Laureati i Çmimit Nobel, shkrimtari dhe poeti – për vendin e tij në kulturën ruse, ngjashmërinë e Çehovit me Shopenin dhe përse punonjësit e organeve represive duhet medoemos të lexojnë “Ishullin Sahalin”.
Hajnrih Bël, në një letër drejtuar përkthyesit Peter Urban, i cili kishte përgatitur botimin e plotë në gjermanisht të veprave të Çehovit, shkruan:
28 dhjetor 1983
I dashur zoti Urban,
As ju, as unë nuk mund t’i zgjidhim apo t’i zbusim ato marrëdhënie të çuditshme e të tendosura që më lidhin me Moskën, për të cilat jam vetë fajtor. E di që, si autor, zë atje një vend të caktuar, të cilin e kam “pushtuar” prej kohësh, natyrisht pa kurrfarë dhune. Në të vërtetë, kjo ndodhi krejt pa pjesëmarrjen time, dhe ndikimi im atje i ngjan veprimit të Kalit të Trojës. Nuk e dëshirova aspak këtë; thjesht kështu ndodhi vetvetiu, si të thuash, nga vetë natyra e gjërave.
Megjithatë, ndonëse vendi im atje është i qëndrueshëm, librat e mi, për keqardhjen time të madhe, janë bërë të rrallë. Kjo është jashtëzakonisht për të ardhur keq edhe sepse besoj se i përkas edhe kulturës së tyre.
Për Çehovin do të shkruaj me kënaqësi. Dhe le të bëhet ky improvizim imi për ju një ngushëllim dhe një “vlerësim zyrtar” që mund të botohet.
Dikur, në rini, kur isha rreth shtatëmbëdhjetë apo tetëmbëdhjetë vjeç, nëpërmjet një katalogu sendesh të vjetra – nuk kisha para për të blerë libra në librari – bleva për dy para disa vëllime të vogla me tregime të Çehovit. Ato më magjepsën jashtëzakonisht, por në atë kohë mbetën të pakuptueshme për mua. Ai Çehov më dukej tepër “i thatë”, i ftohtë dhe disi rutinor. Përfundimet “e hapura” më shpëtonin, më dukeshin të mjegullta e të papërcaktuara.
Por, kur i lexova më vonë, pikërisht në këtë paqartësi zbulova forcën e prozës së Çehovit. Pikërisht këto përfundime të mjegullta më çuan te krahasimi: Çehovi është akuarelisti i madh ndër shkrimtarët e shekullit XIX.
Dhe nuk është rastësi që në trashëgiminë e tij jashtëzakonisht të gjerë, ndoshta një nga më të gjerat që njoh, një vend të veçantë e serioz zë përmbledhja me skica “Ishulli Sahalin”. Këtu më lind një përfytyrim muzikor: Çehovin do ta krahasoja me Shopenin, të cilin tepër lehtë e renditin ndër kompozitorët “joseriozë”.
Kur, në vitet e mëvonshme, e rilexova Çehovin, e kuptova se skicat, shënimet, figurat dhe përshkrimet e panumërta të qyteteve provinciale e të jetës fshatare, si në tregimet “Joniçi”, “Violina e Rotshildit”, “Fshatarët”, “Në rrugë”, “Pushuesit e verës”, “Foleja e kulakëve”, janë më pranë “Rusisë së vërtetë” sesa trajtimet e problemeve, figurave dhe ideve të mëdha, të cilat janë njëlloj karakteristike për njeriun kudo, si në Perëndim, ashtu edhe në Lindje, si te sllavët, ashtu edhe te antisllavët. Kudo ato janë tendencioze, të ngarkuara ideologjikisht dhe dogmatike, siç u ka hije ideve të mëdha. Pikërisht në lidhje me këtë, Çehovin e konsideroj një realist më të madh se, të themi, Gorkin, duke u nisur nga hamendësimi se e dimë çfarë nënkupton koncepti “realizëm” dhe se nuk kemi nevojë të debatojmë me javë të tëra për të. Ndërsa Gorki më duket më tepër “natyralist”.
Dramat e Çehovit parapëlqej më shumë t’i lexoj sesa t’i shoh në skenë. Gjatë leximit jam më i aftë ta kuptoj e ta kap atë që është e mjegullt, mezi e ravijëzuar, e shprehur me aluzione dhe e thënë me pëshpërimë. Sa u përket vënieve në skenë, gjithmonë duhet pasur frikë se regjisori do të vërë në skenë vetveten dhe jo Çehovin.
Gjithçka te Çehovi është e mbuluar nga një tis melankolie pothuajse metafizike, falë së cilës kalimtarja bëhet e përjetshme. Ajo që më mahnit gjithashtu është zelli i tij i jashtëzakonshëm dhe vetëdija e tij si mjek dhe kronikan, kur shkruan për Sahalinin. “Ishullin Sahalin” duhet ta lexojë patjetër kushdo që, në çfarëdo vendi dhe në çfarëdo kohe, është përballur ose merret me të ashtuquajturin ekzekutim të dënimeve.


