Kreu Letërsi Bibliotekë Francesco Petrarca: “Këngëtorja”

Francesco Petrarca: “Këngëtorja”

I përktheu nga origjinali: Klara Kodra

IA MERRTE FLLADI

Ia merrte flladi flokët si flori
Dhe ia mbështillte me të ëmbla nyje.
E hirshmja dritë në ata sy si yje
Shkëlqente; dritë që u zbeh tani.

Ngjyra e fytyrës shprehte dhëmshuri
A ish ashtu a më ngjante mua vallë? –
Po krimbi i dashurisë zemrën e gjallë
Ma breu e u ndeza flakë për çudi.

S’ish prej njeriu ecja e saj e rrallë,
Po prej engjëlli; e fjalët plot ëmbëlsi
Kumbonin sikur s’ishin zë njerëzor.

Frymë qiellore qe ajo; diell i gjallë
Kur e pashë dikur; në s’është tani,
Ndonëse i zbutur, prapë shpon harku mizor.


MË VJEN NDËRMEND

Më vjen ndërmend, madje kurrë s’është larguar
Ajo që as Leteja* zemrës s’ma ka ndarë,
Si e pashë në vrullin e rinisë së parë,
Kur zemra e saj me zjarr pat flakëruar.

E shoh përballë, të përvujtë e të menduar,
Fisnike e me një bukuri të rrallë
Aq sa thërras: “Ajo është! Është gjallë!”
Dhe të ëmblën fjalë ia lyp për të dëgjuar.

Herë përgjigjet, herë nuk bën zë.
Si njeri që gabon dhe e kap të vërtetën,
I them vetes sime: “E ke gabim.

Më njëmijë e treqind e dyzetetetë
Më gjashtë të prillit, natën, n’orën një,
Ai shpirt i lumtur iku fluturim”.


*Lumi i harresës në mitologjinë greke.

SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

Ju lutem lini komentin tuaj!
Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

Artikujt më të fundit

Lindita Tahiri: Zija Çela ka krijuar një autoritet të ri, atë të lexuesit

1 Kur përuroi romanin “Apokalipsi sipas Shën Tiranës”, Zija Çela u paraqit në sallë përballë gazetarëve pa asnjë kritik...

Dhjetë poezi nga Antonella Carmen Caggiano

Përktheu nga orgjinali Eda Agaj Zhiti Italia dhe poezia kanë një përbashkësi të vijueshme si bregu me detin, do...

“Njerëz prej buke”, tregim nga Faruk Myrtaj

Gardiani nuk po bëhej i gjallë dhe unë u ngrita. Në një hapësirë si e kësaj qelie, të ngrihesh...

Feride Papleka: Frymëzimet bodleriane të poezisë së Shuteriqit liceist

Në vitet e para të liceut francez të Korçës, një ngjarje e rrallë i trazoi ëndrrat dhe dëshirat e Shuteriqit të ri....

KATEGORITË