More
    KreuLetërsiBibliotekëEnver Kushi: Kronika muzgjesh

    Enver Kushi: Kronika muzgjesh

    Muzgu i parë

    Kur dal në rrugë, në kthesën e vogël në të majtë të pallatit 123, qoshja e të cilit prej vitesh shërben si vendkalim, shoh orën. Është koha, kur sapo bie muzgu dhe kudo të rrethon një qetësi e bukur joshëse. Më pëlqen të dal vazhdimisht në këtë kohë. Në të gjitha ditët e muajve të çdo stine dal sapo bie muzgu. Gjatë pranverës, verës e vjeshtës, por edhe dimrit, kur koha është e mirë, në trotuarin buzë Lanës nisin e shëtisin gra me fëmijë të vegjël dhe çifte, të cilat, me t’u mpiksur muzgu, futen në lulishten “Rinia”. Nuk e di pse muzgjet e vjeshtës më tërheqin aq shumë. Seç kanë diçka prej lamtumire të dhimbshme, diçka që ka të bëjë me ndarje të gjata, me një përmallim njerëzor.

    Në një nga këto muzgje vjeshte kam parë, rënë përmbys në barin e njomë buzë Lanës, një burrë 40-vjeçar. Iu afrova pranë atij njeriu me frikë e ndrojtje bashkë. E tunda ngadalë supeve dhe ai pasi u kthye më ije, më pyeti se përse nuk e lija të vdiste. Më lër të vdes këtu, buzë Lanës e në këtë muzg, tha. Ata, më shkatërruan, Ata m’i vranë ëndrrat. Ata . . .

    Kronika thotë se atë natë, në perëndim të Tiranës, rrëzë kodrave të buta, punohej për hapjen e një grope të madhe. Sipas kronikës, natën e 19 shkurtit 1951, në oborrin e Ambasadës Sovjetike u hodh eksploziv, që shkaktoi thyerjen e disa xhamave. Në mesnatën e 20 shkurtit, u arrestuan 150 intelektualë të kryeqytetit, të akuzuar për veprimtari terroriste e të lidhur me CIA-n dhe Intelegjencie Servicen. Më 26 shkurt, vazhdon kronika, Presidiumi i Kuvendit Popullor miraton dekretin 1223. Tre paragrafët e fundit të këtij dekreti:

    – Gjyqi bëhet pa pjesëmarrjen e palëve.

    – Paraqitja e kërkesave për falje nuk lejohet.

    – Vendimi në masën ndëshkimore më të lartë, ekzekutohet menjëherë pas dhënies së vendimit.

    Në një nga procesverbalet e Ministrisë së Brendshme thuhet se, pas kërkimeve intensive, rreth orës 2200, u gjet buzë Lanës A.N., vjeç 40, me profesion inxhinier, ish-pjesëmarrës në Luftën Nacionalçlirimtare.

     Në datat në vazhdim, thotë kronika, nisi pushkatimi i terroristëve. Pas breshërive të automatikëve, ata ranë në gropën e madhe të hapur mes kodrës së butë me ullinj, në periferi të kryeqytetit. Gjatë kontrollit të kufomave të porsavrara u gjend e pagoditur nga plumbi S.K. njëra nga vajzat e grupit terrorist. Atë e ngritën në këmbë, i raportoi në orën 200 pas mesnate komandanti i skuadrës pushkatare shefit të tij, duke ia thyer kockat me kondak pushke. Gjithçka u krye në fshehtësi të plotë, përfundon kronika dhe gropa e madhe me 22 të pushkatuarit brenda, pasi u mbulua, u maskua mirë, duke mbjellë mbi të shkurre.

    …I mbaj mend mirë ato ditë të ftohta, gjëmime të thella funddimri dhe vetëtima verbuese, që shfaqeshin pas kodrave të Tiranës. Kur erdhi pranvera, në muzgjet e përflakura të saj, nga brigjet e Lanës kam parë në horizontin e kodrave në perëndim, njolla të mëdha e të kuqe. Ato më janë shfaqur vazhdimisht në të gjitha muzgjet e pranverave, që kanë ardhur pas muzgut të përgjakur të pranverës 1951.

    Muzgu i dytë

    Isha në gjumë, duke parë ëndërr sikur udhëtoja në fundin e detit, kur m’u bë se dëgjova në fillim të trokitura të ngadalta e më pas më të forta. . . Dola menjëherë nga ëndrra, hodha batanijen mënjanë dhe u gjenda në koridor. Sapo hapa derën, ai hyri menjëherë brenda e më pyeti nëse kisha njëri në shtëpi. I thashë se isha vetëm. Mos ka përgjues, tha ai i alarmuar. Pas këtyre fjalëve, mendova se mos ishte çmendur. Shihte i frikësuar përreth dhe fytyra i kishte marrë ngjyrë mavi. Ç’ka ndodhur, thashë. Dukesh i trembur. Pi një gotë ujë ose të bëj një kafe. . .  Mos fol me zë të lartë, ndërhyri menjëherë. Më mirë bisedojmë jashtë, shtoi duke vështruar me të njëjtën frikë. Dolëm. Ishte muzg i butë, nga ata të rrallët në fillimet e pranverës. Lana rridhte e qetë, ndërsa në të dyja anët e saj lëviznin kalimtarë të rrallë. I dëgjove lajmet, theu heshtjen ai. Jo, thashë. Asgjë nuk ke dëgjuar? Jo, thashë, asgjë. Unë pres arrestin, tha. Pse, pyeta i shtangur. përse?. . . Nuk m’u përgjigj. Më shihte në sy e vura re se si nisi të dridhej i tëri. Nuk kisha parë ndonjëherë njeri të dridhej ashtu si ai. S’ishin dridhje frike ato. . . Dridhej burri si purteka në muzgun e butë pranveror të vitit 1956. Ndoshta ata mund të jenë duke më bërë kontroll në shtëpi, tha. Folë, thashë, Pse? Kush janë ata? Vura re se krahun e majtë e kishte të paralizuar, pas plagosjes në operacionin e dimrit të vitit 1944. Edhe ai krah i dridhej. Dridhej i tëri ish partizani i kompanisë së dytë, të batalionit të tretë në Brigadën e Parë Sulmuese. Prej vitesh punonte në Radio-Tirana.

    Unë jam agjent i jugosllavëve, tha ai. Më kupton? Ti po shoqëron një agjent të Titos. Kështu u tha në konferencë. Ai ulërinte si kafshë. Ulërinte, shtoi.  

    Dhe më tregoi se ç’kishte ndodhur në Konferencën e Tiranës. Mbaj mend se qëndruam gjatë buzë Lanës, në një nga muzgjet, ku dridhej njeriu që 12 vjet më parë, ndërsa i hiqnin plumbin, ëndërronte për barazinë dhe pranverën. . .

    Procesverbali i mbajtur në një nga seancat e Konferencës së Tiranës, gjatë diskutimit të delegatit V.D., mbyllet me fjalët: ” Ne në mal luftuam për barazi e liri. Për to e lashë krahun tim. Jam kundër të gjitha kulteve e privilegjeve”.

    Në orën 1700, në një nga pushimet e seancës,V.D, doli nga salla e konferencës. Jashtë ndjeu t’i therte plaga në krah, gjë që nuk i kishte ndodhur prej vitesh.

     Në orën 1715 kërkoi në telefon ish-komisarin e batalionit të tretë, funksionar i lartë në Kryeministri. Jam V.D., tha ai në telefon. Desha t’ju takoj patjetër shoku komisar. Komisari i tha se ishte  i zënë. V.D. uli receptorin dhe zëri i komisarit iu duk i ftohtë. Akull i ftohtë.

     Pas 20 minutash trokiti në shtëpinë e shokut Veladin Xh., me të cilin e lidhte miqësi e vjetër. Shoku Veladin e këshilloi të bënte autokritikë të fortë bolshevike me shkrim, të kërkonte publikisht falje për ato që kishte thënë, sepse armiku i klasës, i brendshëm e  i jashtëm, në këto situata kërkonte të bënte për vete njerëzit tanë, t’i rekrutonte ata në radhët e veta e se vigjilenca revolucionare do t’i dërmonte të gjithë armiqtë.

                  Kur po ndaheshin shoku Veladin e porositi të mos fliste për takimin me të.

                  Në orën 1900, i vëllai përplasi me forcë derën duke e quajtur V.D., “tradhtar”, “agjent të Titos”, “spiun të CIA-s amerikane”. V.D. zbriti duke u lëkundur shkallët e pallatit, u ul për t’u qetësuar në katin e parë dhe atje qau. Qau gjatë . . .

                  Pas 10 minutash, u ngrit, doli në bulevardin e madh, kalo urën e Lanës dhe nisi të ecte i vetmuar gjatë trotuarit buzë lumit. Po binte muzgu dhe V.D. ndjeu vetmi. Ishte vetmi muzgu, nga ato që të zënë frymën, duke të zhytur në humbëtira nate. . .

     Në orën 2000 u gjend në varrezat e dëshmorëve, në kodrinën pranë Universitetit të Tiranës. Thuhet që qëndroi gjatë pranë varreve të dy shokëve të tij të ngushtë…

     …Pas tri ditësh, në karrocerinë e makinës me targë UP 05742, V.D. i mbështjellë me batanie,vështronte i përhumbur natën, që vinte fushës së Myzeqesë, ku do të kalonte vitet e gjata të internimit, i braktisur nga gruaja dhe fëmijët.

    Dy muzgje në një dhe kronikë e hapur

     Përpiqem t’i lidh ato ndodhi ndoshta  të rastit e të shkëputura në ditë e në kohë të ndryshme, por kur i gjykoj qetësisht mendoj se nuk janë të tilla. . . Jashtë bie shi. I qetë si në ëndërr. Njerëz, që nxitojnë të lagur dhe autobusë, që lëvizin të lodhur. Ngricat e para dhe erërat e dimrit. Varrime midis orës pesëmbëdhjetë dhe gjashtëmbëdhjetë në prag muzgjesh. Ndezja e parë e sobës. Oxhakë, që tymojnë si pleq llullat me duhan të fortë. Pjatat e zakonshme me fasule e turshi mbi tavolinë si në tablotë “Natyrë e qetë”. Të kollitura të shpeshta, duke mbajtur radhët e gjata për qumësht në orën tre pasmesnate. Përditë kështu . . . Mos fol. Të lutem, mos fol. Jemi i vetmi vend socialist në tërë rruzullin. . . Mos fol… Si mos të flas? Të lutem, mos fol… Jemi shumë mirë. Jetojmë të lumtur, duke hedhur valle në gojë të ujkut. Armiku i klasës kërkon t’i errësojë arritjet tona në të gjitha fushat. . . Mos fol.

     Lajmet e orës njëzet. Komunikata për Plenumet e Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë. Grupe armiqësore në naftë, ushtri, bujqësi, art e kulturë …

     Pamje fushash të shkreta. Fushata e korrjeve dhe e shirjeve. Filloi mbjellja e grurit… Kanalet kulluese në gatishmëri të plotë. Zëra spikeresh të RTSH-s për arritjet e klasës sonë punëtore dhe të  fshatarësisë kooperativiste… Pastaj vetmi. E pjata me fasule dhe turshitë. Dhe shiu, që godet mbi xhama. Dhe procesionet e varrimit midis orës katërmbëdhjetë e pesëmbëdhjetë. Fjalime të gjata të kryetarëve të Frontit Demoratik në pragmuzgje varrimesh… Dimra të tërë kështu. Të gjitha stinët kështu. Gri të mbyllura. Muzg… Trokitje në mesditë… Në të gdhirë… Sapo ke ngrënë pjatën me fasule… Në emër të popullit, je i arrestuar. Procesverbale në zyra hetuesish.

    I mbajtur sot  me datën… për marrjen në pyetje të pandehurit Alban Ali Tushi, i biri i Aliut dhe i Shpresës, lindur e banues në Tiranë, i papunë, i padënuar ndonjëherë, i pamartuar…

    – I pandehur! Ç’të lidh me atë njeri?

    – Asgjë.

    – Kur jeni takuar ose njohur për herë të parë?

    – Në muzgun e ditës së hënë,

    – Pse në muzg?

    – Krejt rastësisht. Mund të ishte edhe mëngjes, ndoshta edhe mesditë.

    – Pse pikerisht në muzg dhe në urën e Lanës?

    – Ç’rëndësi ka kjo? Unë ua shpjegova.

    – Për ne  ka shumë rëndësi.

    – Po e përsëris: me të u takova rastësisht. Ai rrinte vetëm e pinte cigare, ndërsa unë iu afrova.

    – Pastaj?

    – E pyeta:”A keni shkrepse?”, ndërsa ai më tha se kishte edhe shkrepëse, edhe çakmak.

    – Kjo ishte  parulla?

    – Cila parullë? Unë e pyeta…

    – Ju thatë se cigaren ai e kishte të ndezur?

    – Po.

    – Atëhere, përse e pyetët “A keni shkrepse?”, kur ai e kishte të ndezur cigaren?

    . . .

    – Përgjigjuni!

    – Kaq kisha.

    – A pranoni se  pas ndezjes së cigares ai u pyet nëse e kishit parë paradën e madhe ushtarake?

    – Po. Ai pyeti nëse e kisha parë paradën ushtarake.

    – Dhe ju çfarë i thatë?

    – I thashë se e kisha parë.

    – Vetëm kaq? Po mendohuni, më tej për çfarë biseduat?

    – Nuk mbaj mend.

    – A biseduat për tanket?

    – Po. Po. Ai më pyeti se si m’u dukën tanket.

    – Dhe ju si iu përgjigjët?

    – I thashë se m’u dukën si në filmat sovjetikë, të vjetër e se në një emision të televizionit tonë për luftën në Vietnam, tanket e ushtrisë amerikane ishin moderne.

    – I pandehur! Mbrojtja jonë është e pathyeshme dhe në unitetin e çeliktë

    parti-popull do të thyejmë kokën çdo armik ose koalicion armiqsh. Ti këron të dobësosh mbrojtjen, të përhapësh panik në popullin tonë ushtar, duke kapitulluar përballë presionit imperialisto-revizionit.

    – . . .

    (Kronika mbetet e hapur. Kushdo mund ta plotësojë atë…)

    Aktori, që përgatitej të luante Hamletin, në premierën që do të jepej javën e fundit të marsit në Teatrin Popullor, kishte parë në ëndërr qentë, të cilët lehnin pranë dritares së dhomës së gjumit dhe ishte ngritur përgjumësh, duke thirrur: ”Ndihmë! Ndihmë! Ata po më kafshojnë”. Kur erdha në vete, i tregoi së shoqes të nesërmen, kur ajo u kthye nga një shërbim i gjatë në Jug, vërtet diku jashtë lehnin qen. Kam netë që e shoh këtë ëndërr, i tha aktori së shoqes, gjatë shëtitjes në muze, pas provave në teatër. Ajo e qetësoi duke i thënë se e kishte nga lodhja e tepërt për rolin e madh, që i ishte besuar.

              Të njejtën ëndërr, por me dy gjarpërinj, që nxirrnin gjuhët e holla, e kishte parë edhe njëri nga regjisorët e njohur të Teatrit Popullor. Janë dy gjarpërinj të bukur, me rombe në trup, që më vijnë në ëndërr pas mesit të natës e unë ngrihem i llahtarisur, duke ulëritur nga tmerri, tregonte regjisori. Kur e dëgjoi këtë kryeredaktori i gazetës letrare, qeshi, duke thënë se atij i shfaqeshin në ëndërr ujq. Ti e merr me shaka, ose tallesh me mua, dhe i prekur regjisori, ndërsa rrufiste kafenë në klubin e Lidhjes së Shkrimtarëve. Ndoshta më vë edhe në lojë, shtoi ai, duke u ngritur. Kryeredaktori u betua për idealin e partisë se nuk tallej e se me të vërtetë i shfaqeshin në ëndërr ujq. Ndërsa unë kam net që eci në shkretëtirë, tha me ndrojtje, duke u skuqur në fytyrë, gazetari i ri i gazetës letrare. Zgjohem i tmerruar se më duket sikur kaloj zbathur mbi gjembat e fiqve të detit. Ka edhe ëndrra të tjera të tmerrshme, ndërhyri në bisedë gazetari tjetër i gazetës letrare dhe poet i ri. Mbrëmë, ndërsa zhytesha në thellësi të detit, m’u sulën peshkaqenët, ashtu si të “Plaku dhe deti” i Hemingueit. Ishte ëndërr e tmerrshme, tha ai duke parë fytyrën e imët të kryeredaktorit dhe gojën që përtypte cigaren…

    Sipas kronikës, muzgjet e vjeshtës e të dimrit të vitit 1973-1974 aktorin, që do të luante Hamletin e gjetën në burg, duke thënë me vete monologun “Të rrosh a të mos rrosh”. Të njëjtin fat pati edhe regjisori i njohur i Teatrit Popullor, ndërsa kryeredaktori i gazetës letrare si dhe gazetari e poeti i ri, dhjetëra kilometra larg Tiranës, në disa qytete të vogla provinciale të vetmuar pyesnin veten se ç’krime kishin bërë që i syrgjynosën…

    (Kronika mbetet e hapur. Kushdo mund ta plotësojë atë…)

    Muzgu i pestë në kohëra të reja

    Ato më thanë të zbrisja menjëherë, duke treguar shishen e konjakut. Nuk dal, u thashë që nga ballkoni. Por ata ngulën këmbë, duke thënë se do të shkonin te liqeni e se do të bënin qejf. U thashë prapë të njejtat fjalë e hyra në kuzhinë… Prej ditësh rri brenda, duke parë vetëm televizor ose dëgjuar radion. Nuk dua t’ia di as për ditët, as për datat e as për orët, që kalojnë. Të gjitha janë njëlloj me vetminë e shtrirë dhe grinë e qiellit. Vetëm gri e hapur. Asgjë tjetër. Herë-herë vetminë gri sikur e tremb zilja e telefonit, që bie në koridor. Ndoshta është Alba. Ndoshta Maksi. Por me siguri është Alba. E ndiej nga tingulli i ziles, që shpreh padurim për të folur patjetër në telefon. Fol, fol, them me vete. Me zë çjerrës telefoni. Me tingujt gri e fjalë të hirta prej reje.

    Si ndodhi kështu? Kam frikë të dal në rrugë e të shëtis buzë Lanës ose në çdo rrugë të Tiranës. Nuk dua ta kujtoj muzgun e të premtes. Me ngjethet mishtë, kur e kujtoj…

    Po shkoja në takimin e zakonshëm me Albën (data ishte trembëdhjetë dhe ora tetëmbëdhjetë e njëzet minuta)

    Kapërceva urën e dytë të Lanës dhe po ecja në trotuarin e krahut të majtë të rrugës “Donika Kastrioti”. Rreth pesëdhjetë metra larg urës, buzë trotuarit, në pjesën me bar të shpatit të lumit, sapo shkela mbi grumbullin e dheut, m’u bë se dëgjova një zë: “ Mos shkel!” Kush fliste? Ç’kisha shkelur? Hodha vështrimin përreth, por nuk pashë njeri. Më kanë bërë veshët, mendova dhe hodha hapin tjetër për të ecur më tutje. Dhe sapo këmba shkeli në dheun e njomë, përsëri, dëgjova të njëjtin zë:”Mos shkel! Ku shkel! Nuk e sheh?” Ç’të shihja? Nën këmbët e mia kishte vetëm dhé të njomë dhe fare pranë, ishte një grumbull i madh dheu, në formën e varrit.

    …Atëherë vrapova. Vetëm vrapova, pa e ditur se ku më çonin këmbët, ndërsa nga pas më bëhej sikur mëndiqte zëri ”Mos shkel! Mos shkel! Mos shkel!” Të nesërmen i telefonova Albës, lamë vendin e takimit dhe bëmë shëtitjen e zakonshme të muzgut. Ajo e gëzuar për provimin e frengjishtes, fliste pa pushim, ndërsa unë as që e kisha mëndjen në fjalët e saj…

    – Dëgjove gjë?- thashë befas unë, duke e kapur fort nga krahu Albën.

    – Çfarë? Shtangu ajo.

    – Një zë…

    – Jo.

    – Si jo?

    – Ti nuk je mirë.

    – Ishte një zë Alba…

    – Ti je zverdhur, Fredi…

    – Ishte po ai zë, Alba. Po zëri i mbrëmshëm.

    – Fred, të lutem qetësohu.

    – Një zë varri, Alba. Më beso. Unë shkel mbi varre.

    – Fred…

    – Është varr Alba. Është varri i dytë, që po shkel.

    – Fred, të lutem qetësohu. Nuk ka asnjë varr. Është vetëm grumbull dheu nga të komunales…

    Mbaj mend se ajo më tërhoqi me forcë e pasi dolëm në trotuarin tjerët dhe lëvizëm në drejtim të kundërt me grumbullin e dheut, u ulëm për t’u qetësuar…

    Dhe pas dy ditësh, pikërisht pas dy ditësh, në mesditë, ndërsa prisja autobusin e Tiranës së Re në qendër, m’u shfaq përsëri një grumbull i madh dheu. Ishte dhe i kuq, përzier me guralecë të vegjël, të bardhë. Dukej si varr, si varr i vërtetë, në qendër të kryeqytetit… Dhe më tutje m’u bë se pashë grumbuj të tjerë dheu. Që atë ditë, nuk guxoj të dal nga shtëpia… Ndoshta janë halucinacione, mendoj. Por zërin e dëgjova mirë. Edhe zëri është halucinacion?

    Hap televizorin, por e mbyll menjëherë, sepse në ekran shfaqen varre të hapura, eshtra, kafka të vdekurish… Nuk jam në ëndërr. Bindem se nuk jam në ëndërr. Nuk janë as halucinacione. Tashmë s’marr guximin të dal as në ballkon e të shoh jashtë. Më duket se trotuaret, rrugët, bregu i Lanës e më tutje bulevardi, janë mbushur me varre…

         Në koridor dëgjoj zilen e telefonit. Bie papushim. Atëherë dal në koridor dhe ngre receptorin. Alo, them. Kush është? Alo. Një sekondë, dy, tre, katër, pesë… “Mos e shkel! Mos e shkel!”, dëgjoj zërin, që vjen nga bota e varreve. E ul menjëherë receptorin, ndez dritën e koridorit dhe hedh vështrimin në mur, ku kalendari shënon muajin zero dhe vitin zero. Është një kalendar pa fletë, pa ditë, pa muaj e vit. Duket si varr i kohës.

    Në vend të një sqarimi

    Më 10 janar 1993, doli në Tiranë numri i parë i gazetës “Evropa”, e përjavshme ART, KULTURË, SHKENCË, botim i firmës me të njëjtin emër. Drejtori i gazetës ishte Frederik Rreshpja, një nga poetët më të mirë të letrave shqipe e më gjerë. Në këtë numër është botuar edhe tregimi im “E hëna e vitit zero”. Mbaj mend, që Fredin e takova të nesërmen në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve. U ula pranë tij i ndrojtur, duke e uruar për gazetën dhe falënderuar për botimin e tregimit tim. Ai duke pirë xhin a një pije tjetër të shtrenjtë, më tha se kisha në dorë një subjekt të veçantë e sureal e se ishte gjetje ajo me gjarpërinjtë-lodra, që më pas kthehen të gjallë. Pastaj rrufisi gotën me xhin dhe shtoi se duhej ta zgjeroja tregimin në roman. I thashë se… ai më ndërpreu dhe tha: “Fillo të shkruash romanin. Do ta botoj unë në shtëpinë time botuese me shpenzimet e mia”.

    Dhe kështu ndodhi. Romani u botua në fund të vitit 1994, me titullin “Hëna e vitit zero”, me një format të vogël xhepi, ku të bën përshtypje kopertina dhe grafika e zgjedhur në të. Në vitin 2002, pasi e ripunova, romani u botua me titullin “Koha Zero”, nga shtëpia botuese “Baça”.

    “Kronika  Muzgjesh”, që po botohen tek “EXLibris”, janë pjesë e këtij romani dhe që janë në kapituj të ndryshëm të tij. Këtu ato botohen bashkë. Mendoj që “Koha Zero” do ta rishoh dhe besoj do të botohet më i plotë këtë vit.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË