More
    KreuLetërsiBibliotekëFatmir Terziu: Kryeqyteti është poemë e çuditshme!

    Fatmir Terziu: Kryeqyteti është poemë e çuditshme!

    ËNDRRA TË TILLA S’KANË
    NEVOJË PËR SHKALLË

    Në ëndrrat e tilla nuk ka shkallë. Kambana e dëshirës,
    kreshmja ime e qerpikëve i zbret, fle me to e dehur nga koha.
    Mbi mua urat e harkuara të syve të tu imitojnë shatërvanë,
    në plazmën e butë të lëmuar nga mosha,
    këmbët e tua pasqyrojnë dy lumenj të bardhë,
    sa mirë që kalëroj mbi maja e kodra,
    e di që për ëndrra të tilla s’do duhen vërtetë shkallë.

    Po buzët shpërthejnë ëndrrën si një shegë të plasaritur,
    të vjelur nga miti më i lashtë i Fjalës,
    e takat e tua si një shenjtor që hyn pa trokitur,
    ti je një tulipan i përmbysur në atlasin e natës.

    Fatlum që Prometeu s’ka shkallë t’u vjedh zjarrin syve,
    djepi i hënës, shpejton gjumëdehur me sojin e përrallës,
    i derdh yjet e tu nën kokën time …

    U zgjova, u bëra Ti, u zhvesha nga ëndrra në moshë,
    lëkura u tendos si një perde e najlontë.
    Në sy u ekspozua piktura e paparë e Mjeshtrit
    si një peri e vargëzuar brenda një rime
    flokët e tu mbi jastëk një këngë e vjeljes së vreshtit
    përjetësia më e gjatë e jetës sime.

    Bula të detshme u kolovitën shkitazi në ballë
    ëndrra të tilla s’kanë nevojë për shkallë.


    KJO KORNIZË, KËTË BUNACË E KA HAK!

    Kam marë penel, letër, lapës e gomë,
    po rivizatoj në mëngjes, mesditë, mesnatë
    fantazinë që e mban si një ritual deri vonë.

    Në këtë kornizë që të kam ty jam me fat,
    më pëlqen qetësia jote,
    mos u zgjo, të lutem,
    hapi vetëm sytë e tu nën qerpikë,
    luaj me stërkalat pianoforte,
    shkuma në dallgët e tu, buzët si petale,
    tek të cilat trazoj ngjyrat, me të cilat pikturoj,
    një botë tjetër larg nga politika aktuale.

    Po gris pak qiell, po e shtroj kanavacë,
    dielli ka ngrirë medalion në këtë stacion,
    rrezet pirrunj të harruar si në një pjatancë.

    Në këtë kornizë deri në palcë,
    diçka më ndryshe të ngacmon,
    e prek të çmendurin brenda me një nuancë
    kaq pak, thuajse fare pak, i mjafton,
    për të shtuar bardhësi në dallgë,
    e Joni pi, dehet si vetë statura në sinkron,
    e zjarri depërton në gjak,
    nga venat në zemër e më s’ndalon…
    … kjo kornizë, këtë Bunacë e ka hak!


    BALTA

    Një gjithë-gjendje-larëse do të ngrihet në Kryeqytet
    të palarët do të grumbullohen forcërisht në shesh
    vendim-marrja e fundit do të kalojë nëpër bulevard
    ku mëkatarët do të ulen me bindje për të marrë vesh
    gjithë-gjendje-larja sa kohë do të zgjas.

    Nëse është pisllëk nga Natyra, me kënaqësi
    gjithçka do të mbulohet nga buxheti i baltës,
    ndryshe do të veprohet në hierarki,
    mëkatet do të verifikohen gjatë natës,
    dita do ti mbaj të mbyllur në shtëpi.

    Në qendër do të dominojë në mënyrë aksiale
    paralarja e urdhëruar nga godinat brenda
    mbi mendimet tona të pathëna, natyrale,
    do të duket çmenduri gjithë-gjendje-larja,
    si një nga kushtet drejt një Parajse!

    Çmenduri e përjetshme, jo ajo kalimtare
    njohuria delikate e kushteve do të jetë qendra
    gjithë-gjendje-larja si një detyrë Europiane,
    do të hyjë thellë nëpër vena deri te zemra,
    t’u shpëlaj të gjithëve mëkate dhe halle.

    Disa do të shtyhen të zënë nga halli
    herë pas here do të vijë një engjëll me ujë,
    do të pyes nga buron marrëzia si një lumë zjarri?
    E dikush ndoshta do të përkulet pa bujë
    me gjasa se do të pastrohet i pari …(!)

    Të tjerrët si gjithnjë do të presin shiun
    me birrë dhe patate të skuqura mustardë
    do të harrojnë se ky projekt është për njeriun
    të dehur do të rikthehen dehanak në darkë,
    duke imituar sipas rastit miun dhe ariun.

    E në fund do të luten para gjithë-gjendje-larëses
    fundja këtë mirësi Europa po ua bën nder,
    të thahen si leckat e lagura përpara tharrëses
    çdo gjë që vjen nga Europa është një mister
    i koduar në medalionin dhuratë të varëses.

    Edhe mërzia, madje edhe seksi i pambrojtur
    në fushën e gjithë-gjendje-larjes, zhvishen lehtë,
    Europa nuk është për njerëz të ndrojtur,
    ndaj kambanat nuk janë vetëm për retë,
    të paralajmërojnë se durimi s’duhet sosur…

    Hej, ti, ai që nuk di me çfarë t’i lavdërosh këto
    ji i lumtur, pastrimi yt u pagëzua shumëngjyrësh
    arriti fluturimthi në Europë dhe gëzoi këdo,
    me një kaproll zyrtar lajmëtar shumëbrirësh
    ndaj, pastrim më të madh nga balta mos kërko!


    ÇDO KOPSHT E KA NJË DASHURI

    Mëngjes, kokrizat e dritares fryhen e darëzonja hap sytë,
    zgjon vetveten një aguguliçe e imët si pilavesë e padukshme,
    poshtë petaleve të jakës së zbërthyer të trëndafilit,
    kërshendellet mbi telin e hollë me shpirtin e prushtë,
    trupthi delikat i bilbilit.

    Ag i vonuar me ndërrimin enkas të stinës në kopësht,
    shelgjet lotues shtriqen sipas rastit mbi sofrabezin aspër,
    dridhet aguguliçja struket bëhet më e vogël,
    bilbili ia nis zërimës akoma më pastër,
    e Agu zbret shpejt Diellin si një lodër,
    nis kopshti vallen e tij të qashtër.

    Sakaq një Kryq, o Zot, ku duhet filluar lutja,
    të shijohet ky kopësht me njëqind dashuri,
    lëshon veten me vrull merimanga nga aguguliçja,
    e trupi i ndrit qelibar në lakuriqësi,
    bilbili i hutuar gati sa nuk fryhet nga frika,
    është ndonjë ëndërr? Apo thjesht xhelozi…

    Oksigjeni dihat hapësirën e argjendtë
    e kopshti zbërthen shallin e tij najlon,
    bilbili kërcen tel më tel e gati s’po luan nga mendtë,
    në kopësht sytë i prekin mendërz, majdanoz, rigon,
    të gjithë zhvishen e vishen në të lehtë,
    me rrobën e re që stina u ofron.

    Bilbilit i bie ngadalë një pendëz e mëndafshtë
    e drilltë tekanjoze me vallen bëhet palë,
    aguguliçja e qetë ngre kokën lart,
    por, jo asgjë nuk ka ndodhur, asnjë të ngjarë,
    trupthi i bilbilit dridhet dhe s’ka më ndonjë zërallë
    është përhumbur i tëri, kujton se po bën mëkat.

    Pastaj kokën të gjithë e kthejnë mënjanë,
    në cepin e zhurmshëm vijnë disa trumcakë,
    kopshti hedh çarçafët e tij më në anë,
    e qoshku përskuqet sa s’merr flakë
    kjo lloj dashurie qenka si një garë,
    nuk njihet kush është i ri, e cili është plak.

    Kopshti ende pikon djersë të ftohta
    prej sikletit të tij në këtë Ag,
    në shtrojerën e tij zbret gati tërë bota,
    e miliona sy të pamundshëm e ndjekin nga larg,
    centimetër pas centimetri nga ajri e nga toka,
    tani të gjithë sytë për këtë kopësht kanë mall,
    ti largojnë retë dashurisht ka ardhur koha.

    Koha sheh ëndërr largon retë si anije
    si mitet kur u provuan me Eskilin, Kinegorisin
    e kopshti buzëqesh ije më ije,
    që nga Ulliri në Jug e në Veri me Lisin,
    dashuria është një bekim që lidh si me një fije
    në këtë Kopësht të bukur Shallin me Plisin.

    Bilbili shkundet i hutuar nga ky film i gjatë
    ka udhëtuar mbi tre mijë vite më parë,
    e tashmë kjo sekondë e vockël e momentit,
    i shemb direkë, pëlhura e i çan bori,
    si mund të kaloj një dashuri prej sikletit,
    pa dalë një Omar Khajam i ri…në këtë mori?

    E kështu me rrush, shegë, fiq, shalqinj,
    përhumbin veten çdo ditë mbi laps e letër,
    të shpikin vargje e të ristrukturojnë poezitë,
    por kur nuk ndodh që në një centimetër të Botës,
    të ndryshohet një dashuri e vjetër si me thikë,
    thjesht për një kohë, për një sekondëz.

    Mëngjes, kokrizat e dritares fryhen e darëzonja hap sytë,
    zgjon vetveten një aguguliçe e imët si pilavesë e padukshme,
    poshtë petaleve të jakës së zbërthyer të trëndafilit,
    përshendet mbi telin e hollë me shpirtin e prushtë,
    timbri dashuror i bilbilit.

    E kjo tashmë nuk është thjesht një risi
    çdo kopsht e ka një dashuri!


    KRYEQYTETI ËSHTË POEMË E ÇUDITSHME!

    Shfletoj gjeografi, mbështjell kryet me poezi lirike,
    librat hapen dhe mbyllen në orë të caktuara
    Kryeqyteti është poemë e çuditshme
    mbushet, fryhet, si një varg i stërmundimshëm
    kalon në fletën e bardhë, pastaj në kapituj
    dhe pastrohet pa e kuptuar nëpër një sitë,
    që funksionon vetëm për të ikur
    me një tëhodhje të dyfishtë.

    Ulem aty ku kollonat luajnë me kulturën kukafshehti
    (mos kërkoni që pena ime të thotë se është diçka e panjohur)
    nuk e mohon këtë lojë as vetë kryeqyteti
    sa kohë pirg dhe kullë shfaqen si një hije në errësirë
    një herë nga loja e një herë nga sikleti
    nuk duhet të dish asgjë më shumë është më mirë,
    sepse këtë s’e di as vetë Profeti.

    Nga misteri deri tek lutjet që lë pak më tutje mileti
    se si mund të të shpoj me majën e minaresë ky ag’ kur ende është pa gdhirë
    kam frikë se dhe Skënderbeu kërkon syze për së vërteti,
    sa kohë qielli afrohet e largohet mbi Dajt gjithçka është strukur
    ç›marrëzi e hollë kalon nëpër pore
    dergjet si tis në një ngrehinë të bërë pluhur.

    Heroi vetëhedh hiramin si mbi një ngrehinë
    i mbuluar nuk mund të lexoj asnjë varg të shkruar me këtë rast
    veç i merr frymën gjith’ ç’ndërtoi ndonjë i çmendur
    që vetveten masakron pa asnjë shkas.

    Pas kësaj e shoh kryeqytetin sikur të ishte ndonjë Hydër
    duke e çmendur pra, vetë poetin
    i cili asnjëherë nuk mundi t’ia përfundoj atë libër…

    … ndaj poeti vazhdon të shkruaj risinë e përditshme,
    herë e sheh kryeqytetin si një Nastradin të varfër,
    herë i mbetet në varg një poemë e çuditshme,
    kur vesh në zyra pallton e pastër…


    KËSHILLA PËR TË ZBRITUR NJË KANARINË NGA KËNGA

    Sa shumë dua të kuptoj lartësinë e kësaj kanarine,
    sa shumë kohë më duhet të zgjohem me ëndrra,
    me idenë se kam ngritur laboratorin,
    një gjë e vogël përmbys botën nga brenda,
    dhe skllavërohet e bie në këmbët e mia,
    gjithë altruizëm,
    pret se si shtrohen pentagramet,
    më tej notat e skllavërisë së merimangave
    në një pemë,
    vetëm kur ngrihet një llavë e brendshme,
    djeg kohën në korrin e oazit solemn,
    (edhe pse Globalizëm)
    një ndërtim i ri malli në formë të verbër
    livras me sy e ia zbret nga retë fisëm,
    këngët nëshkruajnë një kronikë të vjetër,
    më lër të të dua,
    dashuritë janë njësoj në letër!


    DUALITET

    Unë flas për heshtjen
    që të kuptoj thellësinë e zhurmës.
    Ushqej mendjen nëpërmjet vibrimit të botës sonë
    sepse vetëm brenda midisjes,
    dhe heshtjes
    mund të gjej kuptim tek diskursi i lëvizjes.

    Përjetësisht marr frymë në majë të penës
    sepse vetëm atëherë di të vlerësoj
    cipalin e heshtjes
    duke qenë një mburojë për të,
    të tjerët i mbaj brenda vetes.

    Ndjej me përmbajtje shkrimin e heshtur,
    kështu që kur sfidohet heshtja e heshtjes
    kurrë
    nuk shtyj arsyen e të pasurit,
    paqen mes vetes.

    Dhe kur i mbyll sytë për të pushuar
    nuk dua të perceptoj parajsën
    por thërras heshtjen
    për të parë realitetin që hasëm
    kështu që kur zgjohem nga ky projekt
    mendoj vetëm për fantazinë
    jetën që jetohet në dualitet.

    Ndonjëherë tentoj të shoh me një sy
    dhe provoj përkoren me syrin tjetër.
    Ndonjëherë krodhem me një pamje mjekërrore
    në udhën e ndjekur prej mjeshtrit, profetit
    shoh pjesën e dualitetit.

    Dualiteti është historia e jetës së secilit
    ai që ka mësuar të lexojë konflikte të tilla të brendshme
    jeta është një shaka për të
    të shkruash mbi konfliktet e brendshme është unike,
    kjo është e vërteta e jetës
    prandaj dualiteti është jeta,
    dashuria brenda vetë ekzistencës.

    Duke u marrë aq shumë me gjuhën figurative,
    nuk mund të mos vërej sa njerëz
    kufizohen në Mythos, ose Logos.

    Mit apo logjikë. Simboli ose arsyeja. Burri dhe Gruaja.
    Shumica janë të njëanshëm ndaj njërit
    dhe largohen pakuptuar nga tjetri;
    është e pamundur të kesh një ekzistencë të ekuilibruar
    nëse përqafon njërën dhe mohon tjetrën sy më sy:
    Nëse dikush nuk arrin të respektojë dualitetin,
    dualiteti do ta ndajë njëshin në dy.

    Rruga drejt shpëtimit përbëhet nga të dyja këto stile të mendimit:
    Të kërkosh vetëm njëshin do të thotë të dënosh veten jo pacifist
    përtej realitetit të qëllimit,
    Darvinizmi social autosegregacionist.


    NJË LUFTË PËR BISHTIN E CIGARES

    Dhe unë kam luftuar,
    që atëherë jam veshur si luftëtar!
    Linda,
    u rrita,
    s’e dija se duhet të luftoja,
    prita,
    lexova
    të kuptoja se ç’ishte Troja,
    Helena,
    më yshti ta perceptoja.

    Meqenëse s’e dija se çfarë ishte,
    po luftoja mes tymit,
    që shpërtheu në rrugën e syve të mi
    nga mushëkëritë e shokut tim të bangës
    kur ai mendoi se mësuesi ishte përhumb
    (për hir të kohës)
    kërkoi leje të pinte duhan në banjot e shkollës.

    Unë po perceptoja përhumbjen e mësuesit tonë,
    mes gishtave që stilonin nikotinë
    por nuk e shtija nëpër mend deri vonë
    pse quhej pirja e duhanit krim.

    Unë po luftoja kundër errësirës së shokut tim
    dhe përhumbjes së mësuesit që vriste kohën
    në tërë atë tym
    kur e kuptova
    Trojën,
    Helenën
    dhe se ajo luftë ishte një gjoja,
    përse duhej prapë të luftoja?

    Por unë atëherë,
    ia mbusha mendjen shokut tim me një poezi
    me një varg që hynte nga dera e dilte jashtë dritares
    e ndërsa shkruaj sot pse mendoj as vetë s’e di
    e gjitha ishte një luftë për bishtin e cigares!


    ADOLESHENTI IM

    Po planifikoj të udhëtoj në pakohë
    për një pakohë që nuk ha e nuk pi,
    jo si një iluzion,
    jo thjesht si një njeri,
    si një adoleshent që ëndërron një orë,
    ndoshta pa e ditur se si
    në pakohë mbetesh duarbosh.

    Por unë shkoj më tutje në një shpikje,
    zbres diellin në një oborr,
    dhe me sy i bashkoj dy brigje,
    bëj një orë me një shkop.

    Ndërsa pi pak birë
    e kuptoj që mendimi im ka mbetur adoleshent,
    ashtu i pirë duke pirë,
    do të vdes, më pëshpërit ai, do të vdes,
    nuk ka gjë më të mirë!

    Të bindësh vetveten krejt serbes,
    njerëzit kanë vetëm mish të ngrirë,
    e adoleshentëve u është bërë ves,
    të shohin ëndrra deri në të gdhirë.

    Padashje pastaj me ndjenjën e tufës,
    harroj që kam udhëtuar në pakohë,
    dëgjoj britmat e mëdha të turmës,
    dhe zgjohem…, por pa orë në dorë.

    Mendoj se si adoleshent kam fshehur,
    atë që kam parë në pakohë,
    me pompozitet të madh udhëtoj i dehur
    mendoj se për mua gjithkush ka nevojë.

    E kështu diku në një cep të ëndrrës
    takoj Petrit Rukën me bukovile
    më pëshpërit sikur ia merr këngës
    për shiun që bie brenda poezive.

    Po binte atje, si një shtrëngatë,
    habitesha si ndodhte në pakohë,
    ndërsa sytë më mbetën atje lart,
    të gjithë nxitonin të bënin art.

    Në një hapësirë ​​tjetër s’kishte më tokësor
    adoleshenti im ende në pakohë kërkonte orë.


    TRETJA SHKRUAN POEZI ME SY

    Ka raste transparente në varg,
    mendimi pështillet si letër cigareje
    poshtë ritmit të shushurimës një burim i patharë
    nuk fshihet…
    …burimi i dashurisë më hap një shuplakë
    për të shuar mall,
    në fund të fundit,
    si melodia e përhumbur e gotës në buzë
    ndërsa imiton shtrydhjen magjike të rrushit,
    këngën,
    nën këmbë të tilla të ndezura prush
    që burojnë edhe më bistakët në rënkim të ëmbël
    me gjithë atë lëmsh që më bën dush,
    nxitoj të mbledh nektarin me ty
    tretja e mendimit në trup
    shkruan poezi me sy.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË