beketit se do të vija në Paris, dhe se do të doja të trokitja në derën e tij, nëse nuk do të ma merrte për serbesllëk të tepruar; doja ta falënderoja personalisht për gjithçka pati bërë për ne. Nëse qe e volitshme për të, a do të linte një njoftim në adresën time të Parisit, mundësisht?
Në Paris, unë kam kafazin tim të vockël, një papafingo të ngrohtë në Lagjen e Hebrenjve, rreth 150 metro larg Rue de Rivoli. Me thënë të drejtën, papafingoja e ngrohtë nuk është e imja, unë kam vetëm çelsin e saj, si dhe një ftesë të përhershme për ta përdorur sa herë vij në Paris. Atje hyj si në shtëpinë time, portieri më përshëndet si me qenë banor i rregullt… Ç’mund të them tjetër? Përfytyroni qoshen më romantike të Parisit.
Mbërrita në Paris të premten në mbrëmje. Në dhomë më priste një pusullë e Beketit.
Ai do të ishte në hotelin PLM Saint Jacques, të djelën më 1 prill në orën 11. “Ejani, po të keni mundësi”.
Zakonisht, në Paris nuk kam as edhe një minutë të lirë. Kam shumë të njohur, po dhe restorante të mira ka shumë, e po ashtu edhe ekspozita interesante sa të duash.
Është mbrëmje të shtune – papafingoja ka një mungesë të ndjeshme, e cila mund të shihet edhe në mënyrë dialektike e të kthehet në të kundërtën e vet, në epërsi të madhe: nuk ka telefon. Gjithmonë më duhet ta kem xhepin plot me monedha si dhe durim derri për të pritur sa të lirohet kabina telefonike. Kabinat telefonike në Paris më ngjallin, herë pas here, një farë ndjenje të mbrapshtë raciale – nuk mund ta merrni me mend sa e tjerrin muhabetin arabët, dhe dihet se telefonat praktikisht përdoren pa pushim prej arabëve.
Kështu, pra, të shtunën në mbrëmje dola për të bërë një numër telefonatash. Po shkonte ora dhjetë. Një gjysëm ore më pas, arabi, që më ra për pjesë, liroi kabinën. Bëra telefonatat dhe lashë disa takime. Më mbetën edhe disa franga. I telefonova një miku, një kolegu fizikan me emër muzikor, Franc Lehar. Më tha të merrja trenin e parë dhe të shkoja tek ai. Shtëpia e tij e re ishte në përfundim e sipër, dhe veç kësaj, sapo kishte ardhur nga Bota e Re një miku ynë i përbashkët, të cilin nuk e kisha parë prej vitesh. Kundërshtimi im, se kisha lënë shumë takime të tjera dhe nuk kisha kohë fare, u hodh poshtë energjikisht me porosinë e rreptë “merr pizhamat dhe furçën e dhëmbëve, pas një ore më ke në stacion”. Harrova t’ju them se Fransuai banon rreth 40 km jashtë Parisit, po dhe ishte orë e vonë e së shtunës në mbrëmje … Por e mira është se Metroja nuk të lë në baltë, trenat e saj janë të shpeshtë dhe të shpejtë. Në stacion sosa para mikut tim. Arrita, për habinë time vikinge, të mbledh do bisqe të njoma me lule qershie të egër për zonjën e shtëpisë.
Habi e madhe, para pak ditësh isha larguar nga Suedia plot ngrica, kurse këtu pranvera kishte çelur me të gjitha.
Ndenjëm shtruar dhe u fjalosëm me gotat e konjakut përpara e me zjarrin e kërcunjve të thatë në oxhak.
– Duhet të ngrihemi në orën tetë të mëngjesit, – thashë unë, – Beketi më pret më njëmbëdhjetë.
Një dush me ujë të ftohtë akull më nxori gjumin e më këndelli. Në garazh – befasi e pakëndshme: bateria e makinës kishte rënë plotësisht.
Duhet të shkoja pa tjetër, Vaclavin nuk mund ta zhgënjeja kurrsesi. Zura të mendoj si t’ia gjeja çaren, si të arrija në Paris nga ky cep i humbur këtë mëngjes të djele, kur e gjithë Franca ende fle.
I pata telefonuar Havelit të shtunën në mbrëmje për t’i thënë se do të takoja Beketin. Ma ktheu me thumb se ai vetë nuk do të guxonte të takohej me të, dhe se, përveç kësaj, nga emocioni për mua, atë natë nuk do të mbyllte sy fare.
Vumë aparatin për të ngarkuar baterinë dhe sa nuk po më këputeshin nervat tek shihja se akrepi i orës sime të dorës lëvizte me shpejtësi, kurse gjilpëra e aparatit mezi luante vendit. Pas njëzet minutash, miku im fizikan erdhi në përfundimin se, me një çikë fat, makina do të na shpinte deri në stacionin hekurudhor pa u bllokuar, nëse ne e shtynim vetë nga mbrapa teposhtë rrugës për ta ndezur.
Sukses! Ia shkelëm si të krisur rrugëve të ngushta, por, kur po i afroheshim stacionit, trau i ndalim-kalimit qe ulur. Po hynte treni për në Paris. Tjetri vinte pas një ore.
– Jepi, vrap, dil nga nënkalimi matanë, ke për ta kapur.
U hodha me furi drejt stacionit, por ndërmjet meje e trenit kisha një rrethojë pothuaj dy metro të lartë, të mbyllur gjithandej, pa kurrfarë vrime për t’u futur. M’u duk vetja si ai personazhi i një rrëfenje autori tonë klasik, që çelsin e qenefit në dorë e kishte, e megjithatë … Të dalë ku të dalë, thashë me vete, iu ngjita rrethojës dhe rashë matanë. Dy gra më përshëndetën me duartrokitje. U kapa pas derës së vagonit të fundit dhe shtypa butonin për të hyrë.
Fryma më erdhi në vend, kur po i afroheshim Parisit.
Në stacionin Chatelet – një telash tjetër. Nga nguti e hutesa, nuk u kujtova se isha pa biletë. Automati magnetik i kontrollit nuk më hapej. Nuk dilja dot. Mirëpo më ndriti ylli i shpëtimit nga ky siklet – një zezak i gjatë, të cilit iu ngjesha për mbrapa dhe kalova ngjitur me të. Ai u shtang nga habia, por nuk foli. Edhe unë nuk bëj zë kur të tjerët e tjerrin muhabetin në telefon.
Më pas punët shkuan fjollë: bëj një dush, ndërrohem dhe mbërrij tamam në kohë te vendi i takimit. Zë vend ndenjur në foajenë e hotelit, me sytë te dera, dhe rri e vras mendjen: A do ta njoh për fytyrë? Po ai, si do të më njohë?
Befas, një burrë plak i gjatë, me flokë të dendur të thinjur të qethur karé, i veshur me xhaketë lëkure dhe triko të trashë Aran, erdhi drejt meje: – Zoti Janouh?
Shkuam për kafe. Samuel Beketi porositi dy herë ekspres dyshe.
Folëm e folëm për afro një orë. Me thënë të vërtetën, më shumë fola unë. Ai më kërkoi t’i rrëfej për mbrëmjen e organizuar në Stokholm, për shfaqjen e Katastrofës, dhe për situatën në Çekosllovaki. E njihte fare pak, interesimi i tij qe vërtet i madh. I fola për Vaclav Havelin, për burgimin e tij, për përvojën me autoritetet, të cilët i dhanë leje për të shkuar në Nju Jork për premierën e njërës prej pjesëve të tij. Se ç’luante në këtë mes, dardha e kishte bishtin mbrapa, dhe Haveli nuk e pranoi. I rrëfeva sesi njerëzit i luanin pjesët e tij në apartamente private, ia botonin librat me kopje dorëshkrimesh të daktilografuara. I rrëfeva për Fondacionin Karta 77. Nuk m’i ndante sytë as edhe për një çast, përpinte i përqendruar çdo fjalë, dhe tronditjen ia tradhtonin vetëm duart e mplakura gjithë rrudha e damarë. – Si u lidhe ti me këto punë, – më ndërpreu papritmas.
E kuptova se më kishte marrë për suedez. I shpjegova shkurt përse nuk isha suedez, përse zor se mund të bëhesha i tillë në këtë jetë.
Zumë të flasim për pjesët e tij. E ndjeva sa me zor i punonte kujtesa; për shembull nuk e mbante mend mirë në kishte qenë në Pragë për premierën e pjesës Në pritje të Godosë.
M’u dha t’ia kujtoja se edhe e shoqja kishte qenë e pranishme atje. Ai e kaloi fjalën tek e sotmja, pjesët po i luheshin në teatrot e Broduejt në Nju Jork, tha, dhe, kishte dëgjuar se edhe do pjesë të Vaclav Havelit po luheshin atje. E pyeta çfarë e kishte frymëzuar për t’ia kushtuar Katastrofën Havelit. U duk sheshit se ra në siklet – gishtërinjtë e gjatë të dorës zunë të trokitnin më shpejt në pllakën e mermertë të tavolinës. – I kam lexuar pjesët e tij. Desha të shpreh përkrahjen time për të, dashamirësinë time, solidaritetin tim…
Biseda jonë ngriu pezull. Nuk desha të zbres në vogëlsira ose ta lodh.
I përmenda Operën për tre grosh të Havelit dhe i thashë se ajo do të shfaqej vitin e ardhshëm në Festivalin Teatror të Parisit. Nga çanta e dorës nxora dorëshkrimin e përkthyer në frengjisht. Beketi e mori, e shfletoi, dhe më pyeti: – A mund ta mbaj për ta kënduar më vonë?
Unë bash këtë doja. Mendimi i Beketit dhe fjala e tij mund të ndihmonte që Hirushja e dashur e Havelit të hynte në botën e madhe. – Si jo, pa tjetër, – i thashë.
– Do t’ju shkruaj, – më tha.
– A mund t’ju bëj disa fotografi, – e pyeta. Më dha një vështrim habie. – Për t’ia ilustruar gjithë këtë takim Havelit. – Natyrisht, po, po, bëji, – u përgjigj me një buzagaz paksa të hutuar, si u ndodh zakonisht të gjithëve në të tilla situata.
Me aparatin tim “Rollej”, në madhësi xhepi, i bëra dy foto. Si e lashë aparatin mënjanë, Beketi u këndell në fytyrë, si më parë.
– Nuk po ju mbaj më gjatë. Ju jam mirënjohës për këtë takim dhe për mundësitë që më dhatë t’ju falënderoja drejtpërdrejt.
Beketi më ndërpreu pa fjalë, vetëm me një gjest dore, që mezi binte në sy. Desha të paguaj kafetë. Nuk më la, thirri kamerierin, dhe i dha një kartëmonedhë njëqind-frangshe, të nxjerrë nga xhepi e të mbajtur shuk në dorë qysh më parë. Këmbyem edhe dy tri fjalë në pritje të kamerierit, që nuk po vinte. Pas pak, Beketi thirri një kamerier tjetër dhe me inat i tha “më jep kusurin” në frengjisht. Kamerieri i parë u kthye me kusurin dhe i kërkoi falje. Beketi i numëroi prapë paratë në tabaka dhe i dha diçka për bakshish.
U ngritëm dhe morëm për te dalja. Më dha dorën e ma shtrëngoi fort.
– Ju uroj mbarësi në gjithë punët tuaja dhe jepini të falat e mija të përzemërta Vaclav Havelit.
* * *
Atë mbrëmje ia rrëfeva këto një francezeje, dikur aktore teatri.
– Paskeni takuar Beketin? Po e sajon, më duket. Nuk kam pjekur ndonjë, që të jetë fjalosur sy më sy me Beketin.
Nxora nga xhepi pusullën e ftesës. Ajo e lëçiti gjithë me dyshim dhe më la përshtypjen se donte ta verifikonte nëse qe e shkruar me dorën e tij. Gjatë pjesës tjetër të mbrëmjes me të, një pjesë të admirimit për Beketin ma kaloi mua, me që ia kisha dalë mbanë ta takoja.
Që hyra në botën e teatrit ia quaj për nder Vaclav Havelit. Pa të, kurrë nuk do ta kisha takuar Beketin.
Post Scriptum: nga një letër e Vaclav Havelit për mua:
“1.4.1984: Në orën 11 Zdenek Urbanek dhe unë po mendonim për ty si re në bisedë me S.B. (Zdeneku një herë më tha, se më kishte zili vetëm e vetëm për letrën, që kisha marrë nga S. B. Unë iu përgjigja: “Shko bëj burg katër vjet me radhë dhe mbase merr një letër të tillë edhe ti!”)
(Maj 1984)
Përktheu nga anglishtja
Abdurrahim Myftiu