More
    KreuIntervistaFatos Arapi: Poezia ime është e ngjeshur në mendim dhe imazh...

    Fatos Arapi: Poezia ime është e ngjeshur në mendim dhe imazh plot ngjyra…

    Intervistoi Xhevair Lleshi

    Botuesi dhe shkrimtari Xhevair Lleshi, kur ishte skenarist në teatrin e Beratit, sëbashku me regjisorin Sheri Mita, takohen me poetin Fatos Arapi. Ishte mëngjesi i 13 prillit 1990. Duke vizituar kalanë e Beratit, z. Lleshi e ka regjistruar këtë bisedë interesante e cila që të nesërmen u «zbardh», mori formën e shkruar. Dhe pa ndonjë arsye themelore ky kujtim i bukur mbeti pa u botuar. Tani që poeti i madh Fatos Arapi nuk jeton më, kjo bisedë bëhet më e dashur dhe më e çmuar.

    Xhevair Lleshi –  Profesor, a je i gatshëm të ngjitemi në Kala?

    Fatos Arapi – Me ty jam gati të shkoj deri në Kala, po me një kusht: Ta gjezdisim cep më cep…

    XH. LL. – Bukur. Tjetër, ç’kërkon prej meje?

    F. A. – Kaq mjafton, por do të doja ta kisha një ciceron të madh, sidoqoftë Vehxhi Buharaja, fjala vjen, është i gatshëm, vjen dot? Jo? Po Todi Sotira… E kam dëgjuar si ciceron në Muzeun Historik te Sarajet e Pashait… Perlë… Vjen?

    XH. LL. – Për fat të keq… Por një dytës jam edhe unë. Kam qenë nxënës i tij në tre vitet e shkollës së mesme. S’kemi lënë gur pa prekur në Berat me të… Shkollë e madhe…!

    F. A. – Ashtu po. E meritojmë të dy. Todi, besoj do të ketë «thyer këmbën»?… Them gjithnjë çfarë i mungon Beratit… Deti i mungon. Në perëndim deti dhe ullishtat do të flakëronin. Do të krijohej bluja më e bukur në botë. Dhe ne do të shikonim në një nge poetike këtu në Kalanë e madhe dhe do të kapnim për mënge njëri-tjetrin. Do të pyesnim edhe Kalanë, edhe detin…

    XH. LL.  – Çështë Vlora për të shkruarit, mjeshtër? Do ta jepte edhe Berati këtë mundësi?

    F. A. – Tryeza e shkrimit është një edhe në Vlorë, edhe në Berat. Në Vlorë: Deti, Mali dhe Historia. Në Berat: Mali, Historia dhe Lumi. Historia të ndjek nëpër shkarëzime. Ajo është paralajmëruesja. Ia ke parë sytë? Vlora ka një egërsi magjike. Berati ka një butësi biblike…

    XH. LL.  – Ju jepni ekonomi politike…

    F. A. – Po.  Letërsia dhe ekonomia politike nuk lidhen gjëkundi. E them në një kuptim simbolik.  Dhe letërsia kthehet në pandehmë. Poema «I përkasim komunizmit». Sindroma e paqes bëhet besim me vlerë dhe iluzion i bukur. Por ka për të munguar dega e dafinës… Iluzioni apo optimizmi. Një punë e bukur nuk del nga iluzionet, por nga energjia optimiste…

    XH. LL.  – A është e rrezikshme letërsia, profesor?

    F. A. – Shpesh pendohemi për atë që shkruajmë, pastaj të nesërmen bëjmë të njëjtën gjë. Letërsia s’ka nevojë të jesh nervoz, i ashpër apo cinik, por joshës. Migjen. Ose Vapcarov, meqë kam studiuar në Bullgari. Kam mësuar shumë prej tij në përkthim e sipër: ritmi, kadenca, muzikaliteti, ngjyra, pastaj ngrohtësinë, intimitetin, elegancën, lajtmotivin… Pa fund… Një sinqeritet i nivelit më të hijshëm. Po edhe entuziazëm magjik. Që e mban në shpirt si të fshehtë Historia dhe Mali. Deti e shpërthen. Lumi e çon në det… Po edhe figurat e guximshme, ndjeshmëria e lartë, po edhe fryma popullore. A të ka thënë ndonjëherë Vexhi Buharaja këtë që letërsia është e rrezikshme… S’besoj!…

    XH. LL.  – Sinqeriteti dhe e vërteta! Kjo ka qenë magjia e Vexhi Buharasë… Po për ju?

    F. A. – Sinqeriteti në të shkruar është trimëri, fat, frutdhënës – ndonëse shpesh i hidhur, tharm i madh artistik, tundim, sakrificë, shpirt, abstragim… Poezia dhe sinqeriteti (ky është baza e së vërtetës) japin meditim, theks filozofik, zhdërvjelltësi…

    XH. LL.  – Letërsia e mban shkrimtarin ndonjëherë «në hije»?

    F. A. – Shkrimtarit dhe trillimit letrar realiteti i kërkon ndihmë. Shkrimtarët i marrin shembujt nga vetvetja dhe nga shtëpia e tyre. Në hije? Jo kurrë! Vetëm kur realiteti ta ftoh entuziazmin… Tema e vërtetë letrare është ajo që përjeton përditë si individ. Edhe në peizazhet e mia industriale, ka shumë sinqeritet intim po edhe shije estetike tradicionale, ka ndjeshmëri migjeniane dhe të Vapcarovit… Poezi e ngjeshur në mendim dhe imazh plot ngjyra, por nuk duhet të mungojë kurrë eleganca. Nuk mund të shkruash poezi fine duke mbajtur këpucë të llangosura me baltë. Po, baltën mbaje në duar, jepi formë, thadroje në poezi…

    XH. LL. – A e sakrifikojnë sinqeritetin poetët?

    F. A. – Poetët shqiptarë e ke fjalën? Po? Nuk është këtu thelbi i sinqeritetit, sepse poezia fle dhe rritet tek poeti. Dhe ka një delikatesë që të trondit gjatë gjithë kohës. Por nganjëherë të bën delirant… E çmoj idealizmin e klasikëve tanë, edhe tek Lasgushi, por sinqeriteti duhet të na shtyjë drejt një profecie të pamundur, i paracaktuar nga fati, me instinkt dhe kod të fshehtë. A ka lezet poeti me pamje të nënshtruar? Kurrë! Ato çaste duhet ta zësh me dru! Por jo, vetëm temperament dhe me temperaturë të lartë, veç jo në pikën e shkrirjes. Ajo s’ka kuptim… Sido që poeti rri në buzë të greminës, i pëlqen kjo. Sidomos kur gremina është buzë detit dhe e rreh stuhia, pastaj… flladi.

    XH.LL. – Besoni se kumtet poetike vijnë pa pritur?

    F.A. – Unë besoj. Thuhet në shkrimet e shenjta. Vjen si pandehmë e një fuqie të mbinatyrshme që ndryshe është tej-nënvetëdija, që ka të bëjë me Unin… Këtë e thoshte dhe im vëlla, Vllasi, që nuk ka qenë poet, por ka luftuar me pushkë në dorë për liri. Nganjëherë këtë e trondit edhe guximi i skajshëm. Siç ndodh që profecinë e poetit e shkatërron zhgënjimi…

    XH.LL. – Poezitë e dashurisë…?

    F.A. – Në çdo kohë shkruhen poezi dashurie. Janë poezitë e mëkatit… Poezia nganjëherë fiton peshë nga inicialet e femrave… Çfarë magjie e mrekullueshme! Me to krahasohen poezitë e detit me metaforën e ndritshme, që shpesh e ka prejardhjen tek polifonia labe, te Kurelashi (Kurveleshi!)i famshëm, diçka e papërsëritshme! Aty vjen hijerëndë Historia dhe Mali, që e bëjnë Trion me Detin… Poezia e dashurisë është kokëkrisur…

    XH.LL. – Ç’do të thotë për një poet të jetë një burrë i bukur dhe me sytë blu si deti, madje edhe me një hije të shkruar…?

    F.A. – Domosdo këta sy të poetit duhet të kenë «tehe të mprehtë çeliku»! Parullë e kohës… Por edhe një trëndafila të kujtdo stine, pak fshehtësi, sekret dhe në sfond një polifoni që nuk mbaron kurrë… T’i largohesh dhimbjes me mjete stilistike…

    XH.LL. – Ju besoni se Kalaja e Beratit është një histori e bukur dashurie?

    F.A. – Po, patjetër. I ka gjithë parametrat e duhur për të qenë historia e bukur dashurie: teksti i shkruar, metafora e ndërtimit, subjekti, gjuha, stili, ngashënjimi. Por Kalaja e Beratit para së gjithash është Histori dhe pastaj meriton të jetë edhe histori e  bukur dashurie. E gjithë historia jonë është e tillë dhe mjeshtrit kuptohet që e kthejnë në letërsi të vërtetë. Ja, mua për shembull, më duket sikur tërheq zvarrë detin. Detin, dashurinë dhe pikëllimin…

    Nga e djathta, Naum Prifti, Vito Koçi, Dritëro Agolli, Kin Dushi, Fatos Arapi, Anastas Kondo, përpara klubit të Lidhjes së Shkrimtarëve, 1964.

    XH.LL. – A është poezia jote një guaskë e kaltër sirene dhe nëse po, pse pikërisht kështu?

    F.A. – Nuk më pëlqen të jetë kësisoj. Në vetvete si figurë po, por kjo nuk ka fare vijë ndarëse. Mua do t’më pëlqente të tundoja Odisenë në thellësirat blu të Jonit, të zgjohesha krejt papritur me Kadarenë dhe Xhojsin në barkën e Noes dhe me Borhesin dhe Pasternakun apo Ivan Buninin të këndoja se «atdheu është dhimbje»… Dhe të mos bëje dot asgjë. Si një mallkim. Si sakrificë. Si grimca rëre pa kujtesë që dikur siç besohet dhe shpresohet do kthehen në margaritarë…

    XH.LL. – A mund të kthehemi te Kalaja e Beratit?

    F.A. – Këtu jemi. Këtu të paktën nuk bie në dëshpërim. Sepse edhe në këtë Kala unë s’do të bëja tjetër veç një gjë të dhimbshme e të bukur: të shkruaja… Dhe kjo duket si frymë kokëkrisjeje dhe e tillë është tek e fundit. Por këtu ke shkëmbin por të mungon deti. Lumi? Sido, nuk e zëvendëson dot detin. Veç nganjëherë kur e bën pakujdesia. Në ato raste ndodh sepse ka dashur poezia. Poezia e fatit që rebelohet shpesh me zë plot ajër e stuhi dhe gjithnjë duke pritur… ekstazat e zjarrit! Nëpër këto ekstaza e shoh Kalanë e madhërishme të Beratit, edhe atë ditë kur ma shpjegonte Todi Sotira, edhe sot kur më pyet ti…

    nje-buzeqeshje-e-pabesueshme

    XH.LL. – A i di përmendësh vargjet e tu?

    F.A. – Dy tre, jo më shumë. Ia them me të qeshur ndonjë miku a mikeshe…

    XH.LL. – Do t’i recitonit vargjet në skenë?

    F.A. – Një poet është kurdoherë në skenë. Skena është më e rëndësishme se ne. Kjo kohë është e skenës. Edhe kjo që po vjen… Dhe unë do ta ngrija zërin në krijim e sipër dhe do të përpija ekstaza dhe do të shuaja zjarret shfaruese të kalave tona ku digjen ende shpirtra njerëzorë, zjarre mendimi, zjarre humbjeje. Pra, në skenë jemi, në skenën që digjet…

    XH.LL. – Po nga podiumet a përfiton poezia?

    F.A. – Në kuptimin e përfitimit nga podiumet unë gjithmonë kam humbur. Në podium rrinë të zgjedhurit, kurse poezia ulet mbi bar këmbëkryq dhe aty ndjehet vetëm por mirë. I shkon me fijet e barit, aty s’ka gjendje depresioni për t’u shqetësuar, aty nuk bëhesh nervoz, gati për të shpërthyer… Gjëja më e bukur është se poezia s’ka hakmarrje por trishtim e pikëllim të qetë, i zjarritur përbrenda si deti në bunacë…

    XH. LL. – A mendoni se po vijnë politikanët e fronit prej gjaku??

    F. A. – Shpirti im ka uri të përjetshme. Sapo ka filluar dhe ka për të vazhduar gjatë, shumë gjatë. Vendi ynë ka qenë pjesë e perandorive. Larg sherreve te koka. Ai ka bërë llogari për ditën. Aq sa zgjat jeta. Se jeta është çasti. Përfytyrimi për më tej zgjat veç një çast, aq sa edhe mallkimi… Tani që ne flasim po hipim në skenën e politikanëve në frona prej gjaku, ku letërsia (edhe poezia) frymëzohen por gjithnjë dalin të humbura dhe jashtë beteje…

    XH. LL. – Çfarë, për shembull do t’i thoshit epokës së re që po vjen?

    F. A. – Të gjejë habitatin e saj, se ai s’e gjen kurrë kohën dhe vendin që i takon, s’është as në kohën dhe as në vendin e duhur. Bën kapërcime të hatashme, dhe ne, meqë jemi të vegjël mbetemi nën kapërcyell, fare të tepërt, si pa kohë. Ose na mungon koha, nuk na mjafton vendi dhe njerëzit duan të shohin diku, ca më tej, duan të harrojnë dhe problemi do të jetë harresa. Dhe poetët sigurisht bëhen gati të shkojnë kuturu në një takim dashurie si për të bërë gati fronin e rinisë me frymë marrëzie dhe tërë abstragim me aromë deti…

    XH. LL. – Po rinia, ju thatë se është edhe ajo nën kapërcyell?

    F. A. – Aty është. Por ajo vështron diku larg dhe e gjen rrugën më lehtë. Rinia bart poezi të mahnitshme: gjetje të pashembullta, ritëm dhe shumë shpirt, por nuk mund t’i besohet froni i shtetit se pastaj do t’i kemi bashkëjetuese marrëzitë. A duam ne të shpejtojmë apokalipsin? Por kjo ndodh kur rinia merr në krahë poezinë. Ne e dimë se edhe kur bëhen bashkë mes tyre futet grindja, që hiqet zvarrë dhe u bëhet pengesë… Ah, poezia!

    XH. LL. – Do ta donit shpirtin tuaj si eremit?

    F. A. – Do ta doja. Sepse eremitët e duan dhe merren me fjalën. Dhe nuk bëjnë një punë dosido, as sa për t’ia hedhur. Letërsinë e bëjnë eremitët. Ata prodhojnë karaktere që hipin dhe zbresin nga skenat. Që nga koha e shpellave deri sot e kësaj dite.

    Fatos Arapi, Skifter Këlliçi dhe Agim Cerga gjatë një mbledhje. Tiranë, 1972

    XH. LL. – Do ta marrim me vete kohën që po lëmë pas?

    F. A. – Do t’i marrim vetëm dosjet. Dhe mos harroni se ato do t’i ruajmë fort. Sepse ato prodhojnë kaos. Ne e duam kaosin. Rrëmujën… A jemi në kapërcyell. Dhe kam frikë se do rrimë shumë gjatë aty…

    XH. LL. – Atëherë po jua përsëris pyetjen: Keni vendosur të mos dilni jashtë këtij kapërcyelli?

    F. A. – Jo, ende jo. Më ndjek një plak i urtë ngado kthehem. Nuk dua ta takoj. Besoj se edhe këtu në Kalanë e Beratit pas do ta kemi. Më thotë se është ndarë nga Poezia dhe s’di ku të qëndrojë, s’di ku të prehet. Ai qahet por nuk dëgjon. Po duket se e ka gjetur damarin, sepse shpesh e më shpesh e gjej buzë shkëmbinjve mbi det… Edhe unë atje shkoj… S’ka si hapësira e detit! Edhe kur je nën kapërcyell. Pastaj… edhe unë po plakem…

    XH. LL. – Po bien kambanat, profesor, i dëgjon?

    F. A. – Këtu në Kala është vendi i tyre: dyzet kisha dhe tridhjetenëntë shtëpi, më thoshte Todi Sotira. Çfarë presim? Ta festojmë. Erdhi dhe kjo kohë. E papritura e madhe… Por s’di kush do t’u bjerë kambanave. Se ato duan veshë që t’i dëgjojnë…Përndryshe vjen zilia dhe ajo nga kotësia kam frikë se do thyejë kokën… A bëjmë dot ne pa zili?… Fajin e kanë poetët ndaj do të mbeten përjetësisht të vetmuar.

    Kala e Beratit, 13 prill 1990

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË