More
    KreuOpinionHaruki Murakami: Romancierët janë bujarë me shkrimtarët e rinj

    Haruki Murakami: Romancierët janë bujarë me shkrimtarët e rinj

    Përktheu nga anglishtja Granit Zela

    Libri më i fundit i autorit japonez Haruki Murakami, “Me zanatin romancier”, (Bond Street Books”), përshkruan se si është të jesh shkrimtar. Për më shumë se katër dekada, Murakami ka fituar vlerësime kombëtare dhe ndërkombëtare për romanet dhe tregimet. Veprat më të shitura të shkrimtarit 73-vjeçar janë përkthyer në më shumë se 50 gjuhë, janë përshtatur në filma dhe kanë krijuar shumë adhurues në mbarë botën. Në këtë libër Murakami tregon për karrierën si shkrimtar, hulumton se çfarë nevojitet të qenë romancier dhe pse thënia “kushdo mund të shkruajë një roman” nuk është kritikë nënvlerësuese, por lavdërim. Shkrimi u botua në “The Globe and Mail”, 27 tetor 2022.


    Të flasësh për romanet më duket temë shumë e gjerë dhe e përgjithshme për të filluar, prandaj po  e bëj më konkrete: romancierët. Ato janë të dukshëm dhe të prekshëm, dhe për këtë arsye është më e lehtë të flasësh për ta. Ka përjashtime, sigurisht, por nga ajo që kam parë, shumica e romancierëve s’mund të quhen të dashur dhe të paanshëm. Nuk janë as nga ata që normalisht do të shiheshin si modele të mira: priren të jenë të pazakonshëm, kurse mënyra e jetesës dhe sjellja e përgjithshme është e çuditshme. Gati të gjithë (hamendësoj nëntëdhjetë e dy për qind, duke përfshirë edhe veten) jetojnë me bindjen e pashprehur se “unë jam në rrugën e duhur, ndërsa të gjithë shkrimtarët e tjerë janë në rrugën e gabuar”. Dyshoj se shumë prej nesh do të dëshironin të kishin kontakte me njerëz të tillë, qofshin fqinj apo, Zot na ruaj, miq.

    Kur dëgjoj se dy shkrimtarë janë shokë të mirë, prirem të mos e besoj shumë. Sigurisht, mendoj se miqësi të tilla mund të ndodhin, por një miqësi vërtet e ngushtë e këtij lloji s’mund të zgjasë shumë. Shkrimtarët janë në thelb një racë egoiste, krenare dhe shumë konkurruese. Vendosi dy prej tyre në të njëjtën dhomë dhe rezultati, më shumë gjasa, do të jetë zhgënjyes. Më besoni, kam qenë shumë herë në një situatë të tillë.

    Një shembull i famshëm ishte darka e vitit 1922 në Paris që bëri bashkë Marsel Prustin dhe Xhejms Xhojsin. Ishin ulur afër njëri-tjetrit dhe të gjithë mbajtën frymën për të dëgjuar se çfarë do të thoshin dy personalitete të mëdha të letërsisë së shekullit të 20-të. Megjithatë, në fund pritshmëritë e të gjithëve dolën huq, sepse të rrallë folën me njëri-tjetrin. Mendoj se vetëvlerësimi ishte një pengesë shumë e madhe për t’u kapërcyer nga të dy.

    Megjithatë, nëse flasim për qëndrime përjashtuese, për instinktin e ruajtjes së territoreve që kanë bashkësitë e prifesiobeve të ndryshme, kam përshtypjen se pak prej tyre janë aq bujar dhe mikpritës sa romancierët, nëse janë të tillë. Në të vërtetë, mendoj se ky mund të jetë një nga virtytet e pakta që zotërojnë romancierët.

    Më lejoni të jem pak më konkret.

    Le të hamendësojmë sikur një romancier i bekuar me një zë të mirë bën debutimin si këngëtar, ose një romancier me aftësi për art që ekspozon piktura. Pa dyshim, do të përballeshin me mospranim, madje edhe me tallje. Kritikët e artit do ta qeshnin me të madhe. “Më mirë, merru me atë që di!” do ta përqeshnin disa prej tyre. Të tjerë dot thërrisnin: “Një shfaqje amatore, s’ka as aftësi dhe as talent”. Këngëtarët dhe artistët profesionistë ka të ngjarë ta presin shumë ftohtë. Komentet madje mund të bëhen me qëllim të keq. Në çdo rast, një përshëndetje nxitëse “Mirë se erdhe në klub!”do të ishte e rrallë në të dyja rastet. Nëse ofrohej një pritje e ngrohtë, ajo do të ishte e rrallë dhe në një mjedis shumë të të kufizuar.

    Krahas letërsisë që shkruaj, kam botuar edhe përkthime të letërsisë amerikane për 30 vjet me radhë, por në fillim (dhe ndoshta edhe tani) jam marrë në pyetje nga profesionistë të fushës se pse e bëja. “Përkthimi letrar nuk është për amatorë”, bërtiste një kor zërash. “Shkrimtarët që provojnë dorën në përkthime një kokëçarje e vërtetë”.

    Pak a shumë kështu më ndodhi edhe kur botova  librin “Metroja”, u përballa me kritika të ashpra të shkrimtarëve profesionistë të letërsisë artistike: “një shfaqje e padijes për rregullat bazë të letërsisë artistike”; “të bën të përlotesh, jo shaka”; “vepër diletanti”. Unë nuk kisha provuar të shkruaja libër joletrar; përkundrazi, kisha provuar të krijoja një vepër që s’kishte zhanër të përcaktuar e cila merrej me lëndë “joletrare”. Megjithatë, u kisha shkelur bishtin e tigrave që ruajnë faltoren e shenjtë të letërsisë artistike dhe ata ishin të zemëruar. S’e dija që ekzistonin ose se kishte rregulla të rrepta që duheshin ndjekur për një libër rë tillë, kështu që në fillim u hutova.

    Sipas përvojës time, specialistët në një fushë të caktuar priren të rrudhin vetullat ndaj kujtdo që për çfarëdo arsye, u del përpara. Ashtu si qelizat e bardha të gjakut që mbrojnë trupin tonë nga pushtuesit e huaj, zmbrapsin të gjitha trupat “e huaja”. Ata që vazhdojnë të patrembur mund të zbulojnë, në fund, se autoritetet zbuten dhe se prania e tyre është miratuar në heshtje … por të paktën në fillim  rruga do të jetë e vështirë. Kam kuptuar se sa më e ngushtë dhe më e specializuar të jetë fusha, aq më krenarë priren të jenë autoritetet dhe aq më e fortë është antipatia e tyre ndaj të huajve.

    Por, ç’mund të themi për rastin e kundërt, kur këngëtarë ose artistë, përkthyes ose shkrimtarë të veprave joletrare të nxjerrin një roman? A vrenjten në fytyrë romancierët? Nga përvoja ime, jo. Përkundrazi, ne priremi t’i shikojmë rezultatet pozitivisht dhe madje të nxisim autorët e tyre. Sigurisht, s’kam parë kurrë një romancier të njohur të shfryjë ndaj një shkrimtari të ri me një zemërim të llojit: “Çfarë dreqin mendon se po bën?!” S’kam dëgjuar as që ata të jenë fyer apo tallur apo t’u jetë punuar ndonjë rreng me keqdashje nga vëllezërit e tyre më me përvojë. Në vend të kësaj, ka të ngjarë që shkrimtarët e vjetër kureshtarë t’i ftojnë të diskutojnë veprën e tyre dhe ndoshta t’u ofrojnë këshilla dhe t’i nxisin. Natyrisht, s’do të thotë që romancierët nuk thonë privatisht gjëra negative për romanet e para, por e bëjnë këtë edhe për veprat e njëri-tjetrit, gjatë gjithë kohës: në të vërtetë, kritika të tilla janë normë në të gjitha vendet e punës dhe s’kanë asnjë lidhje me dëshirën për të zmbrapsur pushtuesit e jashtëm. Romancierët kanë shumë të meta, por kjo nuk është njëra prej tyre: si rregull, janë zemërgjerë me ata që shkelin në terrenin e tyre dhe i presin me bujari.

    Pse ndodh kështu?

    Mendoj se kam një ide shumë të mirë. Gjëja që i bën romanet të ndryshëm është se praktikisht çdokush mund ta shkruajë një të tillë nëse e ndan mendjen për ta bërë këtë. Një pianist ose një balerinë duhet të kalojë një proces trajnimi të vështirë dhe intensiv që nga fëmijëria derisa, më në fund, të jenë në gjendje të bëjnë debutimin e tyre; një artist duhet të jetë i pajisur me të paktën disa njohuri dhe aftësi themelore, për të mos përmendur veglat muzikore dhe njohuri të tjera. Për t’u bërë alpinist kërkohet fuqi e madhe fizike, stërvitje dhe guxim.

    Një romancier aspirant, krejt ndryshe nga ata, ka nevojë vetëm për aftësinë themelore për të shkruar (shumica e njerëzve e kanë), një stilolaps, fletë të bardhë dhe aftësinë për të krijuar një histori e cila del si diçka që i ngjan një romani, nëse ka ndjekur një studim të specializuar është çështje tjetër. S’ka nevojë të studiosh letërsi në nivel universitar. Shkëlqyeshëm nëse ke marrë pjesë në një kurs të shkrimit krijues, por edhe nëse s’e ke ndjekur nuk ka problem.

    Një person që boton për herë të parë mund të shkruajë një roman të mirë nëse është i bekuar me vetëm me pak talent. Kur unë fillova të shkruaja, për shembull, niveli i specializmit tim në letërsi ishte zero. Është e vërtetë, isha diplomuar për dramë dhe film në universitet, por kjo kishte ndodhur në fund të viteve 1960, dhe kisha bërë shumë mungesa në orët e mësimit. Mbaja flokë të gjatë, mjekër gjithë zhul, dhe sillesha  lart e poshtë me rroba që nuk ishin të pastra. S’kisha plane të veçanta për t’u bërë shkrimtar, as nuk isha përpjekur të shkruaja diçka për t’u praktikuar derisa një ditë insekti më kafshoi papritur dhe shkrova romanin tim të parë (nëse doni ta quani kështu), “Dëgjo erën që këndon”, i cili përfundoi duke fituar çmimin të një reviste letrare për shkrimtarë të rinj. Vazhdova rrugën për t’u bërë shkrimtar profesionist pa pasur nevojë të studioja zanatin. “A mund të bëhet vërtetë kështu?” pyesja veten duke tundur kokën me habi. Gjithçka dukej shumë e lehtë. 

    Kjo mund të zemërojë disa njerëz. Mund t’i dëgjoj duke u ankuar, “Çfarë dreqin di ti për letërsinë?” Thjesht po përpiqem të rrëfej ashtu siç ka ndodhur me mua. Njerëzit mund të teorizojnë gjithçka që duan, por kur e provon vetë, sheh se gjinia e romanit është jashtëzakonisht e gjerë. Pikërisht kjo gjerësi është ajo që ndihmon për të krijuar forcën e tij mahnitëse, krejtësisht praktike. Në pozitën time, thënia “Çdokush mund të shkruajë një roman” nuk është kritikë nënvlerësuee, por lavdërim.

    Me pak fjalë, bota e romancierit është si një arenë profesionistësh mundjeje që mirëpret këdo që ka dëshirë ta provojë. Hapësira ndërmjet litarëve anësorë është mjaft e madhe për t’u përshkuar, dhe duhet një hap për ta bërë hyrjen tënde më të lehtë. Ringu është i gjerë. Asnjë roje sigure s’ta bllokon rrugën dhe arbitri nuk të ulëret që të largohesh. Mundësit që janë tashmë aty, me fjalë të tjera, romancierët e njohur, e kanë pranuar si të pashmangshme shfaqjen tënde aty: “Pa merak, eja dhe bëj ndeshjen tënde më të mirë” është qëndrimi i tyre. Ringu është – si të them? – një mjedis i ajrosur, i lehtë, i rehatshëm, krejtësisht i qetë.

    Ndërsa hyrja në ring mund të jetë e lehtë, megjithatë, të qëndrosh atje për një kohë të gjatë është e vështirë. Natyrisht, ne romancierët jemi të vetëdijshëm për këtë. Nuk është aq e vështirë të shkruash një roman, ndoshta edhe dy. Por është krejt tjetër gjë të vazhdosh të shkruash romane, dhe krejt tjetër të nxjerrësh jetesën me shkrimet e tua, të mbijetosh. Kjo është një detyrë herkuliane. Është e drejtë të thuhet se pak ia dalin. Për ta arritur, njeriu ka nevojë për diçka të veçantë. Talenti është i rëndësishëm, natyrisht, dhe forca e karakterit. Si shumë gjëra në jetë, shansi dhe fati luajnë një rol të madh. Por duhet diçka tjetër, një lloj kualifikimi. Disa e kanë dhe disa jo. Disa e zotërojnë që nga lindja, ndërsa të tjerët luftojnë fort për ta fituar.

    Nuk dihet shumë për këtë kualifikim, në të vërtetë, për të flitet rrallë në publik. Më së shumti ndodh ngaqë është praktikisht e pamundur ta përfytyrosh si pamje ose ta shprehësh me fjalë. Megjithatë, romancierët janë shumë të vetëdijshëm për rëndësinë e tij dhe se sa e nevojshme është për të nxënë zanatin – mund ta ndiejnë me intuitë.

    Mendoj se kjo është arsyeja pse romancierët priren të jenë kaq bujarë me të huajt që hapin litarët dhe hyjnë në ring për të bërë debutimin e tyre romanor. “Futu brenda” do të thonë disa, ndërsa të tjerë duket se nuk e vënë re të riun në ring. Kur i sapoardhuri kërcen jashtë ose largohet vullnetarisht (shumica do të jenë në njërën nga këto dy kategori), të vjetrit do të thonë “Sa keq, more çun” ose “Të ectë mbarë!”. Nëse dikush arrin të rrijë aty për një kohë të gjatë, ata romancierë do të ndiejnë një respekt që është fituar me meritë. Ky respekt do të shfaqet me të drejtë dhe siç duhet (ose kështu do të doja të besoja unë).

    Një tjetër arsye pse romancierët mund të jenë kaq bujar është se e kuptojnë që aktiviteti letrar nuk është një lojë me shumën zero. Me fjalë të tjera, fakti që një shkrimtar i ri shfaqet  në ring gati asnjëherë s’do të thotë se dikush që është aty do të duhet të largohet. Në dukje, të paktën, një gjë e tillë nuk ndodh. Në këtë kuptim, bota e shkrimtarëve dhe bota e sportistëve profesionistë janë diametralisht të kundërta. Në sportet me profesionistë, kur një fillestar bëhet pjesë e ekipit, një lojtar i vjetër ose një lojtar tjetër i ri, i cili s’ka arritur të bëjë përshtypje, merr letrat e largimit ose zhvendoset në stolin e lojtarëve rezervë. S’ka asnjë paralele të tillë në botën letrare. Në të njëjtën mënyrë, kur një roman i ri shitet 100.000 kopje, kjo shifër nuk zbritet nga shitjet totale të veprave të tjera. Përkundrazi, një libër shumë i shitur nga një shkrimtar i ri mund t’i japë një shtysë të gjithë industrisë botuese.

    Megjithatë, nëse e shohim më gjerë, përtej këtij krahasimi, edhe këtu ka një lloj përzgjedhjeje të natyrshme. Ringu mund të jetë i madh, por ende duket se ka një numër të mundshëm shkrimtarësh brenda tij. E tillë, të paktën, është përshtypja ime.

    Në një mënyrë apo tjetër unë kam qenë romancier profesionist për më shumë se 35 vjet, deri në vitin  2015, kur e shkrova këtë libër. Shkurtimisht, kam qenë në ring gjatë gjithë asaj kohe, “duke nxjerrë bukën me letërsi”, nëse përdorim shprehjen e vjetër. Kjo, mendoj, mund të shihet si një arritje e vërtetë në kuptimin e ngushtë të fjalës.

    Gjatë kësaj kohe kam parë debutimin e shkrimtarëve të rinj. Shumë janë ngritur në qiell për veprat e tyre. Kanë marrë lëvdatat më të zjarrta nga kritika, janë vlerësuar me çmime të ndryshme letrare, është folur për ta nga publiku dhe kanë shitur shumë libra. Shpresa të ndritshme dukeshin në horizontin e të ardhmes së tyre. Me fjalë të tjera, ata janë ngjitur në ring nën dritat e prozhektorëve të vëmendjes, ku rreth tyre dëgjohej muzika e tyre tematike.

    Megjithatë, sa nga ata shkrimtarë të rinj që debutuan 20 apo 30 vjet më parë janë aktivë si romancierë sot? Jo shumë. Shumë pak, për të qenë më të saktë. Pjesa tjetër kanë dalë në heshtje nga ringu. Në shumë raste, ndoshta në shumicën e tyre, ata janë tërhequr në fusha të tjera, pasi janë lodhur nga shkrimi i romaneve; ose ndoshta thjesht u doli të jetë zanat me shumë telashe. Po romanet e para që morën kaq shumë vëmendje? Ndoshta ëstë e vështirë t’i gjesh në librari sot. Megjithëse numri i mundshëm i romancierëve mund të jetë i pakufishëm, sasia e hapësirës në raft është me siguri e kufizuar!

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË