Mbi Daullja prej letre të Besnik Mustafajt dhe mbi jehonën e një çmendurie kolektive
Është në program, nga shtëpia botuese “Onufri”, një botim i ri i romanit Daullja prej letre të Besnik Mustafajt. Romani do të shoqërohet nga parathënia e mëposhtme, të cilën po e sjellim në këtë numër të ExLibris. E njëjta parathënie, por në gjuhën italiane, do të shoqërojë edhe përkthimin italisht të romanit, i parashikuar të dalë në vitin 2025, nën kujdesin e Fabio dhe Kriselda Rocchi.
Një strukturë në formë spiraleje: nëntë korridore nëpër një labirint humoristik
I shkruar në vitin 1996, Daullja prej letre është një roman koral në të cilin marrin jetë, në përditshmërinë e Shqipërisë së kohës së regjimit, dhjetëra personazhe nga shtresa sociale të ndryshme. Shumë prej këtyre kanë sjellje aq të vërteta sa duket se e grisin faqen e librit dhe dalin në botën reale. Mustafaj, në fakt, arrin të riprodhojë dinamika psikologjike absolutisht të besueshme, duke i paraqitur lexuesit individualitete konfuze të treguara në tredimensionalitetin e tyre, në ankthin e kufijve të tyre. Nuk kemi të bëjmë me skica, por me personazhe me mish e kocka, round, për të përdorur përkufizimin e njohur të Forster-it. Krijesat e Besnik Mustafajt nuk përkufizohen nga përshkrime tipike të shekullit të nëntëmbëdhjetë dhe as nuk mund të admirohen për veçoritë që kanë të bëjnë me sferën trupore. Është detaji – një tik, një turp, një e metë, një njollë në të kaluarën e tyre, një obsesion – që na lejon të vëzhgojmë identitetin e tyre të papërsëritshëm. Secili prej këtyre identiteteve, kryesore dhe dytësore, nuk ngre pikëpyetje mbi çështje të mëdha ekzistenciale dhe as nuk duket se është i vetëdijshëm për pozicionin e tij brenda një hierarkie shoqërore të ngurtë si ajo e Shqipërisë së asaj kohe. Deliri kolektiv që prodhohet është i natyrës materiale dhe synon organizimin e kundërlëvizjeve të nevojshme për t’i shpëtuar mekanizmit të kontrollit shoqëror, për të cilin do të flas më vonë. Të gjithë e dinë se po vëzhgohen, madje spiunohen, dhe, bazuar në këtë siguri, çdokush vë në lëvizje një sërë kundërmasash që mund ta shpëtojnë. Por, nëse mendoni se keni përpara një fabul të përqendruar te shtypja komuniste, një histori që thekson mizoritë e burgosjeve ose persekutimeve në vijim të denoncimeve të zyrtarëve të zellshëm, do të zhgënjeheni shumë shpejt. Ky nuk është një roman që mund apo duhet t’i atribuohet kategorisë së rrëfimit posttraumatik, pra post-1991: për të qenë i tillë i mungon idealizmi heroik i protagonistëve, qasja dogmatike ndaj karakterizimeve fizike si dhe mungesa e asaj klime klaustrofobike që përshkon vazhdimisht mbipërcaktimin e mjediseve. Ritheksimi i datës kur është shkruar (siç thamë, 1996) na lejon t’i atribuojmë shkrimtarisë së Besnik Mustafajt një hapësirë të mëtejshme origjinaliteti. Që në atë kohë, në fakt, shkrimtari kishte zgjedhur rrugën dhe shifrën e tij stilistike, duke marrë një qëndrim krejtësisht origjinal në lidhje me letërsinë bashkëkohore të vendit të tij.
Habitati natyror në të cilin Mustafaj sillet për të vendosur historitë e tij – i konfirmuar edhe në librat e tjerë (Një sagë e vogël, për shembull, i përkthyer në gjuhën italiane nën titullin Piccola saga carceraria) – në njëfarë mënyre kujton premisën themelore të një mjeshtri të shekullit të njëzetë si Saramago. Ashtu si te shkrimtari i madh alegorik portugez, te Mustafaj është qendror predikimi për faktin e vogël, në dukje të parëndësishëm, por që në arkitekturën e përgjithshme të montazhit shndërrohet në majën e një ajsbergu falë të cilit lulëzon gradualisht hetimi njohës. Ky investigim kryhet në thellësi, duke synuar rindërtimin e një teme që është prekur shumë pak herë në Shqipëri: atë të dinamikës ndërpersonale të komunitetit në kohën e Enver Hoxhës. Kaustik, i urtë, jo i prirë të sulmojë plotësisht personazhet e tij, por as t’i justifikojë, Mustafaj i fut në skenën e faqes duke u dhënë shumë pak rrethana lehtësuese. Ajo që i intereson është përqendrimi në një lloj antropologjik shumë specifik, ose më mirë te një e keqe, e cila, që prej një momenti specifik e më tej, ka mjegulluar qartësinë e gjykimit të një kombi të tërë. Në nëntë tablotë që përbëjnë këtë afresk, elementi unifikues nga ana e rrëfimtarit konsiston në një predispozitë të dukshme për të portretizuar një njerëzim dritëshkurtër, të paaftë për akte guximtare dhe mbi të gjitha, të paaftë për t’u rebeluar e për të formuluar mendime alternative që ta distancojnë nga deliri kolektiv që mbizotëronte pasi presioni i shtetit mbi fatet e individëve bëhej gjithnjë e më i fortë. Ndoshta do të ishte e gabuar të lexohej i gjithë romani si një aktakuzë kundër popullit shqiptar të asaj kohe, fajtor se nuk kishte organizuar asnjë përpjekje për rebelim. Nga ana tjetër, është e vërtetë që autori rezulton veçanërisht i zoti në kapjen e gjesteve dhe përpjekjeve të vogla, pjesë e një sërë aventurash të përditshme në dukje të parëndësishme, por ama të përjetuara me intensitetin që u rezervohet vetëm betejave të mëdha, të kryera për mbrojtjen e vlerave parësore, si p.sh., mbajtja e vendit të punës, shmangia e burgut apo ruajtja e privilegjit social e ekonomik. Në fakt, edhe kur nuk ndodh asgjë e jashtëzakonshme, protagonistët e Daullja prej letre ndiejnë se janë tërë kohës të kërcënuar nga një entitet i padukshëm, nga njëfarë komploti i hartuar për t’i dëmtuar e që ata kanë për detyrë ta shmangin. Gjenialiteti i Mustafajt qëndron në portretizimin e një situate në të cilën, në fakt, ky komplot nuk ekziston pothuajse kurrë dhe është veç fryt i projektimeve të ankthshme të personave të prekur. Në këtë kontrast qëndron një nga zgjedhjet më të suksesshme narrative dhe nëse duam, stilistike, të kësaj lloj poetike.
Megjithatë, asnjë herë të vetme, duhet thënë qartë, tonet nuk modelohen për të rezultuar satirike. Nuk ka asnjë viktimë të cilës i riprodhohen me qëllime denigruese të metat apo sjellja. Nga çdo histori Mustafaj më tepër kërkon dhe arrin aspektin paradoksal: një mendim absurd mbi një shaka që shkoi keq, për shembull, si në episodin e miqësisë që prishet mes tre të pandashmëve Ilir, Leka dhe Maks; një dëshirë e pamundur për të ngjitur shkallët shoqërore duke përfituar nga vdekja e së bijës, vdekje për të cilën i ati, Nikollë Loka, kompensohet për qëllime propagandistike nga Partia; një shaka e ngathët dhe e shkujdesur, si ajo e keqkuptuar në fjalët e Gjeneral Misrit Neki Palushi. Të gjitha të dhënat që orientojnë drejt matricës së dukshme humoristike që mban së bashku kolazhin e tregimeve të mbledhura nga rrëfimtari, i cili nuk ka për qëllim të sulmojë një objektiv të caktuar polemik, por vetëm të rindërtojë e të analizojë nga anë të ndryshme një bllok të tërë social. Edhe kur në skenë del përgjegjësi kryesor i atij deliri kolektiv, Enver Hoxha, në cilësinë e një figure historike, nuk kemi asnjë përshkrim i cili çmitizon rolin e tij në mbështetje të tezës satirike apo sarkastike. Paraqitja e tij në kapitullin e parë është absolutisht realiste dhe pa detaje të pandershme; në mënyrë të ngjashme, shfaqja e fjalëve të tij, të marra nga ekstrakte letrash apo mesazhesh të ndryshme drejtuar kombit, është tërësisht në përputhje me një rindërtim të besueshëm të mjeteve retorike të asaj kohe. Mustafaj nuk synon të argëtohet duke i bërë lexuesit të qeshin ose të buzëqeshin: ai dëshiron të portretizojë një njerëzim pa personalitet të tepruar, të cilin e gjejmë vazhdimisht të përfshirë në një lojë force pa qëllim me sistemin, në një lloj sforcoje që autori arrin të na përcjellë jo nëpërmjet shpjegimit, por përmes materialitetit të ngadaltë të gjesteve të vogla.
Stili i adoptuar në Daullja prej letre është i ankoruar në mënyrë solide ndaj një fjalie të gjerë plot prerje, me një lojë pjesësh të nënrenditura (sidomos ato shkakore, kohore dhe lejuese) që ndjekin njëra-tjetrën në njësi që mund të zënë edhe gjysmën e faqes. Kjo strukturë formale karakterizohet, në fakt, nga gjatësia e fjalive, përdorimi unik i shenjave të pikësimit dhe kërkimi i një ritmi të brendshëm meditues. Stërzgjatja e dukshme, e mbizotëruar nga emërtimi obsesiv i personazheve, nga frazeologjitë dhe nga çifte emrash e mbiemrash që përsërisin vetveten deri në tepricë, është një mjet që lejon riprodhimin e sintaksës pedantike dhe përsëritëse të burokracisë së regjimit.
Në shumë nga nëntë pjesët e mozaikut të konceptuar nga Mustafaj, rrëfimi fillon në mënyrë të pazakontë: një episod aksidental i ndodhur në rrethana ende të paspecifikuara shënon pikënisjen për një histori që do të rikuperohet duke ecur mbrapsht dhe në të cilën shpeshherë para dhe pas alternohen në një lojë perspektive shumë interesante. Episodi i jep jetë një historie, e cila – siç kuptohet herët në tregim – luan kryesisht rolin e një preteksti. Epiqendra e kësaj vendosjeje kohore përkon me manifestimet e brendshme të një grupi kompakt dhe të shumtë personazhesh, thuajse gjithmonë të bashkuar nga ekzistenca tejet anonime. Bëhet fjalë për qenie që janë larg të qenit të përkryera edhe nga pikëpamja etike. Evolucioni i historive të tyre shoqërohet me ndonjë kunj, por humorit të cilit i nënshtrohen i bashkëngjitet në më shumë se një situatë një dhembshuri therëse, një dhembshuri që vërteton edhe më tej tezën sipas së cilës pozicioni i tregimtarit nuk është gjykues.
Për sa i përket strukturës së Daullja prej letre, shumë herë i janë referuar imazhit të një sipërfaqeje xhami reflektuese e cila në një moment të caktuar thyhet dhe përçon, në vijim të copëtimit të saj, perspektiva dhe fragmente të shtrembëruara dhe distonike. Është pa dyshim një imazh që qëndron dhe që e gjen themelin në praninë e nëntë fragmenteve të cilat, secili në mënyrën e vet, hedhin dritë mbi aspekte të ndryshme të realitetit të asaj kohe. Megjithatë, do të doja të provoja të propozoja një interpretim alternativ, i cili i referohet një labirinti në formë spiraleje. Arsyeja pse bëj këtë krahasim ka të bëjë me atë sistem historish në dukje të palidhura njëra me tjetrën, i cili e merr me vete lexuesin duke u mbështjellë rreth një pike qendrore, e cila – edhe pse e vështirë të identifikohet – rezulton të jetë strumbullari i romanit. Formohen korridore koncentrike dhe disi labirintike, pa rrugëdalje, njësoj si fati i protagonistëve të cilët humbasin, ndonjëherë edhe pa kthim. A do ta arrestojnë Selimin? Po me gjeneral Neki Palushin çfarë ndodh? Pse Nikollë Lokën shkon e merr policia një pasdite? Rreth idesë së një fati që zbërthehet dhe përfundon duke u tretur në misterin e një fundi pa emër, struktura e kërkuar nga Mustafaj të lejon të ndiesh forcën e saj centrifugale hipnotike. Këto trajektore ekzistenciale, të cilat shpesh prekin njëra-tjetrën me një sërë referencash të shkurtra, falë të cilave shohim një personazh që më herët ishte shfaqur në një rol kryesor të shfaqet sërish në një rol dytësor, janë të shenjuara nga dështimi; përpjekjet për t’u mbajtur fort pas një qendre ideale janë të dënuara të dështojnë në mënyrë sistematike.
Por, ekziston edhe një veçanti që bie në sy edhe më shumë se të gjitha të tjerat dhe që shkon përtej ekspertizës së përdorur për t’i dhënë formë strukturës së këtij romani. E kam fjalën për aftësinë për të gjetur dhe për të nxjerrë në pah absurdin. Në këtë drejtim krijesat e Mustafajt (Jakup Cena, H. P., Hekuran Romalini, Nikollë Loka, Neki Palushi, Leka, Maksi, Selimi, Din Qereçi) janë të gjitha të besueshme, sepse janë të shtyra nga një sërë mekanizmash rutinë, të cilët, edhe pse të çuditshëm, formojnë koherencën e tyre prej individësh me një vullnet vetjak. Ata nuk u binden si buratinë supozimeve ideologjike të atyre që i kanë krijuar, por, përkundrazi, janë të pajisur me dije e vetëdije maniakale – edhe pse të gabuara – në bazë të të cilave veprojnë e sillen. Fakti që psikologjia e tyre na shfaqet me një shtrembërim trasversal të perceptimit të realitetit, siç do ta shohim, është një cilësi e mëtejshme koherence dhe vizioni që duhet t’i atribuohet këtij romani.
Imazhi i tamburit në letërsinë e shekullit të njëzetë
Simbologjia që evokon Mustafaj duke përfshirë daullen – edhe pse prej letre – në titullin e romanit të tij ka një histori të gjatë dhe i referohet – në mënyrë të tërthortë e besoj të pakërkuar nga autori – një tradite letrare europiane të cilën nuk mund të mos e përmendim. Rrotull këtij instrumenti me perkusion, me origjinë tribale dhe të lidhur me funksione rituale, është zhvilluar, përgjatë shekullit të njëzetë, një intertekstualitet i pasur që fillon me Bertolt Brecht-in e mbërrin deri te Günter Grass-i, duke përfshirë edhe Kadarenë te Kështjella. Ecim me radhë. Brecht-i, në vitin 1922, me Trommeln in der Nacht vë në skenë në veprën e tij teatrale daullen si personazh simbolik.Evolucioni i dramës na e tregon fillimisht nën petkun e një embleme të revoltës, ndërsa në finale ajo shndërrohet në një lodër të padobishme për kohët që kanë mbërritur, aq e padobishme sa Andrea Klager-i e hedh në drejtim të hënës. Grass-i, te Die Blechtrommel (1959), e lidh daullen me personazhin kryesor të Oskar Matzerath-it, një adoleshent brilant e në të njëjtën kohë shumë problematik, i goditur nga sëmundje fizike dhe psikologjike, i cili ka zakonin t’i gjuajë fort daulles së tij prej teneqeje sa herë që dëshiron të prezantojë historitë që do të tregojë. Me Kadarenë, te Kështjella (1970, roman i pagëzuar dy vjet më vonë nga autori me titullin Daullet e shiut) kemi një shembull të një semantizimi të dyfishtë të daulles në hapësirën shqiptare. Pushtuesit turq kanë rrethuar qytetin e Krujës kur, në një moment, dëgjojnë zhurmën kërcënuese të një daulleje, një “daulle rrokarmëse”, e cila i trondit dhe i frikëson. Megjithatë, disa faqe më tutje, janë turqit ata që bëjnë të kumbojnë zhurmat e daulleve të bëra me lëkurën e armiqve të vrarë, me qëllim që të terrorizojnë dhe të detyrojnë të rrethuarit të dorëzohen.
Siç shihet, lidhja midis revoltës dhe daulles është konstante dhe merr vlera të kritikës sociale veçanërisht në zonën gjermane dhe veçanërisht tek ata autorë që merren me analizën e tensioneve që çojnë në ardhjen e nazizmit (Brecht) dhe, më pas, me përballjen e dhembshme me fantazmat e asaj stine aq kriminale (Grass). Për ta përmbledhur, si Brecht-i ashtu edhe Grass-i e shndërrojnë daullen në një simbol të çmitizuar, jo më i përshtatshëm në një ambientim bashkëkohor. Klager-i e heq qafe dhe preferon një shtrat, një evokim i qartë i individualizmit borgjez; Matzerath-i, nga ana tjetër, është një rrëfimtar anormal tregimesh, duke filluar që nga pamja, i deformuar dhe paranojak. Materiali pa vlerë me të cilin është ndërtuar daullja e tij është një sinjal i qartë tekstual për një zhvlerësim të mëtejshëm të aktit të thirrjes e bashkimit të popullit. Masa, si subjekt kolektiv i evokuar nga Marksi, pas ndërgjegjësimit të saj historik, nuk ekziston më.
Mustafaj, megjithatë, qëndron larg nga të gjitha këto – përfshirë nuancat ambivalente të tingujve të daulles së Kadaresë – duke mos vazhduar, në shtigjet e hapura nga Brecht-i dhe Grass-i, serinë e dukurive që lidhen me praninë e këtij instrumenti. Ekziston, gjithsesi, një pikë kontakti. Edhe për Mustafajn daullja “thërret” një reflektim ideologjik, të lidhur me një dimension politik. Veçantia e interpretimit të metaforës së “daulles prej letre” është krejtësisht origjinale dhe meriton një shpjegim që ndoshta arrin t’i lehtësojë lexuesit kuptimin e logjikës që qëndron pas ndërtimit të saj. Fraza, në dukje pa kuptim të mëvetësishëm, citohet për herë të parë në tekst duke iu referuar fjalëve të shqiptuara nga vetë Enver Hoxha: “Ne nuk do të prodhojmë daulle prej letre.” Kur personazhi i “udhëheqësit të madh” zbulon në faqet e para të romanit e përballë Jakup Cenës së çorientuar praninë negative të spektrit të një daulleje prej letre, ai dëshiron të thotë – duke përdorur një shprehje të fryrë dhe të paqartë – se qeveria e tij nuk do të bjerë në grackën tipike perëndimore sipas së cilës shpiken premtime të cilat më pas nuk mbahen. E thënë në terma më pak figurativë, Shqipëria nuk do të mjaftohet vetëm në proklamimin e krijimit të një shteti të ri të bazuar në luftën partizane kundër pushtimit nazifashist; ajo do ta realizojë vërtet atë shtet duke u nisur pikërisht nga onomastika revolucionare sipas së cilës do të riemërtohen sheshet dhe rrugët, detyrë kjo që i besohet zyrtarit kokëtrashë Jakup.
Pra, në këtë demonstrim të parë, metafora e daulles së letrës aludon një propagandë pa asnjë objektiv konkret dhe një retorikë joproduktive që jo vetëm nuk pasqyrohet në realitetin e fakteve, por rezulton edhe e dëmshme, sepse minon themelet e ndërtimit të kombit të sapolindur. Në secilën nga nëntë pjesët e bëra bashkë nga Mustafaj kjo metaforë do të rikthehet, e transformuar dhe në rrethana gjithmonë të ndryshme, për të përsëritur me anë të imazhit të daulles që nuk bie – që nuk i reziston goditjes së parë të gjuajtur, që rrezikon të shqyhet sepse është e paqëndrueshme dhe shumë e brishtë – një kërcënim të paqartë që vjen nga një retorikë e ngjashme me atë në fuqi në shtetet e korruptuara perëndimore. Natyra e vazhdueshme dhe abstrakte e kësaj metafore e bën ngarkesën e saj figurative shumë të afërt me atë që përdoret në ndërtimin e alegorisë, ku një sërë imazhesh, të propozuara në progresion dhe të pashpjegueshme në pamje të parë, i referohen një shpjegimi më kompleks, shpesh larg nga referencialiteti i drejtpërdrejtë i formës në të cilën ajo shfaqet. Prandaj, në këtë kuadro, daullja bëhet një alegoremë, një element që mbart një kuptim tjetër, të fshehur. Por, nuk duhet anashkaluar se kjo alegoremë është e një natyre të dyfishtë. Shumë shpejt kthehet kundër atyre që e kanë shqiptuar, në cilësinë e një figure emblematike të një stine të tërë, atë të socializmit real të frymëzimit sovjetik i karakterizuar nga defekte dhe çmenduri të organizuara në shkallë burokratike. E gjithë paradigma e cila në retorikën e saj bombastike do të donte të lartësonte me mjeshtëri sovranitetin e një republike me bazë popullore, bëhet një daulle letre, një simulakër bosh, i zhveshur nga çdo logjikë, një makinë propagandistike që rreh kot në sipërfaqen e rreme të daulleve të saj dhe të cilën askush nuk e kupton, askush nuk beson plotësisht në atë që bën, të gjithë ndihen të detyruar të konformohen vetëm nga frika se mos zbulohen dhe raportohen. Nuk është aspak rastësi që Mustafaj ia beson Hoxhës shfaqjen e parë të alegoremës, e trajtuar kjo me shumë mjeshtëri në vijim, përgjatë përvijimit të një strukture në të cilën ndërthurja e fateve nuk lë vend për formimin e mendimeve të kundërta. Është pikërisht falë kësaj zgjidhjeje të përpunuar narrative që, në një moment të caktuar, zhurma në dukje e dobët e prodhuar nga daullja e letrës bëhet një ulërimë shurdhuese.
Jehona e një çmendurie kolektive
Në labirintin e historive që Mustafaj ka ndërtuar me shumë kujdes spikat edhe një konstante tjetër – përveç fil rouge të daulles prej letre për të cilën sapo folëm; spikat edhe për faktin se ripërsëritet përmes disa gjetjeve strategjike që kontribuojnë në përcaktimin e normës formale të tekstit. Kjo konstante është e lidhur me temën e kontrollit shoqëror. Në secilin nga nëntë tregimet që përbëjnë romanin shfaqet obsesioni për atë çka mendojnë të tjerët. Ky obsesion çon në një korrigjim të qëllimshëm dhe të vazhdueshëm të sjelljes, i zbatuar me paramendim nga personazhi i cili në atë moment, gjatë kapitullit kushtuar atij, merr përsipër të na drejtojë e të na orientojë përgjatë historisë së rrëfyer. Qoftë kur baza e dialogut është ligjërata e zhdrejtë, apo regjia e menaxhuar në vetën e tretë, gjërat nuk ndryshojnë. Lexuesi hyn në kokën e personazhit dhe dalëngadalë – falë magjisë së leximit – sintonizohet me të, duke penetruar në mekanizmat që formulojnë mendimet e tij. Marrëdhënia gati dramatike e individit me komunitetin – ndoshta tema më urgjente e hetimit antropologjik të kryer nga Mustafaj – amplifikohet nga milieu social që romani rindërton: një milieu trasversal në të cilin gjejnë vend të gjitha shtresat shoqërore (sipas censusit, sipas lindjes, sipas statusit hierarkik); një milieu ku kontrolli sistematik me anë të të cilit regjimi arrin të paralizojë jetën e gjithkujt përhapet pa asnjë mundësi shpëtimi.
Mustafajt i duhet njohur merita që në rindërtimin e historive nuk lejon të mbizotërojë aspekti historik, i adoptuar shpeshherë nga autorë të njohur për histori të ambientuara në të njëjtin hark kronologjik të historisë shqiptare. Dinamikat ndërpersonale vihen në dukje nëpërmjet detajeve të vogla të papritura, detaje që përbëjnë pasurinë e këtyre tregimeve. Nëse rrëfimi – shpeshherë dëshmues – i eksperiencave të burgosjes ka qenë mbizotërues dhe ka shenjuar narrativën kujtimore që – me të drejtë – ka lulëzuar në Shqipëri pas vitit 1991, zgjedhjet e përdorura nga Mustafaj dallohen për rafinatesë e origjinalitet. Hetimi spostohet drejt faktit specifik, të dekontestualizuar nga Historia e madhe, i cili tenton të riprodhojë në mënyrë të besueshme dinamikën psikologjike të personazhit. Mendjeshkurtësia e një funksionari, i paaftë të kryejë detyrën e tij, madje i paaftë edhe vetëm ta kuptojë atë (Jakup Cena); shkathtësia e druajtur e një mësuesi të një shkolle fillore i cili, në vijim të një fjalie që shqipton pa u menduar, fillon e trajtohet si një figurë autoritare e shërbimit të sigurimit kombëtar (H. P.); guximi i palogjikshëm i një cigani i cili pretendon t’i vërë të birit emrin e diktatorit kinez Mao Ce Dun (Hekuran Romalini). E mund të vazhdojmë ende. Rrjedha e marrëdhënieve shoqërore, të droguara nga shqetësimi se dikush po i kontrollon vazhdimisht, degradon në mënyrë gjithmonë e më të theksuar, derisa shndërrohet në një mani persekutimi, një ndjenjë që sedimentohet në spiralet rreth të cilave mbështillen dhe gërshetohen historitë e ndryshme. Ndaj, mund të thuhet se romani rikrijon atë psikopatologji të veçantë degjenerative që ngërthen jo aq shumë etikën e personazheve sa mendimet e tyre. Pjesët në të cilat – shumë shpesh përmes menaxhimit të këndvështrimeve nga ana e narratorit – ne i dëgjojmë të reflektojnë dhe të hipotezojnë mbi një kërcënim të mundshëm në dëm të tyre janë shumë herë më të dendura se pjesët e tekstit kushtuar veprimeve të tyre. Prandaj, nga pikëpamja e sjelljes, aftësia e tyre konjitive komprometohet, njësoj si aftësia e natyrshme për t’u lënë hapësirë emocioneve sipas një mekanizmi tipik njerëzor, bazuar në reagimet ndaj asaj që perceptohet në lidhje me të tjerët. Ky komprometim i një prej dinamikave ndërpersonale bazë, i trajtuar në lartësi të ndryshme të hierarkisë sociale, është dëshmia më e drejtpërdrejtë e skizofrenisë kolektive e cila përbënte – jo vetëm në Shqipëri – ambientin më të përshtatshëm për përhapjen dhe ruajtjen e totalitarizmit europian. Nisur nga një ideologji dominuese e imponuar me forcë, përqendrimi i pushtetit në duart e një oligarkie të vogël garantohej (në Shqipëri për gati pesë dekada) nga rrafshimi i detyruar i mendimit. I vetmi mekanizëm mbrojtës, jo ndaj autoriteteve, por mes personave të thjeshtë, bëhet ai i gënjeshtrës, i ngritur si mburojë e vetëpërfaqësimit të gjithsecilit. Personazhi tipik i vënë në skenë nga Mustafaj vëzhgon situatën, nxjerr konkluzione (shumicën e rasteve të pasakta) dhe vendos të veprojë duke pasur ndër mend një qëllim të fshehtë, duke simuluar një depistazh që ndoshta mund ta shpëtojë. Do të përmend vetëm një moment, ekzemplar dhe thellësisht tregues të kësaj tendence: gjatë një periudhe pushimesh, mësuesi H. P. e gjen veten duke ndarë një dhomë me një koleg të moshuar, Mersinin misterioz dhe të heshtur. Të dy, të shtrirë në shtrat në mbrëmje, mendojnë se mund të spiunohen nga tjetri për motive të errëta politike. Dhe, për këtë arsye ata shtirin interes për një bisedë groteske, çdoherë e njëjtë, ku lavdërohet ushqimi, klima, dielli, Partia. Ndoshta nuk mund të përshkruhej më mirë se kaq ajo psikozë masive gjigante që filloi me ardhjen e epokës së kontrollit.
Të vepruarit duke pasur ndër mend një qëllim të fshehtë thamë, duke simuluar dhe duke zbatuar manovra që synojnë të largojnë vëmendjen nga qëllimet reale të strehuara në fshehtësi të personazhit. Gjykimi vlerësor ndoshta nuk është një nga gjërat e para që duhet të shqetësojë lexuesin profesionist kur i qaset një romani. Por, një gjë mund të thuhet me bindje dhe objektivitet: shumë nga literatura që ka ngelur, duke i rezistuar provës së kohës, ka arritur të përshkruajë, me një vështrim të vetëm dhe me saktësi ekstreme, një stinë të caktuar të historisë njerëzore, duke rezultuar aktuale edhe shumë kohë pas gjenezës së saj. Kanë kaluar gati tridhjetë vjet nga botimi i parë i Daullja prej letre; është, siç u përmend, një roman i shekullit të kaluar. Në dritën e këtyre shënimeve e pas një leximi të tillë, pushtohemi nga disa reflektime të habitshme, reflektime të cilat po t’i hedhim një vështrim gjendjes sonë aktuale antropologjike të homines videntes marrin një karakter fort parashikues. Një tipar karakterizues i kësaj shoqërie hiperreale, likuide, teknologjike dhe artificiale është simulimi. I përcaktuar si du spectacle nga Debord-i në një ese të famshme të fundit të viteve gjashtëdhjetë (1967), konformimi virtual i kohëve tona priret drejt një emanimi të një individualiteti të superstrukturuar, joautentik, dedikuar tërësisht mistifikimit të realitetit të dëshiruar nën perspektiva të rraskapitura nga dimensioni virtual i përvojës. Përsëri, nën maska e dukje të ndryshme, një çmenduri e ndryshme kolektive ka pushtuar njerëzit. Një çmenduri që e gjen zanafillën në procese komplekse sociologjike bashkëkohore dhe që, megjithatë, pas një vështrimi nga afër, nuk ndryshon shumë nga ajo që tregon Mustafaj, veçanërisht nëse merren parasysh implikimet e saj alegorike të pamohueshme. Është edhe për këtë arsye që zhytja në faqet e romanit të tij nuk duhet konsideruar thjesht një ushtrim i këndshëm leximi.