Dr. Hysen Kobellari
Si u bë poezia Zgalemi prozë poetike – Kënga e Zgalemit apo Lajmëtari i furtunës
1
Në përgjithësi, të gjitha gjërat thelbësore të kësaj bote janë thënë qyshkur; dokumentimi është i fiksuar nëpër libra, përveçse në memorien e njerëzve. Njerëzve të brezave me radhë u pati mbetur t’i përsëritnin në forma, mënyra, trajta e gjendje të ndryshme ato që, në thelb, janë të njëjta prej mijëra vjetësh, duke shpaluar detajet vetjakësore që janë të pafundme. “Ne jemi në një epokë ku të gjitha fjalët tanimë janë thënë”. (S. Averincjev, kulturolog rus) Ne përtypim dhe ripërtypim gjëra të njohura e të stërnjohura me kohë…
Dituria mbarënjerëzore i ngjan një muri vigan me një pafundësi gurësh të vendosur përkrah e përmbi njëri-tjetrin që, duke u parë nga larg, duket monolit e mitik, ndërsa kur i afrohesh bëhet interesant, i bukur, shpirtërisht i afërt për gjithkënd e ku rrahin miliona zemra e mendime njerëzish të gjallë…
Kultura, artet dhe letërsia janë ndërtesa vigane, gurët e të cilave kanë bazamente të forta nga epoka në epokë, që i mban gjallë komunikimi, dhënie- marrja mes veti, duke bërë edhe riformësimin dhe rikrijimin… Një krijim i ri është si një gur që vendoset mbi supet e një të vjetri, që merr nga bazamenti gjithçka të mirë që i duhet, me mundësinë që të japë për atë që do të vendoset së shpejti sipër tij. “…ne shohim më larg se paraardhësit tanë, jo se kemi vështrim më të mprehtë apo se jemi më truphedhur, por se jemi ngjitur dhe qëndrojmë lart mbi shtatin e tyre vigan”. (Xhoni i Salizburit, që i referohet Bernardit të Shartës)
1.1
Në botimet e shumta letrare, në krijimtarinë e shpërndarë dendur në rrjetet sociale, ka shumë ankesa të vazhdueshme të krijuesve për kopjime flagrante të krijimtarisë së tyre ose të të tjerëve, duke i quajtur ato plagjiatura, imitime, epigonizma etj. “Gjuha, që është ligjërimi më i vjedhur zakonisht prej mitit, bën një qëndresë të dobët”. (R. Barthes)
Plagjiaturë vjen nga latinishtja plagium – kusari, vjedhje, hajni, hajdutëri; imitacioni – diçka e njëllojtë me diçka tjetër, e cila është marrë si gjedhe, kopje e origjinalit; epigon vjen nga greqishtja – i paslindur… Dukuri të tilla janë shfaqje të zhvillimit kulturor e letrar të kohërave, të kryera me vetëdije apo jo të krijuesve përkatës, akuzues dhe të akuzuar. Marrëdhëniet ndërkohore, me rimarrje e rishkruarje motivesh të njëjta prej mitesh, legjendash, folklorit etj., janë të njohura tashmë. Mjafton që krijimtaria e prurë të sjellë kënaqësi estetike dhe njeriu të mësojë diçka të re prej saj…
Gjithçka që shkruhet e krijohet e ka një burim, nga diçka paraekzistuese; kush nga mitet, dikush tjetër nga ngjarjet historike, nga realiteti, nga librat e tjerë. Kujtojmë Iliadën e Odisenë, Komedinë Hyjnore, veprat e Shekspirit etj. Ku qëndron e reja që sjell një autor i vërtetë?! Sipas Horacit, e reja “…nuk qëndron në risinë e argumentit, por në proprie dicere (shprehjen e posaçme) në njoftimin origjinal, pra të ri, me karakteristika personale”.
1.2
Për të shpëtuar nga akuzat për plagjiaturë, imitacione, epigonizma etj., prej vitesh autorët janë orvatur të krijojnë me ose pa vetëdije rryma letrare nga më të ndryshmet, si simbolizmi, deri te modernizmi, postmodernizmi, për të qenë sa më “origjinalë” në krijimtarinë e tyre. Kjo, sipas tyre, bën diferencën. Realizmi u quajt i thjeshtëzuar, banal… Por, gjithsesi, komunikimi midis teksteve në letërsi nuk mund të mënjanohet kurrë plotësisht me procedime të tilla, si: ironia, parodia, analogjia etj. “Teksti është një kombinatore, vend i një shkëmbimi të vazhdueshëm ndërmjet copëzash që shkrimi i rishpërndan duke ndërtuar një tekst të ri nga tekste të mëparshme, tekste këto të shkatërruara, të mohuara, të rimarra”. (Julia Kristeva)
Si ta kapërcejmë prirjen tonë për të qenë imitues ose epigone të paraardhësve tanë?! “Antidoti ndaj yshtjes për të imituar dhe për të kopjuar krijimtarinë e tjetrit, profilaksia ndaj epigonizmit, kërkon thellimin në erudicionin individual kulturor, leximin sistematik, leximin e vazhdueshëm, thellimin në arritjet e më të mirëve, punë këmbëngulëse dhe të palodhur për të gjetur vetveten, individualitetin e vet, kërkon një ndjenjë përgjegjësie ndaj lexuesve dhe patjetër, sedër dhe moral, etikë shembullore personale”.(V. Ziko)
Në Kuriozitete estetike Sharl Bodleri nënvizoi: “Artisti, artisti i vërtetë, poeti i vërtetë, duhet t’i paraqesë gjërat ashtu siç i sheh dhe siç i ndien vetë. Ai duhet t’i qëndrojë besnik natyrës së vet. Duhet të ruhet si prej vdekjes për të mos marrë sytë dhe ndjenjat e një tjetri, sado i madh qoftë ky; se atëherë arti i tij do të jetë gënjeshtër.”
1.3
Mund të jepen me mijëra shembuj se si edhe vepra shumë të suksesshme të letërsisë e kanë një burim të sigurt ardhjeje. Midis të tjerash, nga këto burime mund të veçojmë dy: vepra të autorëve të tjerë dhe vepra pararendëse të vetë autorit. Në literaturë gjen plot shembuj se si veprat e Homerit, Shekspirit etj., vijnë nga mitet apo kronikat e kohërave të shkuara. Për rimarrje nga veprat e mëparshme shëmbëllejnë Pallati i ëndrrave, Piramida të I. Kadaresë; romani Oh i A. Pashkut nga tregimi Eklips i tij etj. “Krijimi i ri relevon poetin! Krijimi i ri prej lëndës së vjetër…” ( L. Poradeci )
2
Duke studiuar krijimtarinë e shkrimtarit norvegjez Henrik Ibsen (1828-1906) më ranë në dorë një tufë vjershash interesante, ku bënte pjesë edhe poezia Zgalemi. Sapo e lexova, m’u kujtua proza e famshme poetike e M. Gorkit (A. M. Peshkov, 1868-1936), Kënga e Zgalemit ose Lajmëtari i furtunës, që e mësuam përmendësh që nga fëmijëria. Dhe vura re ngjashmërinë e madhe në përmbajtje midis këtyre dy krijimeve. Nisa të meditoj, pa e shkuar në mendje të fajësoj ndokënd, duke e quajtur këtë fenomen si përvetësim krijues…
Të dyja tekstet fillojnë me përshkrimin e zogut zgalem, “zog i qiejve dhe i detit”… Dhe arsyetimet vazhdojnë.
2.1
Zgalemi i H. Ibsenit duket se është një vjershë e thjeshtë peizazheske-filozofike, me tone lirike, e ngjeshur në ide e domethënie, e shkruar në distikë (vargje dyshe), që bazohet në rrëfimet e një detari dhe që e krahason zgalemin në fund me “zogu-poet”.
Kënga e Zgalemit e M. Gorkit, që është konsideruar edhe si Lajmëtari i furtunës, është po i njëjti peizazh, veçse më i larmishëm dhe më i zgjeruar në përshkrim. Aty Gorki ka futur shpirtin e vet rebel, kryengritës. Elemente shtesë janë vetëm shpendët e tjerë “inferiorë” në breg të detit, si çafkat, kredharakët e frikur, pinguini…
“Zgalemi i Gorkit është shpirti i atij njeriu që nuk mund të gjejë paqen në vulgaritetin e jetës, që nuk frikësohet si çafkat dhe as nuk fshihet si pinguini, por lufton e përballet me jetën duke synuar lirinë”. (K. Stralla) Kjo prozë poetike komentohej dendur si thirrje e autorit për rebelim, në funksion të një ideali madhor, – komunizmit, – ideal utopik që ia hëngri kokën vetë autorit, pasi shkrimtari nuk e kuptoi atëherë se ky ideal nuk pati kurrë idealistë që ta vinin në jetë…
2.2
Duke qenë edhe vetë dramaturg, shkrimtar i shumë dramave interesante, M. Gorki e ka njohur me themel krijimtarinë e H. Ibsenit, kur ishte për disa vjet syrgjyn në Itali. Rrjedhimisht, e ka lexuar edhe vjershën Zgalemitë norvegjezit të talentuar, prej nga e ka marrë edhe motivin shkrimor e shpirtëror. Edhe nëse nuk e ka pohuar se nga kush e ka marrë motivin, frymëzimin për të shkruar prozën poetike aq të njohur të tij, nuk mund të themi se ai është plagjiat, imitues apo epigon. Duke qenë shkrimtar i mirë, Gorki nuk mund të quhet një kopjac i rëndomtë. Krijimit të tij ai i ka dhënë frymën gorkiane, e ka sjellë në kohën e vet dhe e ka veshur me fizionominë përkatëse. E ka ngritur artistikisht. Autorët marrin e japin me njëri-tjetrin, në frymë e në germë, mjafton që kjo marrëdhënie të jetë në dobi, në të mirë të letërsisë e të kulturës së mbarë njerëzimit…
2.3
ZGALEM m. zool.
1. Shpend uji me pendë të bardha e të zeza, me krahë të ngushtë e të gjatë, me këmbë shumë të shkurtra, me bisht të bigëzuar dhe me sqep të kthyer, që fluturon mbi valët përpara e gjatë stuhisë. Zgalemi i stuhisë. Klithma e zgalemit. I guximshëm si zgalemi.
2. fig. poet. Paralajmërues i një lëvizjeje a i një ngjarjeje të madhe shoqërore. Zgalemi i revolucionit.
ZGALEMI
Nga Henrik Ibsen (1828-1906), përkthyer nga Shpëtim Çuçka
“Zgalemi jeton në shkëmb e në gur”,
më tha një detar i vjetër dikur.
“Mes shkumës me krahë shkëlqen e këlthet,
nuk mbytet jo kurrë, mbi valë rrëshqet.
Luhatet ngadalë mbi det’n e pamatë,
heshton në bunacë, këlthet në shtrëngatë.
Her’ zbret rrafsh me valët, her’ ngrihet përpjetë,
porsi ëndrrat tona nga toka në retë.
I rëndë në ajër, i lehtë në det,
ja gazi, ja vreri, ja zogu-poet”.
1858
KËNGA E ZGALEMIT
Kënga e Zgalemit ose Lajmëtari i furtunës, e shkruar nga Maksim Gorki (A. M. Peshkov, 1868-1936), përkthyer nga Lame Kodra (Sejfulla Malëshova)
Mbi të thinjurin shesh të detit era fryn dhe mblidhen retë. Midis reve edhe
detit kryelartë shkon Zgalemi si e zezë vetëtimë.
Prek me krahë ai valët, si shigjetë ngjitet reve, dhe këlthet, dhe retë gjegjin
gazin-klithmë të asaj shpese.
Në atë klithmë e atë furtunë,
Zjarr e flakë zemërimi dhe besimi në fitore gjegjin retë në atë klithmë.
Dridhen çafkat e rënkojnë, përmbi detin përpëliten; janë gati ato të struken
nga ky tmerr në fund të detit.
Përpëliten, si dhe çafkat, kredharakët e rënkojnë; nuk dinë ata të mjerët gëzim
lufte, luftë jete; i tmerron ata gjëmimi.
Ndër shkëmbinj mbulon i trembur trupn’ e majmë pinguini…
Ngrihet vetëm kryelartë, me guxim, lirisht Zgalemi mbi të thinjurin det nga
shkuma.
Gjithnjë më tepër ngryset, gjithnjë më poshtë zbresin përmbi detin retë e zeza
dhe këndojnë e hidhen valët lart e drejt nga vjen rrufeja.
Bubullon. Rënkojnë valët: në atë shkumë zemërimi po luftojnë ato me erën. Turma
valësh rrëmben era, i mbërthen ajo me forcë, i përplas me vrull shkëmbinjve,
duke bërë çika-çika ato masa prej zumrudi.
Po me klithmë shkon Zgalemi, si e zezë
vetëtimë, si shigjetë i përpin retë, shkumën valësh heq me krahë. Si demon, ai
vërtitet, madhështor e kryelartë ky demon i zi rrebeshi; qesh e qan ai
njëherësh…
Qesh me retë, qan prej gazit.
Në tërbimin e gjëmimit lodhje sheh e ndien demoni; ka besim zogu i furtunës;
retë-diellin dot s’e fshehin!
Era fryn me ulërimë… Bubullon e shkrep rrufeja…
Ndizen retë flakë e kaltër përmbi detin si greminë. Kap shigjeta vetëtimash dhe
në gji i shuan deti. Si gjarpërinj të zjarrtë dridhen mu në det e zhduken
thellë pasqyrimet e atyre vetëtimave shigjeta.
Ja furtuna! Vjen furtuna!
Kryelartë e trim Zgalemi shkon me vrull ndër vetëtima përmbi detin e tërbuar,
që buçet me ulërimë, dhe këlthet-profet fitoreje:
– Sa më tepër e fuqishme le të ngrihet lart furtuna!