Kreu Letërsi Botime të reja Fatmir Toçi: Përse e shkrova librin "ARBËRESHËT - Midis realitetit dhe...

Fatmir Toçi: Përse e shkrova librin “ARBËRESHËT – Midis realitetit dhe mitit”

Jeta e arbëreshëve të Italisë është histori e qëndresës dhe e mbijetesës së tyre në rrjedhë të shekujve, duke na sjellë sot, në kohët moderne, të gjallë e të freskët gjuhën arbëreshe, kulturën, doket e zakonet, si dhe besimin e krishterë të ritit bizantin etj., si pasuri e çmuar shpirtërore dhe si shprehje e spikatur e identitetit të tyre në një botë që po shkon me shpejtësi drejt globalizimit dhe rrafshimit të veçorive kulturore të pakicave.

Të njohim arbëreshët, do të thotë të mësojmë për kalvarin e vuajtjeve dhe odisenë e shpërnguljes së tyre përtej brigjeve të Adriatikut e Jonit, në një vend të huaj me gjuhë e zakone të ndryshme, në fillim krejt të panjohura; për rreziqet e shumta që kanë kaluar në përballjen me elementet e natyrës dhe me vendësit; për përpjekjet e tyre për t’u përshtatur me mjedisin shoqëror në atdheun e ri; për ngulimet në tërësinë e tyre dhe për ato që u mbijetuan furtunave të kohës; për gjendjen e tyre aktuale ekonomike, kulturore, arsimore etj.

Libri “Arbëreshët midis realitetit dhe mitit”, që po i jepet në dorë lexuesit, është një punim me karakter informues që synon të hedhë dritë mbi çështjet e mësipërme. Në të trajtohen, në një vështrim përmbledhës e të përgjithshëm, historia mbi pesëqindvjeçare e arbëreshëve në aspektet e saj kryesore, duke nisur nga aventura tragjike e kalimit të tyre nga Arbëria drejt Italisë e deri në ditët tona, shpërndarja e ngulimeve arbëreshe dhe konstitucioni fetar i tyre. Për hartimin e tij kam shfrytëzuar botime historiografike të derisotme nga autorë shqiptarë dhe të huaj, ku burimet arbëreshe zënë një vend të rëndësishëm; botime informative, guida kulturore e turistike të komunave arbëreshe; monografi tematike për ngjarje, vende, çështje e figura të komuniteteve të veçanta; informacione që vijnë nga faqet zyrtare të uebit të komunave të ndryshme etj.

Një material shumë të vlefshëm kam mbledhur edhe në ngulimet arbëreshe nga kontaktet e drejtpërdrejta me intelektualë dhe njerëz të thjeshtë të këtyre ngulimeve. Mendoj se jam nga shqiptarët e paktë, në mos i vetmi, që ka mundur të shkelë e të shohë nga afër pothuaj të gjitha vendbanimet arbëreshe në Itali, jo vetëm ato që njihen sot edhe zyrtarisht si të tilla (rreth 50 komuna e fraksione të tyre), po mbi 530 qendra banimi që ishin arbëreshe, një pjesë e tyre, deri edhe një shekull më parë, por që janë përzier, asimiluar ose larguar drejt qendrave të tjera për arsye nga më të ndryshmet, duke mbetur, gjithsesi, pjesë e historisë dhe e kulturës së vendit ku ata jetuan. Kjo u bë e mundur gjatë angazhimit tim politik si deputet në Kuvendin e Shqipërisë, kur u mbështet kërkesa që Kuvendi të kishte një strukturë të përhershme për marrëdhëniet me arbëreshët. Lindi kështu grupi kuvendor i përbërë nga pesë deputetë për marrëdhëniet me arbëreshët e Italisë, si shprehje e vlerësimit të lartë për historinë dhe kulturën e pasur të shqiptarëve matanë detit dhe për kontributin e tyre të madh në kulturën dhe historinë tonë kombëtare. Edhe pse disa prej komunave arbëreshe në Kalabri e Sicili i kisha vizituar që pas viteve ’90 të shekullit të kaluar, të qenit në krye të këtij grupi kuvendor më mundësoi të udhëtoja disa dhjetëra herë në të gjithë Italinë, të njihem nga afër me jetën e zakonet e arbëreshëve, të merrja pjesë në takime, veprimtari kulturore e festa.

Për hartimin e librit u detyrohem shumë një numri të madh personash që më kanë ndihmuar në mbledhjen e lëndës për hartimin e monografisë me qëllim botimin e këtij libri. Në radhë të parë, falënderoj të gjithë ata që më kanë shoqëruar në udhëtimet e mia në ngulimet arbëreshe të Italisë, nga Sicilia në Torino, duke më krijuar kushtet për t’i vizituar. Ata janë aq shumë, kryetarë komunash e intelektualë arbëreshë, sa nuk mund t’i përmend të gjithë me emër. Së dyti, sjellja e librit në formën përfundimtare u detyrohet vërejtjeve e këshillave të recensentëve, akademikëve Rexhep Qosja, Pëllumb Xhufi, Francesco Altimari dhe Matteo Mandalà, të cilët gjetën kohë për ta lexuar me vëmendje materialin; u detyrohet, gjithashtu, redaktorëve, prof. dr. Rami Memushajt, që e ka lexuar disa herë materialin, duke lëmuar frazën dhe duke verifikuar e saktësuar çdo gjë të dyshimtë, dhe akademikut Gjovalin Shkurtaj, njohës i mirë i botës arbëreshe dhe dashamirës ndaj punës sonë modeste.

Falënderoj miqtë e mi Amanda Hiller dhe Emanuele Romata, që banojnë në Xhinoza Marina të Tarantos në Itali, për pasionin e tyre për historinë dhe kulturën arbëreshe, si dhe për sugjerimet e tyre, hartografinë, dhe një pjesë të fotografive të këtij libri.

E vyer, si gjithmonë, si dhe për çdo libër tjetër që del nga Shtëpia Botuese “Toena”, ka qenë puna e trupës së saj, në mënyrë të veçantë: asistentes sime Aurora Kënga dhe puna redaktuese e Sonila Kapos dhe vajzës sime, Majlinda.

Së fundi, u detyrohem shumë bashkëshortes sime, Irenës, dhe familjes sime të madhe, që përballuan mungesat e mia gjatë endjeve më shumë se 10-vjeçare për mbledhjen e studimin e materialeve dhe 3 vjetëve që m’u deshën për shkrimin e librit, duke më nxitur për ta çuar deri në fund punën, saqë mund të them pa e tepruar se janë ato që ma “dhuruan” këtë libër.

 Libri është i ndarë në dy pjesë krerë. Në pjesën e parë, që përbën pjesën themelore të tij, trajtohet historia emigruese e arbëreshëve, vuajtjet dhe përpjekjet e tyre për t’u natyralizuar në Atdheun e ri; gjendja politike, shoqërore, ekonomike e kulturore që nga koha kur u mërguan e deri sot; roli i Skënderbeut në marrëdhëniet me shtetet italiane të kohës dhe figura frymëzuese të tij pas vdekjes për mbajtjen gjallë të krenarisë dhe të identitetit të vendit të origjinës; fati i familjeve të mëdha shqiptare në mërgim dhe roli mbresëlënës i arbërve stratiotë në dhe të huaj; mënyra arbëreshe e jetesës, kultura, traditat dhe zakonet e tyre; roli i kishës në ruajtjen e identitetit arbëresh; përpjekjet për ruajtjen e gjuhës arbëreshe, për arsimimin dhe për lëvrimin e letërsisë së shkruar para dhe pas periudhës së Rilindjes; roli aktiv i Arbëreshëve në të gjitha etapat e historinë së re të Italisë; kontributi i intelektualëve arbëreshë për Pavarësinë e Shqipërisë; si dhe rreziku, në ditët tona,i asimilimit dhe i humbjes së identitetit arbëresh dhe masat që mund të ndërmirren për t’i bërë ballë këtij rreziku, duke forcuar lidhjet ekonomike, kulturore e arsimore me botën arbëreshe.

Pjesa e dytë të librit ndahet në disa krerë. Me qëllim që të jepet një tablo e shpërndarjes së arbëreshëve në të gjithë Italinë, në kreun e parë është trajtuar në mënyrë të përmbledhur prania e ngulimeve arbëreshe në 17 krahina të Italisë së sotme nga 20 të tilla gjithësej, ilustruar me hartën përkatëse për secilën krahinë.

Një krye i veçantë i është kushtuar ndarjes kishtare, institucioneve fetare, rolit të kishës së ritit bizantin për ruajtjen e identitetit arbëresh dhe organizimit të kishave të ritit bizantin në dy dioqeza: të Ungrës (Lungro) në Kalabri për kishat e ritit bizantin të Italisë kontinentale dhe të Horës së Arbëreshëvet (Piana degli Albanesi), për ishullin e Sicilisë.

Në kreun e fundit të librit, janë dhënë në 6 tabela përmbledhëse, lista e plotë e 534 vendbanimeve arbëreshe në Itali, datat e emigrimit të arbreshëve në Itali në shek. XII-XVIII dhe të imigrimit (lëvizjes brenda Italisë) nga fillimi i shek. XVI deri në fund të shek. XVII, lista e famullive dhe e kishave të ritit bizantin në Eparkinë e Ungrës dhe të Horës së Arbëreshëvet dhe lista e ngulimeve arbëreshe që kanë kaluar në ritin latin.

Në fund të librit jepet një bibliografi e pasur me veprat e burimet që kemi mundur të shfrytëzojmë, e cila mund të shërbejë për të ndihmuar e orientuar të gjithë ata që duan të mësojnë më shumë e të thellohen në njohjen e të gjitha aspekteve të jetës së arbëreshëve, të cilat nuk mund të ishin objekt i këtij botimi.

Libri është i pajisur edhe me treguesin e emrave të përveçëm të njerëzve dhe të vendeve.

Do të ndihesha shumë i lumtur nëse kjo përpjekje modeste imja do ta ndihmonte sadopak lexuesin të njohë më gjerë arbëreshët e Italisë dhe do t’i shërbente si një shtysë për ta prekur nga afër botën arbëreshe, si dhe për të forcuar lidhjet në të gjitha fushat me këtë degë të trungut amë.


KANË THËNË PËR LIBRIN

Akademik REXHEP QOSJA

Prishtinë

Vepra e Fatmir Toçit Arbëreshët midis realitetit dhe mitit është vepër e veçantë historiografike për Arbëreshët. Ajo është e shkruar prej studiuesit, i cili është kujdesur të lexojë ato që janë shkruar, botuar dhe arkivuar për ta. Ajo është e shkruar njëkohësisht prej krijuesit, i cili është kujdesur të vizitojë trembëdhjetë krahinat italiane ku ishin vendosur Arbëreshët pas mërgimit nga Arbëria.

Duke e njohur ashtu të sotmen e Arbëreshëve, ai ka arritur të thellohet shumë në historinë e tyre: në zhvillimin e tyre, në gjendjen e tyre shoqërore, shpirtërore dhe ekonomike, në gëzimet dhe dhembjet e tyre, në dëshirat dhe pësimet e tyre, në kujtimet dhe mallin e tyre për Atdheun prej të cilit kishin mërguar.

Në veprën e tij për Arbëreshët, Fatmir Toçi ka sjellë të dhëna, të vërteta, gjykime, shpjegime shume aspektore të fushave të ndryshme të jetës me të cilat i ka pasuruar dijet tona për të shkuarën, të përtashmen, për fatin e tyre kur të lavdishëm e kur tronditës gjatë shekujve të pasmërgimit.

Në këtë mënyrë Fatmir Toçi e ka rritur edhe mallin tonë për ta, edhe dashurinë tonë vëllazërore ndaj tyre.

E shkruar me përkushtimin e studiuesit shkencor, në njërën anë, dhe me dhuntinë e krijuesit letrar – artistik, në anën tjetër, Fatmir Toçi ka bërë një vepër historiko artistike që do të lexohet jo vetëm prej historianëve, etnografëve, folkloristëve, sociologëve, antropologëve, gjuhëtarëve, por edhe prej shumë e shumë lexuesve të tjerë.

Lexojeni këtë vepër të jashtëzakonshme, të madhe, për vëllezërit tonë të shtrenjtë, Arbëreshët e Italisë.

Prof. dr. PËLLUMB XHUFI

Akademia e Shkencave, Tiranë

Fatmir Toçi sjell në këtë libër një histori gjithëpërfshirëse të arbëreshëve të Italisë, nga momenti i vendosjes masive të tyre në tokën italiane pas vdekjes së Gjergj Kastriot Skënderbeut, deri në ditët tona. Është historia e ribërjes së vështirë të jetës në vend të huaj nga ana e një populli të detyruar të braktisë vatrat e veta. Autori identifikon faktorët që sollën rrudhjen e faktorit arbëresh, siç janë vështirësitë sociale e ekonomike, që përfundojnë në asimilim etnik, si dhe efektet e globalizimit modern, që sjellin shestimin e identiteteve etno-kulturore. Por ai nënvizon fort edhe faktorët e ruajtjes, ku rendit gjuhën, kulturën, institucionet tradicionale, kujtesën historike, besimin e krishterë të ritit bizantin.

Studimi prosopografik mbi personalitete të shquara të botës arbëreshe, të cilat kanë ushtruar ndikim të madh edhe në proceset historike nëpër të cilat kaloi vendi që i mirëpriti, Italia fqinje, e çimentojnë bindshëm idenë e autorit, se bota arbëreshe është një pjesë e pandashme e botës shqiptare, gjithashtu një faktor me rol të madh në proceset e zhvillimet historike e aktuale të Italisë fqinje, dhe si e tillë ajo duhet ruajtur e duhet zhvilluar.

Prof. dr. MATTEO MANDALA

Universiteti i Palermos, Itali

Pjesën më të gjerë të veprimtarisë sime kërkimore ia kam përkushtuar komunitetit arbëresh dhe asnjëherë më parë nuk jam hasur me një vëllim që ka mundur të përmbledhë kaq mjeshtërisht tematikat dhe tiparet kryesore që karakterizojnë universin e identitetit të këtij minoriteti gjuhësor në Itali. Me një këndvështrim enciklopedik, që tejkalon bollshëm synimet e mëparshme fisnike për të përhapur në botën shqiptaro-ballkanike njohuri mbi kulturën, historinë, ritet fetare dhe të miteve të shqiptarëve të Italisë, libri i Fatmir Toçit vlerësohet si një vadamekum i shkëlqyer që gërsheton me mençuri shkencën dhe rrëfimin popullor, aftësinë e të treguarit dhe rigorozitetin metodologjik, duke arritur në këtë mënyrë plotësisht objektivin për të tërhequr vëmendjen e lexuesit, kureshtja e të cilit jo vetëm nxitet prej tij, por gjithashtu ushqehet plotësisht.

SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

Ju lutem lini komentin tuaj!
Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

Artikujt më të fundit

Rexhep Ismajli: Nga shqipja te gjuhësia ballkanike – rasti i Wilfried Fiedler-it

Më 1 dhe 2 tetor në Universitetin Friedrich Schiller në Jena (Gjermani) u mbajt një konferencë shkencore në kujtim të albanologut dhe...

Mira Meksi: Historia e çmimit ndërkombëtar “Kadare”. Dy laureatët e parë: Ernesto Sabato & Milan Kundera

Në prag të 100 vjetorit të tij, Ernesto Sabato mbylli sytë në Santos Lugares në Buenos Aires të Argjentinës, vendin plot gjelbërim...

Zija Çela: Stacioni i natës së fundit

Kur marr një libër të ri në dorë, thuajse pa vetëdije, shpesh më vijnë ndër mend dy pyetje të thjeshta, madje edhe...

Andreas Dushi: “Letërsia shqipe” teksti studimor i albanologut Stuart Edward Mann (Londër, 1955)

Në këtë paraqitje, të së parës skicë të letërsisë shqipe në anglisht për publikun, më duhet të kërkoj falje për mangësitë. Faktet...

KATEGORITË