Kreu Opinion "Është vonë për të besuar", ese nga Rexhep Ferri

“Është vonë për të besuar”, ese nga Rexhep Ferri

1.

Lërini lojërat e fjalëve!

Nuk jemi duke ditur çka po bëjmë.

Njeriu tani është robot i dirigjuar me telekomandë.

Unë nga koha e kaluar gjeta kohë të vazhdoj.

Është vonë për të besuar.

– Merre, ndize një cigare. Ulu. Prit. – koha, plagë dinake më tha. – Mos shko më larg. Kurrë nuk ka pasur më shumë maskara:

Për të qeshur.

Për të qarë.

Pritmëni!

Mos shkoni pa mua!…

Nga heshtja kemi mësuar shumëçka…

Gati e pabesueshme.

Nga mjegulla dhe legjendat gjithmonë më është dukur se po notoj mbi valët e ujërave të panjohura.

Kur vjen një valë tjetër, për hesapet e një kohe tjetër, edhe unë e qes një maskë.

Fillimet tona janë të largëta.

Koha e përshtatshme ka një lidhje planetare.

Njeriu ndoqi të veten.

Zoti nuk gjeti përgjigje.

Si do të veprojmë?

A ka histori?

Zemër…

Nuk e di.

Njeriu a mund të jetojë pa zemër…

2.

Kush po pret.

Kush po pyet!

Për nesër s’ka Zot!

Bukuroshja e Fjetur është zgjuar pas tre mijë vjetëve.

Kjo legjendë ndoshta është edhe fati ynë.

Për hesapet e fatit, këto fillime shkojnë nga jeta deri te përtej jeta…

Unë dhe Ai që doja të isha, sa herë kam dashur t’i numëroj e t’i kujtoj vitet e kam harruar kohën me të cilën po jetoj.

Kjo histori nuk shkon më larg…

Është vetëm një e kaluar.

Seriozisht më shqetëson.

Ne, shqiptarët e pesë shqiptarhaneve “jemi vend i vogël, tepër i vogël edhe për ta gjetur në çdo hartë”.

Shikojeni diellin.

Duhet të më besoni.

Kur djalli e luan lojën, njeriu ndalet.

Qanë nga gëzimi…

3.

Përkuljes para zjarrit sot pakkush i beson.

Si më erdhi kjo ide e lashtë pagane nuk e di!…

Me vetminë e njeriut kam filluar të mësohem.

Jeta ka shumë të panjohura.

Pakkush e di.

Njeriu i ditëve tona e hoqi qafe besimin. Shpesh largohet edhe nga mendimet e veta.

Një ëndërrues më pyeti:

– A keni çka të mbani mend?

– Nuk jam ai i atyre viteve kur i besoja njeriut. Tani jam në kohën e provokimeve. Kush e kupton e kupton, – i thashë.

Ai para se të largohet më tha:

– Lufta e pas lufta kanë shumë pazarxhinj. Edhe kur jemi më të fortë se guri nga uria e nga lakmia e tradhtojmë edhe Atdheun. A e di a nuk e di: paraja na pëlqen. Ajo na i ngatërron mendimet dhe kërkesat. Mua edhe tani po më kujtohet ajo ditë kur dikush dikujt i tha: “Merri paratë e shko e vraje Hasan Prishtinën!” Kush e tha: përgjigjja mbeti si krah i thyer.

Në përrallën për të jetuar.

4.

Nuk e kam të lehtë për ta kuptuar.

Krejt çka kërkon njeriu nuk e ka as deti…

Kam parë luftëra.

Por nuk po shoh njerëz.

Pas çdo çmendurie kend ta presim.

Një frikë e zezë, një trishtim i zi po më shqetëson.

Kjo frikë nuk është kaluese.

Ndoshta as unë nuk jam ai që isha.

Nuk e di sa jemi duke e kuptuar njëri-tjetrin.

Godoja i Beketit ka vdekur.

Humbjen kemi filluar ta kuptojmë.

Te guri kilometrik i Rrugës së Kombit u ndalëm për t’i dorëzuar armët.

Njerëzve të dëshpëruar, ky realitet u erdhi si poshtërim.

Jeta edhe si poshtërim më i madh.

Për ta kursyer fillimin, kurrë s’e kam menduar se njeriu mund ta mbyllë ciklin e jetës me fajin e vet.

Kur era fryn e fryn, gjatë kësaj kthese edhe humbjen kam filluar ta kuptoj.

Duke harruar se çdo gjë fillon me hapin e parë.

Në anën tjetër të kufirit, ku diplomacia politike, përdoret për interesa personale, trishtimin po e lëmë për nesër.

Qetësohuni!

Patriotët sojlinj i dinë rregullat.

Ylli më i bukur është i padukshëm.

5.

Kur të gjithë flasin kot flasin.

Sidoqoftë e kurdoqoftë, për mitin e njeriut do të kërkojmë kohë shtesë.

Për të harruar historinë e shkruar e kam një sekret.

Kur vetja më duket lum, nisem për në hënë.

Vetes i kam premtuar dhe duhet të shkoj.

Po jo si i çmendur dhe jo për të qëndruar atje.

Të ulemi të pushojmë e ta pimë nga një gotë konjak “Skenderbeg” e pastaj të dalim me shëtit vetëm.

Nga dielli dritën e kemi falas.

Kur presim më shumë se pak asnjë ëndërr nuk na del ashtu siç e shohim.

Për vjedhjen e thesarit duhet ta pysim veten.

Tani nuk e kam asnjë pyetje, asnjë përgjigjje.

Jeta na shkon duke ecur mbrapsht.

Për ëndrrat e kësaj bote, nga jeta e përtej jetës, zemër zgjohu.

Mendova se ishte mirë, si është e mundur.

Më fal për dje, edhe në kushtet më të mira jetësore nuk ka më rregulla për mirësjelljet njerëzore.

6.

Kur vjen një kohë e shkon një kohë.

Nuk e di pse kthehem e shkoj deri te koha që besohej në shumë zotëra.

Deri te koha e Zeusit, që ka qenë kurvar i madh!…

Prandaj sot kemi shumë kopila pa babë.

Mos më keqkuptoni.

Nuk është as jetë, as vdekje.

E piu e zeza!

Duke vuajtur në vetmi historia nuk përsëritet.

As që duhet të përsëritet.

Edhe pse duhet të jetë njësoj, nuk e kuptojnë.

Për të gjitha këto humbje askush nuk e thotë të vërtetën.

Histori, më shumë se histori.

Jo pse patëm fat dhe jo pse kërkojmë diçka që nuk e dimë.

Legjenda vazhdon.

Edhe pse mund të jetë më mirë. Harrojeni historinë.

Kaq kot jetojmë…

7.

A e dini a nuk e dini, shkëlqimi i parasë shumëkujt ia verboi sytë.

Në një tjetër kohë, me një tjetër frymë mbeta pa mend e pa frymë.

Për të qenë më afër fushëpamjeve të mia, mendoj se jeta ka shumë lumturi dhe shumë ndryshime.

As unë nuk e kam të lehtë për ta kuptuar.

Tani nuk kemi asgjë të paharruar.

Si do të vazhdohet nuk e di.

Ku ta gjej e ku ta shikoj të vërtetën, pritja më thotë: Mos qaj!

Kemi ndryshuar.

Edhe shikimin, edhe kërkesat i kemi të ndryshuara.

Thjesht, nuk jemi të lumtur.

Edhe pse i kemi të gjitha për një jetë…

Përpara a ka qenë më vështirë, ka qenë.

A ka qenë më mirë, ka qenë.

Besonim njëri në tjetrin.

Thjesht: kishim me kë të flasim.

Me kë të bisedojmë.

Tani nuk e di as vetë për çka vuajmë.

Dhimbjet dhe urrejtjet i kemi të njëjta.

8.

Lëreni mirësjelljen!

Mirësjellja nuk është për ditët e kohës së tashme.

Të shkruhet se je budalla.

Duhet të ikim shpejt.

Duhet të jemi në kohë.

Tani e shikoj veten.

Më vjen keq.

Asnjë njeri që e njoh. Dhe, prapë shikoj.

– Zotëria juaj ku e ke hallin?- më pyeti një prostitutë. – Çka po kërkon? Pse erdha unë?! A të shkojmë në një funeral?

– Kush ka vdekur?

– Ka vdekur kush ka vdekur. Vështirë është për një fillim. Kush është viktimë?

Kjo pyetje pret dhe harron se çka pret.

Një kohë e harruar që tani më erdhi më tha:

“Dëshpërimi i pakuptueshëm të gjithëve po na bie në sy! Si realitet e kemi shumë të vështirë ta pranojmë”.

9.

Patriotët tanë mashtrues nuk pushojnë.

Flasin.

Premtojnë.

E, në anën tjetër vazhdojnë rrugën vetëm për interesat e tyre personale.

Me vite e vite thesarit kombëtar ia kanë lodruar nënën.

Për rolin e historisë, mbijetesa është në krizë.

Na duhet prapë të mësojmë nga historia e pashkruar.

Nga miku dhe armiku, vonesa po na kushton.

Dëshpërimi po na çon në shkretëtirë.

Për ta parë Hënën e shkretëtirës.

Në shkretëtirë Hëna shihet si mbretëreshë.

Vazhdon rrugën.

Shkon e prapë kthehet.

Në shkretëtirë çdo gjë është më e madhe se realiteti.

Shfrytëzojeni këtë fat.

Patriotët hileqar nuk kanë turp.

Nuk kanë as fytyrë, sepse nuk janë kurrkushi.

Me famën e tyre të rrejshme na është acaruar jeta.

Në këtë pike, vizë, pikë, ka shumëçka të çuditshme.

Helmuese.

Në të dyja anët humbje e tmerrshme.

SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

Ju lutem lini komentin tuaj!
Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

Artikujt më të fundit

Anna Dostojevskaja: Një bisedë me Tolstoin

Me konteshën Sofia Andrejevna Tolstaja jam njohur në vitin 1885, kur në një nga ardhjet e saja në Peterburg ajo, e panjohur...

Arb Elo: Piramidale

1. Pas njëzet e ca vjetësh prej botimit të parë, u bëra mbarë të lexoj “Piramida” e I. Kadaresë,...

Yzedin Hima: Vjeshta e përjetshme e Dhori Qiriazit

I harruar në atë fushëtirë të ngrirë në këmbë të maleve në Juglindje, Dhori Qiriazi shëtit pasditeve më tepër brenda vetes se...

Ali Aliu: Ndryshe ndihem mirë në Shkup, ndryshe në Tiranë, ndryshe në Prishtinë

Intervistoi: Bujar Hudhri I nderuar profesor, kujtimet e fëmijërisë nga Kranja, fshati juaj i lindjes buzë liqenit të...