Si, dhe pse, e gjen shkrimtari subjektin? – subjektin e tij, i cili rreh të bëhet dramë ose tregim, poezi ose roman? A është kjo rastësore apo përllogaritje specialistësh? Pyetja, s’do mend që nuk është e lehtë të marrë një përgjigje në fjalë të zakonshme – kjo përbën edhe shkakun e përhapjes së një miti dhe misteri në lidhje me artin letrar. Shkrimtarët nuk fshihen, por janë të ndrojtur – të ndrojtur pas fasadës që mësohen të krijojnë, edhe më të ndrojtur për atë që është më e thjeshta për ta. Çështja është se tek ta ka një lloj sjelljeje prej fëmije, e cila mund të duket e pabesueshme, është edhe më e pabesueshme për unin e tyre mendimtar. Të qenit fëmijë është i nevojshëm, madje, themelor; nënkupton një gjendje të pandërprerë bredharake dëshire, një gjendje habie dhe reflektimi të papritur. Shkrimtari – krejt ndryshe nga sivëllai i tij që nuk shkruan, nuk ka një botëkuptim të gatshëm; ai rrallë vëzhgon me paramendim. Sheh atë që nuk kishte synim të shihte; kujton atë që duket plotësisht e kujtueshme. Nxënës i pavëmendshëm në klasën e jetës, ruan zotësinë për të qenë i ndryshëm dhe bredhur. Ai është syri bredharak.
Por syri bredharak është subjekti që ka gjetur. Shikimi i shpejtë, më së pari i kapur në mënyrë të vagullt, paskëtaj përqendrohet, thellohet; bëhet vizion. Bash kjo që ka parë, por pse duhet të ketë gjithë këtë rëndësi? Fytyrë e panjohur që shkëputet nga turma, silueta që shquhet së largu teksa kalojnë matanë udhës, drita llamburitëse apo hije që bien mbi një ndërtesë, loja që zhvillohet një tavolinë më tutje, imazhi që fanitet prej një fraze apo bisede, ndikimi i tepruar i një vargu poezie, jehona e një aksidenti makine apo jehona vogëlake e një ngjarjeje të rëndësishme botërore, shkëndijimi i kujtesës pamore apo i kujtesës sensuale për të cilën nuk mund të gjendet kurrfarë arsyeje – pse duhet të jetë kjo apo ajo gjë aq e rëndësishme sa të bëjë që gjithçka të ndalë? Është vepër e fatit, si në rastin e rënies në dashuri – shkrimtari, në fakt, e di se e ka gjetur subjektin qyshse e kupton se mendja i është ngulitur tek ai. Rezultati i idengulitjes së tij është fakti që shkruan – realizimi i saj fillon me kërkimin e tij për gjuhën. Ai duhet (sikurse fëmija që nuk rri dot pa folur) të rrëfejë, të bëj të njohur, të komunikoj atë që ka parë, apo di. Ngulmi i asaj që është reale, por që duhet të kuptohet nga të tjerët.
Duhet të jetë kështu, dhe mund të thuhet që shkrimtarët nuk i gjejnë subjektet: janë subjektet që i gjejnë ata. Nuk është edhe aq një kërkim në gjendje të ndjeshmërisë së paramenduar. Mundet, madje edhe duhet, që kjo gjendje të ruhet në këtë mënyrë? Në fillesë është i pavullnetshëm, i pavetëdijshëm; kur është më pak e tillë, humbet nga vlera e saj. “Shtendosu, përhumbu, bëhu pasiv” – a duhet t’i bindemi kësaj? Jo, sigurisht: asgjë nuk ndodh për një njeri jo-aktiv; jeta e shmang dhe përvoja e braktis atë. Në mënyrë tekanjoze, shkrimtari ekziston në sajë të ngjarjeve, kontakteve, konflikteve, veprimit, kundërveprimit, shpejtësisë, trysnisë. Po të ishte thjesht soditës i tyre, nuk do të shkruante.
Thelbësorja këtu është që të mos i imponohet asgjë. Ai duhet të ketë kodin e tij – kur bëjmë fjalë për subjektin. E vërteta është në sytë e tij, në atë sy bredharak: ekzistojnë dhe nuk duhet të pushojnë kurrë së qeni, çaste të pagabueshme të identifikimit. Sidoqoftë disa mund të jenë tmerruese dhe të papranueshme –A është vallë ky subjekti, – psherëtin shkrimtari. Ndofta nuk është edhe aq i ri, ndoshta parashikon kërkesa dhe sfida të pafundme, braktisje të gjithë asaj që di për teknikën, pamjaftueshmëri të mundshme të fuqive, kritikëve të ftohtë, publik pengues, rënie në çmime. A mund të mos ketë alternativa? Sigurisht që janë një duzinë sosh: të gjalla, të krijuara, tunduese, – shkrimtari i mbrapshtë shkruan me lehtësi ogurzezë për atë që ka humbur, ose humbjen e vetvetes, e bën nëse ka fat, gjë që kurrë s’mund të parathuhet. Porse subjekti i vërtetë i braktisur kërkon të hakmerret.
E dukshmja, filli lidhës mes shkrimtarëve dhe subjektit nuk është i rastësishëm. E kaluara, origjina, rrethanat, ngjarjet e jetës, mund të gjenden, sipas prirjes së shkrimtarit mund të caktohen, zgjedhja e skenës, ritmi i gjendjes shpirtërore apo këndvështrimi i rrëfimit. Arti i plotë i një njeriu mund të jepet nëpërmjet një analize, apo variacioneve mbi një temë të vetme. Mundet që personazhet e një romani, nga libri në libër, të duken sikur janë përsëritës të një tjetri. Rishfaqja e imazheve, formaa dhe përzierja e stilit i jep shkrimit individual një lloj firme. Por e gjitha kjo nuk është e thënë të përbëjë subjektin: subjekti mbetet mënjanë – si një faktor i pashpjegueshëm, zgjedhje e brendshme për të cilin asnjë i jashtëm nuk mund të jap shpjegim. Fëmija, pothuajse çdo fëmijë, lind me shpresën që universi duhet në një farë mënyrë të shpjegohet: mund të ndodh që shkrimtari nuk e lë pas këtë shpresë, aty – këtu, syri të rrok fakte të larmishme. Por a mund të jetë kështu? Si mund të jetë kaq e thjeshtë?
Kjo ndoshta i mbetet kritikut ta përceptojë dhe shpjegojë. Përqendrimi në veprën e çdo shkrimtari përfundon gati gjithmonë në shfaqjen e një naiviteti thelbësor që me t’u zhvoshkur nga lëvozhga duhet të jetë ose foshnjor ose madhështor. Në fund të fundit pak ndërlikueshmëri ka: ndërlikueshmëria e jashtme e artit nuk ka qenë më shumë se sa një përpjekje e bërë në drejtim të të shprehurit. Diku brenda një strukture, diku pas fjalëve, një reagimi i pafajshëm dhe mëdyshës mbetet i pacënuar. Ekziston, duhet të ekzistoj gjithmonë një lëvozhgë mendimi. Shkrimtari duhet të dëshiroj dhe të mëtoj të përballet intelektualisht në kritikën, me dikë që është në nivelin e tij intelektual; kjo mund të jetë mendja e tij e epërme. Mendja takon mendjen: stili duhet t’i nënshtrohet një analize të rreptë, struktura është ajo që shfaq dhe nxjerr në pah të metat; metoda është atje që të mbaj pezull mëdyshjet; imazhet që të shoshiten. Megjithëkëtë vjen një kohë kur procesi i gjykimit arrin në pikën e natyrshme të ndaljes: vlera e mbrame përcaktohet prej intuitës.
Prova e fundme është ndjesia e të vërtetës së vizionit – qartësia, vetvetishmëria, autoriteti i tij. Në rastin e shkrimtarit madhor nuk ekziston dyshimi; megjithëse në këtërast kemi një element befasie: Balzaku, Folkneri dhe Moriak na turbullojnë dhe na zotërojnë me zbulimet e tyre. Kuptim i padyshueshëm shndrin në gjithçka; dhe prapëseprapë e njohura rimodelohet tek e mistershmja. Asgjë nuk është negative: asgjë nuk është e zakonshme. Se a nuk është ai sy bredharak që këqyr në orbitën e vet tiparet e një realiteti të gjallë? Diç është pikasur për më të parën herë.
Përktheu: Granit Zela