Kreu Letërsi Bibliotekë Dy tregime nga Gabriel García Márquez

Dy tregime nga Gabriel García Márquez

I përktheu Fatmir Alimani

ELEGJI PËR NJË BANDIT

Në orët e natës të së shtunës së fundit, ndërsa trompeta e engjëllit të lartë, sapo kish përfunduar të binte, dikush trokiti te porta e ferrit. Portieri, që kishte shërbimin, i veshur me rrobe të zjarrta, nxitoi t’i hapte portën këtij vizitori të vonë, dhe ai pa një burrë të ri, me flokë të verdhë dhe nervoz, me dhëmbë prej ari të vërtetë, dhe me kocka që ishin mbushur me plumb të një kalibri të lartë. Ndoshta i porsaardhuri nuk thoshte asnjë fjalë. Ndoshta, ai qëndronte i heshtur, dhe duke gulçuar te pragu, priste urdhërin për të hyrë brenda. Por duhet të kalonte një shekull, para se portieri, në qerpikët e të cilit, ishin të ngjitura ende portretet e ëndrrës së fundit, nuk e kishte lejuar vizitorin ende të hynte, sepse nuk e kishte njohur atë ende, me  rregullat kryesore të hierarkisë së ferrit, për hyrjen në ferr.

Kur më në fund vizitori ndodhej brenda, ai zbrazi xhepat e tij, dhe i la gjërat mbi një tryezë prej druri arre, që sigurisht ndodhet në sallën e pritjes së ferrit. Ishin dy pistoleta, tetëdhjetë fishekë, shtatëqind pesos në bankënota, dhe gjithashtu ishin edhe dy skapulare, që portieri, mundi t’i perceptojë disi, pjesërisht i befasuar dhe pjesërisht i shtangur, ndërsa po hapte regjistrin e shënimeve për të plotësuar formalitetet zyrtare.

-Emri i vizitorit ?

-Marcio Tulio Tafur Triana, i mbiquajturi Lamparrilla.

-Toreador?

-Jo. Bandit profesionist. Domethënë kriminel.

-Shkaku i vdekjes?

-Vdekje e natyrshme.

-E natyrshme?

Portieri bëri një gjest që tregonte njëkohësisht dyshim dhe mosbesim.

-Përse thoshte vizitori që ai kishte vdekur nga një vdekje e natyrshme, megjithëse trupi i tij ishte bërë vrima-vrima nga plumbat? 

“Lamparilla”, tashmë i pavdekshëm, dhe me një pamje të lumturuar nga udhëtimi i mundimshëm metafizik, dha këtë shpjegim:     

-Për një burrë si unë, tetë plumba pas një grindjeje, janë një vdekje e natyrshme, më e natyrshmja e të gjitha vdekjeve. Një sëmundje e mushkërive ose e zorrës së verbër, do  të ishte për një bandit dinjitoz, një epilog artistik krejtësisht i gabuar.”

Gjatë kësaj kohe, në Toro, një fshat paqësor në luginën Cauca, trupi i shpuar nga plumbat i “Lamparillas”, prehej i qetë dhe i ftohtë akull, në një sallë vallëzimi, i rrethuar nga disa gra patetike dhe nga burra të ngrysur e të dyshimtë. Varrimi i tij duhej të ishte një procesion i madh kureshtarësh. Më parë, atje ku zakonisht mbaheshin qirinj në duar, qëndronin tre hajdutë të njohur të krahinës, që paraprinin kortezhin, në mes të cilit, miqtë e të vdekurit mbanin mbi supe kufomën vrima-vrima, që gjatë gjithë natës u ruajt nga policia. Kur kortezhi po kalonte, të krijohej përshtypja sikur arkivoli po i merrte me vete të gjitha tmerret, ankthet e netëve dhe të gjitha makthet e krahinës. Dhe ngjante që ndërsa arkivoli i shtrembur, i lartë dhe i pagdhendur, po zhdukej në qoshen e fundit të fshatit, në mes të një heshtjeje thuajse të kapshme, thuajse trupore, dukej sikur do t’i dilte para britma e një gruaje. 

Në ferr, sidoqoftë, ekziston një lloj revolucioni. Diku në mes, nën revolverët, nën fishekët dhe shtatëqind pesot e vjedhura dhe të një biografie jo të gëzueshme, ndodheshin dy skapularet dhe fjala e tij e pendimit në çastin e fundit. Ndoshta kështu do të përfundonte kjo histori. Ndoshta gjyqi i fundit nuk kishte dhënë akoma një gjykim përfundimtar, ndërsa varrmihësi po hidhte mbi të lopatën e parë me dhe, pas tij, një grua filloi të dënesë, më kot. Kjo ishte e gjitha, para se portieri i ferrit, i pagjumë dhe i çoroditur, t’i thoshte vizitorit pas tetë shekujve, mbasi ai kishte trokitur te porta:             

“Rasti juaj, përveç të tjerave, do të ishte më i thjeshtë, në qoftë se nuk do të ekzistonin dy skapularet.”   

DIALOG MBI KAFAZËT    

Nëpër disa letra të vjetra kam gjetur një dialog, që unë e kam dëgjuar një herë, pak a shumë besnikërisht, në një përgjim të një vdekuri. 

Kjo ndodhi para dy ose tre vjetësh, në një fshat të rrethit të Bolivarit. Dy njerëz të shtëpisë, ndërtues kafazesh, ndërmjet pushimeve të pirjes së rakisë, diskutonin si më poshtë:

-Për kanarinat është e rëndësishme që ato të këndojnë në një kohë të përcaktuar, dhe  kjo varet nga drejtimi që vihen thuprat në vrimat e kafazit, thoshte njeri.

-Por varet gjithashtu sesi janë bërë vrimat, thoshte tjetri.

-Unë i shpoj vrimat nga poshtë-sipër, mbasi kafazi është montuar.

-Kjo është arsyeja që në kafazët e tu, kanarinat këndojnë natën.

-Në qoftë se vrimat shpohen nga poshtë-sipër, ato këndojnë me emocion,

sepse kanarinat janë mësuar me faktin që pema rritet nga poshtë-sipër.

-Një kanarinë këndon me emocion nëse këndon para dite. Nata është për kukuvajkat, dhe… por që kanarina të këndojë paradite, vrimat duhet të bëhen nga sipër-poshtë.

-Natën, kanarina mund të këndojë gjithashtu me  emocion.

-Mundet, por megjithatë, kjo varet prej…

-Prej kujt?  

-Nga kanarina!

-Këtu qëndron problemi. Unë them se varet nga kafazi. Madje, unë shpesh kam besuar që nuk këndon aspak kanarina, por kafazi.

-Një kafaz vetëm nuk mund të këndojë.    

-Por, ngjan sikur kanarina të ketë  kënduar më parë. Një kafaz nuk është vetëm një kafaz, por duket sikur të ishte brenda, një zog, që ka pushuar të këndojë. 

-Sidoqoftë, nëse kanarina do të vihet në kafaz, vrimat duhet të hapen nga sipër-poshtë, në mënyrë që ajo të këndojë paradite.

-Kjo është marrëzi. Nëse ti i bën kështu vrimat, duhet ta vendosësh kafazin mbi kokë, që kanarina të këndojë me emocion.

-Unë nuk e di prej kujt ke mësuar ti kaq shumë budallallëqe. Babai yt ka qenë burri, që në këtë vend  merrte vesh nga kafazët.

-Jo, për kafazet, por për zogjtë dinte ai. Dhe prova është, që ai ndërtonte kafaze për gjithë botën, përveç vetes, sepse ai nuk kishte kurrë nevojë për to.

-Kështu thuhej, por unë besoj, që kjo ishte një dërdëllitje.

-Kur babai im ndërtonte kafazet, dhoma e tij e punës ishte plot me zogj. Prej tij, ata nuk kishin frikë, por prej atyre që porosisnin kafazet tek ai. Kur vdiq, njerëzit e lanë përgjimin e të vdekurit, sepse shtëpia u mbush me zogj.

-Fakti është që ti i ke trembur zogjtë, duke i lëvizur kafazet e tu, andej-këtej.

-Kjo nuk është aspak e vërtetë. Ti i ke trembur, sepse zogjtë e dinin që duhej të këndonin gjithë ditën dhe gjithë natën, në kafazët e tu.   

-Ti ishe ai. Këtë e pohon gjithë bota.

-Unë do të ta provoj ty, që ti i ke trembur. Dhe unë nuk iki prej këtej, edhe nëse do të duhej të diskutoj për këtë gjë tërë natën.   

-Mirë, kush ka të drejtë, nuk nxitohet aspak.

-Atëherë, po ta dhuroj edhe një. Përfundimisht, nata është gjithnjë më e gjatë sesa besohet.  

SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

Ju lutem lini komentin tuaj!
Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

Artikujt më të fundit

Rexhep Ismajli: Nga shqipja te gjuhësia ballkanike – rasti i Wilfried Fiedler-it

Më 1 dhe 2 tetor në Universitetin Friedrich Schiller në Jena (Gjermani) u mbajt një konferencë shkencore në kujtim të albanologut dhe...

Mira Meksi: Historia e çmimit ndërkombëtar “Kadare”. Dy laureatët e parë: Ernesto Sabato & Milan Kundera

Në prag të 100 vjetorit të tij, Ernesto Sabato mbylli sytë në Santos Lugares në Buenos Aires të Argjentinës, vendin plot gjelbërim...

Zija Çela: Stacioni i natës së fundit

Kur marr një libër të ri në dorë, thuajse pa vetëdije, shpesh më vijnë ndër mend dy pyetje të thjeshta, madje edhe...

Andreas Dushi: “Letërsia shqipe” teksti studimor i albanologut Stuart Edward Mann (Londër, 1955)

Në këtë paraqitje, të së parës skicë të letërsisë shqipe në anglisht për publikun, më duhet të kërkoj falje për mangësitë. Faktet...

KATEGORITË