More
    KreuArte pamoreFatlum Meholli: Dimensioni onirik në pikturat e Marc Chagall-it

    Fatlum Meholli: Dimensioni onirik në pikturat e Marc Chagall-it

    Çfarë i bën të veçanta pikturat e Marc Chagall-it? Si dallojnë ato nga pikturat klasike? Si materializohet stili kombinatorik në mënyrë mjeshtërore dhe si ndikojnë ëndrrat në manifestimin e gjithë kësaj?, janë disa nga çështjet rreth së cilave do të përqendrohet shkrimi, por në fillim le të bëjmë një dallim të thjeshtë e të shkurtër mes artit klasik dhe avangard.

    Deri në fund të shek. XIX, arti pamor identifikohej me paraqitjen sa më reale të botës përreth me gjithë objektet e subjektet e saj, madje dalja përtej realitetit në njëfarë mënyre konsiderohej si paaftësi artistike. Realiteti këtu nuk duhet të keqkuptohet me përmbajtjen, sepse atë po e ndërlidhim vetëm me anën formale. Ta zëmë, po ta vrojtojmë pikturën e famshme të artistit finlandez Hugo Simberg me titull “Engjëlli i plagosur”, mund të pohojmë që nuk kemi të bëjmë me ndonjë botë paralele/ireale – shfaqen dy të rinj që bartin një engjëll, para një peizazhi të zymtë krejt realist. Engjëlli këtu ka tipare njerëzore, pra personifikohet, dhe i vendosen krahët që përfytyrohen a priori. Andaj, një pikturë e kësaj natyre për nga përmbajtja merr nuanca simbolike, por nga ana e materializimit mbetet realiste.

    E njëjta logjikë analitike mund të aplikohet nëpër piktura të mëhershme: vetëm të ndërmendim epokën e romantizmit dhe pikturat e Eugène Delacroix, Caspar David Friedrich, John William Waterhouse, apo Henry Wallis, ose epokën e barokut dhe pikturat Caravaggios, Rembrandt-it, Diego Velázquez-it, ose ato të renesancës nga Botticelli, Leonardo da Vinci, Michelangelo, etj. Format e paraqitura gjithherë përkojnë me realitetin, vetëm se modifikohen në bazë të botëkuptimeve religjioze, rrethanave sociale, historike përkitazi me frymën e caktuar të epokës artistike. Përsosmërinë e gjithë këtyre artistëve për të vrojtuar dhe paraqitur format sa më reale do t’i quaja, sipas termit të studiueses amerikane Betty Edwards, “aftësi magjike”.[1]

    Avangardistët mëtojnë vazhdimisht të dalin përtej kësaj fryme, duke implementuar stile krejt inovative nga parapraket. Kë quajmë avangard? “Avangarda” si term francez, gjenezën nuk e ka artistike, madje kuptimi i tij ishte ushtarak dhe kishte të bënte me “rojën e përparuar”. Më vonë, analogjizohet me terminologjinë artistike, që ngërthen në vete të gjitha lëvizjet moderne dhe avancimet e artit pamor, letrar, muzikor, sidomos në anën formale.

    Kjo risi e cila mori hov sidomos në shek. XX, pasuroi botën artistike me emra të shumtë e vepra të panumërta, që në fillim nuk vlerësoheshin si dhe sa duhet.

    Marc Chagall, i lindur më 1887 në Liozna të Perandorisë Ruse (tash Bjellorusi), i takon kësaj fryme, madje shumë studiues konsiderojnë se Chagall arrin që në mënyrë të jashtëzakonshme të kombinojë stilin fovist, surrealist, kubist, ekspresionist, futurist brenda një vepre artistike.

    Chagall u rrit në një familje hebreje dhe padyshim që një identitet i tillë pati ndikim edhe në artin e tij. Përiudha e hershme e fëmijërisë, nga e cila akumulon kujtime të pafundme, bëhet motiv kyç në pikturat e mëvonshme. Ai studion në Shën Petersburg e pastaj shpërngulet në Paris, “kryeqytetin e artit”, prej ku njoftohet dhe ndikohet nga lëvizjet më të fundit artistike, sidomos me kubizmin, fovizmin. Pikturat e tij reflektonin një botë ëndërrimtare, ku njerëzit dhe objektet fluturojnë, ngjyrat janë shumë të ndezuara, ndërsa realiteti përzihet me fantazinë.

    Stili i Chagall-it është mjaft unik e i dallueshëm edhe përbrenda avangardistëve. Sepse, ndryshe nga kubistët, të cilët analizonin format në mënyrë racionale dhe gjeometrike, Chagall përdorë forma më të lira dhe më emocionale. Për dallim nga surrealistët, që bazoheshin direkt nga teoritë e Freud-it mbi të pavetëdijshmen, Chagalli formon një botë ëndërrimtare si manifestim poetik në ndërlidhje edhe me kujtimet e tij. Madje, këtë e pohon edhe studiuesi Ernst Gombrich që shton: Chagall, piktor që erdhi në Paris nga një geto provinciale në Rusi, pak përpara Luftës së Parë Botëore u njoh me eksperimentet moderne, por nuk i la t’ia mjegullojnë e t’ia zhdukin kujtimet e fëmijërisë.[2]

    Ai përdorte një paletë jo të limituar, përkundrazi, të mbushur me ngjyra të shumta, nga të cilat krijon atmosfera magjike me elemente simbolike, si shembull violinistët fluturues, dashorët që rrotullohen në ajër, objektet që marrin forma të çuditshme e kështu me radhë.

    Një element thelbësor në pikturat e Marc Chagall-it është dimensioni onirik, një aspekt që e ndërlidh artin e tij me teoritë e Sigmund Freud-it mbi të pavetëdijshmen dhe emocionet e pandërgjegjshme. Në hyrje të librit “Mbi ëndrrat”, doktor W. Leslie Mackenzie ndërmend pohimin e profesor Sigmund Freud-it i cili thekson se interpretimi i ëndrrave është rruga e duhur drejt njohjes së elementit të pavetëdijshëm në jetën mendore/psikike.[3] Andaj, në artin e Chagall-it kjo ide materializohet përmes skenave krejt fantastike e hermetike. Ashtu siç Freud-i besonte se përmes ëndrrave mund të kuptohej thellësia e mendjes së njeriut, Chagall krijon një univers të dukshëm ku kufiri mes botës reale dhe ireale minimizohet ose zhuket krejtësisht, me ç’rast vizualizohet një botë që përshkohet nga simbolizmi dhe mitologjia individuale.

    Një nga pikturat më të famshme të Marc Chagall-it që mishëron këtë dimension ëndrrash është “Mbi qytet”. Në këtë pikturë mbizotëron një atmosferë romantike e çliruar nga kufizimet e realitetit, teksa çifti fluturon mbi qytetin e vogël. Nëpërmjet kësaj skene, piktori thekson se dashuria është ndjenjë sublime që e çliron njeriun nga rutina dhe e çon në një dimension tjetër.

    Edhe piktura “Ditëlindja” është mjaft domethënëse, ku shfaqet një burrë duke e puthur të dashurën e tij, por trupat e të cilëve sfidojnë ligjet e gravitetit, qëndrojnë pezull në ajër brenda një hapësire të brendshme. Kompozicioni mjaft dinamik, lëvizshmëria e subjekteve, përshkuar nga ngjyra të ngrohta e intime, i japin pikturës një ndjesi fluiditeti që duket sikur gjithçka ndodh përtej kohës dhe hapësirës.

    Gjithashtu po e përmendim edhe pikturën “Unë dhe fshati” që ngërthen në vete gjithë elementet e stilit të Chagall-it. Aty përzihen figurat njerëzore, kafshët, natyra, duke krijuar një ndjesi mitologjike, të magjishme. Përdorimi i ngjyrave të forta e kontrasteve të theksuara bën që të gjurmohet në marrëdhëniet e njeriut me kujtesën dhe botën e ëndrrave. Kompozicioni krejt atipik me forma jorealiste e përmasa të çuditshme krijon një skenë të fragmentuar restrospektive dhe onirike.

    Krejt në fund mund të themi se dimensioni onirik në pikturat e Chagall-it është mjaft i theksuar, i cili del si reflektim i mënyrës se si kujtesa (retrospektiva), ndjenjat e përvoja individuale mund të shndërrohen në gjuhë të veçantë vizuale. Në universin e tij artistik, ëndrrat nuk janë thjesht ikje nga realiteti, përkundrazi ato ndikojnë që ai të kuptohet në një nivel më të thellë. Përmes kësaj qasjeje dhe mjeshtërie vizuale, Chagall na kujton se arti nuk është vetëm pasqyrim i botës eksternale, por edhe dritare drejt të brendshmes. Ky piktor arrin që të kaluarës, imagjinatës e të paprekshmes t’u jep formë dhe ngjyrë.


    [1]  Betty Edwards: Drawing on the Right Side of the Brain, Jeremy P. Tarcher, Inc., Los Angeles, 1989, p. 2.

    [2]  Ernst H. Gombrich: Historia e artit, Fondacioni Soros, Tiranë, 1996, f. 589. (përkth. Abdurrahim Myftiu)

    [3]  Sigmund Freud: On dreams, Rebman Company, New York, 1914, p. 5.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË