Kreu Letërsi Kritikë Ernest Marku: Fjalori Fishtjan i Frano Kullit

Ernest Marku: Fjalori Fishtjan i Frano Kullit

“Fjalori i veprës së Fishtës”, me autor Frano Kullin, nji tjetër vepër serioze që i shtohet skedarit të leksikografisë të së ashtuquejtunës “Biblioteka e Letrave Shqipe”, sjell edhe një vlerë të re e të çmueshme në thesarin e shqipes, sidomos me një lëndë të saj të “harruar”, a më saktë të nxjerrë përdhunshëm e të tretur qëllimshëm në skutat e harresës. Është e njohur e gjithëpranuar se vepra e At Gjergj Fishtës, ngerthen brenda vetes nji pasuni të pashtershme gjuhësore, me një larmi trajtash e formash, që i kanë dhënë posë të tjerash edhe profilin e epërm letrar e dominues për së paku katër dekada, autorit. E njohur dhe e pohuar tashmá kjo e dhënë, ç’ka përbën edhe veçorinë e spikatur të korpusit të veprës së autorit shënon një sipërmarrje jo të lehtë, medjé (madje) të guximshme siç është hartimi i nji fjalori të saj. Në përgjithësi, fjalorët e veprës së autorëve të traditës letrare, janë një kontribut i vlertë dhe i spikatur për gjuhën shqipe. Për më tepër fjalori i veprës së një autori të një formati si Fishta sidomos, me nji pasuri e larushi leksikore, të dallueshme i vendosun në “kryet e vendit” të bashkëkohësisë së vet. Megjithatë, mendoj se Frano Kulli ia ka dalë me sukses nji pune të tillë të mundimshme, gërmuese e hulumtuese, në radhë të parë, por edhe të parashtruar, në respekt të rregullave të mirëfillta akademike, duke na dhanë kështu nji vepër të parametrave të kënaqshëm shkencorë. Dhe po aq, një fjalor doracak lehtësisht të përdorshëm. Fjalori na jep informacionin e duhun për secilën fjalë a shprehje, kuptimësinë në përdorimin e sotëm, në një a më shumë forma të saj, por sjell për secilën fjalë a shprehje edhe veprën në të cilën ajo fjalë a shprehje gjindet, apo kontekstin në të cilin asht përfshi e kuptimin që merr në vargje. E për më tej, në përmbushje të kësaj kërkese sillen si shërbesë ilustruese edhe shprehje apo idioma që e permbajnë atë fjalë.

Natyrisht qëllimi kryesor i autorit të këtij fjalori, siç ai vetë e pohon që në krye të herës asht rivendosja e urave të komunikimit midis lexuesit dhe vepres së Poetit Kombëtar, nevojë kjo që evidentohet që në parathanien e tij ku shprehet: “Shkëputja e gjatë shkrimtar-lexues, padyshim që ka krijuar një përthyerje, në mos te kuptimi, te shijimi i veprës së Fishtës”.

Por, më përtej kësaj, Kulli ka zgjedhur të ndërtojë një fjalor, brenda të gjitha rregullave leksikore, siç do ta kërkonte nji punë profesionale e akademike, pavarsisht vështirsive të reja që dalin në këtë drejtim. Shumë idioma apo vargje të tana të Fishtes, asht ma e lehtë me i shpjegue të plota, ashtu siç bahet rëndom në botimin e veprave poetike të Tij; por autori i këtij fjalori ka zgjedhë rrugen tjetër ma të vështirë, atë që asht edhe më e kodifikuara shkencërisht, në të njejten kohë, duke na zberthyer fjalen në fillim dhe pastaj duke na e ilustrue atë me shembujt e perdorimit të saj në tekstin letrar. Për shembull: para se me shpjegue vargun: “ia lnuren zemren”, Franoja në fillim shpjegon foljen “l’nur” dhe pastaj e paraqet vargun e masiperm si nji figuracion, por e shpjegon edhe até e kuptimin shprehimor. Në këtë kontekst, ky fjalor, përveçse nji çelës për leximin e Fishtës, asht edhe nji veper studimore, e konceptueme me qartsi e synim akademik.

           Në fakt, nisma për të hartuar një fjalor të veprës së Fishtës ka pasë edhe mjaft ma heret. Është ajo e Benedikt Demës, që në vitin 1941 me “Fjalori i fjalëve të rralla shqipe e i fjalëve të hueja të përdoruna në vepren e At Gjergj Fishtës “Lahuta e e Malcís “, më vonë ajo e Tahir Kolgjinit, me “Shpalime rreth Lahutës”, Istanbul 1969. Sikurse, autori ikurse, autori çmon edhe punën e bërë nga Tonin Çobani, Ndue Zef Toma, Tefë Topalli, Stefan Çapaliku e Hamit Boriçi me fjalësin shpjegues, të vepres së plotë të Fishtes, përgatitur nën redaksinë e tyre dhe botuar nga “Enti Botues Gjergj Fishta”. Kurse Profesor Topalli, sipas tij, ka ofruar edhe nji kontribut të veçantë në hartimin e këtij fjalori, si specialist i spikatur gjuhe, me punën e kujdesshme redaktoriale që ka ba. Por, përtej kësaj sa më sipër, “ena” leksikore e fjalorit ka mbrenda edhe “të vjelat” nga burime të tjera fishtjane, përposë korpusit të plotë të veprës letrare. Në fjalor zënë vend edhe një numër jo i paktë fjalësh e fjalëforma, që janë vjelë nga letërkëmbimi i Fishtës, të cilat nuk gjinden në veprën letrare. Porse janë sjellë edhe një buqetë fjalësh nga fusha e arkitekturës, gjithashtu, hulumtuar nga dorëshkrime arkivore të Fishtës, duke synuar kështu në një vjelje sa më shterruese të gjithë asaj lënde-thesar për gjuhën shqipe. E gjitha kjo kerkon nji punë të mundimshme filtruese, investiguese dhe konverguese, të cilen Franoja e ka perballue me sukses. Vite ma parë, autori i ktij shkrimi, pati ndermarrë nji punë për hartimin e nji fjalësi, si nji çelës per veprat e Fishtës, Camajt, Koliqit dhe e korifejve të tjerë të letersisë gege të shekullit XX, tue tentue me ruejtë e me sjellë në kujtesë, mjaft fjalë e shprehje që po rrezikojnë të humbin; por i gjithi ky arsenal fjalësh e shprehjesh, mbeti pa u kornizue brenda rregullave të leksikografisë dhe metodave të trajtimit etimologjik të nji fjalori të mirëfilltë. E solla két shembull, per me tregue vleren e punës së autorit Kulli, me két veper dinjitoze, me t’cilen ai e ka pasunue biblioteken e admiruesve e lexuesve të veprave të Fishtës në veçanti, si dhe të letersisë gege në përgjithsi. Kudo qofshin, jo vetëm në veri, po edhe në jug të Shqipërisë e kudo ku janë dashamirë të leximit të saj, përreth nesh e në diasporë, që në respekt të së vërtetës, do pohuar se nuk janë të paktë.

Natyrisht që, në konceptin e ndërtimit të këtij fjalori, janë të pashmangshme turqizmat, arabizmat e sllavizmat, po ashtu edhe fjalëforma autentike të fjalorit fishtjan të huazueme nga latinishtja, italishtja, frengjishtja apo gjermanishtja. Fjalët me origjinë lindore apo si me thanë fjalët e huazueme nga popujt brenda Perandorisë Osmane, janë përdorë shpesh prej Fishtes, në zhargonin e kohës kur asht shkrue vepra; gja e cila asht pasë parasysh prej z. Kulli dhe asht respektue gjatë shpjegimit të tyne, sipas kontekstit. Neologjizmat e autorit të “Lahutës së Malcis”, apo edhe fjalë të tjera të fjalorit fishtjan, të cilat janë përdorë apo ngërthejnë kuptime të pashpjegueme ma parë; janë trajtue me kujdes nga ana e autorit të këtij fjalori, duke i shplalue mjaft mirë kuptimet e nenkuptimet, kontesktet e nentekstet; me nji gjuhë të zhdervjellët interpretative, por edhe me ilustrime të larmishme nga teksti. Respekti që Frano Kulli ka ndaj paskajores dhe gjuhës gege në tanësi, e shtyn atë që, gjatë shpjegimit të foljeve me fjalë të fjalorit të sotëm, ai i vendos ato sërish në mënyrën paskajore. Por edhe për një arsye tjetër  studimore, siç na e shpjegon autori:”Foljet në paskajore, mënyra e të cilave në “standart” nuk e jep kuptimin që ka në fjali, shpjegohet po ashtu në paskajore. Shembull: nis me hjekë- nis me heqë, me dhanë shpirt, me i dalë shpirti .”

Tue e shfletue két fjalor, ndeshesh me fjalë e shprehje që ta ka andja me qenë pjesë e të folmes s’perditshme, që do ta kishin pasurue e rivitalizue gjuhen shqipe, në perballjen e saj me nderkalljen e fjalëve teknologjike apo t’atyne mediatike. Fenomen ky i gjithëpohuar si një shqetësim i madh që po e rrudh shqipen, krejt përkundër rrjedhës , që do të kishte nevojë të ndiqte cilado gjuhë, e vogël a e madhe. Po nuk është rendi i kësaj trajtese në këto radhë. As qëllimi kryesor i autorit të këtij fjalori nuk ka qenë ky. Por të merresh me fjalorin fishtjan dhe t’mos e kesh két pritshmëri, asht e pamujtun. Nji lexuesi të censhëm, a mundet mos me ia ndezullue leximin fjalë si: i amshtë, animirë, ma ka anda, perbind, çukurmoj, gurrojshin, gjakim, gjallon, knellet, ia kande, kacagjelas, kulihum, lazdrues, mbamendje, mirakande, mirgjendje, mungullojshin, prujshem, pamashtri, e patranshme, pretare, papajambajtas, ryset, qanderr, t’lemje, trupoj, e thukët zhgjanderr  e plot e plot të tjera?

Padyshim që ky fjalor asht nji hap i randsishem perpara në két terren linguistik, ku enigmat shtohen sa ma thellë që të futesh dhe ku nderkohë, rriten edhe mundësitë per me zbulue thesare të reja gjuhsore, si edhe per me rizbulue rrajët tona etno-kulturore të mbarsuna në két skelet të pavdekshem gjuhsor.

Fjalorthi i emnave të njerëzve e vendeve, zanave, hyjnive e personazheve mitologjikë” që i bashkëngjitet fjalorit si shtojcë, asht nji vlerë e shtueme e k’tij botimi. Emna zanash, perëndish pellazgo-ilire, emna heronjsh të mitologjisë greke a romake, apo edhe personazhe të letersisë botnore, që nga latinët e helenët e deri te Dantja apo Shekspiri; krah per krah me emnat e herojve dhe të vendeve-arenë të ngjarjeve heroike, t’permenduna kryesisht në ”Lahuten e Malcis”; vijnë n’két fjalor, t’shtjellueme me përgjegjësi studimore e kompetencë, por edhe me erudicion, fantazi e koherencë kontekstuale, duke qëmtuar deri thellë nentekstit fishtjan.

Në fakt, ky fjalor, ma shumë se sa “Fjalor i Vepres së Fishtës”, siç e ka emnue autori; do ta quejsha edhe unë siç e pagëzoi profesori e akademiku i asociuar, Stefan Çapaliku, si Fjalori i Gjuhës Shqipe deri në gjallje të Fishtës. Me két percaktim, po duem me thanë se gjuha e Fishtës asht gjuha e popullit shqiptar, popull mes të cilit e per të cilin ai gjalloi e punoi; popull i cili i kuptoi, i shijoi dhe i mësoi permendësh vargjet e Tij, prej Shkodret e n’Gjirokaster. Ndoshta, ma shumë se bukuria e vargjeve, ma shumë se ndjenja e atdhedashunisë që ato ngjallën në shpirtnat e shqiptarve; vlera ma e naltë e vepres së Fishtës, qendron te fakti se Ai shkroi e krijoi mjaft bukur shqip. Kater janë shtyllat mbi të cilat e shërbyen Rilindjen Kombtare, françeskanët me Fishtën në krye, por edhe jezuitët e Mjedës dhe plot patriotë të tjerë, nga Jugu në Veri: “Gjuha, E Drejta Zakonore, Folklori dhe Prralla Shqipe”. Në két kontekst duhet ta shohim vepren e fraçeskanve të papersëritshem të gjysës së parë të shekullit XX, në két qasje duhet ta njohim e ta vlersojmë Poetin tonë Kombtar, si dhe në két hulli kemi plot arsye ta mirëpresim daljen e këtij fjalori të Frano Kullit.

SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

Ju lutem lini komentin tuaj!
Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

Artikujt më të fundit

Henri Matisse, “Shënimet e një piktori”, 1908

Një piktor i cili i drejtohet publikut jo vetëm që t’i paraqesë veprat e tij, por për t’i shfaqur edhe ca nga...

Anisa Markarian: Disa pikla dëshmi në oqeanin e kujtesës së përbashkët

Bisedoi Andreas Dushi A.D: Tuj rrëmue n’do gjana t’vjetra / gjeta nji fotografi. Këto dy vargje nga një...

Anisa Markarian: Trupat e rinj

fragment nga romani «15 ditë prilli» – Botime Çabej Tavolina e laboratorit të anatomisë, e gjatë dhe e...

Sevdai Kastrati: Romanet që janë konsideruar gabimisht (pjesa 5)

Më bën përshtypje se si Fotaq Andrea nuk ngurron para hipotezave dhe ec përpara pa fakte. Pajtohem pjesërisht se Konica nuk...

KATEGORITË