More
    KreuIn memoriamEnver Kushi: Margarita Xhepa dhe kumtet e reve

    Enver Kushi: Margarita Xhepa dhe kumtet e reve

    D

    y a tri vite më parë, aktorja e madhe e skenës dhe filmit shqiptar, mes të tjerash më ka thënë: “Prilli është muaji im. Pranvera është stina ime”. Sa më lart, në një nga shkrimet e botuara në “Exlibris”, kam nënvizuar: “Ajo lindi më 2 prill të vitit 1934. Ndoshta fillimprilli i atij viti në Lushnjë ka qenë me qiell të pastër apo edhe me re të bardha, që vinin nga hapësirat e paana të fushës së Myzeqesë dhe pasi kalonin mbi qytetin e vogël, iknin tutje kodrave të buta. Me siguri ka qenë një ditë me shumë dritë, siç janë shumica e ditëve në Myzeqe. Dhe nga kjo dritë ka marrë shumë Margarita Xhepa. Është një dritë e veçantë, që më vonë do të shpërfaqet në portretin, sytë, buzëqeshjen dhe nurin e saj…”.

    Ajo shkoi në amshim në orët e para të mëngjesit të 3 prillit. Lindja dhe shkuarja e saj nga kjo jetë, është muaji prill. Këto mendoja, teksa në orën 17:00 të kësaj dite të trishtë, ngjitja shkallët e katit të dytë të Shtëpisë Funerale “Alba”, në anë të rrugës së Durrësit. Pastaj hyra në një ambient të madh, ku në qendër ishte arkmorti. U afrova, vura duart mbi xhamin e ftohtë dhe pashë trupin e pajetë të Margaritës. Mbi fytyrën e zbehtë, ishte hedhur një shami e bardhë, shumë e bardhë… Ajo dukej sikur flinte. Vështrova edhe një herë shaminë e bardhë dhe preka prap’ lehtë, shumë lehtë xhamin e ftohtë, për të mos e zgjuar. Dhe përqafova Nastën, motrën e saj të pandarë. Edhe djemtë, Sokol dhe Ndriçim Xhepën.

    Jashtë dita vazhdonte të ishte e mugët dhe Tirana m’u duk pa zë. Edhe qielli i saj i tillë m’u duk, i trishtë dhe memec. Ecja rrugës së Kavajës, mes këtij memecllëku të kryeqytetit dhe qiellit mbi të. Dhe i hodha një vështrim qiellit, ku ca re gri, përzier me të bardha, ardhur nga jugu, dukej sikur nxitonin e më pas qëndruan mbi Tiranë. Ç’ishte ajo shami e bardhë hedhur mbi fytyrën e pajetë të Margarita Xhepës? Ndoshta ishte një copë re e bardhë, ardhur nga fusha e Myzeqesë. Ishte reja e bardhë e prillit të Margarita Xhepës.

    Këtë ja thashë të nesërmen Angjelina Xharës, skenariste e njohur, që ka shkruar një libër për aktoren e paharruar dhe me skenarin e saj regjisori Kujtim Gjonaj, realizoi filmin “Margarita”. Ajo ishte pranë meje, poshtë shkallëve të Teatrit të Operas dhe Baletit, ku qindra njerëz, artistë, aktorë të njohur, regjisorë dhe të ardhur nga e gjithë Shqipëria, me nga një karafil në duar, prisnin t’i jepnin lamtumirën e fundit aktores së madhe.

    Ora nuk kishte shkuar akoma 13:00, kur vura re që Angjelina, me celularin e saj, po filmonte qiellin mbi sheshin “Skënderbej” dhe ca re, që u shfaqën andej nga ishin varrezat e Sharrës.

    E sheh? Mbi kokat tona qielli është blu, ndërsa andej nga Sharra ca janë gri dhe ca të bardha. Shih si lëvizin, shtoi. I thashë, se qielli ka alfabetin e vet dhe lum ai që e njeh këtë alfabet dhe di t’i zbërthejë kumtet që vijnë nga ato re dhe qielli. Pastaj, ajo me naivitet më pyeti, nëse unë e njihja këtë alfabet dhe çfarë kumtesh po vinin prej reve. Pse u shfaqën tani këto re, tha prapë ajo. Pikërisht tani që po presim t’i zbresë shkallët arkmorti i Margaritës. I fola për shaminë e bardhë, që pashë mbrëmë hedhur mbi fytyrën e pajetë të Margaritës, se ajo shami m’u duk si një copë reje e bardhë. Pastaj shtova, se është e vështirë të njohësh alfabetin e qiellit dhe kumtet që vinë prej tij dhe se shumë vite më parë, nga ballkoni i katit të katërt të hotel “Butrintit” në Sarandë, kam fotografuar retë që vinin nga Çamëria ime. Ato nuk ishin re, Angjelinë, por ishin shpirtra. Ishin shpirtrat e të parëve të mi.

    Edhe këto që po filmon ti, janë re shpirtrash. Filmo, i thashë. E sheh atë renë e bardhë që po vjen me nxitim, sikur do të ulet mbi sheshin “Skënderbej”? Është shpirti i bardhë i Margaritës… Pastaj i fola për një ëndërr që kisha parë me Kadarenë dhe për pyetjen që ai më bëri për renë e bardhë, që shoqëroi familjen e nënës time, sapo kapërcyen Qafën e Botës. Kjo re, sipas nënës time, i shoqëroi deri në periferi të Kavajës… Ajo heshti, ndërsa vështrimet e të gjithëve ishin nga porta e madhe e Teatrit të Operas dhe Baletit. Po vijnë edhe re të tjera, tha Angjelina. Filmoje atë renë gri. E sheh? Atë, që herë është e bardhë dhe herë gri. Është Ofelia. Është Ofelia e Margarita Xhepës. Ajo është dhe do të jetë trëndafil i majit! Vajzë e dashur,Ofeli e ëmbël. Dhe m’u kujtuan fjalët e Ofelisë, thënë mrekullisht nga Margarita:

    Të bardhë si dëbor’ e kish savanin,

    Me lule stolisur.

    I vogël e i madh me lot e qanin,

    Me zemër të zalisur.

    Po ajo tjetra? Ajo tjetra që është si e nxirë? Është gruaja myzeqaree te filmi “Tokë e përgjakur”. Ndoshta ajo re, kur të kalojë mbi sheshin “Skënderbej” do të hedhë ca pika shiu. Janë lotët e Margaritës te filmi që të thashë. Janë shpirtra resh pa zë. Memece. Sepse po të ishin me zë këto re shpirtrash, do të gjëmonte qielli i Tiranës, i Shqipërisë dhe Ballkanit.

    Qielli mbi Tiranë u mbush me copa resh. Ca të bardha. Ca gri. Shumë gri. Ca të zeza. Ato përziheshin me njëra-tjetrën e pastaj ndaheshin… I thashë prap’ Angjelinës të filmonte renë e zezë, që u shkëput nga të tjerat. Është Hekuba. Hekuba e tragjedisë “Trojanët”, shkruar nga Euripidi. Unë dëgjoj zërin klithmë të Margaritës Hekubë:

    Trojë moj Trojë

    Trojë moj Trojë

    E zeza Trojë!

    Dhe m’u kujtuan fjalët e regjisorit të madh grek Vangjelis Theodhoropulos, që vuri në skenë “Trojanët”. “Ajo (Margarita Xhepa) përcolli me energji tronditëse rolin e Hekubës, duke i dhënë frymë dhe ritëm në rritje gjithë shfaqjes. Dua t’i puth dorën për energjinë tronditëse dhe situatën dramatike”.

    Ndërsa Angjelina filmonte retë-shpirtra, doli arkmorti me trupin e pajetë të Margarita Xhepës. Qindra karafilë të bardhë u hodhën mbi të. Arkmorti u mbush me to… Dukeshin si copa resh të bardha, ardhur nga qiejt e Shqipërisë, Kosovës, Ballkanit.

    Nuk e mbaj mend, se ku e kam lexuar një poezi që flet për mbrëmjen e një qyteti, pemët e menduara dhe gurët e kalldrëmta të menduara. Në Tiranë, mbrëmja e datës 4 prill, pasi përcollëm në banesën e fundit Margarita Xhepën, erdhi pa zë. Pemët, rrugët, gurët e kalldrëmta të lagjeve të vjetra të Tiranës, sheshet e kryeqytetit, banesat, ishin memece… Pastaj erdhi e nesërmja me qiellin e pastër e pastaj me re, që uleshin e ngriheshin në Sharrë, duke sjellë kumte të largëta dhe shpirtin e Margarita Xhepës.

    Tiranë, më 4 prill 2025, mesnatë

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË