Kreu Arte pamore Enver Kushi: Një portret i Moikomit për Kadarenë

Enver Kushi: Një portret i Moikomit për Kadarenë

Në një nga ditët e kulmit të pandemisë, kur Tirana ishte nën pushtetin e plotë të makinave të policisë dhe urgjencave të shëndetësisë, gjeta në një nga dosjet e arkivit tim modest, krahas 30 letrave që miku im i paharruar Moikom Zeqo më ka dërguar që nga janari i vitit 1972 deri në vitet 1996-1997, kur ishte në SHBA për studime, edhe një portret të Kadaresë, punuar nga Moikomi me bojëra tushi. E mora menjëherë në telefon, ku i thashë se në qiellin e Tiranës dhe drurët e rrapeve me gjethe të sapoçelura janë shtuar zogjtë dhe se në Gjirokastër, siç më telefonoi po atë ditë Thanas Dinua, kishte ardhur një çift lejlekësh. Gjithashtu e pyeta nëse kishte dëgjuar ose parë në TV fjalimin prekës të kryetarit të Bashkisë së Bergamos ku, mes të tjerash, fliste edhe për lotët e statujave të qytetit, në ato ditë të dhimbshme për Veriun e Italisë. Ai më dëgjonte me vëmendje dhe më tha se kishte gjetur disa blloqe të vogla me poezi të shkruara në vitin 1973 dhe disa të tjera shkruar në vitin 1993. Do t’i bëj gati për botim, më tha, dhe jam i bindur se, sapo të hapen shtypshkronjat, do t’i dërgoj menjëherë. I thashë se edhe unë po zbardh ditarin që kam mbajtur kur ti ishe shtruar vitin e shkuar në spital. Kam gjetur edhe letrat që më ke dërguar ti Tovi, si dhe një vizatim për Kadarenë. Nuk ka datë, i thashë, por me siguri mund të jetë pikturuar në fillim të viteve ’90, ose më vonë. Unë kam bërë disa portrete të Kadaresë, tha Moikomi. I thashë se i kisha parë këto në ekspozitën që çeli me pikturat e tij kur ishte drejtor i Muzeut Historik Kombëtar. Më dëgjonte me vëmendje, ndërsa unë i thashë se portreti i Kadaresë është vizatuar në profil. Është një portret ekspresionist, thashë, ndonëse jam profan në fushën e pikturës. Flokët e Kadaresë i ke bërë me ngjyrë blu dhe mbi blunë e tyre ke hedhur me penelata të shpejta ca vija të çrregullta me ngjyrë të zezë. Edhe konturet e portretit në profil i ke bërë me ngjyrë të zezë. Edhe skeletin e syzeve po ashtu me të zezë, nga ku më bën përshtypje vështrimi përtej kohërave i syrit të Kadaresë. Pjesën e ballit dhe gjithë fytyrën në profil i ke bërë me ngjyrë jeshile, është një jeshile që e bën më shprehës dhe ekspresiv portretin e Kadaresë së madh. Edhe ngjyra e verdhë në sfond, ose më saktë në horizont, nga ku hedh vështrimin Kadareja, flet shumë…

Ai qeshi e më tha që ta vendosja në një kornizë portretin e Kadaresë dhe kur të takoheshim bashkë, donte ta shihte. Ne u takuam disa të shtuna, kur u lirua disi gjendja e pandemisë në Tiranë, por harrova ta marr me vete për t’ia treguar Moikomit. Tani që ai ka shkuar, nga 15 qershori, pra në qershorin e ditëlindjes dhe ditëmortit, duke lënë një boshllëk të madh në letërsinë dhe kulturën shqiptare, portretin e Kadaresë, vizatuar nga ai, si dhe një pikturë të një vajze nudo dhe një tjetër me një pyll bredhash, që sa herë e shoh ndiej erërat që lëvizin në të dhe ca zëra pylli, si në tregimet e Paustovskit, do t’i ruaj si kujtime të shtrenjta.

Ky portret i Kadaresë, i realizuar nga Moikom Zeqo, sa herë e shoh më kujton një intervistë të tij, për takimin e parë me Kadarenë: “Për herë të parë e kam takuar në ’64-ën, pranë vilës së Musa Jukës, ku gjendej edhe Lidhja e Shkrimtarëve dhe gazeta “Drita”. Ende s’i kisha të 15-at. E kujtoj me atë pardesynë me spaleta, kur sapo ishte kthyer nga Bashkimi Sovjetik. Ishte i vetmi prej shkrimtarëve që kishte një pamje mjaft simpatike. Diçka që tek të tjerët nuk e vëreja. Prej kësaj periudhe, derisa u largua në Francë, kam qenë njeri i shtëpisë tek ai dhe po ashtu e anasjellta. Edhe Kadareja vinte shpesh në Durrës.”

Mendoj se Moikom Zeqo në këtë vizatim të hedhur në një letër kartoni të hollë, me dimensione 17 x 24 cm, vite më vonë ka pikturuar imazhin kur e ka takuar për herë të parë Kadarenë. Të paktën këtë mendim kam unë për njërin nga portretet e Kadaresë që ka realizuar miku im i shtrenjtë dhe i paharruar Moikom Zeqo.

Tiranë, fundqershor 2020

SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

Ju lutem lini komentin tuaj!
Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

Artikujt më të fundit

Zija Çela: Shkrimtari i trillit, ky mashtrues i pafajshëm… (mbi katër romane të Mehmet Krajës)

Do të kisha dashur t’i bëja disa pyetje Mehmet Krajës për katër romanet e botuara nga Onufri: “Edhe të çmendurit fluturojnë” (2004),...

“Një i tretë”, tregim nga Dritëro Agolli

Shokut tim Shaban Hadëri Ata e hodhën trungun në truallin prej çimentoje të studios së errët. Skulptori dhe unë...

Mario Vargas Llosa & Gabriel García Márquez: Dialog për romanin latino-amerikan

Mario Vargas Llosa: Me shkrimtarët ngjet ajo që, siç më duket mua, nuk ngjet asnjëherë me inxhinierët dhe arkitektët. Shpesh njerëzit pyesin...

Ditëlindja e Servates/ Introdukta e Nolit për Sojliun e Mançës

Migel de Servantes Saavedra, i njohur me emrin e shkurtër Servantes, lindi më 1547, në Alkasa de Henares të Spanjës dhe vdiq...

KATEGORITË