More
    KreuLetërsiShënime mbi libraFloresha Dado: Sfidat e shkencës albanologjike në hartimin e historisë së letërsisë...

    Floresha Dado: Sfidat e shkencës albanologjike në hartimin e historisë së letërsisë shqiptare

    Pse sfida të albanologjisë?

    Sepse ky projekt i madh shkencor jo vetëm pret, prej dekadash, të realizohet në nivelin e një monumenti të rëndësishëm të kulturës shqiptare, por edhe sepse, sipas mendimit tim, akoma nuk po kuptohet se sa i domosdoshëm është diskutimi për zgjidhjen e disa parimeve konceptuale, që do të jenë garantim i suksesit të këtij realizimi. Hartimi i historisë së letërsisë shqiptare nuk është një dëshirë, por përgjegjshmëri shkencore, që duhet të ndjehet që në hapat e konceptimit të saj. Në problematikën shkencore, specifike për një histori letërsie, studiuesit do ndeshen patjetër me disa sfida, të cilat duhen diskutuar në tavolinë specialistësh. Disa prej këtyre sfidave :

    Sfida e parë : Do ishte e habitshme për ndonjë, nëse them se nuk njihet tërësisht problematika e konceptimit të historiografisë letrare; kjo ndodh sepse jo gjithnjë është në  vemendje kompleksiteti i natyrës së letërsisë.  Një tërësi çeshtjesh dëshmojnë sot sa periferikë kemi qenë dhe vazhdojmë të jemi rreth këtij projekti themelor të kulturës shqiptare. Dilemat që nxit hartimi i “Historisë së Letërsisë Shqiptare” zgjidhen përmes një varg çeshtjesh të karakterit metodologjik, si çeshtjet e kritereve të hartimit, të  periodizimit, të metodave të studimit, të kuptimit të raportit të historiografisë letrare me historinë, të marrëdhënies së historianit të sotëm me krijimet në kohë, të raportit midis kuptimit historik dhe evolucionit të strukturave formale të letërsisë etj.

    Sfida tjetër :  studimi i letërsisë sonë, në shtrirjen e gjatë kohore, në variushmërinë e drejtimeve dhe individualiteteve letrare, nxjerr në plan të parë mbështetjen në një sistem nocionesh teorike mbi thelbin dhe specifikën e objektit të saj (letërsisë), mbi konceptet që kanë të bëjnë me procese të zhvillimit historik, si për shembull : koncepti mbi rrymat dhe drejtimet letrare, mbi poetikat që karakterizojnë çdo drejtim, mbi kriteret e dallimit të gjinive letrare, mbi konceptin e saktë të metodës krijuese, që ka të bëjë me shkrimtarët, por dhe të metodës interpretuese, që ka të bëjë me studiuesin. Ndërsa historia e letërsisë kërkon gjenezën e gjinive dhe formave letrare, evolucionin dhe variacionet e tyre, në kohë dhe në hapësirë, teoria orienton mbi thelbin e strukturës dhe sistemit letrar, qëndrushmërinë dhe ndryshueshmëritë e tyre, modelet dhe normat krijuese, etj. 

    Sfida tjetër : Historia e letërsisë sonë duhet të përcaktojë qartë kufijtë e objektit, ku në plan të parë është raporti me historinë. Historiografia letrare dhe historiciteti i saj, janë dy koncepte që, sa lidhen ngushtësisht me njeri tjetrin, aq thelbësisht të dallueshme i kanë specifikat e brendshme të tyre. Disa tekste të Historisë së Letërsisë Shqiptare, duke qenë të nënshtruar  ndaj konceptit të kronologjisë kohore, nuk kanë realizuar kuptimin e vërtetë të historicitetit të kësaj disipline. Në këtë mënyrë, ndonëse pretendojnë të ishin histori letrare, në të vërtetë mbetën kryesisht kalime në kohë. Evolucioni i raportit estetiko-historik, i shtrirë në kohë, nuk u konceptua si një kriter i rëndësishëm për të ndërtuar drejtë marrëdhëniet midis Historisë së Letërsisë dhe Historisë. Kjo është shumë e rëndësishme për të korregjuar trajtimet e deritanishme të këtij raporti në tekstet e historive të letërsisë.

    Sfida tjetër : Saktësimi i natyrës dhe i funksionit të Historisë së Letërsisë korrigjon kuptimin e raportit midis historiografisë letrare dhe metaligjërimve të tjera. Historiografia letrare është një realizim ndërdisiplinor e ndërligjërimor, një nga fushat më bashkëpunuese, më krahasimtare dhe interpretuese.  Nëse ajo ka lidhje me disiplina të tjera, si teoria, kritika, poetika, stilistika, tekstologjia, letërsia krahasimtare (si metodë studimi) etj.; me disiplina të karakterit humanist, si filozofia, filologjia, historia e arteve, historia kombëtare, historia e religjioneve, antropologjia, sociologjia, studimet kulturore;  si dhe me disiplina të një sfondi më të gjerë të shkencave ekzakte,  si statistika, semiotika e përgjithshme, paleografia etj., duhet të kemi parasysh se në këtë specifikë të saj fshihet edhe rreziku i prishjes së kufijve të një histori letërsie.

     Sfida tjetër: Historicizmi dhe Historia e letërsisë  Ku qëndron dallimi midis historicizmit klasik dhe historicizmit të ri ? Historicizmi i ri zgjeroi, në studimet letrare, kuptimin e raportit midis letërsisë dhe historisë. Në pikëvështrimin e tyre  historia nuk shihet thjesht në linjën e vazhdimësisë dhe zhvillimit, por kryesisht nën pushtetin e një force sinkronike, si një forcë produktive, gjenerative. Ky aspekt nuk ka tërhequr vemendjen e studiuesve, ndonëse në kapërximin midis këtyre dy koncepteve të afërta ekziston një kuptim më i thellë i raportit letërsi-histori. Zhvillimi historiko-letrar, duhet parë jo thjesht si dokument, pasqyrim, por si pjesë e brendshme e zhvillimit.

    Sfida tjetër Në hartimin e historisë së letërsisë del në plan të parë kuptimi i drejtë i raportit midis realitetit historiko-letrar dhe rrëfimit historiko-letrar, ku asnjeri nuk është i pavarur nga tjetri. Kjo kërkon interpretimin e marëdhënies midis ligjërimit specifik letrar dhe metaligjërimit, që  i përket një realiteti në distancë kohore. Dallimi midis këtyre dy kodeve ligjërimore, artistik dhe shkencor,  lidhet me  qëllimet dhe rrugët e ndryshme që ndjekin për njohjen e së vërtetës njerëzore. Historia e letërsisë synon përshkrimin, sipas standarteve teorike e metodologjike, ajo u referohet gjithë faktorëve të krijimit dhe komunikimit letrar, si shkrimtarit, veprës, lexuesit, kodit, sistemit të konvencioneve kulturore, etj. Kjo bën që ky lloj ligjërimi të shfaqet si kombinim i tipareve teorike, empirike-historike, kritike-interpretuese, pra si një model kompleks ligjërimor mbi  letërsinë. Kjo bën, gjithashtu, që ligjërimi i historisë së letërsisë të jetë më standart, më i qëndrueshëm në stereotipet strukturore.

    Sfida tjetër : Zgjerimi i teorive moderne, mbi kuptimin e letërsisë, shtron domosdoshmërinë e zgjerimit të metodave të hartimit të historisë së letërsisë. Praktika e deritanishme e historiografisë sonë letrare ka treguar se problemi i metodologjisë dhe i përcaktimit të metodës së studimit është themelori për suksesin të këtij projekti.  Në mendimin metodologjik mbi përzgjedhjen e metodave shkencore do mund të diskutohej: a është e mundëshme që në studimin e letërsisë të vendoset një dominante, një metodë kyç e kërkimit; apo a mund të jetë e nevojshme të përdoren metoda plotësuese (policentrizëm metodologjik); dhe së fundi, a duhet kërkuar një metodë tërësore dhe integruese, që mund  të karakterizojë studimin e letërsisë ( centrizëm metodologjik).? Ky diskutim metodologjik është i rëndësishëm. Kur është fjala për studimin historiko-letrar sistemi i metodave, që mund të përdoren, i përshtatet si studimit të vazhdimësisë, vertikalisht (në diakroni), ashtu dhe studimit horizontal (në sinkroni).  Nëse Historia e Letërsisë Shqiptare do të mbështetej kryesisht në konceptin metodologjik të hetimit të evolucioneve stilistikore, kjo do të kërkonte ndjekjen e letërsisë në dy pikësynime kryesore : përcaktimin e fazës së formimit dhe kristalizimit të dominantes letrare, formave poetike; gjithashtu edhe përcaktimin e fazës së ripërtëritjes, ndryshimit, aktualizimit, kur parime estetike  zëvendësohen nga parime të reja. Kjo do të thotë se evolucionin e letërsisë sonë duhet ta interpretojmë vetëm si ndryshim të sistemit letrar dhe parimeve të ndërtimit të tij. Natyra e historisë së letërsisë do të kërkonte të  përcaktohej se sa sistemi letrar shqiptar e ka transformuar veten gjatë kohëve.

    Sfida tjetër : Ç’kuptojmë me periodizim të letërsisë dhe cila është vlera e këtij aspekti në hartimin e historisë së letërsisë? Nocioni i periodizimit është, në një farë mënyre, gjthëpërfshirës, se i përket sa të veçantës së një periudhe të karakterizuar, aq edhe gjithë letërsisë. Kjo do të thotë se, duke përcaktuar periudhat letrare të shqipes, ne nuk i veçojmë ato, por njëkohësisht i kemi përfshirë në një sistem letrar, që i përket gjithë letërsisë shqiptare.

    Sfida tjetër: Ç’probleme ka sjellë struktururimi i historisë së letërsisë sonë në analogji të plotë me historinë e Shqipërisë, siç ka ndodhur në disa tekste, që nga fillimi i shekullit XX, ? Kemi një abstraksion mbi tiparet dominuese  të zhvillimit në rrjedhë kronologjike të ngjarjeve letrare, që e bën këtë analogji jo një lidhje të rëndësishme ? Asnjë nga këto periodizime nuk mund të realizojë plotësisht sistemimin e letërsisë sonë, në të gjitha dukuritë e brendshme dhe të jashtme të zhvillimit të saj.

    Përderisa fenomenet letrare shfaqen e zhduken në periudha të caktuara, përderisa letërsia, në tipologjinë gjinore të saj, shfaqet në nivele të ndryshme të lulëzimit, përderisa poetikat e saj ndryshojnë në aspektin artistik dhe në kushtëzimin hapsinor e kohor, përderisa autorët i përkasin mjediseve dhe ndikimeve kulturore të caktuara, etj. kjo do të thotë se problematika është e gjerë, madje, ajo vështirësohet më shumë për të përcaktuar se cili nga kriteret e shumta të periodizimit letrar, i shkon më përshtat sistemimit historiko-letrar të letërsisë shqiptare ?

    Pikëpyetjet e periodizimit shfaqet edhe në një aspekt tjetër, atëhere kur një autor i përket historikisht një periudhe kohore, ndërsa estetikisht një periudhe tjetër, (Asdreni, Çajupi,etj.)   Prandaj problemi mbetet gjithnjë i hapur për diskutime midis specialistëve. Ose pyetja tjetër: në ç’masë historia e letërsisë shqiptare respekton përqasje me periodizimin e historisë politike ? A mund të ketë një përputhje absolute midis këtyre dy proceseve, që janë njëlloj historikë ? A është e vërtetë se gjatë zëvendësimit të periudhave historike-politike ndodh edhe ndryshimi i menjëhershëm i stileve dhe parimeve estetike të letërsisë ?.

    Sfida tjetër: A është pavarësia e historiografisë letrare e kufizuar, në vartësi të pavarësisë së kufizuar që ka vetë letërsia,?. Ky problem shfaqet sepse konceptet mbi thelbin e letërsisë nisin nga ato që mbështesin pavarësinë ekstreme të saj deri te pikëpamjet që e lidhin thelbin dhe zhvillimin e letërsisë me faktorët socialë (autor, histori, rrethana social-kulturore etj.)  Këto qëndrime të skajshme kanë provokuar vazhdimisht mbizotërimin e njerit apo tjetrit pozicion metodologjik.  Kjo lidhet drejtpërdrejtë me pyetjen se  ta do ta ngushtojë në maksimum historia e letërsisë shqiptare lidhjen me historinë, ? A do kemi vetëm histori të fenomeneve letrare, jashtë zhvillimeve historike : kulturore, fetare, publicistike etj., apo, ky raport do të jetë i kushtëzuar nga veçoritë e letërsive të shekujve të ndryshëm, ku, siç thamë, shekujt  letrarë, për vetë thelbin e zhvillimit të tyre, diktojnë një trajtim më specifik ?  Dallimi me trajtimet që i janë bërë letërsive të shekujve XVIII, XIX, XX është se në këto të fundit raporti i letërsisë me historinë është diktuar nga koncepti që e kufizonte interpretimin e letërsisë vetëm në kushtet historike të lulëzimit të saj. A është i justifikueshëm koncepti i parë, apo historia e letërsisë duhet të shmangë ato periudha kur kufijtë e letërsisë janë përzierë me krijime të tjera ?

    Sfida tjetër:  Kriteret e konceptimit të Historisë së Letërsisë Shqiptare në strukturën e brendshme, mund të jenë të ndryshme. Nëse u referohemi dy kohëve : asaj të shkurtër, që ka të bëjë me historinë e rrethanave social-kulturore dhe kohës së gjatë, që ka të bëjë me historinë e jetës së veprave, gjinive, etj., është e pamundur të mos gjendemi përpara vështirësisë së përcaktimit të kriterit të hartimit të historisë së letërsisë. Praktika e hartimit të historive letrare, në kultura të ndryshme, ka hapur mundësinë e zbatimit të kritereve të ndryshme të konceptimit. Kështu : Kriteri gjinor, që është aplikuar në disa histori të letërsisë franceze.  (Claude-Edmonde Magny : Histoire du roman français depuis 1918,  Édition du Seuil, 1950 ) ; Kriteri i hartimit të historisë së letërsië shqiptare sipas drejtimeve letrare, atij të romantizmit  (Rexhep Qosja : Historia e Letërsisë Shqipe – Romantizmi, I,II,II, Rilindja, botimi i vitit 1990); Kriteri monografik, që niset nga pikësynimi për të realizuar një studim të plotë shterrues mbi jetën dhe krijimtarinë e autorëve më të shquar, që përbëjnë një hallkë të rëndësishme në procesin e zhvillimit historik të letërsisë shqiptare (Floresha Dado: Andon Zako Çajupi – Jeta dhe Vepra, Akademia e Shkencave, Instituti i Gjuhësisë e i Letërsisë, Tiranë, 1983); Kriteri i kombinit të tre ndarjeve të mëdha  : të kontekstit historiko-kulturor, të traditës  në jetën letrare, të rrokjes së veprave të mëdha, çka do të bënte që praktika letrare të futet në tërësinë e aktivitetit historik. ( “L’Histoire de la literature française”,  koleksioni Pichois (Artaud,1968); Kriteri historik-kronologjik, sipas të cilit  pasqyrimi i letërsisë kombinohet me ndarjet e mëdha të zhvillimit historik : periudha e vjetër, mesjeta, renesansa, periudha moderne, shekulli XIX, XX.  ( Shih: David Lodge: Historicism and Literary History : Mapping the modern Period, London : Routledge, 1981 ) ; Kriteri : kombinim kriteresh, që është shfaqur në teoritë e sotme.  Kjo do të thotë përfshirje dhe interpretime tekstesh të vjetra, ndarja të letërsisë sipas shekujve, trajtim autorësh të veçantë, interpretim të dukurive artistike, etj. ( Laërence Buell “Literary History as a Hybrid Genre”, në  Neë Historical Literary Study. Ed.Jeffrey N. Cox and Larry J. Reynolds, Princeton (NJ): Princeton UP, 1993)  Një koncept i tillë e konsideron historinë e letërsisë  si një ‘gjini hibride’;Kriteri i konceptimit të letërsisë së përgjithshme (i trajtuar nga Ëellek dhe Ëarren ), që i jep hapësirë shumë të gjerë historiografisë letrare, dhe del nga kuadri i një letërsie të vetme; Kriteri krahasimtar, kur letërsia studiohet në plan përqasës me një, apo disa letërsi të tjera. (kjo sidomos kur kemi të bëjmë me letërsi që mbështeten mbi sisteme gjuhësore të njejta, për shembull letërsitë e gjuhëve sllave, apo latine, etj.); Kriteri hapësinor, që mund të rrokë studimin e letërsive të një rajoni, për shembull letërsia shqipe në letërsinë ballkanike.

    Këto, dhe të tjerë kritere, dëshmojnë se studimi historik i letërsisë realizohet në plane e pikëvështrime nga më të ndryshmet. Por, gjithsesi boshti i kësaj sfide është; a do të ketë historia e letërsisë sonë një strukturë të brendshme, që nuk ka të bëjë thjesht me ndarjet e jashtme, formale, në pjesë, kapituj, etj., por me logjikën e realizimit të studimit të gjithë aspekteve, të brendshëm dhe të jashtëm, të letërsisë, e shtrirë kjo në disa shekuj?

    Sfida tjetër:  Evolucioni letrar dhe estetika e perceptimit, një aspekt tepër i diskutueshëm . A duhet të merremi me autorë minorë, si N.Nikaj, K.Floqi, etj. që shënuan lëvrimin e parë të strukturave të reja (si romanin, dramën, etj.) në momente të caktuara të historisë letrare, apo duhet të qëndrojmë te autorët më të spikatur, që i zhvilluan këto struktura në nivele më të larta artistike ?  Sipas nesh, kjo pyetje na ve në vështirësi lidhur me përcaktimin e objektit të historianit të sotëm. A do ta shohim dukurinë e risisë aty ku lind, apo aty ku shfaqet në formën më të përsosur ?.  

    Duke i qëndruar përsëri tezës së evolucionit të formave letrare, mund të shtrohej problemi se a do të mundëte një historian i letërsisë të përcaktonte raportet midis një forme të re letrare dhe formave më të vjetra ? Dhe më tej, sa do ta ndihmonte ky veprim përvijimin e saktë të zhvillimit të letërsisë sonë në aspektin e evoluimit të vlerave artistike ? A mundet të kalohet nëpër këtë rrugë : nëpërmjet një forme letrare të mund të arrijmë tek një formë pothuajse e harruar ? Kështu do të shtrohej problemi në përcaktimin e evolucionit të formave të poezisë së Mjedës, pak të përcaktuara në tekstet e deritanishme, për të shkuar te format paraprijse të tyre, apo përcaktimi i rrugës ku të çojnë trajtat poetike të Migjenit, etj. Për Eliotin problemi themelor nuk është përcaktimi i vlerave më të arrira letrare, por fakti që letërsia është vazhdimisht në lëvizje, në ndryshim. Domethënë, jo çdo formë letrare, që vjen më pas, kapërxen format paraardhëse. Kjo do të krijonte një pikëvështrim të ri në historinë e letërsisë : jo përcaktim të hierarkisë së vlerave, por hetim të dukurisë së ndryshimit të vazhdueshëm të formave letrare. Sipas nesh, ky pikëvështrim do të ishte i vlefshëm në rastin e hartimit të historisë së letërsisë shqiptare, shumë periudha letrare të së cilës nuk shquhen për kapërcime të theksuara artistike dhe ku ka rëndësi të përcaktohen dukuritë e ndryshimeve që kanë pësuar format letrare.

    Sfida tjetër: Mënyra e kombinimit të qasjes në dy plane: diakronik e sinkronik

    Të bësh një histori letërsie, do të thotë të konceptosh raportet diakronike dhe sinkronike midis letërsisë dhe metodologjisë së studimit të saj.  Thelbi i kësaj marrëdhënieje përfshin rrokjen e dyanshme, ku shkojnë krahas : nga njera anë gjykimi i proceseve letrare, si zhvillime historike, nga ana tjetër përcaktimi i vlerave estetike, që shpërfaqen në një periudhë të veçantë historike.

    Studimi diakronik, që në të vërtetë është qasja më e parë në studimin e historisë së zhvillimit së letërsisë sonë, ka në themel të tij interpretimin e një vepre apo fenomeni letrar si një kategori, e parë jo thjesht në seri kronologjike të dukurive letrare, apo si një prezantim historik të letërsisë. Me këtë kemi parasysh përcaktimin e atyre faktorëve që i bëjnë poezitë e De Radës, Mjedës, Lasgushit etj. me të vërtetë të reja dhe sa u njohën dukuritë e tyre letrare në momentin e shfaqjes, në ç’përmasa u realizua kuptimi i tyre i plotë dhe a ishte momenti kulturor i tillë që këto dukuri të reja të ndryshonin parimet krijuese të traditave letrare paraardhëse ? Analiza në plan diakronik na krijon mundësinë për të kuptuar dhe interpretuar  fenomenin letrar të Koliqit, Kutelit, etj. si dukuri që u bënë kategori estetike, për të përcaktuar se a ndryshoi potenciali i tyre artistik rrjedhën historike të letërsisë shqiptare të ½ së parë të shekullit XX ?  Pra, dimensioni i vështrimit diakronik të letërsisë  sonë të traditës ka një përmasë më të gjerë se sa thjesht ndërtimi i një serie kronologjike veprash, të cilat kanë vlerën e paraqitjes historike të letërsisë sonë.

    Por vështrimi diakronik duket sikur përmban brenda vetes edhe një sfidë. Në vështrimin diakronik, historiani i letërsisë arrin të dallojë se këto veçori tipologjike nuk shfaqen, në të gjitha periudhat, në trajta të njëllojta. Poezia e shekullit XIX nuk është e njëllojtë me poezinë e shekullit XX; kështu mund të thuhej edhe për prozën e për dramën. Kjo do të thotë se në qasjen ndaj letërsisë sonë, në rrafsh diakronik, krijohet një raport i veçantë midis tipareve tipologjike, të formësuara që nga fillimet e lulëzimit të një gjinie, apo lloji letrar, dhe dukurisë së evolucionit, ndryshimit që pësojnë këto kategori, nga një periudhë në tjetrën, nga një autor te tjetri. Studimi diakronik depërton në zhvillimet graduale të letërsisë, që kulmojnë në një ndryshim të dukshëm në stilin letrar të një autori, e sidomos të një periudhe. Kështu do ta interpretonte historiani i sotëm poezinë e Migjenit, që arriti pikën kulmore, si rezultat i zhvillimeve graduale që ndodhnin në letërsinë tonë gjatë viteve ’30-‘40 

    Kontributi themelor i historianit të sotëm të letërsisë sonë do të ishte vetëdija për të hetuar dhe për të provuar se si analiza diakronike ndihmon për të nxjerrë në pah një kategori të re estetike historike, atëhere kur thellohet jo vetëm te përcaktimi i faktorëve të vërtetë historikë, që shkaktojnë diçka të re në një fenomen letrar, në ç’masë ajo modifikoi perspektivën e zhvillimit të letërsisë shqiptare. Kjo është thelbësore  dhe thelbi i qasjes në plan diakronik.

    Sfida tjetër : A ka rrafsh sinkronik në historinë e letërsisë ?

    Diakronia mund të ndalojë, të ngrijë në një moment të caktuar të zhvillimit të letërsisë, për të hapur rrugën e zbulimit  të raporteve të shkrimtarit, veprave letrare me bashkëkohësinë e tyre. Në prerjen sinkronike historiani i letërsisë do të mund të thellohej në një fazë të zhvillimit letrar, do të mund të depërtonte më mirë në strukturën letrare të një momenti të caktuar, për të pasqyruar evolucionin e vërtetë nga një periudhë në tjetrën. Në aspektin metodologjik, kjo do të thotë se, kur flitet për karakterin historik të letërsisë shqiptare, të cilësdo periudhe, trajtimi diakronik shkon krahas me ndalesën, ndërprerjen sinkronike, dhe vetëm në këtë mënyrë mund të përcaktohet dimensioni i vërtetë historik i saj.

    Sfidë themelore : Realiteti i historisë dhe realiteti i të kuptuarit letrar të historisë.

    A mund të pranohet se letërsia e kaluar, e shtrirë në periudha të ndryshme, vjen në historinë e letërsisë së hartuar sot në një kuptim “të ri” historik? A ndikon ky kalim kohor që vlerësimet të ndryshojnë, që ajo që është konsideruar në një kohë të caktuar vlerë estetike, të mos jetë më e tillë në ditët e sotme ?

    Raporti i sistemit letrar me historinë e periudhës së krijimit, por dhe me historinë e periudhës së sotme të interpretimit, duhet parë në një spektër më të vemendshëm : nga njera anë nuk do të duhej të skematizohej ideja se çdo zhvillim letrar është thjesht “produkt i historisë”, por “produkt historik”, çka shpreh një dallim të rëndësishëm në mënyrën e konceptimit dhe të interpretimit të procesit tonë letrar. Estetika e krijimit të veprave të periudhave të ndryshme dhe estetika e kohës së sotme të interpretimit krijojnë marrëdhënie tepër të vështira, çka e ve historianin në pozicion jo të lehtë. Shtrohet pyetja : si do të kapërxehen këto mospërputhje estetike, për shembull me autorë të tillë  si N.Nikaj, M.Grebllesha, H.Stërmillit etj?.  A ekzistonr rreziku i vlerësimit  sipas shijeve të sotme ? Një problem i tillë çon në pikëpamjen se çdo vepër e së kaluarës, për shembull nga romantizmi, sentimentalizmi, etj., nuk mund t’i krijojë çdo studiuesi të sotëm të njejtat përjetime estetike. A do duhej të pranonim se në hartimin e historisë së letërsisë sonë fenomeni letrar ka lidhje jo vetëm me momentin e krijimit dhe botimit të tij, por edhe me kontekstin e momentit të hartuesve të kësaj historie ?. 

    Eshtë fare e qartë se ky fakt komplikon qëndrimin e  historianit të sotëm ndaj trashëgimisë letrare, të krijuar në faza të ndryshme të pjekurisë letrare. 

    ***

    Duke i kaluar shumë shkurt disa prej problematikave të hartimit të historisë së letërsisë sonë  theksoj se  kjo ndërmarrje ka nevojë për 1. konceptimin e një strukture të qartë, që reflekton, në radhë të parë, zgjidhjen e një tërësi problemesh teoriko-shkencore. Studiuesve të shekullit XXI, u duhet të interpretojnë zhvillimin historik të një letërsie 5 shekullore, hapësira dokumentare e së cilës  dhe spektri i dukurive është shumë i gjerë.

    “Historia e Letërsisë Shqiptare” do të duhet të zgjidhë gjithashtu, përfundimisht, me kritere shkencore, problemin e gjeografisë së përfshirjes së letërsisë shqiptare, jo vetëm të shkrimtarëve të Kosovës, të arbëreshëve të Italisë, por të gjithë diasporës shqiptare. Ekuilibri midis aspektit etnik dhe atij estetik, në këtë rast, është tepër delikat dhe kërkon një kriter të përcaktuar mirë dhe përfundimtar.

    2.  “Historia e Letërsisë Shqiptare”, e shkruar sot, duhet të kuptohet  edhe si një eksperiencë e re interpretuese. Krahas njohjes së poetikës dhe metodologjisë së interpretimit, ndërtimi i një bibliografie shterruese, kërkimi i gjithë dorëshkrimeve të mundshme, në arkiva, biblioteka e institucione që kanë qenë lidhur me jetën e autorëve, njohja e konteksteve historiko-kulturore të periudhave, ndjekja e shtypit të kohës dhe e organeve shkencore e kulturore, njohja e mjedisit të formimit kulturor, të raporteve me letërsitë e huaja, apo me autorë vendas, etj. etj. janë fushë tepër e gjerë, që  parapërgatit hartimin e kësaj vepre madhore të kulturës shqiptare.  Duke qenë vepër kolektive (nuk përjashtohen kurrsesi edhe iniciativat individuale) ajo është punë e specialistëve të letërsisë, të cilët duhet të unifikojnë kriteret e konceptimit dhe nocionet e trajtimit historiko-poetik të letërsisë sonë. Veç pasionit dhe intuitës interpretuese, është e rëndësishme të kuptohet se studimi historik i një letërsie dallon rrënjësisht nga interpretimi eseistik, apo nga natyra e një shkrimi kritik, ku aspekti subjektiv është i theksuar. Kështu, përballë qasjeve të tilla thelbësore në hartimin e Historisë së  Letërsisë Shqiptare  kuptohet sa i domosdoshëm është orientimi mbi bazën e disa kriterve konceptuale, të pranuar shkencërisht.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË