Kreu Letërsi Kritikë "Erotika" e Janis Ricos

“Erotika” e Janis Ricos

Eleana Zhako – përkthyese

Amor Vincit Omnia*

[*Dashuria pushton gjithkënd]

Virgjili

Një poet në fillim të të shtatëdhjetave, me një profil të skalitur nga një skulptor i panjohur i Greqisë së lashtë, me një mjekër gjysmë të hirtë, që ia thekson më tepër konturet e fytyrës së tij paksa të gjatë, me një cigare të përhershme në gishtërinjtë e tij, dhe që pjesën më të madhe të jetës ia kushtoi bindjeve komuniste dhe poezisë, ka një emër të njohur tashmë në gjithë botën: Janis Ricos.

Janis Ricos (1909 – 1990), nuk është aspak i panjohur për lexuesin shqiptar. Një pjesë e madhe e veprave të tij poetike, janë sjellë në gjuhën shqipe gjatë një periudhe të rëndësishme kohore, gati pa ndërprerje, me pikënisje librin “Mëhallat e botës”, përkthyer nga Spiro Çomora, më 1961. Ajo çka e bën të dashur poezinë e Ricosit për përkthyesit shqiptarë, është fqinjësia me Greqinë, fryma e majtë e poezive, larmia e tematikave të tij, lirizmi mallëngjyes dhe bashkërenditja krahas poetëve më të njohur botërorë. Ricosi është ndër poetët grekë më të përkthyer dhe bashkë më dy nobelistët grekë, Odhiseas Elitis dhe Jorgos Seferis, përbën poetin e tretë grek, i cili ishte në prag të Nobelit, por që për shkak të frymës së theksuar politike të poezisë së tij, mbetet “nobelisti i panominuar”. Por, porsi poetët, Pablo Neruda (1953), Bertolt Brecht (1954), Luis Aragon (1957), Kostas Varnalis (1959) dhe piktori Pablo Pikaso (1962),  Ricosi, do marrë në vitin 1977, “Çmimin Ndërkombëtar të Paqes Lenin”, i cili ishte çmimi më madhor i Bashkimit Sovietik dhe ekuivalenti i Nobelit.

Në vëllimin poetik, që i prezantohet lexuesit shqiptar, nga Shtëpia Botuese “Dituria”, me titullin “Erotika”, poezia e tij i largohet frymës së theksuar politike, që karakterizon krijimtarinë e tij të viteve më të hershme, dhe i kushtohet Erosit, Imerodit, dashurisë mishtore, mallit për të dashurën, gjumit dashuror pas dashurisë. Në fund të të gjashtëdhjetave të tij, gati dhjetë vite para vdekjes së tij, Ricosi do i falet Erosit me përdëllimin e një besimtari të përbetuar. Kërkon të sfidojë nocionin e kohës, këtij Polifemi gllabëritës, përmes verbimit të tij me shigjetën e dashurisë.  Dashuria për poetin nuk ndalet as në gjumë. Porsi lumi, ajo rrjedh vazhdimisht dhe merr me vete gjithë pemët e gjithë zogjtë.

Gjumë dashuror pas dashurisë. çarçafë të djersitur

që varen nga shtrati përtokë. Dëgjoj nëpër gjumë

lumin e fortë. Rrjedh ngadalë. Trungje të mëdha pemësh

rrëshqasin në të. Në degët e tyre një mijë zogj

udhëtojnë pa lëvizur me një këngë të zgjatur

uji e gjethesh, që ndërpritet nga yjet. […]

Erotika, përbëhet nga tre pjesë, të cilat pavarësisht ngjashmërisë, dallojnë nga njëra – tjetra për nga stili, vargu dhe veçanësia. Pjesa e parë, e cila titullohet “Suitë minore në të kuqe maxhore”, përmban 44 poezi të shkurtra, të cilat nuk janë të ndara në strofa dhe vihet re mungesa e shenjave të pikësimit. Poezia për Ricosin është një akt i pafundmë dashuror, ku fjalët përflaken, porsi lëkura e burrit dhe e gruas kur bëjnë dashuri, është kazma dhe lopata mbi mermer, kokrriza e rërës ngjitur në trupin e të dashurës, qiell i kuq i mpiksur, filxhani i porcelantë ku pasqyrohet lakuriqësia e saj, rrënjë të kapërthyera, gjithë universi, i mbrujtur me spermë, bajgë e lule limonësh.

Pjesa e dytë “Trup lakuriq”, është një poemë erotike vargjesh të shkurtra, ku poeti mbyllet në trupin e së dashurës, fle e zgjohet brenda saj, në qendër të vargut ndodhet vetëm ajo dhe krejt natyra, trëndafili që lartësohet i vetmuar, ylberi, pylli i praruar, druvarët, zogjtë, deti i Monemvasias, vendlindjes së poetit, fiqtë e egër mishtorë, figura të lashta mitologjike, Odiseja, Penelopa, Imerodi, ngjizin imazhin e muzës së tij, që ndodhet larg.

Dy muaj që s’u pamë.

Një shekull

e nëntë sekonda

Ndërsa, pjesa e tretë, “Fjalë mishtore”, janë poezi që ngjasojnë më tepër me proza të vogla poetike, për nga struktura e vargjeve. E dashura e poetit është një Diotimë mishtore, e kundërta e Diotimës platonike të lashtësisë, e cila përmbledh në trupin e saj gjithë trupat, që ai preku, vështroi, mori, ëndërroi; është një prostitutë – rioshe, që prishet, pa çarë kryet për paratë e klientëve mbi komodinë; një vajzë, që qëndron poshtë lulemollëve dhe petalet futen mes gjinjve të saj; një vajzë me përparëse të bardhë, që mbledh të vrarët e zhveshur.

-Mishra të çarë, gjak-

nuk është gjaku i 27 ditëve të tua; por edhe ai

më zbramps, më pengon, më tundon. Gjaku

është bërë që të rrjedhë shpengueshëm nëpër vena; që ta

dëgjosh përgjatë natës

zemër me zemër, si muzika që vjen poshtë dyshemesë sonë,

ku një tjetër çift

me muzikë po përgatit më thellë dashurinë e tij.

Erotika, është kuintesenca e krijimtarisë erotike më të rëndësishme të shkrimtarit, është grahma e tij e fundit për t’u përballur me vdekjen.

SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

Ju lutem lini komentin tuaj!
Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

Artikujt më të fundit

E përtejmja e qenies dhe e atjeshmja e poetit (Sprovë për një lexim pragmalinguistik të poezisë “Kur të jesh mërzitur shumë”) nga Tomorr...

Kur të jesh mërzitur shumëKëtu s’ do të jem, do jem larguar; Në tokë i tretur si të tjerët, Në kafenenë...

Alba Kepi: Gjurmë shqiptare në qytetin më antik italian

“Vrimat e zeza” të Levit “Përballë ishte një mal tullac e shterpë me një ngjyrë të shëmtuar gri, pa...

Shkrimtari i ri përballë kohës, vendit dhe besueshmërisë (Refleksion para “Panairit të Librit”) nga Andreas Dushi

Muaji i librit, tetori, dhe muaji i Panairit, nëntori, më bënë të mendoj se si një shkrimtar i ri qaset në realitetin e...

“Përshëndetja e nënës”, tregim nga Ljudmilla Petrushevskaja

Përktheu nga origjinali Aleksandër Koli Olegu, një djalosh i ri, kur i vdiq e ëma mbeti jetim. Mbeti...