Bisedoi: Violeta Murati
Në mesin e janarit u shënua 75-vjetori i lindjes suaj, një datë e harruar. A ka qëlluar shpesh në jetën tuaj t’ju lënë në heshtje? Si ndihet një shkrimtar kur shkëputet nga lexuesi i tij në një moment të jetës?
Ka raste që për një arsye apo një tjetër, të tjerët nuk kujtohen se ti ke një sebep, ka raste që kujtohen shumë vetë. Mua më kanë ndodhur të dyja. Meqë u përmend 75-vjetori, ka pasur raste që janë kujtuar dhe më kanë dërguar mjaft urime, por ka ndodhur edhe e kundërta. Sa për dijeni, unë e harroj edhe vetë ditëlindjen. Kështu që nuk habitem, as nuk i jap rëndësi. Çfarë ka ndodhur me shkëputjen time nga lexuesi, mund t’ju them se kjo nuk ka ndikuar tek unë.
Më lejoni t’ju pyes për një moment të vështirë të jetës suaj – kaluat një periudhë të rëndë shëndetësore, por çfarë tërhoqi më shumë ishte një fjalë e re për veshët e shqiptarëve: eutanazia, pra një ide e juaja për të ikur me koshiencë nga kjo jetë. Qe befasi, tronditje, ky moment, së paku kështu u përjetua. Çfarë po ndodhte në psikozën tuaj?
Është e vërtetë, pata një moment shumë të vështirë. Kur mora vesh sëmundjen që kisha, sidomos gjendjen se si do të isha pas operacionit, mendova sinqerisht se nuk kishte më kuptim të jetoja. E mendova me qetësi absolute. Pa asnjë stres apo shqetësim. Madje e kam thënë, pasi dikush më pyeti nëse kisha frikë. U operova dy herë radhazi, në janar edhe shkurt të vitit të kaluar. A pata frikë kur hyra në operacion? Jo, absolutisht jo. Kam hyrë duke qeshur, fare i qetë. E mendova sikur do të hipja në një taksi që, kudo të më çonte, s’do merrja vesh gjë. Prandaj hyra shumë i qetë. Nuk më bënte përshtypje edhe sikur taksia të mos kthehej mbrapsht. Unë shkova, trokita, por më thanë jo. Unë u ktheva.
Po për eutanazinë kur ju erdhi mendimi, pse ky vendim?
Mendimi për eutanazinë më erdhi kur mora vesh se si do isha pas operacionit. Gjendesha jashtëzakonisht keq: me tuba nëpër trup… nuk mund të jetonte njeriu në këto kushte. Aty më shkoi mendja dhe kërkova me insistim. Talleshin pak me mua. E kam pasur me gjithë mend, s’ka ndonjë gjë, në mos njëherë, njëherë njeriu do të shkojë atje ku ka destinacionin përfundimtar. Mirëpo, është një gjë që nuk e pranojnë. Unë jam për eutanazinë kur vetë personi e kërkon. Mirëpo këtu ndërhyn feja, ka që nuk e lejojnë. Mua nuk më pëlqen t’i mbajnë njerëzit në mënyrë barbare, me vite me makineri… Ajo s’është jetë. Unë jam për eutanazinë. Kam dëgjuar shumë për eutanazinë, madje ka vende të Europës që lejohet. Është në Holandë. Por në shumë vende nuk pranohet, pasi është feja në mes që e kundërshton: sipas parimit jetën ta jep Zoti dhe ai ta merr. Këtu për mua nuk ka ndonjë gjë të tmerrshme. Kjo ishte një dëshirë e kthjellët, jo nga ndonjë stres apo paqartësi mendore. Ishte dëshirë. Po të kisha qenë në kushte të tjera dhe të kisha pasur mundësinë ta bëja, po e them se do ta kisha bërë.
Ta lëmë këtë fazë të fundit të jetës dhe kthehemi te krijimtaria, nga fillimi. Si keni hyrë në letërsi? Diku jeni shprehur se nuk e keni zbuluar akoma. Cila ishte atmosfera që i përgjigjej gjendjes suaj?
Është një pyetje që ma kanë bërë shpesh. Para disa viteve, siç e dini, kam botuar një libër me titull “Iluzionet në sirtar”, aty kam shpjeguar se si kam hyrë në letërsi. Kam filluar me ndonjë poezi, si të gjithë të rinjtë. Sidomos në gjimnaz, kur është mosha e poezisë. Por, në prozë kam nisur të shkruaj kur u emërova mësues në fshat, në një terren malor, në Elbasan. Aty isha vetëm. Kisha një dhomë. Isha vetëm m’u në majë të malit. Fshati ishte 20 minuta larg në këmbë, ishte lagjja më e afërt. Aty m’u lëshua një dhomë. Nuk kisha ç’të bëja. Atëherë fillova shkrime të shkurtra. Njëherë bëra një shkrim për gazetën lokale të Elbasanit, më pas një reportazh, derisa fillova të shkruaj tregimet e para.
Kur e ndjetë se diçka po bëhej serioze me letërsinë? Të rinjtë, të vetëndjerit shkrimtar e kanë të fortë në fillime, ç’ndodhi me ju?
Kjo është e bukur, një histori e bukur. Kur botova tregimin e parë në gazetën “Drita”, m’u mbush mendja se jam shkrimtar, me të vërtetë. Nuk e mbaj mend tani se çfarë ishte. Im atë punonte në atë kohë në Lidhjen e Shkrimtarëve, ndikoi edhe ai me njohjen e veta dhe më botuan. Mirëpo, atëherë m’u mbush mendja se jam shkrimtar. Kjo është një sëmundje e gjithë të rinjve, gjithë fillestarëve. Kështu që fillojnë e botojnë dhe iu mbushet mendja se janë vërtet shkrimtarë. Është keq të kesh kaq besim në vetvete. Kjo është një sëmundje e letrarëve të rinj që duan të botojnë. Ka disa që çlirohen nga kjo e vetëndjerit të qenët shkrimtar. Çlirohen shpejt dhe e kuptojnë se letërsia nuk është gjithçka, se është aq e lehtë. Dhe fillojnë e kërkojnë… Por letërsia është një maratonë shumë e gjatë. Disa mbeten letrarë të rinj gjithë jetën, nuk e marrin vesh këtë. Unë e kuptova shumë shpejt dhe u çlirova. Unë jam një shkrimtar i thjeshtë.
Ju keni mbaruar për matematikë, dihet, për këtë arsye jeni shprehur se i keni hyrë letërsisë nga “dera e prapme”. Sa ka zotëruar logjika matematike në krijimtari, apo ju ka izoluar?
Unë ndoqa matematikën jo se kisha ndonjë talent. Kam qenë nxënës shumë i mirë, kisha notë të shkëlqyer në shkollë të mesme, mirëpo që të kisha ndonjë talent, nuk kisha. Hyra në matematikë, sepse kështu deshi im atë. Ai vendosi që të shkoja për matematikë. Nga ana e prindit këto lloj vendimesh përbënin urdhër atëherë. Fillimisht, ngaqë nuk kisha talent në matematikë, më çuan në Kinë gjoja për matematikë. Dhe e pashë që më kishin dhënë diçka të gabuar, ma imponuan. Për këtë, ndjesë pastë, e mora shumë inat tim atë që më detyroi të futesha në matematikë. S’kisha talent, çdo gjë bëhet me talent. Por harxhova vetëm dhjetë vjet të jetës sime me matematikën, ndërsa si shkrimtar iu riktheva. Më vonë, kur fillova të kuptoj se ç’është letërsia, isha mirënjohës që më detyroi të studioj matematikë e cila si shkencë, më e pakta që mund t’u japë personave të cilët e studiojnë, është ajo që quhet logjikë matematike. Çfarë është logjika matematike? Është ajo që nuk të lë të fluturosh. Mbas çdo teze që ngre apo gjërave që thua, ajo të detyron të ngresh një pse. Pse është kështu? Kur i bën vetes pyetjen pse, atëherë do japësh shpjegime. Shkurt, është një logjikë që nuk të lejon të fluturosh, që të zhvillon sensin autokritik apo kritik. E kam thënë këtë dhe nuk besoj se do ma marrin për keq, se kushdo që do t’i futet letërsisë, të shkruajë letërsi, do t’i sugjeroja të bënin një kurs matematike, të paktën 2-vjeçar.
Pra, qenka abuzuar disi në media me faktin se vinit nga matematika në letërsi, sikur janë dy anë të kundërta, të palidhura? Nga ana tjetër, këto prerje profesionesh krijojnë edhe një emblemë tërheqëse për shkrimtarin…
Po, kjo është e saktë. Kur bëjnë dy pyetje, duket sikur midis matematikës e arteve, sidomos letërsisë, nuk ka asnjë lidhje. Kjo nuk është e vërtetë.
Mes matematikës dhe letërsisë ka një lidhje të fortë, për shembull në rastin tim ajo ka ndikuar në mënyrën se si shkruaj, duke filluar të kuptoj vërtet se çfarë është letërsia, objekti i saj, me çfarë merret, si krijohet etj. Megjithëse të shkruarit është një proces metafizik, vështirë ta shpjegosh. Por, ajo reflektohet në rastin tim në strukturën e librave, në stilin letrar, një kompleksitet elementesh bëhen bashkë. Dua të kujtoj një moment të Ajnshtajnit, të cilin kur e kanë pyetur se cilët ishin personalitetet që ndikuan tek ai për zbulimin e teorisë së relativitetit, mes një vargu të gjatë njerëzish ai përmend, ndër të parët, Dostojevskin. A mund të shpjegohet se çfarë lidhjeje mund të ketë letërsia, Dostojevski, me teorinë e relativitetit?! Pra, me këtë dua të them se këto gjëra aq të largëta bashkohen diku dhe shpjegimi nuk është aq i thjeshtë, është pak i ndërlikuar, metafizik.
Objekti i shkrimtarit është shpirti njerëzor. Letërsia juaj, dukshëm, ka qenë e prirur drejt dhimbjes njerëzore. Si është vjelë kjo lëndë, cilët kanë ndikuar në historitë tuaja?
Dhimbje është e pranishme në jetën njerëzore, është e kudondodhur. Është e vërtetë se kam qenë i prirur drejt kësaj letërsie, drejt asaj letërsie që ka ndikuar shumë tek unë në një moment të caktuar. Në kohë të caktuara, ashtu si të gjithë, isha i ndikuar nga shkrimtarë të mëdhenj, fillimisht nga Çehovi. Por më vonë jam ndikuar më shumë nga dy klasikë të mëdhenj, njëri i shekullit XIX dhe tjetri i shekullit XX, përkatësisht nga Dostojevski dhe Albert Kamy. Këta të dy, për mua, janë përfaqësuesit më klasikë të asaj që e quajmë “letërsi e dhimbjes njerëzore”. Unë e ndjeva që jam i prirur drejt kësaj letërsie. Se sa ia kam arritur, është tjetër gjë. Kjo lloj letërsie dikur nuk mund të bëhej, pra para viteve ’90, pasi nuk ekzistonte “dhimbja njerëzore”, ishte e rrezikshme të merreshe me këtë. Kështu që unë munda të shkoj drejt asaj letërsie vetëm kur u çlirova nga censura dhe autocensura.
Dalja e librit autobiografik “Iluzione në sirtar” në vitin 2011, konsideruar prej jush “pothuajse roman”, u shoqërua nga një debat publik. A mund të themi në këtë distancë, ç’qe kjo ngjarje për ju?
Ai libër është një ballafaqim i letërsisë: libri që shkruaj unë dhe jetës sime. Këtë kam bërë në atë libër. Qysh në hyrje kam shënuar se është një përpjekje në kërkim të kohës së humbur. Këtë titull doja t’i vija: koha ime e humbur në jetë dhe letërsi. Duke qenë se ishte autobiografik, me 400 faqe, përfshiva një episod traumatik të jetës sime. Ky fakt u bë në formën e një ndjese publike. Ajo që ndodhi, nuk është një gjë e lavdishme për mua. Ishte një peng i madh. Atë libër e kam shkruar, sidomos këtë “episod”, si një borxh që i kisha vetes në radhë të parë, sigurisht edhe familjes së ish-kolegut tim. Mirëpo atëherë disa e përdorën, në mënyrën më të poshtër, duke më akuzuar mua me gjëra që nuk ishin të vërteta…
Në atë kohë, në kulmin e sulmeve që m’u bënë me shpifje, pati njerëz të mençur që e vlerësuan lart këtë gjest. Nuk ishte puna se unë doja të merrja ndonjë dekoratë për atë. Por thashë diçka që nuk e kishte bërë njeri. Më kujtohet se atëherë një personalitet i njohur mori një thënie biblike duke u shprehur për këtë rast se: të gjithë ata që s’janë mëkatarë, le të marrin e të gjuajnë me gurë. Prej vitit 2011, kur doli libri, me vështirësi jam shkëputur nga ajo ngjarje. Por, nga ana tjetër, ky libër ishte për gjitha skandalet dhe marrëzitë që kam bërë në jetën time. Ndërsa sot kam një kënaqësi të jashtëzakonshme t’ju njoftoj se para një viti u botua në italisht.
A ju çliroi ky libër, në fakt?
Unë u çlirova kur e shkrova këtë libër.
Romani më i fundit, “Gjemia e mbytur”, një vepër që merret me pësimin e individit, trysninë që ushtron shoqëria te njeriu… Ç’ishte ky roman për ju? Çfarë vazhdon të jetë shqetësuese?
“Gjemia e mbytur” është romani më i fundit që kam botuar, duke shpresuar për ndonjë aventurë… Ai ka qenë një roman eksperiment, në mënyrën e të shkruarit dhe të menduarit. Dikush ka shkruar për të, duke e konsideruar romanin më të mirë. Fillimisht, nuk e di pse, ma keqkuptuan sikur merresha me Shtëpinë e gjetheve. Unë nuk e kisha fare parasysh këtë dhe as kam dashur të merrem me këtë gjë. Më pas, disa identifikuan personazhet me të ndjerin Asllanin Rusin dhe Pranvera Hoxhën, marrëdhënien e tyre. Ndoshta Pranverën e kisha pak parasysh, por Asllan Rusin absolutisht jo. Dy vëllezërit që sjell në roman janë krejtësisht të tjerë, nuk janë vëllezërit Rusi. Unë i kam njohur ata, kanë pasur të dy një fund tragjik. Personazhet e mi s’kanë lidhje fare me këta, por njerëzit interpretojnë ashtu siç kanë dëshirë vetë. Por di të them që ky roman ishte një eksperiment që, në përgjithësi, u prit mirë.
Jeni tri herë fitues i Çmimit Kombëtar Letrar për librin më të mirë të vitit në prozë, dhënë nga Ministria e Kulturës, me romanet: “Kufoma”, 1995; “Dragoi i fildishtë”, 2000; “Ëndrra e Domokleut”, 2002; dhe fitues i çmimit “Balkanika” me po këtë roman. Por, vetë keni bërë një lloj klasifikimi, duke e quajtur “Lëkura e qenit” si punën më të mirë? Çfarë i lidh këto romane?
Vlerësimet i bëjnë të tjerët, por dua të them së pari se dy librat e mi më të suksesshëm, që lidhen me ribotimet në Shqipëri dhe botimet në gjuhë të huaja, janë “I humburi” dhe “Lëkura e qenit”. Këto janë ribotuar 8 herë dhe botuar në 7 apo 8 gjuhë të huaja. Katër romanet e para i kam pasë grupuar në një cikël që e kam quajtur “burgu i kujtesës”, të tjerat dolën nga ky cikël. “Lëkura e qenit” është libër që e mbyll ciklin e kujtesës.
Gjithë procesi i shkrimit tuaj shënon disa faza, s’ndodh me ndonjë autor tjetër. Është para ’90-ta, pas rënies së diktaturës; më pas keni romane kapërcyese, të gjitha këto vetëm përmes rrëfimit. Pse ka lindur nevoja e të shkruarit ndryshe?
Kjo është një pyetje esenciale. Nuk del dot lehtë prej saj, sepse kjo të çon në përcaktimin final se të shkruarit është një proces metafizik që, së pari, sjell pyetjen me të cilën përballen shpesh gjithë shkrimtarët: përse shkruan? Për këtë pyetje ekziston një libër, që i kanë dhënë përgjigje shkrimtarë të ndryshëm. Shkrimtarët janë vanitozë, u pëlqen të shesin mend, por kësaj pyetjeje të bukur, nuk e harroj, i është përgjigjur një shkrimtar i njohur, nuk e mbaj mend mirë, Cvajg apo Çehov, kur thotë: shkruaj sepse nuk mund të mos shkruaj. Duke pasur prirjen time drejt asaj që e quaj letërsi e dhimbjes njerëzore, gjithmonë jam përpjekur të mos mërzis lexuesit. Ky ka qenë parimi im bazë. Lexuesit nuk kanë fort durim, sidomos në epokën moderne, ku ka shumë burim informacioni. Lexojnë një faqe, apo një paragraf… dhe nuk lexojnë. Kjo është e tmerrshme për mua. Kam dashur gjithmonë të bëj një bisedë të re me librat e mi, si metaforë. Një libër është një bisedë e re. Kam dashur gjithmonë të bëj një bisede të re me lexuesin. Në njëfarë mënyre, kam eksperimentuar gjithmonë, mbas çdo libri kam bërë një eksperiment, pa e ditur se çfarë është. Sigurisht, një prirje thelbësore e kam, por tani që e shoh, mendoj se nga libri në libër në retrospektivë, por edhe kur kujtoj se si kam konceptuar një libër apo një tjetër, gjithmonë kam eksperimentuar. Them se kam qenë edhe me fat. Pasi, me ç’kam parë librat e mi, sidomos të pas ’90-ës, janë pritur mirë, kanë pasur lexues. Kështu, mendoj se, duke dashur të bëj një bisedë të re, brenda prirjes sime letrare, kam eksperimentuar, kërkuar e gjetur, në gjithë pikëpamjet – kam bërë një kërkim duke mos e përsëritur veten.
Botuesi juaj Fatmir Toçi, “Toena”, ka thënë se Kongoli është nga shkrimtarët që ka shkruar më shumë për jetën e tij, ftesë për lexim që e bën me “fjalën e duhur” një botues. Çfarë ka qenë kjo marrëdhënie, sa është e rëndësishme lidhja e shkrimtarit me botuesin, sidomos për procesin e shkrimit?
Fatmiri, tani bashkëshortja e tij Irena, është botuesi i tretë dhe i fundit. Mendoj se botuesi ka rëndësi të jashtëzakonshme për shkrimtarin. Nuk ka marrëdhënie më të rëndësishme për shkrimtarin sesa ajo me botuesin. Unë jam shumë i kënaqur nga “Toena”, pasi kjo shtëpi botuese ka luajtur rol të rëndësishëm në ritmet e krijimtarisë sime. Më thatë para pak minutash se kam shkruar intensivisht, vazhdimisht… është e vërtetë. Këto ritme i kam pasur në saje të shtëpisë botuese. Nëse një botues nuk shfaq interes, ai pengon ritmin e të shkruarit. Nëse e çon librin sot dhe ai s’ka kohë, e lexon mbas një viti, atëherë për ty ka marrë fund gjithçka. Sidomos në rastin tim, kjo luan një rol të jashtëzakonshëm, pasi unë nuk jam në atë kategori shkrimtarësh që janë të zotët të shkruajnë njëkohësisht dy a më shumë libra. Të tillë ka plot. Unë nis të shkruaj një libër, e mbaroj dhe e konsideroj të përfunduar kur ai del nga shtypi. Nëse botuesi ma ndërpret këtë cikël të brendshëm timin, ma mban jo vetëm të palexuar, por edhe të pabotuar, ai ndërpret krejt ciklin tim. Më dëmton jashtëzakonisht, më bllokon. Unë filloj të mendoj për një libër të ri, pasi çlirohem nga libri pararendës. Si do pritet ky libër është tjetër gjë. E kam pyetjen e madhe se si do të dalë. Duhet të zbrazesh. Këtë kam ndier si nevojë gjithmonë. Prandaj e çmoj shumë lart botuesin, sepse nuk më zvarrit, absolutisht jo, duke më krijuar mundësinë që të mbetem bosh. Po nuk mbeta bosh, nuk kam mundësi të krijoj diçka tjetër, me një lëndë tjetër. Ky është roli kryesor i botuesit për mua. Vuajtja më e madhe për një shkrimtar është kur përfundon një libër dhe s’ka një tjetër. Është krizë, është stres i përhershëm derisa vjen… fillimisht, një ide e vogël, një histori, një lëndë, derisa fillon e sheh personazhin, disa piketa kryesore dhe më pas, libri të tërheq vetë. Po nuk pe personazhin kryesor dhe dy, tre rrotull tij, nuk fillon libri. Së pari, duhet ta shohësh librin që të ulesh ta shkruash. Në praktikën time të procesit të shkrimit, apo asaj që quhet laborator i krijuesit, jam nisur ndonjëherë nga praktika e një shkrimtari universal, siç ishte Balzak. Unë e kam imituar atë.
Keni ndarë shënime të tilla, siç thoni, biografi të personazheve. Si i ndërtoni ato?
Dëgjoni, nuk kam ndër mend të lë gjë. Unë do i marr me vete të gjitha intimitetet e personazheve, nuk lë shënime për këto punë. Nuk mbaj shënime, i bëj vetëm për veten time. Sigurisht që për disa personazhe kam ndërtuar biografi, kurse librin e filloj mbasi kam bërë një punë paraprake – atëherë më tërheq tryeza. I vendos personazhet kryesorë në kohë dhe hapësirë. Bëj një tabelë orientuese që nis me personazhin kryesor, sigurisht nuk i marr të gjithë. I marr me radhë, sipas grafikut, përcaktoj romanin, kur nis e mbaron, më pas vendos personazhet, ku kanë qenë, shkollën e kryer, kur dalin në punë, dhe shoh ku priten. I kushtoj vëmendje e kujdes që këta personazhe të mos përsëriten. Këto janë sekrete që i di vetëm ti, për të cilat lexuesi nuk ia ka idenë. Por ka lexues malinjë që e ndjekin personazhin dhe mund të zbulojnë se është përsëritur dy herë, unë nuk ua jap këtë mundësi. Këto janë hile të zanatit, të cilat më pëlqejnë shumë, u dal përpara dhe e zgjidh mirë këtë situatë.
Keni referencë reale për biografinë e personazheve, si tërhiqeni nga libri në procesin e të shkruarit?
Jo, në përgjithësi i përfytyroj dhe ndonjëherë ndryshon struktura. Nuk është aq e lehtë, është një proces kur fillon e shkruan. E gjithë kjo është një lloj skeme, por s’ka asgjë të sigurt. Kur fillon e shkruan, je ti dhe e panjohura. Libri të zë për fyti, të shtrëngon, të merr frymën, të tërheq, të lëshon ku të ketë qejf. Ti përpiqesh të çlirohesh, por nuk të lë… Libri të tërheq, ka logjikën e vet, – kjo është pjesa më e vështirë e të shkruarit, derisa vjen një pikë që fillon zakonisht nga mesi i romanit, atëherë fillon e ndryshon raporti. Më pas, je ti që mbërthen librin, e çon ku të duash, nuk të çon libri ty. Kjo është një gjë shumë interesante e të shkruarit. Pasi të ka bërë të vuash, të ka marrë shpirtin, atëherë ti fillon e ndien se si libri vjen tek ti dhe e ndjen se si e zë dhe nis e orienton, drejton librin, personazhet, historinë e të gjitha. E di ti se ku do të ndalesh. Nuk është e lehtë edhe kjo fazë, por është mjaft e rëndësishme.
E keni shprehur edhe herë tjetër se në procesin e shkrimit jetoni në ankth, frikë për të mos dështuar… Pse?
Sa herë kam shkruar një libër, shqetësimi im i përhershëm ka qenë mospërsëritja e vetvetes. Qysh kur kam hyrë në letërsi, kam pasur gjithmonë shqetësimin nga frika e dështimit. Disa libra i kam shkruar me shumë vështirësi. Për këtë më është ngulitur thënia e një shkrimtari francez kur flet për të shkruarit, që e quan “terrori i faqes së bardhë”. Je përpara një faqeje të bardhë që duhet ta mbushësh, ta nxish. Kjo më ka ndjekur dhe më ka krijuar stres. Në një bisedë që kam pasur me një shkrimtare nga Belgjika, mos gaboj, por edhe me një shkrimtare shqiptare, kur e kam përmendur këtë, janë tmerruar. Më janë përgjigjur se të shkruarit për to është një lloj kënaqësie. Mund të jetë edhe kështu, varet nga marrëdhënia që ka çdo shkrimtar me letërsinë. Por unë, kur shkruaj, nuk marr ndonjë kënaqësi, kur shkruaj më krijohet vetëm stres, ndjenjë terrori, më ndjek një stërmundim.
Ka ndonjë shpjegim ky lloj përjetimi me “terror”…?
Nuk e di, ndoshta është ajo që thamë më lart, se ndoshta në letërsi kam hyrë nga dera e prapme. Më duket sikur jam në një domen që kam hyrë hajdutçe, sepse nuk kam studiuar për letërsi. Dhe mund të jetë kjo, pasi më ka munduar gjithmonë fakti që s’jam i fushës.
Jeni konsideruar shkrimtar i tranzicionit, keni pranuar se janë shkruar librat në kohë të vështira, që nuk flet për gjurmë, por lexojmë njeriun tranzitor. Çfarë zbulimesh keni marrë, kur është i tillë njeriu i tranzicionit?
Nuk është aq e thjeshtë për të pasur një përgjigje ezauruese për këtë. Mund të jetë vetëm konsideratë, mendime në shumë anë. Tani kam arritur në një moshë që, pak a shumë, nuk bëj jetë aktive. Prej disa vitesh nuk shkruaj. E ndjek realitetin nga ekrani i televizorit, nuk i prek gjërat me dorë, nuk i përjetoj vetë. Ndërsa librat e mi janë përjetime të miat, prandaj periudha e tranzicionit që bëni pyetje ka shumë mendime. Disa mendonin se tranzicioni i Shqipërisë u mbyll atë vit që u pranuam në NATO, mund të jetë edhe kështu. Unë s’jam filozof, as sociolog. Unë i shkruaj librat me intuitë. Sipas meje, të gjitha shoqëritë janë në tranzicion, kalojnë nga një fazë në tjetrën. Ne, me tranzicion kemi kuptuar kalimin nga shoqëria e djeshme, e mbyllur, në shoqërinë e hapur, të lirë, të ekonomisë së tregut të pas viteve ’90. A ka ndodhur plotësisht ky? Nuk e di sa është arritur. Unë këtë jam munduar ta shpjegoj dhe ta zbuloj përmes librave të mi.
Sa ka ndikuar mjedisi shqiptar në krijimtarinë tuaj?
Duket paradoks, por, po të mos jetoja në këtë mjedis, nuk do të bëja letërsi. Absolutisht jo. Aty është gjithçka, gjithë qenia ime i përket këtij mjedisi.
Si e shikoni këtë mjedis, ashtu siç edhe keni sjellë fazat e krijimtarisë, çfarë portreti i jepni shoqërisë sonë?
Mjedisi ynë, për fat të keq, është një mjedis shumë i egër. Është shoqëri e egër, e paemancipuar. Ka shumë mizori, shumë ashpërsi. Kështu ka qenë ky mjedis gjithmonë. Ndoshta kjo varet nga ato që kam hequr në jetën time. Në periudha të gjata të jetës jam përballur pikërisht me këtë ashpërsi, këtë ligësi njerëzore.
Mbas Kadaresë, jeni autori më i përkthyer në gjuhë të huaja, në rreth 8 gjuhë…
Po, do të përkthehem tani edhe në Japoni, libri del në vitin 2020.
Keni lidhur kontratën?
Po.
Më vjen tani në mendje një përcaktim origjinal nga përkthyesi Edmond Tupja, një njeri mjaft i afërt me ju, por, mbi të gjitha, përkthyesi i veprës në frëngjisht, kur thotë: “Besnik si hija…” Sa të rëndësishme janë këto marrëdhënie, në gjithë mundimet që na thatë më lart për procesin e të shkruarit, të mos humbet në përkthim?
Tupja është shumë modest… Ai është një njeri perfeksionist. Duke qenë se ka përkthyer gjithë librat e mi dhe meqë unë e njoh deri në njëfarë mase frëngjishten, nuk jam jashtë fushe, kam qenë në një marrëdhënie shumë bashkëpunuese, krijuese, me Tupen.
Meqë i lexoja përkthimet, sigurisht, mund t’i bëja ndonjë sugjerim, asgjë më shumë. Kurse Tupja ka ndikuar tek unë jashtëzakonisht shumë, sidomos në përdorimin e gjuhës shqipe. Duke qenë se vij nga një shkencë, matematikë, dhe nuk jam i fushës gjuhësore, gjuhën nuk e njoh, ndërsa letërsinë e bëj me intuitë, Tupja vinte re shumë gjëra. Ne hynim shpesh në konflikt. Disa gjëra i përdorja siç më vinin në jetë. Por Tupja, duke qenë perfeksionist, m’i hidhte poshtë. Unë mërzitesha, nxehesha. Mirëpo shumë shpejt i bindesha, kishte të drejtë. Vetëm në ndonjë rast të rrallë kisha të drejtë. Në pikëpamjen gjuhësore kam përfituar shumë nga Tupja, sidomos kur përdorja shprehje që nuk janë në natyrën e shqipes, që mua më hynin nga frëngjishtja… Të vijmë te shprehja besnik si hija: Tupja e ka thënë këtë sepse ai, përveçse përkthyes, është edhe autor, është poet. Duke përkthyer librat e mi atij i erdhi dëshira të shkruante prozë. Ma ka thënë kushedi sa herë këtë. Kështu filloi të shkruajë edhe vetë, prandaj ka thënë “besnik si hija”… Pra, nëse atij i njoh meritën gjuhësore, ai më njeh mua faktin që i lindi dëshira për të shkruar vetë. Librat i ka shkruar nën presionin tim. Provoi të shkruajë, ka shkruar kështu disa tregime dhe romane.
E keni pasur edhe mentor letrar?
E kam pasur një sy të përhershëm, kritik për librin, pasi asnjëherë nuk ta përtonte të të thoshte atë që mendonte. Nuk ma bënte qejfin kurrë. Absolutisht jo. Në këtë marrëdhënie shumë miqësore dhe shumë profesionale nuk kam ngurruar t’ia jap librat dhe të pres vërejtjet. Ka ndodhur që kam hequr paragrafë të tërë, madje dhe faqe. Ka qenë një marrëdhënie shumë e mirë miqësore, por mbi të gjitha profesionale. Ai është perfeksionist. Kam punuar për një kohë të gjatë redaktor në shtëpinë botuese “Naim Frashëri”. Nga përvoja ime prej redaktori e di që shkrimtari më i shquar gabon, ka nevojë për një sy të ri, jo redaktor ideologjik, por vjen një moment që autori ngopet me librin e vet. Arrin një moment, madje, që të jesh një dëshmitar i përjetshëm i librit tënd, si puna ime, duhet të heqësh dorë së redaktuari, së dyshuari. Sepse, në vend që të vësh vetullat, nxjerr sytë. Duhet patjetër një sy nga jashtë, pasi ti je i tejngopur, nuk je në gjendje të gjykosh. Por, ama, ky që zgjedh ti duhet të jetë një person si Tupja, jo çdo njeri duhet ta bëjë.
Keni rrëfyer se “Lëkura e qenit” është dedikim për gruan, bashkëshorten. Pse një titull aq i ashpër?
E pranoj… libri ka një personazh aventurier dhe, është e vërtetë, ia kam dedikuar bashkëshortes, si kompensim të gjithë atyre që ka hequr prej meje. Nuk kam qenë një personazh i shkëlqyer në jetë, kam qenë shumë defektoz. Nëse kam shkruar këta libra në letërsi, meritën më të madhe kryesore e ka ajo, Lili. Pa të nuk do t’i kisha shkruar këta libra.
Me sa jeni shprehur, Lilin e keni pasur një mbështetje të fortë edhe në momentin më të vështirë për jetën, shëndetin tuaj?
Këtë desha ta them… I detyrohem edhe për jetën time. Ajo është personi që më ka mbajtur jetën, më ka mbajtur gjallë… Çfarë ka bërë ajo, është e jashtëzakonshme.
Çdo libër që keni shkruar ka një histori dashurie. Cila grua ka ekzistuar në librat tuaj apo, ajo, është brenda burrave rebelë të letërsisë që shkruani?
Është e drejtë, në çdo libër që kam shkruar, gruaja është personazh qendror. Asnjë nga personazhet e mi nuk mund të realizohej pa një grua. Për mua, letërsia është një grua e bukur mbas së cilës kam shkuar gjithë jetën pa e zotëruar dot kurrë. Ajo as në letërsi nuk mund të zotërohet, kështu e ka bërë Zoti.
U shprehët, si edhe herë të tjera, se “kam qenë njeri i vështirë. Gjithë shkrimtarët janë të vështirë. Se janë njerëz egoistë, shumë. E unë, kam qenë jashtëzakonisht i vështirë”. Kur një burrë flet në këtë gjuhë, çfarë do të thotë?
Kjo është një formë ndjese që, me veprimet e tua egoiste, jo të kontrolluara, jo fort të përshtatshme, siç thotë një fjalë, u ke hyrë në hak, nuk ke krijuar kushtet që duhej të krijoje, qoftë edhe me fëmijët, familjen, që kanë të drejtë ta kenë. Mua më ka munduar gjithmonë ky fakt, duke qenë se kam bërë një jetë të çrregullt për arsye të ndryshme.
Të vendosësh emrin si shkrimtar, së pari brenda gjuhës tënde, a është më sfiduese për një shkrimtar? Si ka qenë pritja në gjuhë të tjera?
Është një pyetje që shtrohet shpesh këtu tek ne, sepse të gjithë kanë dëshirë të botohen në gjuhë të huaja. Kjo është e natyrshme, njerëzore, por nuk mund të pretendosh pa kaluar lexuesin tënd.
Pavarësisht se sa ashpërsi ka pasur jeta, ju reflektoni ndjeshmëri, modesti, kërkoni suksesin, njohjen – si qëndrojnë këto bashkë?
Kush është ai që nuk e do suksesin, sidomos shkrimtarët. Në këtë vështrim, më kujtohet një krahasim, që shkrimtari i ngjan një femre që ka dëshirë ta shohin, të duket. Unë nuk bëj pjesë në atë kategori shkrimtarësh që të bëhen interesantë për lexuesin. Unë lexuesin e kam motivin kryesor. Pa lexues nuk mund të shkruaj. Ka mjaft mendime mbi këtë. Shkohet me teorinë se ka shkrimtarë që zbulohen mbas 100 vjetësh. Nuk e di se çfarë do bëhet pas 100 vjetësh, a do ta mbajë mend njeri emrin tim apo jo. Dua të komunikoj me bashkëkohësin tim. Se ç’do të bëhet pas 100 vjetëve, kjo vlen për të pavdekshmit. Unë e konsideroj veten të vdekshëm. Nuk kam iluzion që jam i pavdekshëm.
Pas ’90-ës keni pasur një jetë intensive letrare, në krahasim me këtë periudhë që po kaloni tani, pa krijuar, në qetësi, pasivitet – çfarë reflektoni?
Çdo fazë e jetës së njeriut ka komoditetin e vet. Edhe pleqëria po ashtu. Njeriu fillon e mësohet nga disa gjëra, nganjëherë mësohet duke mos bërë asgjë. Nuk e përfytyroja dot më parë se do të rrija tre vjet pa iu kthyer tryezës së punës. Midis të tjerave, të shkruarit ka qenë për mua një mënyrë jetese. Nuk mund ta përfytyroja ekzistencën time pa shkruar. Tani kam tre vjet që nuk shkruaj ose prej disa kohësh më gënjen mendja, pa dale… them ndonjëherë, po sikur… ta provoj sërish… pra, nuk mund të them gjë me siguri…
Sikur të shkruanit tani, sot, cili do të ishte subjekti, historia p.sh… çfarë do të ngacmonte, prekur aktualisht?
Me siguri do të ishte një aventurë. Do t’i hyja një aventure që nuk e di se ku do të më nxirrte. Po, nëse guxon ndonjëherë t’i hysh një aventure, qoftë edhe në moshën time, nuk është ndonjë mëkat…
Sa e njihni lexuesin tuaj?
Lexuesin nuk e njoh, e ndiej. Momenti i vetëm i kontaktit me lexuesin janë panairet e librit, ku jam gjithmonë i pranishëm dhe rri me qejf, pa orar, vetëm që të shoh lexuesin. Momenti që firmos një libër, është kënaqësia ime më sublime.