Diskutim në promovimin e dy librave të B.Kuçukut :
“Shprehësi të strukturave-Letërsi shqipe bashkëkohore dhe e sotme, III” dhe “Ali Podrimja”, organizuar nga shtëpia botuese Onufri
Është bërë më e zakonshme që në mjedise shkrimtarësh e kritikësh të zhvillohen promovime për vepra letrare. Shumë mirë, dhe mjaft e dobishme, nëse këto promovime konceptohen si vlerësime reale mbi veprën… Por, mendoj se ka një mangësi të theksuar në promovimin e monografive apo studimeve shkencore (edhe të pjesshme) mbi letërsinë, sidomos asaj bashkëkohore. Një traditë që duhet krijuar dhe konsoliduar me seriozitet. Një traditë që do të gjallëronte dhe ballafaqonte nivelin e mendimit shkencor, do të ‘trondiste’ sado pak amatorizmin dhe papërgjegjshmërinë e disa studimeve letrare, jo të pakta në ditët tona.
Një promovim dhe diskutim shkencor është kjo tryezë, që i kushtohet veprës së pjesshme të Bashkim Kuçukut. Një ndër studiuesit seriozë dhe prodhimtarë, me kontribut të veçantë, si në hartimin e tre vëllimeve kushtuar letërsisë bashkëkohore, por, edhe për punën gjigande, të jashtëzakonshme, që ka bërë për përgatitjen e tre vëllimeve, mijra faqesh, ku përfshihen artikuj e vlerësime të kritikës botërore mbi krijimtarinë e I.Kadaresë (Botime të Akademisë së Shkencave). B.Kuçuku i përket grupit të studiuesve, që në tre dhjetvjeçarët e fundit nuk e kërkoi lavdinë në mohime, mallkime të traditës studimore të mëparshme, por, përkundrazi iu përkushtua thellimit në profesionalizmin studimor, njohjes së principeve moderne të analizës në kuptimësinë e zhvillimeve letrare dhe të specifikës së interpretimit të tekstit letrar.
Pse në vëllimin “Shprehësi të strukturave” (voluminoz, me shumë studime e artikuj mbi autorë e dukuri të letërsisë shqiptare, ku mund të përcaktojmë një tipologji të shkrimeve që lidhen me interpretimin e çeshtjeve interesante, si ai kushtuar strukturës moderne bashkëkohore të letërsisë shqipe, realizmit të J.Xoxës, poezisë lirike të D.Agollit, vëzhgime origjinale mbi prozën e P.Markos, V.Koreshit, F.Kongolit, etj. etj. ) unë do përqëndrohem në studimin kushtuar M.Camaj? Janë dy arësye kryesore :
1.Sepse Martin Camaj është ndër autorët më interesantë, dhe njëkohësisht me një mistikë letrare të brendshme, komplekse dhe jo lehtësisht të identifikueshme…..
2. Sepse studimi është tepër profesional…që dëshmon një hop cilësor në studimet e Bashkim Kuçukut, por edhe rritjen e nivelit të studimeve tona letrare.
Qasje origjinale në metodologji dhe metodë, vëzhgime dhe teza sa interesante aq edhe të guximshme, pikëpyetje, qartësi dhe pak hermetizëm (ka ndikuar tërthorazi vetë poezia), një përballje e guximshme me poetin, etj. Këtyre aspekteve i kushtoj, (sigurisht shumë përmbledhtazi), vemendjen time, duke shpresuar të ngjallet sado pak kurioziteti tek ata që vlerësojnë thelbin dhe llojshmërinë e kritikës letrare.
Cilat janë specifikat thelbësore të analizave që B.Kuçuku i bën poezisë së M.Camajt ?
1. Boshti themelor është qasja strukturaliste-semiotike, e hetuar në thellësi të strukturave gjuhësore. Metoda kritike e B.Kucukut është strukturaliste ; këtë e paralajmëron që te titulli i vëllimit, ku zgjedhja e togfjalëshit “shprehësi strukturore” tregon që në fillim boshtin themelor metodologjik të punimit. Gjithashtu, merita e padiskutueshme e studiuesit qëndron në vëzhgimet dhe interpretimet e tij ku synon të zgjerojë horizontin kuptimor të konceptit ‘strukturë’ në poezinë e Camajt. Sipas Bashkimit lirikat e këtij poeti janë niveli më i lartë i “ngjeshjes dhe shprehësisë strukturore”. Gjithashtu, lidhjen midis strukturave të poezisë së Camajt e sheh si vazhdimësi figurash të mbyllura brenda sistemit të vet metaforik-simbolik, të ndërlidhura dhe të varura nga njera tjetra. Vëzhgim duket si i jashtëm, por në thelb zhytet në raporte më të thella, të gjera. Kuptimin e kësaj lidhjeje e interpreton si kusht për leximin sipas logjikës poetike. Është një përpjekje interesante synimi i studiuesit për të shkuar drejt përcaktimit të tipologjisë së njësive të strukturave metaforiko-simbolike.
Në studimin e Bashkimit parimet e kritikës strukturaliste nuk mbeten qëllim i dukshëm, i jashtëm, si ‘për modë’, por ndihet synimi i tij për t’i konceptuar poezitë si një strukturë dinamike, që thellë thellë reflekton lëvizjen e mendimit dhe ndjenjës së Camajt si dhe përvojën e jetës së tij, pothuajse dramatike. Si pas tij “ Strukturat camjane janë vazhdimësi figurash të mbyllura brenda sistemit të vet metaforik simbolik, rigorozisht të ndërlidhura dhe të ndërvarura prej njera tjetrës, aq sa shmangija, qoftë dhe njërës syresh, apo, keqleximi i saj e bën të pamundur vazhdimin e leximit sipas logjikës së saj poetike”. Pra qasja strukturaliste nuk është skajshmërisht skematike, (njihen studime ku kjo metodë reduktohet thjesht në skema e vija gjeometrike…), por zhytje në lidhjet dhe funksionet e brendshme të figurës.
2. Qasja ndaj lirikës duket më e përqendruar dhe më përfshirëse, sepse analiza strukturore/semiotike kombinohet njëherazi me qasjen simboliste, çka sjell depërtim edhe më të plotë në thellësitë e poezisë së Camajt. Analiza semiotike zhytet në kuptimësinë e brendshme të figures-simbol; gjithashtu edhe në zbërthimin e kuptimeve të reja të bashkimit të fjalëve. Në këtë punim, qasja semiotike nuk mbyllet thjesht dhe vetëm në fjalë të veçanta, por thellohet brenda një sistemi metaforik-simbolik. Duke zbërthyer semantikën e fjalëve-figurë çelës autori thellohet në funksionet e përshkallëzuara të gjuhës, në zbërthimin e kuptimit të shprehësisë gjuhësore. Ky studim thekson qartazi qasjen e veçantë të Camajt ndaj thelbit të gjuhës poetike , lidhjes së fjalës me qënien shqiptar. Me idenë se fryma e gjuhës është arti i vërtetë, poeti ka ngjallur vemendjen e studiuesit për të synuar të zbërthejë pikërisht se cila është fryma e gjuhës që formëson lirikën e tij.
Është interesant se në zbërthimin e këtij sistemi simbolik studiuesi dhe poeti duket sikur kanë krijuar një ‘marrëdhënie’ mirëkuptimi, herë njeri e herë tjetri zbërthejnë misterin e përdorimit të gjithë këtij sistemi figurash, sa hermetik, aq edhe në thellësinë dhe qartësinë e kuptimit të tyre. Studiuesi e interpreton simbolin jo thjesht dhe vetëm në gjetjen dhe përdorimin fjalor, por edhe në koncepte më të gjera, që kanë të bëjnë me lëvizjen, rrjedhën e mendimit dhe dukurisë, ….apo marrëdhëniet me përjetimet të së shkuarës, kujtimeve.
3. Vëzhgimi më interesant në këtë studim të qasjes strukturalisto/semiotike, është se struktura gjuhësoreshihet si elementi thelbësor i vlerësimit të teksteve. Bashkimi duhet përgëzuar për qasjet e brendshme në funksionet e përshkallëzuara të gjuhës, në arritjet në zbërthimin e kuptimeve të shprehësisë gjuhësore. Ka një rakordim interesant edhe në këtë linjë midis studiuesit dhe poetit, ku duket qartazi pajtimi i pikëpamjes mbi thelbin e përdorimit të gjuhës në poezi. Camaj nuk është vetëm poet, por hyn edhe në sferën e mendimit teorik, të cilin, shpesh, e ka të vetin, origjinal. Por, është interesante se përputhshmëria midis poetit dhe studiuesit duket edhe në rastet e kontradiktës së mendimit. Camaj shkruan “Nisja është nga fjala, gjuha dhe jo nga mendimi”. Më pas vjen pohimi se “Gjuha është në vartësi të formës”, kur dihet se sipas teorisë strukturaliste gjuha është vetë forma. Studiuesi bën një farë shtjellimi më korrekt, por ndonjëherë, papritur nuk i shpëton kontradiktës në arësyetimit për t’i dhënë kuptim këtij pohimi.
Qasja ndaj tekstit, e kombinuaar herë herë me qasjen ndaj pikëpamjeve teorike të poetit, sa e komplikon, aq edhe e zbërthen thelbin e të menduarit të Camajt, çka e bën studiuesin të thellohet në zhbirimin e këtij mendimi të brendshëm. Por ka një pohim të Camajt, që mendoj se duhet zbërthyer në rishikimin e mëtejshëm. Ai shkruan për “frymën e gjuhës së folur …po s’u ndje kjo frymë mos të presë kush art të vërtetë…Me ndje fizikisht gjuhën është kërkesë problematike. Kjo ndjenjë fizike përfton harmoninë poetike” . Është pohim brilant, por që duhet zbërthyer më plotësisht nga studiuesi, apo dhe interpretues të tjerë, sepse është vetë poezia që ndihmon në këtë drejtim. Duke qenë se M.Camaj është një rast i veçantë, sepse krahas poezisë që shquhet për një hermetizëm, ka edhe mjaft shpjegime teoriko-personale të poezisë, natyrshëm më vjen pyetja: kjo e lehtëson apo e vështirëson punën e studiuesit ? Ç’lidhje ka midis mendimit dhe trillimit poetik të tij ?
4. Një qasje origjinale dhe tepër interesante është përqëndrimi i studiuesit në strukturën kohësore të poezive. Dihet se nocionet kohë-hapësirëjanë karakteristike dhe mbizotëruese për narracionin në prozë. Por në analizën e poezive të Camajt, Bashkimi përcakton një specifikë të veçantë : kohë-hapësira shihen si një e vetme që mbart një kuptim filozofik : e tanishmja apo lashtësia mpleksen, sepse nuk kanë rëndësi në vetvete, por në lidhjen e mendimit të brendshëm. Këto nocione, ndonëse siç e thashë, i përkasin narratologjisë së prozës, në këtë studim trajtohen si pikëvështrim origjinal në interpretimin e lirikës, duke zgjeruar përmbajtjen e nocionit kohë, duke e nënkuptuar atë si strukturë kohore mendimesh, emocionesh. Studimi tërheq vemendjen në aspektin e kuptimit dhe interpretimit të poezive si vijimësi kohore e kuptimore e brendshme.
Vëzhgimi i studiuesit është përqëndruar në një aspekt tjetër : në raportin që ekziston midis mungesës së rrjedhës në vijushmëri të kohës së jashtme dhe lëvizjeve të kohës së brendshme ; kjo e fundit i përket thellësive psiko-shpirtërore të poetit. Vijimësinë kohore e sheh si lidhje mendimesh, e brendshme, si një vijimësi që ndërton struktura kuptimore. Analiza e strukturës kohësore thellohet në tipologji të konceptimit kohor në poezinë e Camajt si ‘kohë e abstraguar’, ‘kohë shumështresore’, ‘kohësi konkrete’, apo kohësia e brendshme psikologjike, pa shenja dalluese kalendarike, etj. Megjithatë konceptin e kohë-hapësirës e interpreton si njësi të vetme, kur synon të zbërthejë filozofinë e shkrirjes së tyre. Duke interpretuar strukturën kohësore të poezisë së Camajt studiuesi e sheh kohë-hapësirën si një përftesë thelbësore të dinamikës strukturore dhe mendoj se sjell një konceptim tjetër të poetikës së poetit të shquar. Është një qasje e jashtëzakonshme, një specifikë interpretim, e cila ka nevojë, patjetër, për trajtim më të zgjeruar.
Studiuesi është futur me pasion të veçantë jo thjesht në interpretimin e lirikës së Camajt, por edhe në qasjen kohore-hapsinore sa, në shumë raste, na vjen të besojmë pohimin e tij se ‘strategjia e ndërtimit të lirikës së Camajt është bërë strategji e studimit të saj’.
5. Një tipar interesant i studimit të B.Kuçukt është aspekti metodologjik i interpretimit të lirikës së Camajt. Ndonëse analiza ka bosht themelor qasjen strukturore, me kthjelltësi teorike dhe intuitive, Bashkimi e ndjen se zbërthimi i vlerës kuptimore-poetike të kësaj lirike lidhet ngushtë edhe me njohjen e psikologjisë krijuese, si dhe të disa faktorëve të tjerë që kanë lënë gjurmë në sistemin shenjor-figurë. Mendoj se përpjekja për t’u thelluar në brendësinë e psikologjisë krijuese është një ndër arritjet më të rëndësishme të këtij studimi. Është interesant vëzhgimi mbi raportin e universales me të dhënat psikologjike vetiake dhe intime të poetit. Ndonëse Camaj mbështet parimin artistik të thjeshtëzimit të ngjarjeve dhe ndijesive private, të mohimit të elementvee biografike nëpërmjet largimit, tjetërsimit të skajshëm, studiuesi B.Kuçuku e kapërcen këtë parim artistik të deklaruar prej poetit dhe, duke u nisur nga psikologjia e poetit, i jep kuptim strukturës së brendshme të poezive. Është vetëvepra e Camajt që e ka detyruar atë të thellohet në aspektin psiko-shpirtëror, si një ndikues në thellësinë e sistemit figurative, në thelbin e simboleve dhe metaforave, sa misterioze aq edhe kuptimplotë në strukturën e gjerë të mendimit. Qasja psiko-letrare ndaj poezisë së M.Camajt përqëndrohet në rolin që luan në vetëdijen krijuese të tij zbehja e reales (largimi nga vendlindja) dhe mbushja e kësaj realeje vetëm me kujtesën e largët . Më duket një qasje interesante në analizat e poezive, duke kombinuar faktorin psikologjik me atë social.
6. Mendoj se studiuesi, që njeh mirë letërsinë e shkrimtarëve bashkëkohorë më të shquar, me intuitën dhe përgatitjen shkencore, arrin të përcaktojë risitë dhe dallimet, shkaqet e veçanësisë së poezisë së Camajt, çka tregon edhe prirjen e tij për t’iu qasur edhe metodës së studimit në plan krahasimtar. Duke synuar të futet në kuptimësinë e simboleve, shpesh të parë në përballje ngjashmërie dhe kundërvënieje, Bashkimi ka meritë se këtë vëzhgim nuk e koncepton thjesht si qëllim në vetvete, por e shtyn në vetëdijen krijuese të poetit, që akoma mbetet i pazbuluar edh i diskutueshëm në nivelet e studimeve shqiptare.
7. Çeshtja e stilit, parë edhe në simbolikën poetike, do ishte një fushë tepër e gjerë trajtimi, që nga raporti i mikrostrukturës së poezisë së Camajt me makrostrukturën e poezisë shqipe, riaktivizimin e simbolikës mitike dhe kulteve autoktone apo dhe ballkanike, që natyrshëm shkrihen në stilin vetjak, shartimin e poezisë së tij në trungun e poezisë popullore, etj . Analizat e këtij plani zbulojnë peshën e simbolikës së tyre në kuptimet e pafund kuptimore dhe në bukurinë e figuracionit të Camajt. Është interesant vëzhgimi i studiuesit për të përcaktuar konstanten dhe dominanten e lirikës së poetit…
Sugjerime
Studimi mbi shprehësinë e strukturave në poezinë e Martin Camajt është tepër i ngjeshur, një varg ideshë të reja dhe teza, të cilat paraqesin një tablo komplekse që duhet zhvilluar, hapur akoma më tepër. Një konceptim i tillë me qasje të re, sigurisht që do të nxirrte një seri aspektesh sa befasuese aq edhe provokuese për mendimin tonë shkencor. Por përtej diskutimeve tona unë do t’i sugjeroja Bashkimit:
a – Studimi ka nevojë për zhvillim më të gjerë të disa prejaspekteve të rëndësishëm të poetikës së lirikës, që qartësojnë më mirë marrëdhënien e Camajt me traditën letrare shqiptare, apo parimin e kryqëzimit të simboleve autoktone të kulturës shqiptare me përftesa të poetikës së modernizmit, studimi në plan krahasues me poetë të tjerë, dhe çeshtje qe i përmenda më parë… Duke u ndalur (jo gjerësisht) në shprehësitë dhe dinamikat strukturore të letërsisë shqipe të gjysmës së dytë të shekullit XX dhe të letërsisë së shekulliy XXI, deri më sot, është e domosdoshme që studiuesi ta zhvillojë më tej dhe më plotësisht këtë aspekt, çka do ta vendoste qartësisht M.Camajn në kontekstin e gjerë të zhvillimit të letërsisë sonë. Nga ana tjetër kjo lidhet me një varg çeshtjesh të vështira, por të rëndësishme, që do të përcaktonin në mënyrë më drejtpërdrejtë individualitetin krijues dhe vendin e poezisë së M.Camajt në historinë e zhvillimit dhe pasurimit të poezisë shqipe.
b. Studimi shquhet për një stil telegrafik…Teza shumë të rëndësishme të thëna për herë të parë, por që kalohen shumë shkurt, ngushtë…Për shembull interpretimi mbi poezinë në aspektin e ngjyresës gjuhësore, ekuivalencave kuptimore e formale ka nevojë për shtjellim më të plotë. Teoria e Sosyrit, që bëri revolucion në raportin midis fjalës dhe kuptimit, në raportet paradigmatike të gjuhës etj.. mund të mbështetet më gjerë, sepse ndihmon në zbërthimin e karakterit simbolik të gjuhës së poezive të Camajt… Po ashtu aspektet e analizës psikologjike mbeten akoma për t’u trajtuar. më gjerë; tema ekzistenciale mbetet gjithashtu e hapur për zhvillim të mëtejshëm…
c – Ka ndonjë pohimqë duket jo shumë i qartë dhe ka nevojë për zbërthim të kuptimit të brendshëm. M,Camaj është poet i vështirë…por dhe studimi për të gjithashtu është i vështirë…Ndoshta në mënyrë instiktive ka ndodhur një përafrim mes stilit poetik dhe stilit të interpretimit. Vetëdija dhe pavetëdija e dy të ballafaquarve është, në fakt sfida e madhe e B.Kucukut…
d– Në këtë analizë të gjerë dhe të thelluar duket skeleti i një studimi të ardhshëm më të plotë, ku, sigurisht do të përfshihet, po aq e komplikuar, befasuese, provokuese edhe proza e Martin Camajt…? Ky do të ishte një projekt që do të plotësonte studimin e këtij autori të shquar mbi parime dhe seriozitet teoriko-shkencor.
Përtej këtyre sugjerimeve, mund të them se ky studim për poezinë e M.Camajt, është një prej disa studimeve apo artikujve të kryera gjatë dhjetvjeçarëve të fundi për këtë poet të papërsëritshëm. Pooor, në qasjen e B.Kuçukut jepet një model tjetër, sa shkencor, aq dhe profesional, i analizës tekstore të kësaj poezie. Një model që zbulon në thellësi vlerat e fjalës poetike.