More
    KreuLetërsiBibliotekë“Hija e fshehur e burrit”, poezi nga Odise Kote

    “Hija e fshehur e burrit”, poezi nga Odise Kote

    1 -Bie shi i kuqërremtë në Pompej

    Bie shi i kuqërremtë mbi statujat seksuale në Pompej.
    Dashnorët e vjetër ua bëjnë me sy vizitorëve
    që besojnë se misteri i krijimit të botës,
    fillon me nxehtësinë dhe takimin.
     
    CNN thotë se diga Dniper hidhet në erë,
    ndërsa ujërat përmbytin Ukrainën,
    Papa Françesku i dërgon letër Zelenskyt.
     
    Mbi dilema spjegimi, larg, larg luftës e tmerrit,
    Heshtur – heshtja e grave indiferente, pyet përse,
    Pompeun – qytetin e qejfit,
    Vezuvi e dogji me llavën e nxehtë të vullkanit?
     
    Buzëve të kraterit inkadeshent, ende të paqetë,
    Ciceroni harron të thotë se hakmarrja
    është gabimi dymijëvjeçar,
    I rrëzimit të statujave me defektin e tyre,
    vesin.
     
    Bie shi i kuqërremtë mbi statujat seksuale në Pompej.
    Zogj të çuditshëm shtegëtojnë qiejve të vjeshtës …


    2-Veten mos e humb!

    Me duf fëmije, me të qara
    Për ego botën mos e tund.
    Gjej një motiv e bëj përpara,
    Veten mos e humb!
     
    Në kohë të çmendur, të tërbuar,
    Në turp mëkati a në kurth.
    Ti mos u ndje i mënjanuar,
    Veten mos e humb!
     
    Kur gjen të lodhur, zemërthyer,
    Të japësh shpirt, ti mund.
    Në dallgë fati, lumërrëmbyer,
    Veten mos e humb!
     
    Një ftesë njeriu të kesh rrugën,
    Se e vërteta djeg e shkurmb.
    Ti me revoltën ndaje bukën,
    Veten mos e humb!
     
    Ti kurrë mos hesht, profet i ri,
    Mërzinë nga rrënjët shkund.
    Dënuar je, veç me liri,
    Veten mos e humb!
     
    Rrebel i kotë e me të qara
    Për ego botën mos e tund.
    Gjej një motiv e bëj përpara,
    Veten mos e humb!


    3 -Frederik Rreshpja, koha e dytë. 

    Si rrëkeza e pafajshme poshtë dherave përpëlitej fjala,
    Pa mundur të dilte sipër, ecte rrugës së vet.
    Nënë, çfarë bote qënka kështu?
     
    Vitet e gjata në fshehtësi i kthyen fytyrat në maska.
    Nëse hesht tani, tradhëton vetveten
    duke përqeshur skenat e çuditshme kuturu!
      
    Prej asaj dite në dallgë të Bunës
    çdo çurg i vogel uji,
    djeg si qymyr i ndezur.
     
    Zëri i tij u bë tingull i vetëm,
    Të tjerët në breg heshtën.
      
    E ç’ka fitove me mbrojtjen e lirise?
    Nuk humba kurrgja!
     
    Gjeta zogun e lirikës dhe hapësirat elegjiake.
    Vetminë që fluturon lehtësisht nëpër fusha,
    Kapërcen malet.
    Dhe më sjell vetedijën e skllaverisë vetjake.


    4- Shtatë male, shtatë fusha.

    Në Kështjellën e vogël Loreto
    mbi përrenjtë e thepisur të Papatit,
    Mijëra vizitorë nga bota magjepsen, hutohen,
    blejnë syvenire, mbështillen me mistikë.
     
    Ngjan çdo gjë është bulb e palcë,
    asht antropologjik,
    ndonëse shekujt s’ikën kurrë paqësisht.
      
    Inkuzicioni dhe vdekja ende fryjnë si erë e marrë,
    për të shpallur ndjesinë e betejës me vetveten,
    ku humbja dhe fitorja fqinjërojnë, sublimohen.
     
    Dhimbja bëhet tjetërfarë, e jotja dhe e tjetërkujt,
    dhimbje që përbuz të përzishmen, të voglën,
    përpëlitet në shqyrtim, vetëflijohet,
    kërkon të harrohet.
      
    Matanë kështjellës Loreto, matanë detit,
    është Atdheu im, plot diell, i qeshur,
    grotesk, çudan, tinzar, i ngrysur,
    me njolla të mbetura stepash ruse,
    orizore kineze, gjëmbaçë Anadolli.
     
    Kalit të hazdisur të vetëdijës,
    i duhet të kalërojë pa ndalim.
     
    Në shtatë male e shtatë fusha
    ku vigjëlojnë rojet e moskuptimit,
    për të mbërritur. 
     
    Në Kështjellën e vogël Loreto,
    mbi përrenjtë e thepisur të Papatit,
    vizitorët e botës magjepsen, hutohen,
    blejnë syvenire, mbështillen me mistikë …


    5- Hija e fshehur e burrit… 

    Hypur mbi kulm të shtëpisë,
    Shkul me tërbim tjegullat një nga një.
    E çfarë bën ashtu or plak?
    I shkul nuk e sheh?
    Dua t’i shes,
    atje në qytet,
    një tregëtar shëtitës i blen me çmim të mirë.
      
    Ti s’mund të shesësh gjënë e tjetrit,
    atë që s’të përket,
    i tha një zog resh të zeza
    që ngjau soj sorre,
    duke fluturuar ulët sa e çiku në sup.
      
    Ka trembëdhjetë vjet që ka vdekur,
    E varrosa me duart e mia, i vetëm,
    pasi në fshat këmbë njeriu s’ka mbetur.
     
    U shfajësua hija e fshehur e burrit,
    Që ra si thes me relike tê shpërdoruara,
    nga maja e vetmisë.


    6- Vetëm ti …

    Vetëm ti ma ke rrëmbyer kujtesën.
    Ç’ti them erës që gërvisht me thonj në qelqe?
    A e kam humbur atë flakëzën e shpresës,
    pyes gërmat që nga pemë e durimit varen…
      
    Vetëm ti ma ke rrëmbyer kujtesën. 
     
    Ëndrrat dhe udhëtimet pa ty i refuzoj,.
    bashkë me çmenduritë e fotot e kujtiesës.
     
    Gjethe pengjesh të këputura,
    rënë me ngut natën,
    shkrime shiu në erën e çmendur,
    tani kushedi ku bredhin të trishtuara.
     
    Vetëm ti ma ke rrëmbyer kujtesën …


    7- Kjo botë që prej fillimit …

    Dëgjo! – thosh’ mëmêzonja kur isha fëmijë:
    Njëherë të jesh dele, dritë, me sytë nga zoti,
    Herën tjetër ujk, flakë, rrufe që të djeg.
     
    Kjo botë e kokolepsur që prej fillimit,
    Kështu vete – vjen …


    8- E humbëm librin, mikja ime …

    Gjithë jetën, mike, midis librash,
    Do ta bitis, nuk ka dyshim.
    Gërma paskësh qënë drita,
    Fole e ëndrrës, kopshti im.
     
    Kur s’dija ende të lexoja,
    Në ngasje frike dhe hutim.
    Nuk di si tempuj i nderoja,
    Apo si gurë kilometrikë?
     
    Afër dritares, barkas shtrirë,
    Ç’parajsë më fshihej përmatanë?
    Një botë e mbyllur në pasqyrë,
    Libri, zogu im shtegtar.
      
    Dhe universin e ngatërruar,
    Shpesh e kam pyetur me dyshim.
    Ç’fuqi mister që paska libri,
    Kur çel një shteg a një mendim. 
     
    Erdh’ kohë e rëndë, o moj mike,
    Braktisje libri – lëngatë e flamës.
    Self dhe qeshja çuçuritëse,
    U bë çuditshëm fe e famës.
      
    Gjithë jetën mike, midis librash,
    Do ta bitis, nuk ka dyshim.
    Dija paskësh qënë drita,
    Fole e ëndrrës, kopshti im.


    9 – KOBLARA

    Koblara përveç fantazmave nuk dëgjon askënd,
    e qara tringëllin në një guaskë të zbrazur,
    muret e kishave sigurisht kanë rënë,
    bredhat shekullorë ftohen të tregojnë plagët
    të cilat duhet t’i fshehin.
     
    Nuk gjen dot asnjë jastëk të butë,
    gjaku im ankon pritjen, pikë mëshire kërkund,
    heshtja ecën nëpër udhët e veta dhe gjunjëzohet,
    të na turpërojë me gjunjëzimin e saj,
    historia e kurajës ndihet fare e lehtë, e pafjalë,
    si fluturimi gurgujve dhe pëllumbave të egër.
     
    Do të bjerë shi lajmëron toka e thatë e malit dhe nata,
    do të bjerë shi, mban aromë shiu, mizat pickojnë.
    Koha këtu nuk vdes kurrë e fati këtu nuk ka fat,
    siç nuk ka qumësht një tigër mashkull,
    megjithatë kjo bukuri qiellore zmadhohet,
    zmadhohet përnatë duke parë ëndrra …
     
    Koblara përveç fantazmave nuk dëgjon askënd …


    10 – Asnjëherë Orfeu nuk zbriti në Had…

    Asnjëherë Orfeu nuk zbriti në Had, dëshmuan rojet,
    është çmitizuar loja kukafshehti mes kuptimit e formës.
    Dhe nuk ishte Euridika që kishte vdekur, por vetë dashuria,
    në zemër të saj qënkish hedhur fara e rrënimit.
     
    Qindra vjet udhëtoi miti nëpër dete e oqeane,
    si pasqyra e brengës së Orfeut dhe konsumimit,
    sepse dashuria është një energji e parikthyeshme,
    dhe ringjallja është përtej të mundshmes.
     
    Shkallëve tani zbresin turmat biblike që lëvizin,
    si të zëna në kurth, duke thurur në vegjë të madhe,
    fytyrën e ndërlikuar të dashurisë midis burrit e gruas,
    si pasurim ku secili zgjeron veten përmes tjetrit.
     
    Cili Helen duhet pyetur, për harmoninë kundërthënëse
    midis shfaqjes së ngrirë dhe thelbit të fshehur.
    Pesha e mitit është e rëndë, nganjëherë e padurueshme,
    skenografi plot tension e dyshime, trumbeta e çarturi pafund?
     
    Asnjëherë Orfeu nuk zbriti në Had, dëshmuan rojet,
    nëse s’ka rënë zjarr në hambarët e kujtesës …


    11 – Pas beteje, njeriu …

    Në fund të betejës njeriu kërkoi lumin që ikte në vorbulla,
    lumin që hapte shtegun e ngushtë në shpat të malit,
    sepse ishte i drejtë dhe më i keqkuptuari.
     
    Kërkoi lumin që ikte revan,
    duke rrahur me ujërat e veta vidhërat e shelgjet,
    duke shtyrë në heshtje tallaz – tallaz rymat e tij të fuqishme.
     
    Njeriu kërkoi lumin që rrëshkiste si nepërkë e trembur,
    duke çikur lehtas vesën mbi fijet e barit të blertë,
    pa bërë fare zhurmë.
     
    E morri malli njeriun të dallojë vijën e lumit,
    nga ngjyra e zverdhur e gjetheve dhe myshkut
    që shkon e përdridhet poshtë hijeve.
     
    Mbrëmjen e kaluar kur priste vdekjen, një tufë çafkash,
    fluturuan drejt perëndimit duke ndjekur dritën e diellit.
     
    Tani që dielli doli përsëri çafkat u rikthyen,
    pasi qetësia është ulur në rërën e lumit,
    ulur dhe pa lëvizur fare, në pritje të shpërndahen retë.
     
    Në fund të jetës njeriu e kërkoi lumin që ikte në vorbulla,
    se frymëmarrja e lumit nuk dëgjohet …


    12 – Zbrit andejza …

    Zbrit andejza çirret frika, nuk sheh që bën veri.
    Hyp në barkë, shko mbaro punë, kthehu në shtëpi.
     
    Ki kujdes flijohet dallga, tretur në stuhi.
    Hyp në barkë, shko mbaro punë, kthehu në shtëpi.
     
    I vetmuar je pa shans, s’bën dot histori.
    Hyp në barkë, shko mbaro punë, kthehu në shtëpi.
     
    Ç›zemërim që paska zoti, bubullimë e shi.
    Hyp në barkë, shko mbaro punë, kthehu në shtëpi.
     
    Fati – toka e askujt, nuk vjen përsëri.
    Hyp në barkë, shko mbaro punë, kthehu në shtëpi.
     
    I përpiu qiejt deti, i futi në gji.
    Hyp në barkë, shko mbaro punë, kthehu në shtëpi.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË