More
    KreuLetërsiShënime mbi libraEnver Kushi: Uran Kostreci, poeti që ringjalli sonetin

    Enver Kushi: Uran Kostreci, poeti që ringjalli sonetin

    Këto ditë ndërroi jetë Uran Kostreci, poeti i mirënjohur dhe një nga njerëzit më të mirë që kam njohur. Uran Kostreci i përket atij brezi poetësh që regjimi diktatorial kërkoi t’ua mbyllë gojën, t’u prangosë shpirtin dhe poezinë. Ai i provoi të gjitha: edhe burgun, edhe torturat në hetuesi, edhe internimin, edhe vetminë e skajshme. Uran Kostreci asnjëherë nuk e uli kokën. Në përfytyrimin tim ai mbetet poeti dhe njeriu me personalitet dhe karakter të spikatur. Deri në fund e ruajti si gjënë më të shtrenjtë dinjitetin. Ai iku nga kjo jetë jo i vetmuar, ndonëse jetonte vetëm. Ai në çdo orë të ditës rrethohej nga miq të shumtë: intelektualë, poetë, shkrimtarë, piktorë, kompozitorë, miq të dikurshëm të burgjeve komuniste..etj. Sa herë që i telefonoja, më thonte se më priste tek “Piazza”. Dhe kur hyja ne lokalin e madh, e gjeja vazhdimisht me miq të shumtë.

    Shkrimi që po publikoj si “In memoriam” është shkruar shumë vite më parë. Le të jetë ky shkrim homazh për njeriun dhe poetin e veçantë Uran Kostreci.

    PËR VITET SHKUAR DËM TË DJALËRISË…

    Elegant, veshur me kostum  ngjyrë të errët dhe borselinë të zezë, me një pamje ku vitet dhe koha duken si të ngrira ose më saktë, në një moshë të papërcaktuar, i çiltër, me humor e i këndshëm në bisedë, gjithmonë në lëvizje, mik i pandarë dhe besnik i cigares e i sonetit – ky është  portreti i poetit Uran Kostreci.

    Jeta e tij para viteve nëntëdhjetë, ka qënë një kalvar i vërtetë vuajtjesh. Në moshën 23 vjeçare, kur kishte shkruar poezitë e para dhe ëndërronte të bëhej poet, arrestohet. Përfytyroni: një djalë të ri delikat, të ndjeshëm e romantik, që flinte me poezitë e Naimit e Petrarkës nën jastëk, të mbyllet në muret e qelisë… Dhe jo pak , por 20 vite. E megjithatë, siç shkruan ai në sonetin “Pendës”:

    S’më la në baltë! N’atë burg mizor,

    Me pendë e sfidova tiraninë

    Midis betonit akull në dhjetor…

    Në vitin 1981 del nga burgu. Ndjehen në portretin e tij 20 vitet e humbura, dhimbja për miqtë që ka lënë në qeli, për vatrën e rrënuar të shtëpisë dhe “vitet dëm të djalërisë…” Ata që e kanë njohur nga afër në ato vite, me siguri kanë dalluar tek Uran Kostreci të pacënuar shpirtin e lirë, romantik, rebel. Edhe kur punoi punëtor krahu, edhe kur për pesë vite të tjera u internua në një fshat të humbur të  rrethinave të Peqinit, ku banonte në një barakë llamarine, nuk e thyen dot njeriun dhe poetin Kostreci…

    Tashmë muzgjet dhe nata e jetës së tij, kanë mbetur pas, si një kujtim i hidhur i një brezi të tërë, që u përball me dhunën e diktaturës… Prandaj tingëllon kuptimplotë vargu i një prej soneteve të tij:”Veç penda më dha forc’ t’i bëj ball ferrit”. Në kushtet e demokracisë dhe lirisë, në Shqipërinë postkomuniste, penda e Kostrecit vjen me një forcë tjetër, duke botuar librin me sonete “Lundërtari dhe deti” (1993), poemat satirike “Epopeja e karkalecëve”(1995) dhe “Agonia e karkalecëve(1996).

    Dhe pas dhjetë viteve largimi nga Shqipëria ( ai emigroi në SHBA në  vitin 1997), Kostreci vjen me një libër të ri të titulluar “Sonete”.

    ME RIMË LIGJËROVA, U THUR SONETI !

    Jam i bindur se pasi të kisha lexuar  sonetet e tij e ndoshta pa e njohur,  kudo që ai të më shfaqej, mes mijëra njerëzve në Nju Jorkun e madh apo në çdo skaj të globit krejt i vetëm, do ta dalloja poetin dhe njeriun me emrin Uran Kostreci. Rëndomë thonë se kështu ndodh me krijuesit. Unë do të thoja se kjo është pjesërisht e vërtetë. Në letërsinë botërore dhe natyrisht edhe në atë shqiptare, janë me fat ata krijues që në krijimtarinë e tyre kanë arritur të formëzojnë portretin dhe shpirtin e tyre. Një prej tyre, në letrat shqipe, është ëngjëlli mbrojtës i shqiptarëve, Naim Frashëri. Poezia e Naimit është e brishtë përtej brishtësisë si vetë poeti, e shenjtë përtej shenjtërisë si vetë Naimi, delikate dhe e dhimbshme siç ishte Naimi ynë.

    Sonetet e Uran Kostrecit ( gjithsej 66), botuar në librin “Sonete” janë portreti dhe bota e papërsëritshme e poetit, jeta dhe shpirti i tij i trazuar. i ndjeshëm ( sikur ecën ngadalë për të mos trazuar vesën e mëngjesit), herë – herë me një dhimbje të përmbajtur, shpëthyes dikur tjetër, si stuhia, për t’u qetësuar më pas, filozof e meditativ për padrejtësitë e kësaj bote, stigmatizues i së keqes, por edhe mëshirues e zemërmadh, ky është Uran Kostreci në librin ‘Sonete”.

    Ai është poet i imazheve   dhe kontrasteve të fuqishme. Optika e poetit, duke lëvizur në kohëra dhe hapsira konkrete, përcjell tek lexuesi emocione të veçanta drithëruese. Edhe kur i këndon natyrës (këto ndoshta janë sonetet më të arrira), edhe kur jep motive nga jeta e tij e dhimbshme apo në të tjera, nëpërmjet rrëfimeve të thjeshta e jetësore, ai të rrëmben me fjalën, figuracionin e pasur, por veçanërisht me imazhet poetike dhe gjendjet emocionale që ato krijojnë tek lexuesi. Do të mjaftonte soneti “Stuhia” për të  ndjerë forcën e imazheve dhe fjalës poetike, e cila më kujton vrullin e muzikës së Bethovenit:

    Kjo stuhi sonte, ankth jep dhe drithërima,

    Papritmas qielli sterr ndizet flakë,

    Nga gjarpërinjtë e zjarrtë shkreptima

    Dhe shndritja kthehet fill në terr mbas pak.

    Dhe në dy strofat e fundit, me një kontrastim mjeshtëror, sjell një atmosferë tjetër:

    Po siç ja mbath fantazma kur sheh dritë

    Furtuna shpejt fashitet sapo agon

    Natyra e lodhur shtang një çast, dremit.

    Pikëlojn’ drizat, dheu avullon;

    Del bagëtia, zogu çuçurit.

    Sheh… diellin  bari e shtriqet mugullon.

    Kostreci zotëron mjeshtërisht fjalën dhe vargun në sonetet që ka krijuar. Dhe kjo nuk është pak. Sepse të zotërosh fjalën dhe vargun, t’i vendosësh ato në vendin dhe kohën e duhur, kjo quhet në krijimtari mjeshtëri artistike. Dhe  më shumë se kushdo këtë e kërkon soneti. Poezia e vërtetë, po veçanërisht soneti, nuk duron tepri fjalësh. Sepse soneti është delikat dhe i brishtë si njeriu në adoleshencën e tij apo edhe si një vajzë e re e bukur, e brishtë, që akoma nuk ka provuar puthjen e parë… Poeti në këtë libër i ka nën komandë fjalët, ashtu si në ushtri gjeneralët e zot komandojnë ushtarët e tyre. Kjo nuk është e lehtë të arrihet. Të zotërosh fjalën do shumë mund, lodhje, tension, vëmendje, përqëndrim, pagjumësi, sepse në poezi fjala i bindet  poetit, që njeh çdo nuancë të saj ose që sheh përtej asaj që mund të shohë njeriu i zakonshëm.

    Tek soneti  “Gjallesa nate”, fjalët si ca qingja të urtë, rrinë bukur pranë  njëra – tjetrës e ku lexuesi ndjeu bukurinë e poezisë së vërtetë ose ngjitet në majat, ku zotëron qetësia sublime:

    Perëndoi dielli, reja kuqëloi

    Po u zbe shpejt e erdhi duke u nxirë;

    Një vello e murme u nde, ra mugëtirë

    E, fushën, ngadalë nata e mbuloi.

    Ose tek “Hëna”:

    M’u zu firoma nga terri e vetmimi

    Qëkurse hëna u fsheh e bota nxin,

    Më pikom zemra gjak… e psherëtin’,

    Si pus i zi më mbyti ah, trishtimi!

    Uran Kostreci është i vetmi, ndoshta i fundit poet, që sjell ose më saktë ringjall në poezinë moderne shqipe të fillimshekullit të njëzetenjëtë, sonetin. Dhe jo vetëm kaq. Duke ruajtur formën klasike të tij prej 14 vargjesh, të ndarë në 4 strofa, ku dy të parat përbëhen prej 4 vargjesh dhe dy të fundit prej 3 vargjesh, zakonisht njëmbëshjetërrokësh e me rima të gërshetuara në mënyrë të ndryshme, Kostreci e pasuron atë me motive të kohës. Soneti, ndryshe nga vargëzimet e tjera, është më i brishtë, më delikat , më aristokrat, por herë-herë edhe kryeneç, që  nuk i bindet kujtdo. Poetit Uran Kostreci, me natyrën e tij, i shkon për shtat soneti ose ka ditur ta fusë në “vathën” e tij atë. Kështu ndodh me shifrën 66 të soneteve të vëllimit poetik, me çdonjerën prej tyre  të përfshirë në këtë shifër biblike. E tillë ëshë edhe ajo që çel vëllimin, me titull “Vetëtima” Ndonjë poet tjetër, po të ulej e të shkruante të njejtin motiv, atë të vetëtimës, do t’i përcëllohej fytyra, do të mbetej pa vetulla e flokë ose ndosha me duart tërë flluska nga djegia… Kostreci jo. Ai në vargun e fundit edhe e dashuron vetëtimën, pasi admiron “magjinë e përshkënditjes” dhe e kqyr atë “syngulitur”.

    Me këtë libër me vlera, por edhe në të tjera që do të vinë më pas, moto e poetit do të jetë vargu i një prej soneteve të tij:” Me rimë ligjërova, u thur soneti!” Lexuesi ka nevojë edhe  për këtë lloj poezie, disi të harruar, por që dekada dhe shekuj më parë , e kanë shkruajtur disa prej mjeshtrave të mëdhenj botëror e shqiptarë.

    PA GAZ E POEZI, KUFOMË E GJALLË…

    … Elegant, veshur me kostum ngjyrë të errët dhe borselinë të zezë, me një rini të rikthyer në portretin e tij, Uran Kostreci, pas gati dhjetë vitesh emigrimi në SHBA, është kthyer në Tiranë.

    Të shumtë janë miqtë që e takojnë ose ulen me të për të biseduar…. Herë – herë, në muzgjet e bukur të vjeshtës së Tiranës, ai ecën i vetmuar me të njëjtin kostum dhe borselinë… Duket, me cigaren e pashuar në buzë, si poetët bohemë parizianë. Sepse poetët kanë nevojë të rrinë me vetveten, të meditojnë apo kinse rrinë me vetveten… Ata, ëndërrimtarë të përjetshëm e të pandreqshëm, jetojnë në ca botëra të tjera, që njerëzit e zakonshëm vështirë se i kuptojnë… Uran Kostreci jeton në botën e soneteve, thur vargje , flet me vdektarët e mëdhenj Petrarka, Mjeda, Serembe… Ai nuk është vetëm… Poetët asjëherë nuk janë vetmitarë. Uran Kostreci jeton rininë që u përpoqën t’i rrëmbenin, sepse, siç shkruan ai “Pa gaz e poezi, kufomë e gjallë”.

    Tiranë, vjeshtë e parë e motit 2007

    – Korrik 2021

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË