More
    KreuLetërsiBibliotekë"Fillim nate", poezi nga Adelinë Selmani

    “Fillim nate”, poezi nga Adelinë Selmani

    I Duhi vjeshte

    Kur gjethet e ngrana kohe,
    e as lulet ma,
    ciflat e ngrohta t’diellit
    s’mujten me i rrejtë,
    me i majtë n’jetë.
    Erdhe ti:
    me ngjallë nji stinë t’re,
    me i çelë shteg magmës tem,
    me rrjedhë,
    me i shpalosë palt e rrudhosne
    t’ndjesive t’shkume,
    me kërku bashkë,
    n’vatrat e mbamendjes
    me t’bo vend,
    n’aktet e lona nëpër kamb’ me burrat e tjerë,
    a n’vazhdat e dhimbjeve që janë prà.
    Po ti je krejt mungesat e hazdisuna t’qenies tem,
    frymëmarrjet që n’gjys m’janë da,
    duhitë rebele që para m’kanë marrë,
    E topitjet që fije arsyesh kanë pre.


    II

    Sonte;
    stis nji va ta kaloj dhimten,
    ço nji fashë drite n’zemren tem,
    pshtomë prej vetes, prej hiçnajës,
    mbshtjellmë me tis malli e dhemshunie.

    Sonte,
    Përpimë si vorbull, mrena teje;
    bonëm ven n’qoshet ma t’errta tua,
    ku s’mbrrijnë sy t’huj e ndjesi për tjera.
    A nise nji ondërr-litar, t’kapem
    me dur t’shqyme luftimi.

    Sonte,
    mbromë pej hartave pështjelluese
    t’burrave t’tjerë,
    pej kamës qi çan fundbarkun tem
    e fijet e nervave m’i kput n’mes,
    veç sonte m’ruj prej dhombve t’mrehtë t’shkumes,
    prej t’palanave t’jetës tem.

    Se nesër
    kam me t’ardhë etshëm,
    me kongjijtë ndezun n’vetje
    me i djegë krejt net e kalune,
    me i përplasë për t’funit herë
    dyrt e shpirtit t’trazum.
    E bashkë me ngjizë fill shprese, fill jete.


    III

    Kujtesa jem osht kthinë e vogëlth
    me i rujtë krejt t’bomat e tua
    e mu m’dhemb me m’shkit nji puthje jotja
    prej saj,
    nji prekje n’sup, nji fjalë.
    Ndjesitë jonë dromca vragsh karshi madhnisë tande,
    unë krejt e vogël me mbajtë hyjni n’krahë.
    Paçka!
    Je veç vegim që tjerr fill jete,
    e tashme që s’shndrrohesh n’futur,
    po n’t’kryme të tejshkume
    E len n’zgrip mekje’ gjithçka.


    IV Kam nisë me t’dashtë

    Kam nisë me t’dashtë qysh duhet perëndia;
    Mos me i ndje vrragat mendjes që m’i heq,
    Me u mishnu me spazmat e huqeve tua;
    me vullnetin tond për fundbarkun tem.

    Kam nisë me t’dashtë qysh duhet zoti,
    Me i bo tempull prehjeje kraht e tu,
    Me t’u gjunjëzu e nënshtrushëm me t’lutë
    edhe për ni ritual që çon n’t’shtatë qiejt.

    Kam nisë me t’dashtë qysh duhet hyjnia,
    me i kthy kah ti sytë plot turp e epsh,
    Me t’ndjekë si fill shëlbimi t’krejt qenies,
    Drejt parajsës, t’paqtushme që m’len.

    Kam fillu me t’pa si trill t’ni menje t’trazume,
    Si sajim t’ni fryme n’zgrip gjalljeje.
    Me rrokë me tan’ shqisat shenjtnin’ tane,
    n’aritmitë e jeheve – t’akteve mistike,
    E me t’kërku amshushëm përsëritje…


    V

    S’t’kom harru
    Çdo natë zbres përmes syve
    Me litar
    N’shpirtin tond
    Me provu thellsinë
    -A thu isha vra
    Mrena me m’lshu
    Ma vonë
    Dal e i thaj ondrrat;
    Janë lagë – thellë!


    VI Andrrueshëm

    Dielli rrëshqiti buzve t’horizontit,
    Thurima resh u davaritën qiellit,
    Me bo ven për lavra yjsh
    N’ktë natë që po mbarset
    Përvujshëm n’t’errun.

    Theks t’huj ka bota sonte
    Për krejt tposalindunit;
    Yjt, mbamendjet e rizgjume,
    Që mos me trand andrrash
    E nanurisin droçkave t’gzume.

    E unë k’so nate,
    E rame prej shumë durve,
    T’vij veç tu kesh,
    T’vij andrrueshëm, e paftume.


    VII Punesë kashte

    I dashtun,
    Ti je vetja jem tu u shpërnda,
    Që t’merr era si fije kashte
    E ia jep kujtdo fole me ba,
    I dashtun,
    Ato s’kanë me mrri nkrye
    Se din veç najo n’ajër me e kapë.
    E s’din për tjetrën me u kthye.
    I dashtun,
    Na kem mujtë me i mbledhë bashkë,
    Se erën e rikthimit ta di,
    I njoh përplasjet e dyrve tshpirtit,
    Kur m’lojnë mrena me hy.


    VIII E hanë

    N’gjethet e funit t’qarrit t’vjetër,
    pikat e shiut si grepa t’vegjël bijnë,
    për me i ngrehë drejt tokës,
    me i paksu dhimtë e vjeshtës,
    e me i çu ma shpejt n’gji t’vdekjes.

    Dritat e lëbyrta, erë e shi i fafurin,
    tunin trungjet, molet e barishtave t’zverdhuna,
    hedhin n’llucë petalet fundake,
    e lkunin rrojtë t’patrajtsume n’dhe.
    si me verë osht dehë hiçnaja,
    pa vramendje shungullon gjana e jetë.

    N’krejt ktë përhumje vjeshtake,
    un rrshas mi kurrizin tem t’kujtimeve
    që ujon çurg,
    n’dhimten tallaz t’mungesës tane,
    n’ondrrat tashma t’kolme,
    t’ushqyme me shpresë t’patretne.

    Por s’pres ma me u bo muzg i nji t’hane,
    me matë thellsinë e hendekut t’dashnisë,
    me pëshpritë premtime
    qi kurrë me vete s’i kem marrë,
    e as me ni prej buzve t’tulta lujtje
    mos me ikë.

    Kso nate, veç du:
    rrëshirën qi pej t’çarave t’zemrës kullon,
    tundimin që gufon mrena vetjes,
    me marrë grep shiu a stuhi,
    me tërhjekë teposhtë zvarrë,
    drejt tokës, drejt vdekjes- vjeshtës,
    E ty mos me t’ardhë nji t’hone, kurrë ma…


    IX

    Jetë,
    mirazhi yt m’sillet n’kry
    Si aureolë shenjtish,
    fërkemt qe i ke lonë nëper kujtime,
    e erën trullosëse n’trup tem,
    m’jonë derdhë krejt veçan ksaj nate.
    me m’bo me t’lyp ty, me m’shemb.

    Jetë,
    oshtë dhjetor bore, bota po ngrin,
    e n’mu rrjedhë dehse e ngrohtë
    po gjen shtegth,
    me tërbu gjithë çka gjen para vetes,
    me i ndezë edhe ma,
    tekat e fundbarkut tem.

    Jetë,
    ernat po fryjnë,
    hana si gur mortje ka hupë ngjyrash,
    e une e përgjumun dashnie po nisem
    n’kërkim hyjnor me t’gjetë ty,
    me hedhë farë, me t’majtë mrena,
    me vnu rrajë,
    thellë, shumë thellë n’truvenusin tem.


    X Halth- njeri

    Si krezm i shenjtë e erëzinë lehtinë,
    pa lejehyrje si kometë,
    derdhas e bën dashurinë
    e në mes të çarave të murit jetë,
    hidhtas më lë, më ik’.

    Me djall a engjëll bëj pajtesë,
    me lëng të ri, palcor, t’më pajis,
    ty të rezistoj, edhe qoftë paralizë,
    t’mos të ndiej, t’mos lektis.

    ..por ti kthen prapë sërish,
    të ta dua tënden siluetë,
    mungesën ma mbarrs, ma përsëdyt,
    që mitër të pranojë, sigurt, përjetë.


    XI Fillim nate

    Qielli fsheh shtëllungat  e fundit
    që gjysheve ua ka vjedhë,
    muzgu mbyllet n’vetvete si lule
    e fluturat përshndërron n’krimba.
    S’ka krahë pa dritë, pa jetë.

    Gjitarët vënë kongjij
    në vend  të syve e s’pipëtijnë;
    fjalët e shumta vrasin brinjtë e natës.


    XII Mund të isha

    Epshi si polen shpërndahet n’ajër,
    netëve që mbi ndjenja flenë,
    këmishëshqyer mungesa
    s’fsheh veç vë në pah,
    e dritthat qëndisin
    me prekje- puthje trupin tënd.

    Sonte mund të isha shumëçka,
    psher’timë, grua në tëndin shtrat,
    gjithçka më shumë se kujtim,
    që varet mbi jetë e jetës s’zgjat.

    Sonte mund t’isha
    si e Saturnit hënë,
    që i lakon kurrizin nëpër natë,
    mund të isha një më shumë,
    që shpirtin ta fluturzon,
    por ti m’vdes mua n’trupin tënd,
    e unë  veten nga ti e heq zvarrë.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË