Kreu Letërsi Kritikë Fatbardh Amursi (Rustemi): Tirona o e Nonës. Po kryeqyteti kujt i përket?

Fatbardh Amursi (Rustemi): Tirona o e Nonës. Po kryeqyteti kujt i përket?

Libri i fundit i Fevziut, “Tirona e Nonës”, në tërësinë e tij: i shkruar bukur, me një intensitet emocional që përcillet në kohë reale, me një aftësi të admirueshme në portretizimin e protagonistëve të rrëfimeve, që kapin pragun historik të ngjarjeve, përfshi dhe befasitë e fatit, sa i hedhur në qiellin e shtatë apo i flakur në humnerë, ku aventura ndërthuret me kalvarin. Edhe nëse ti, me raste, shfaq mosdakortësi me autorin, mbresa nuk cënohet, vlerësimi nuk lëkundet, ndoshta dhe për faktin që, në këtë libër, gjen Blendi Fevziun e vërtetë, gjetiu i rrezikuar të keqkuptohet, edhe për fajin e tij. Një kronikë familjare, që i kapërcen kufijtë fisnor, ndonëse i paqtuar me idenë që, Tirona o e Nonës dhe ty s`të ndahet pyetja: po kryeqyteti kujt i përketë? Fevziu përmend një episodë, mund të rezultonte këmbërrëshqitës, kur gjimnazisti Blendi ngrihet në mësim dhe flet me gjuhën e Nonës: “Thashë që Tiranën e krijoi një pasha dhe më pas e zhvilloi një pasha tjetër, por kjo nuk ishte e vërtetë. Ishte mendësi e vjetër, më tha mësuesja e historisë. Tiranën e krijuan fshatarët dhe punëtorët, ndërsa e ringriti Partia pas Çlirimit.” Në fakt, Tirona është më e hershme nga kryeqyteti i saj, atë e krijuan pashallarët dhe bejlerët, siç e thotë Blendi i Nonës, por në fund do t`i vinte zjarrin një katundar nga Sharra, Haxhi Qamili quhej, sikurse do ta bënte lëmsh edhe një Sude, pa folur për “çeçenët” e Bathores. Ndërsa historia e krijimit të kryeqytetit lidhet me Kongresin e Lushnjes, i cili po feston 100 vjetorin e tij. Fevziu, më parë ka shkruar dy libra, një për Enver Hoxhën dhe tjetrin për Ahmet Zogun, pa dyshim që mbreti e krijoi dhe komunisti e zhvilloi kryeqytetin, por Nona e Tironës nuk i honepste as “gegën” manarkist dhe as “tokskun” republikan. Të ardhurit e vrullshëm nuk gëzonin simpatinë e vendalinjëve të ngadaltë. Nona nuk e honepste shpurrën e injorante të mbretit, sikurse nuk i duronte pasanikët e rinj të biznesit, që fitonin shpejt. I shoqi i saj, Bajram Fevziu, ishte kundërshtar i Zogut, ndërsa i ati: “Refik Beu, pronar i madh tokash, nuk shkonte me Esad Pashën.”, midis tyre kishte një konflikt në rritje. Refik Toptani do të shkruante dhe një libër për krimet e Toptanasve në fshatrat e Tiranës, të cilin e quajti roman. Ndoshta këto krime duhet të kenë nxitur dhe pakënaqësinë e fshatarëve, që i shkuan pas një të marri, i cili mbante një kubure me mulli, ku në njërën fole vinte fishekun dhe tjetrën në radhë e linte bosh. Kur ekzekutonet ndonjë “kaurr” para turmës, ia shkrepte armën me plumbin në gojë, pastaj e kalonte tytën në ballin e tij: “Qe Baba!”-arma nuk shkrepte ngaqë foleja e fishekut ishte bosh, kështu që turma e merrte për “të shenjtë”. Nona e Tironës nuk donte: as Esat Pashë Toptanin nga Tirana, as dumbabën nga Sharra, as mbretin nga Mati, as komunistin nga Gjirokastra. Por, që të gjithë këta: lanë gjurmë në historinë e kryeqytetit. “Kishte kaluar më shumë se 50 vjet, por lagjja kishte mbetur si në ditët e para. Rezistenca e saj ishte e atillë dhe më duket se do të jetë e përjetshme; edhe sot është ende në vilat e vitëve `30, përkundër harlisjes së disa pallateve të shëmtuara, ndërtuar në vitet `90 dhe 2000.”-shkruan autori, duke u bërë pjesë e nostalgjisë, mbase dhe i rezistencës ndaj presionit të kryeqytetit i dominuar prej të ardhurëve. “Ishte një lagje e ngritur dhe e ndërtuar vetëm në vitet e mbretërisë.”-Në fakt, Tirona e Nonës, nuk ka të njëjtën moshë me kryeqytetin, përderisa e “krijoi një pasha dhe e zhvilloi një pasha tjetër”, pasi Tirona dhe kryeqyteti kanë themeltarë të ndryshëm. “Ishte një lagje pa protagonizëm. Gjithkush jetonte brenda familjes dhe shtëpisë së tij, ndërsa plakat kishin vetëm një sfidë, lulet në oborr.”-shkruan autori. Pra, një lagje e mbyllur, e përgatitur ndoshta dhe për kohën e izolimit apo të bunkerizimit. “Teta Meti mendonte se në vend që të urbanizohej, Tirana ishte ruralizuar.”, pra, “fshati po rrethonte qytetin”.

Fatbardh Amursi (Rustemi)
Portet nga Ina Lajthia

Tirona e vendalinjëve dhe kryeqyteti i të ardhurëve, Esat Pasha dhe Refik beu, pashallarët dhe dumbabët, ballafaqohen me një ta kaluar, që rasti e sjellë të shfaqet në një dialog midis dy motrave, duke qenë dhe shkaku kryesor i këtij shkrimi.  “Teta Meti, motra e Nonës, ishte ndryshe. Më rrëfente për Karl Topinë, për Dukën Anzhu, dhe për lidhjen që kishin me ta. Nona nervosohej.

-Dukët t`i kam lënë ty,-i thoshte.-Unë kam nga Kapllan pasha dhe këndej….Kapllan Pasha nga Kruja është i pari i Toptanasve. Mos dëgjo teta Metin që thotë marrëzira.

-Ne jemi Topia më shumë. Këtë Toptani na i vunë Turqit, s`kemi lidhje me të, s`i kemi dash kurrë!” Më tej autori shkruan: “Kam bindjen se teta Meti, thellë-thellë, ndjehej mirë kur mendonte se kishte ende pak gjak francez në venat e saj.” Nëse flasim për “kthim në identitet”, cilën linjë duhet të ndjekim: atë të Nonës apo të teta Metit? (Dihet historia e Karl Topisë, princit me gjak francez, që, me sa duket ndolli Said Toptanin, të bëhej pjesë e revolucionin të vitit 1848 në Paris. Në atë Paris, ku do të vritej Esat Pashë Toptani dhe do të niste karierën politike Enver Hoxha. “Refik Toptani duhet të ketë qenë njeri vërtet i çuditshëm. Më vonë lexova se në vitin 1920 e hoqi mbiemrin Toptani dhe e quajti veten Refik Topia, duke iu referuar atyre, që i quante të parët e tij.”-shkruan Fevziu i Nonës. Mos vallë tek Kapllan Pasha duhet të kërkojmë Tironën e Nonës dhe tek Karl Topia kryeqytetin e teta Metit? Kryqendra e Topiave ka për kryezot një Vrana Konti, një princ Leka. (“Iljaz Toptani mbante dhe titullin Kont, që sipas së bijës, ia dha Papa.”-shkruan autori duke shtuar dozat e pëlqimit ndaj linjës së teta Metit.)

 Nona ndjek “linjën e nënës”, Advijes, që rridhte nga një familje e pasur Toptanase, e cila divorcohet nga i shoqi, për shkak të një shërbëtoreje. Në një variant thuhet se Rakip beu e dashuroi shërbëtoren dhe varianti tjetër se shërbyesja e sinjalizoi se e Advija donte ta helmonte. E shoqja detyrohet ta mbylli jetën në Stamboll, mbuluar me terr dhe mjegull, sikurse dhe i shoqi i përndjekur nga hyzmeqari i tij, Haxhi Zjarrmi, arratiset për në Vjenë. Është teta Meti, që ndjek “linjën e babit”, Refikut, për të cilin një studjues francez, shkruan: “Ndër gjithë Toptanasit, që janë sot afro 50 familje, Refik Toptani është më i hapuri ndaj çështjeve të jashtme për Shqipërinë dhe njohësi më i mirë i tyre, pasi ka udhëtuar shpesh për në Evropë.” Ai sjell në Tiranë makinën e parë Ford. Nëse do të kërkonim identitetin e “Tironës së Nonës”, autori do na afronte këtë mjedis, që përkon me “linjën e nënës”, atë allaturka: “Kur e kujtoj, më ngjan me një minilagje e Perandorisë osmane. Pleqtë flisnin më shumë fjalë turqisht. Edhe sot më kujtohen disa fraza që në atë kohë ngjanin aq të zakonshme.-Ho me si je? S`kom pa ka hone? Mirë bereqavers, ejvallah!-Mos u qell në aksham! -Të çoj selam!” Po ajo Turqi, ku kish zgjedhur të jetonte e ëma e Nonës, Advija. Habia shtohet, kur gjyshja e Fevziut, Lisi, lindur dhe rritur në këtë “minilagje të Perandorisë Osmane”, teksa kthehet pas 35 vjetësh nga Nju Jorku, vë duart në kokë e skandalizuar: “Si mund të jetojë njeriu gjithë jetën në të njëjtën shtëpi dhe në të njëjtën dhomë? As ngjyra e mureve nuk ka ndryshuar!” Është fjala për Tironën e Nonës, krejt allaturka. Arsyen pse ndodh kështu më duket se e ka pikasur Fatos Lubonja, i cili në ditarin e tij të burgut, shkruan: “Ky qytet s`mund të ngrihet kurrë në demonstratë për të kërkuar liri,-thashë vetmevete,-një qytet individësh të vegjël e të përndarë që s`mund të bashkohen kurrë për punëra të mëdha. Gratë do të luftojnë për ndonjë pallto më elegante dhe kaq, kurse burrat për ndonjë grua të bukur dhe kaq.” Pra, një qytet, ku banorët kanë qëllime të limituara, ku nëna merr për nga Stambolli dhe babai për nga Vjena. Kjo është arratia e protagoniztëve. Aktualisht, mos kemi një Tironë, që vazhdon të jetojë në Kapllan Pashës dhe një kryeqytet, që ende s`e ka gjetur Karl Topinën? “Kur mbërriti në Tiranë në vitin 1991, e veshur me një jumper të bardhë, me sandale dhe çantë të kuqe, shumë nga fisi u skandalizuan. Dajë Aliu që ia mbante mërinë që nga ikja, i tha Lisit se duhet të kujtonte se ishte 65 vjeçe tani, duhej të vishej ndryshe… “Si të vishem? Si ju? Të gjithë njësoj?” Kur shoqet i thonë se gjithë Tirana e kishte marrë vesh ardhjen e saj dhe po fliste për të, ajo ia kthen e habitur: “-E ç`punë ka Tirana me mua?! Ju paskeni mbetur njësoj, s`paska ndryshu asgjë!” Enver Hoxha ndryshoi mjedisin, por jo fisin. Kryeqyteti nuk qe allaturka, por nuk u bë as allafrenga, as Lindje dhe as Perëndim?! Sa duhet të vazhdojmë me këtë mëdyshje?

Siç dihet, 4 djemtë e Kapllan Pashës nga Kruja, martohen me 4 vajzat e Sulejman beut nga Tirana, s`di pse krekosen me lartësimin e “oxhakut” të Toptanasve, kur janë thjesht në pozitën e kollovarit? Fevziu, duhet ta ketë përllogaritur, në mos i ka dalë rastësisht, që Tirona e Nonës, shpreh dhe pronësinë femrore të sajën. Edhe vet autori, edukimin e tij, ia njeh tri nonave, ku e ëma, Rezana, shfaqet e largët, ndoshta dhe si një reagim instiktiv ndaj “nënës parti”, e cila i quante të gjithë bijtë e saj, përjashto pinjollët e Nonës. Ishte pikërisht e veja e Zogut I dhe e veja e Sekretarit të Parë, që do ta ngrysnin jetën në kryeqytetin e burrave të tyre, ku njëri e themeloi dhe tjetri e zhvilloi kryeqytetin, duke mos e larguar pashanë nga shpirti. (Nëse Nona nuk e honepste Zogun I, plaka e tretë në radhë, Bibia, shfaq njëlloj konsiderate për Sekretarin e Parë: “U biiir Enveri, djalë i urtë dhe i sjellshëm!”, e cila njihet edhe Nexhmijen. “Lika Toptani u kishte dhënë qese të tëra me flori komunistëve, kryesisht Ramiz Alisë, të cilin e kishte shok.” Ndërsa gjyshi i Blendit, Ali Ypi, kryeagronom në fermën e Lushnjes, kishte njohje me Mehmet Shehun dhe Hysni Kapon, por nuk pati asnjë dëshirë t`u afrohej njerëzve të regjimit.) Protagonizmi politik i Toptanasve u shfaq i tëri në krahun e Esat Pashë Toptanit, të cilin mbreti Zog e zgjodhi si shëmbëlltyrë të vetin, sikurse Sekretari i Parë pati për model Zogun I. Kryeqyteti ishte produkt i tyre, ku në themel, si për Tironën e Nonës, mbetet përsëri pashai. Nëse i jati i Nonës ishte kundërshtar i Esat pashës, i shoqi i saj, Bajram Fevziu, njihet si kundërshtar i Naltmadhënisë, amaneti i të cilit ishte: “Nigjar, nëse është djalë, amanet të mos merret kurrë me politikë. Edhe sikur karrocier të bëhet më mirë se sa të merret me politikë.” Tirona e Nonës, ndryshe nga kryeqyteti, i ndenji larg politikës.

Fevziu ka të drejtë, kur thotë: “Komunizmi dukej se i kishte trëmbur të gjithë.” Ish-kryeministri komunist, Shehu, ankohej se i përgjonin telefonin. “Më habiti frika që parandjente ajo (Nexhmije Hoxha), se një ditë mund të jepte llogari për trajtimet e privilegjuara mjekësore… Nuk e saktësoja dot se prej kujt ruhej ajo se do të duhej të jepte llogari? Ndaj popullit? Partisë? Apo personalisht ndaj Enverit?”-Isuf Kalo “Blloku”. “Shoku Pilo ishte shumë i shqetësuar, sepse unë e paskam shikuar shtrembër, prandaj vuri pyetjen ç’ka dhe ç’dyshon për mua shoku Enver? Unë jam i poshtër, borgjez, thotë ai, se kur ka bërë autobiografinë, nga turpi, paska fshehur faktin që ka qenë në Itali dhe në Greqi me të shoqen dhe ca më vonë kur ka shkuar pas çlirimit në Francë ka shpenzuar disa franga franceze të tepërta, të cilat nuk i ka shlyer. Tha gjithashtu se kishte bërë edhe disa poshtërsira të tjera me femra etj. Mos vallë shoku Enver kish marrë ndonjë raport nga poshtë kundër meje, sepse nga njëherë, kur kam qenë në Dhërmi e gjetkë, flisja ndonjë fjalë greqisht?!” Frika, e ka epiqendrën në kryeqytet. Gjermanët masakrën e bën në Borovë, ndërsa Xhaferr Deva 4 Shkurtin e bëri në Tiranë. Një kryeqytet: paradash, mitingjesh dhe foltoresh. Dikur një kryeqytet paranojakësh, sikurse sot një qytet mitomanësh.

“Komunizmi i shpalli luftë të heshtur kafeneve.” – thotë Fevziu, thua se po zbulon shkakun e anormaliteti, ndërsa Kadare për kryeqytetin e shekullit të ri në poemën “Tirana në dimër”, shkruan: “Në kafene ka për çdo punë një qasje,/Të tillë që kurrkënd nuk e gjen dot./Për tri mijë euro porosit një vrasje,/Për katër mijë, titullin vikont.” Ndërsa Gjergj Bubani për kryeqytetin e viteve `30, do shkruante: “Më tej në një godinë moderne ishte “Kursali”, mbushur me burra, ku e vetmja femër, ishte italianja Marçela, që shërbente si kamariere. “-Sikur të mos ishte Marçela, “Kursali” do më dukej si një vend pederastësh!”-do i thoshte Milto Sotir Gurra.-Gazetat këtu u përngjasin temjanicave të priftërinjëve.” Nuk po komentoj se Fevziu e kap aktualitetin e temjanicës.

Fevziu u rrit në një shtëpi, ku porta hapej rrallë dhe dera ishte më e heshtura e lagjes. Si është e mundur, nga një shtëpi e mbyllur, nga një lagje pa protagonizëm dhe nga një vend i bunkerizuar, tek pinjolli i Nonës lindi ndjenja e aventurës për të shëtitur botën? “Unë isha më i pazoti në lagje për të bërë ballona.” dhe pikërisht ky, i bie kryq e tërthor botës duke i hipur ballonës?! Shpjegimi i tij se po përmbush një amanet të Nonës, nuk më duket bindës, pasi është diçka tjetër, që e thërret si kushtrim të parësh: “Sapo të hapet një shteg, ikni. Shqipëria nuk bëhet. Në botë ka vende që bëhen dhe që nuk bëhen. Ne nuk bëhemi!”-i thotë Nona. Të njëjtin amanet përcjellë dhe autori tek vajzat e tij: të ikin. (Në emisionin “Opinion” ankohet për braktisje të atdheut?!) Sidroma e ikjes, vjen prej hershmërisë sonë me: piratë, mercenarë, cuba, nizamë, kurbetlinjë, të arratisur politikë, aventurierë, por dhe i shpërnguljeve prej tragjedive kombëtare, sikurse kanë qenë pushtuesit. Shto dhe karierizmin apo ambicjen e shqiptarit për të bërë emër në botë. Hobi i Fevziut për udhëtime, 110 shtet ka vizituar deri tani, duke ia kaluar dhe gjyshes së tij, Lisit, me banim në Nju Jorku, me 96 shtete, por jo vëllait të saj, Iljaz Toptanit: jetuar dhe udhëtuar në 236 vende, pa përmendur paraardhës të tjerë, nuk ka të bëjë me kryeqytetin, por me Titonën e Nonës, themeluesi i së cilës është një jeniçer, që u shpërblye nga sulltani për shërbimet, që ai kishte bërë ndaj tij. Në historinë e Shqipërisë kallogreja dhe gjeraqina, janë alternuar shpesh mes tyre, sikurse Kadare shkruan për ikjen e Moisi Golemit, edhe pse qortues, merr arratinë për në Francë: “Qindra vjet shkuan,/Ti lëviz si ankth./Dimëron në qiej,/Por dheu s`të qas.” Ndërsa Naimi ngazëllehet për kthimin e Skënderbeut, duke mos lëvizur nga Stambolli: “Krujë, o qytyet i bekur, prite, prite Skënderbeun!” Nëse kthehet një Gjergj Kastrioti, nuk ndihet ikja e Moisi Golemit. Në këtë ik e jake përfshihemi të gjithë, ndaj dhe Tirona mbetet e Toptanëve, ndërsa kryeqyteti shpresojmë “t`i kthehet” Topijave, duke shpresuar se ai pak gjak francëzi që rrithte në damarët e Karl Topisë, do i vlejë Makronit, që siç dekoroi shkrimtarin Kadare, të firmos pro hapjes së negociatave të Shqipërisë për në BE.

Libri i shkruar për Nonën, i tretur natyrshëm brenda tij, krahasuar me librat jo fort të përtypshëm, si për Zogun I dhe Sekretarin e Parë, “Tirona e Nonës” më bindi se Fevziu, është i zoti në fusha me porta të vogla dhe jo në fushë të madhe, tek kronikat dhe jo tek hapsirat e pafundme të historisë me plot hyçkla, në labirinthe arkivash, sikurse ia arrin, Ilir Ikonomi, që ka shkruar për figura tejet të ndërlikuara, si ajo e Faik Konicës dhe Esat Pashë Toptanit. Bindjen time po e konkretizoj. Në libër shkruhet: “Bibija tregonte një histori, që asnjëherë s`e kam kuptuar se sa e vërtetë ka qenë. Mehmet Konica, pas shumë përpjekjesh që kërkonte takim me Lordon Grey, ministrin e Jashtëm të Britanisë, për kufijtë e Shqipërisë, ia arriti 5 minuta audiencë… i cili po e priste duke parë nga dritaria thuajse me shpinë.

-Sër, nuk kam ardhur për asgjë tjetër, veçse t`u them që në Shqipëri sapo është zbuluar një minierë e madhe ari.” Grey e braktisi dritaren, u përqendrua dhe e pa në sy. Natyrisht që nuk ishte një minierë e vërtetë, por e vetmja mënyrë për të tërhequr vëmendjen e ministrit britanikë. Jam munduar ta gjej këtë fakt më pas në kujtimet e bashkëkohësve apo tekstet e historisë, por nuk më rezulton askund. Mund të jetë me gjasë, një prej legjendave që u krijua më vonë.” Të gjitha janë thënë gabim. E ka patur rastin, ta gjente dhe faktin e dëshiruar, ngaqë përmend në libër vizitën e Julian Amery, pas 50 vjetësh, në shtëpinë e Bibisë, i cili si xhentelmen i vërtetë i lë asaj në tavolinë një kuti me çokollata, një me biskota dhe një pako çaj. Sikur të kishte lënë dhe librin e tij “Bijtë e shqipes” kushtuar Abaz Kupit, Fevziu do lexonte këtë paragraf: “Në njërën nga konferencat e shumta ndërkombëtare, që u mbajtën pas Luftës së Parë Botërore, Shqipëria ishte përfaqësuar nga Faik bej Konica (jo Mehmet Konica), një njeri mendjehollë dhe shumë i shquar. Faik beut i duhej siguruar përkrahja britanike në lidhje me kërkesat e vendit të tij dhe, pas shumë përpjekjeve të pasuksesshme, iu afrua më në fund, jo pa hezitim një bashkëbisedim më Lordin Kërzon (jo Lordin Grey). Kërzon e priti Faikun duke qenë i ulur dhe në mënyrë të ftohtë, kërkoi që të mos zgjatej në ekspozenë e tij. Delegati shqiptar bëri një referencë dhe ia nisi: “Shkëlqesë, në Shqipëri ka vajguri.(jo ar)” Sytë e Kërzonit filluan të shkëlqejnë: “Uluni, i dashur mik!”-i tha duke u ngritur përnjëherësh dhe për çudinë e sekretarëve të padurueshëm, biseda u zgjat më tepër se një orë.(jo 5 minuta)” Kjo është arsyeja që konsulli anglez Eden u tregua shumë aktiv në mbajtjen e Kongresit të Lushnjës, i cili binte më shumë era naftë se sa barut. Nuk di pse historiografia jonë i kalon anash këtij zhvillimi, duke i mëshuar vetëm patriotizmit? Sikurse është jashtë vëmendjes së saj dhe vizita e konsullit amerikan në Torino, Jozef Haven, i cili u prit si shpëtimtar në disa qytete të vendit tonë, në prag të mbajtjes së Kongresit të Lushnjes, e përsëritur kjo pritje shumë vite me vonë me sekretarin Bejker në Tiranë. Në raportin dërguar Uashingtonit, Haven, shfaqi mendimin se Shqipëria është një vend që qeveriset vetë, sepse i ka të gjitha elementet e duhura që nevojiten për një vetqeverisje. Jemi në kohën kur doktrina e Uillsonit për vetvendosjen e popujve i hodhi diplomatët evropianë në një terren krejtësisht të panjohur për ta. Amerika nuk ndjeu erën e naftës, por të lirisë.

Teksa lexoja librin e Fevziut, më vëllazëroheshin idetë, ku spuntot nxitëse bëjnë të vetën dhe kënaqësia e leximit të kthehet në një dëshirë për të shkruar, sikurse ndodh me transformimin e energjisë elektrike në atë mekanike. Por, me sa duket, edhe tek unë: rrinte i fshehur një obligim, njëlloj borxhi që, një shkrimtari: nuk i lejohet, të mos e shlyejë, sikurse ia kërkon lartësia e të qënit shpirtëror. Kur fillova për herë të parë punë në Çermë të Lushnjes, si mësues letërsie, zëvendësova të jatin e Blendit, Hektor Bregasin, i cili u transferua në Dushk, fillimisht si roje objekti dhe më pas si llogaritar. Hektori, imponohej më shumë me hijen prej intelektuali, se sa me të qënit kryeqytetas, që, për atë kohë shfaqej, si njëlloj kapadaillëku. E ëma e Fevziut, Rezana, sikurse motra e saj, Elga, u mbajtën mend gjatë në Lushnje, më shumë nga Lisi e sapokthyer nga Nju Jorku, që paska çuditur Tiranën. Të jatin e vajzave, kryeagronomin Ali Ypi, e kam parë veçse njësoj: mbi motor, duke krijuar idenë e njeriut, që kishte harruar të ecte. Familja e Ypëve, ishte pjesë e një komuniteti të ardhurish, që i bën veçse mirë qytetit tim, i cili e ka për mburrje, t`u krijojë lehtësira të ardhurëve. Me të vetët sillej ndryshe: nëse dikush kërkohej në Tiranë, i pengohej kariera me një shkresë përcjellëse: kemi nevojë për kuadro. Nuk mund të mos kujtoja, mësuesen e gjeografisë, Flutura Lezo, që të gjithë e merrnin për të jashtme. Ajo ishte një femër e lirë, ndoshta ngaqë flitej aq shumë për të. Mësuesen e fillores, Tajbe Turdiu, bashkëshortja e profesorit të gjimnazit, Ismail Turdiu, ku historia e krushqisë së Turdinjëve me ish kryministrin Shehu, pati kostot e veta dhe tek ata. Po kështu, mësuesen e 7 vjeçares, Marie Guga, me familjarë të arratisur, bashkëshortja e profesorit të matematikës, Mite Guga, i cili, teksa na përgatiste për provimet e pjekurisë, në vend të kompasit që nuk po ndodhej për momentin, e bëri rrethin në dërrasë me rripin e fustanit të së shoqes. Marcela e permanentit të vetëm të qytetit, ku gratë dridhnin flokët, e ardhur me dënim për shkak të të shoqit, drejtori i parë i kinostudjos “Shqipëria e re”, Nesti Zoto, i cili tentoi të vetëvritej duke prerë damarët. Doktoreshë Manushaqen e kryeinxhinierit Mërgim Korça, e cila sa herë do kalonte pranë portës sonë, do kthente për të mbushur duart me trandafila. Regjisorja e parë femër, Myzejene Nepravishta. Nuk mund të mos kujtoja moshataret e brezit tim: Xhixhin dhe Klarën e doktor Hilmi Deliallisit, me veprimtarë të njohur në historinë tonë, me Mimin dhe Gordanën e doktor Qirjako Lezhos me vëlla të pushkatuar, sikurse Rezana Jukën, të cilën herë e merrnim si pasardhëse të “Heroinës së popullit” Shenjaze Juka dhe herë të ministrit të Zogut, Musa Juka, në fakt ishe e bija e Zyber Jukës specialistit të kultivimit të pambukut, po kështu dhe Safete Libohovën, që ndonëse dëshmorin Skënder Libohova e kishte xhaxha, i llogaritej dënimi i të atit, po kështu motrat Lora, Liria të gjeneral Nexhip Vinçanit, i cili i la vajzat me nënën duke u martuar me një grua të dyte, por la amanet të varrosej me Memkën e vajzave, Eva Mëhillin me baba të burgosur nga regjimi, por që njihej më shumë si vajza e mësueses sonë, Liri Kazazi, që në fakt ishte tezja e saj. Eva së bashku me të motrën, frekuentonin rregullisht ndeshjet e futbollit në stadium. Po kështu dhe Erikën, vajzën e doktor Ihsan Çabejt, të cilin, kur e qarkulluan në fshat, hallexhinjtë i shkuan pas dhe, autoritetet u detyruan, ta kthenin përsëri në spitalin e qytetit. Ishte njolla në biografi, që i kishin sjellë në Lushnje, por, ajo kurrë nuk u kthye në damkë. Asnjëherë nuk i pashë vrarali, ankimtarë, vesveselinjë, por, veçse rrezatues energjish pozitive. Nuk shfaqnin modë, i rrinin larg modernes, pasi me to rrezikonin, por u ndihej sqima, klasi. Nuk di ndonjë qytet tjetër në botë, ku pak femra, njëra më e bukur nga tjetra, sikurse dhe pak intelektualë me peshë, të sjellë me përdhunë në provincë: të gjeneronin hijeshi, mirësi, çiltërsi, dinjitet. Meqë “Kongresi i Lushnjes” u bë sebep i shpalljes së kryeqytetit, dhe në rrugët e qyteti shoh të afishuara portrete të personazhëve historik, s`kisha rast më të përshtatshëm të shkruaja për këto vajza, gra dhe burra, që ndikuan në qytetin tim pozitivish, duke marr shkas dhe nga “Tirona e Nonës”, e cila mbyllej në vetvete, pa protagonizëm, nën trysninë e kryeqytetit, që e mori udhën nga Lushnja. 

SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

Ju lutem lini komentin tuaj!
Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

Artikujt më të fundit

Anna Dostojevskaja: Një bisedë me Tolstoin

Me konteshën Sofia Andrejevna Tolstaja jam njohur në vitin 1885, kur në një nga ardhjet e saja në Peterburg ajo, e panjohur...

Arb Elo: Piramidale

1. Pas njëzet e ca vjetësh prej botimit të parë, u bëra mbarë të lexoj “Piramida” e I. Kadaresë,...

Yzedin Hima: Vjeshta e përjetshme e Dhori Qiriazit

I harruar në atë fushëtirë të ngrirë në këmbë të maleve në Juglindje, Dhori Qiriazi shëtit pasditeve më tepër brenda vetes se...

Ali Aliu: Ndryshe ndihem mirë në Shkup, ndryshe në Tiranë, ndryshe në Prishtinë

Intervistoi: Bujar Hudhri I nderuar profesor, kujtimet e fëmijërisë nga Kranja, fshati juaj i lindjes buzë liqenit të...