Kreu Arte pamore Gëzim Qëndro, “Kinostudioja” fjala e fundit e një intelektuali...

Gëzim Qëndro, “Kinostudioja” fjala e fundit e një intelektuali…

Nga Flori Slatina

Në fund të janarit të vitit 1980, një djalë i ri që vetëm pak muaj më parë kishte mbaruar Akademinë e Arteve për pikturë, emërohet në atelienë e filmit vizatimor në kinostudion “Shqipëria e Re”. Ishte fat e talent që një piktor që sapo kishte mbaruar ILA-në, të emërohej në Tiranë, aq më tepër në një institucion të dorës së parë të propagandës. Piktorit të ri do t’i bënin përshtypje jo vetëm kolegët, personalitete të Artit të Shtatë, por edhe ndërtesa gjigante e kinostudios, në formë kryqi, ku hynin e dilnin jo pak, por afro 700 veta, e cila “duhet të ndihmonte Partinë në edukimin komunist të masave”. Fasada e veçantë, kolonat e gjata me kapitele, medaljonet në portën kryesore, korridoret e larta dhe të kryqëzuara, muret e trasha, statujat, shatërvanët me tri guaska, kubeja e zbukuruar me piktura të kolegëve të tij më të vjetër, kryqi në mes të saj, gjithçka. Aty, në atë ndërtesë, përpunohej makijazhi, propaganda e regjimit, por për piktorin më shumë rëndësi kishte ndërtesa sesa ajo që bëhej brenda saj. Për 10 vjet do të silleshin para syve të tij ato imazhe të detajuara, të cilat i shikonte thuajse çdo ditë, për t’u fiksuar në memorie si një enigmë që kërkonte një shpjegim. Ky ishte piktori i mirënjohur, studiuesi, pedagogu dhe kritiku Gëzim Qëndro.

Personalisht, nuk kam pasur miqësi apo shoqëri me Qëndron, thjesht si gazetar e shikues e kam admiruar dhe pasqyruar punën e tij si krijues animacioni, si piktor e mbi të gjitha, nga viti 1997, si drejtor i GKA-së. E vlerësoja për intelektin, seriozitetin, qetësinë dhe përsosmërinë që i bënte gjërat. Karriera e Gëzim Qëndros kalon në disa institucione dhe kulmon si pedagog apo si studiues arti, nga më cilësorët e më skrupulozët. I formuar në Akademinë tonë të Arteve dhe më pas për katër vjet, 1992-1996, po në Akademinë e Arteve në Amsterdam, Holandë, Qëndro realizoi, si piktor e si regjisor i filmit të animuar, 5-6 filma, si: Frymëzimi, Parullat, Pipiruku në hambar, Kampioni etj., për të cilët u shpërblye edhe me çmimet e kohës, në konkurrimet zyrtare. Gjatë periudhës që drejtoi GKA-në (1997-2002), përveç afrimit të artistëve elitarë, riorganizimit të Galerisë, pavijoneve etj., konkurseve “Onufri” dhe “Marubi”, veçohet për konceptimin dhe botimin e revistës “Pamorart”, i vetmi organ profesionist mbi artet figurative, një revistë prestigjioze që u mungon sot artistëve. Qëndro ishte autor i dhjetëra ekspozitave, në grup e vetjake, pedagog në Akademinë e Arteve në Tiranë, akademinë “Marubi” në Prishtinë dhe në universitetin “Polis” etj., ai mbahet mend si intelektual i mirëfilltë, me një kontribut të rëndësishëm, shembull për kolegët dhe brezin e ri që patën fatin të edukohen, të punojnë e vlerësohen prej tij.


Gëzim Qëndro është autor i disa monografive për artistin dhe artistët shqiptarë: Arkeologjia e mëngjesit, Heronjtë janë të uritur, Surrealizmi socialist (l’Harmattan) etj. Libri i tij më i fundit ishte studimi Kinostudioja “Shqipëria e Vjetër”, botim i shtëpisë botuese “Onufri”, 2016. Ky studim i kushtohet pikërisht kinostudios “Shqipëria e Re”, ndërtesës së stërmadhe të cilën e shkeli kur ishte 22 vjeç. Nevojën për t’iu rikthyer edhe një herë kinostudios, vetë Qëndro e shpjegon si “dëshirë për t’u rikthyer përmes kujtesës në atë që dikur ishte shtëpia e tyre, […] për t’u rikthyer në hapësirën ku lanë vitet më të bukura të rinisë e pjekurisë”. Ndërtesa u inaugurua më 10 korrik 1952, si vepër e planit të parë pesëvjeçar, dhuratë e qeverisë sovjetike. Në studimin e tij, Qëndro merret pikërisht me enigmën që e shoqëron këtë ndërtesë, sidomos me faktin se përse ajo ka shumë elemente fetare, duke nisur nga ndërtesa në formë kryqi, kubeja etj., elemente që vërtetojnë plotësisht këtë fakt. Autori kërkon shpjegime se si “Kinostudioja, e ndërtuar nga një regjim që luftoi fenë me të gjitha mënyrat, madje ishte pjesë e luftës ideologjike për çrrënjosjen e fesë, mbarte tërë ato simbole e elemente kishtare”, duke arritur në përfundimin se “këto simbole fetare nuk ishin pjesë e projektit të saj”. I shkruar me stil, qartë dhe pastër, studimi hedh dritë mbi ato që duken e ato që nuk duken, mbi ato që thuhen e shkruhen dhe ato që mendohen e supozohen. Studimi është mbështetur në vëzhgimet e tij të holla, vetjake, për vite me radhë, deri në detaje nga më të thjeshtat e më të rëndomtat, por që marrin kuptim kur renditem e zënë vendin e duhur në libër. Mbështetet në dokumente që vijnë nga arkivi, burime të tjera, si interneti e librat, apo edhe në rrëfimet e kujtimet e njerëzve kompetentë, të cilët kanë punuar dhe drejtuar në atë institucion. Në studim gjejmë mjaft të dhëna historike, koncepte dhe gjykime filozofike, të justifikuara nga analiza e thellë e përqasja që i bën ai fenomenit apo gjurmës, siç thotë vetë, gjejmë një analizë kritike mbi vepra të caktuara që përbëjnë e janë pjesë e veprës së madhe. Janë të rrallë ata që u ka bërë përshtypje kjo ndërtesë. Madje edhe vetë arkitektët, kur e kanë analizuar, nuk kanë shkuar më tej se një analizë e thjeshtë sipërfaqësore, apo mbi një vëzhgim të hollë, të mbështetur në atë që dukej e që, me anë të përqasjes, e kanë klasifikuar si vepër të ndërtuar në kohën e realizimit socialist. Kinostudioja ishte projektuar në Bashkimin e lavdishëm Sovjetik, që për atë kohë kur ishte gjallë diktatori Stalin, ishte gjë e madhe dhe shkonte më shumë sesa një ndihmë konkrete apo ndërtesë e thjeshtë. Ishte një vepër simbolike, një mbështetje direkte nga Stalini për diktatorin tonë (pas takimit të tyre në vitin 1949) dhe nuk është rastësi që ishte vetë ai që e përuroi me pompozitet. Qëndro përqendrohet te simbolet, të dukshme dhe të padukshme, të shfaqura dhe të fshehta, me kohën kur u realizua, me arkitektin e shquar rus Georgij Lavrov, brengat dhe ankthin e tij, me atmosferën dhe politikën ruse, dhe marrëdhëniet e saj me Kishën Ortodokse, pas Revolucionit të Tetorit, me “kryearkitektin”, diktatorin Stalin, pa firmën e të cilit nuk kalonte asgjë, me aktorët protagonistët shqiptarë, aq të shumtë në numër, nga punëtorët e thjeshtë, te personalitetet e artit shqiptar, të cilët lanë gjurmën e tyre sipas vulës së sistemit politik.
Kur lexon librin, shikon një lëndë aq të pasur që dëshmon për kulturën e gjerë e të thellë të autorit, shikon përfundime e analiza të sakta e shteruese (në fakt, vetë Qëndro thotë, në fund të studimit të tij, se “ky libër studimor merr përsipër vetëm të paraqesë fakte të pashpjegueshme dhe kundërthënëse, pa mëtuar kurrsesi të japë shpjegime shteruese”) që nuk lënë shteg për interpretime të tjera, por nuk besoj se tani për tani, ose në një të ardhme të afërt, ndonjë studiues tjetër do të thotë diçka më shumë e më mirë se ky autor. Sot, për fat të keq, “nga magjia e dikurshme, e ngjashme me kalimin nëpër makinën e kohës, nuk ka mbetur pothuajse asgjë”. Ai dinozaur i vjetër i propagandës, që me të drejtë Qëndro e quan “një aristokrate të rënë nga fakti” dhe e emërton Kinostudioja “Shqipëria e Vjetër”, sot, edhe pse është restauruar e tjetërsuar, ajo e ka humbur funksionin dhe magjinë e dikurshme dhe për shumë veta, do të jetë një kujtim i largët, dhe më shumë se kujtdo do t’u hyjë në punë historianëve të kinemasë apo të arkitekturës.
Ky shkrim i shkurtër mbi “fjalën e tij të fundit”, kjo vepër studimore me vlera jo vetëm për arkitekturën, por edhe për kritikën, për artet në përgjithësi, vjen si homazh për një nga figurat e shquara të kritikës, pedagogjisë, intelektualin e mirëfilltë Gëzim Qëndro, që në dhjetor do të mbushte 62 vjet nga lindja e tij, por që fatkeqësisht u nda nga jeta para kohe, më 27 shkurt 2018, kur ende kishte shumë për t’i dhënë shkencës, kritikës, artit.

SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

Ju lutem lini komentin tuaj!
Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

Artikujt më të fundit

Pushkini: Jeta në kohë epidemie

Në prag të kolerës, në korrik 1831, Pletniov i shkruante Pushkinit për vdekjen e plakut Mollçanov, me të cilin ishte i...

Ardian Ndreca: Epidemia e kolerës së vitit 1916 në rrëfimin e Atë Anton Harapit

Tek libri Andrra e Prêtashit, i botuem në Romë në vitin 1959 prej sivllaut të tij Danjel Gjeçaj, me shtypajt që Ernest Koliqi kishte...

Virion Graçi: Vendlindjet e shkrimtarit Romeo Çollaku

Shkrimtarin dhe përkthyesin Romeo Çollaku e kam njohur e lexuar që në hapat e parë të karrierës së tij krijuese; libri i...

Rexhep Ferri: Fjala gënjeshtër e gënjeshtra kukull vitrine

1. Për të parë ose lexuar kurrë nuk kemi qenë më shumë. Kurrë nuk kemi qenë...