FAR
Kur furi e jetes vrullshëm më përplas
detit plot me dallgë e shi kahmos
falë dritës tënde krejt bujare
shpresa dhe vullneti nuk mu sos
Dhe kur ajo trumë gaz që pata pari
davaritet çastit si të ish një re
shpresëthyer me vështrim drejt teje
ia dal mbanë të shkel në stere
Terratisen ditët e trazuara
mbi trazimin ti qëndron mitiku far
që të mos humb fillin prapë labirintit
veç me ty përmallshëm jap e marr
JA PSE TË DUA
Të dua
pikërisht
sepse s’më përket
mua
pikërisht
sepse nuk i përket askujt
të dua.
*
Shkruaj emrin tënd
dhe gjuha ime
bëhet hyjnore.
* * *
Vijnë dhe ikin vjeshtat,
kujtimet e vendlindjes
vjeshta s’kanë.
Përmet 05 nëntor 2017
*
Mitik zjarri.
Mitik ai që njerëzve ua dhuroi.
Të rinj vetëm zjarrvënësit.
* * *
Në fillim ishte deti
pastaj lulja
mëpastaj erdhi njeriu
dhe ngriti një mur
mes tyre.
BUTRINTI
Portes se Luanit
kalon Dreri i poezisë sime.
Tutje pyllit dëgjoj të vajtojë
një zog.
KUR IKI PREJ TEJE
Më ndodh si detarit me brigjet,
kur marr udhën për këtej,
sa më larg që iki prej teje,
aq më pranë të ndjej!
HENA LAHEJ NE DET
O hënë vetullngrënë e kësaj mbrëmje janari,
cili burrë të pa i pari?
* * *
Jam mik i detit
pulëbardhat më ftojnë në një festë
të kaltër.
*
Mbrëmja ra.
Ku do ta gjejë vallë fustanin
vjeshta,
për ballon e saj të fundit?
*
Dimri përpiqet të mbajë ende
vjeshtën
si kujtimi i një dashurie
që iku.
*
Drithma.
ndonëse ditë me diell.
Pezull.
As në tokë, as në qiell.
VDEKJA E PULEBARDHES
Peshkatar i sprovuar,
ty që s’të mbytën stuhitë
nëpër dete,
të mbyti një pikë loti.
PAS ZJARRVENIES
Një rrapi
Ai nuk është plandosur,
ende qëndron atje,
një obelisk i zi,
për ty
njeri.
* * *
Gati për “duel!”
Vec jo me një armik si ty.
Me një armik që e çmoj,
që ka shumë më pak pika të dobëta
se ty.
*
Kam mbetur në udhëkryq
për ato çka (s’)bëra
vetes i bëj gjyq.
DUSHKAJA NE PRAG PRANVERE
Dushkaja përgatitet të vishet me
blerim,
vetëm mbi një lis
do të këndojë qyqja.
NIKEA
Muzgjeve
ndodh të afrohet këtyre brigjeve
pastaj sesi humbet në errësirë.
Fari i mallit regëtin detit
të trazuar.
* * *
Vetëm zogjtë krenarë
e japin frymën e fundit
në lartësi.
Të kaltra janë ikjet
e tyre,
të kaltra.
*
Kumbull vetmitare ne mes të
ugarit.
Pranvera të paska veshur me fustanin
e bardhë!
Po ku janë dasmorët?!
Po krushqit ku do të kenë mbetur
vallë?!
*
Qeti e kaltër në gri,
Mesditë e prushtë korriku,
Ajo që pritej nuk erdhi,
Ajo që ish, tashmë iku.
*
Ishim dy brigje
që i lidhte deti
tani na lidh tek-tuk
ndonjë zog
shtegtar.
*
Unë e di, ti do të vish,
do të vish
para se të bjerë gjethi i fundit
i vjeshtës.
* * *
Vera është hot ëoman
që shkon me të gjithë burrat
e megjithatë
unë çmendem pas saj.
*
Mbrëmja ra.
Ku do ta gjejë vallë fustanin
vjeshta
për ballon e saj të fundit?
*
Kërkoj gjurmët e tua,
i paska fshirë xhelozja vjeshtë,
të cilën ashtu si ti
nuk e kuptova as si erdhi
e as si iku.
BUZË LIMANIT TË SHPRESËS
Ndërsa agimi i purpurt ia beh në qytet
dhe peshkatarët kthehen prore në liman,
në tavernën “Poseidon” fillikat jam ulur
dhe përsëris me vete vargun naimian.
Sakaq njëri syresh vjen e më afrohet,
një kapiten i zoti, i njohur në këtë qytet,
më thotë: Ç’bëre ti për këtë dhé? Asgjë, o mik!
Pale pastaj, i thua vetes edhe poet!
Pse vjen kështu e druajtur, e nemitur
kjo e sotme në vendin tënd, në vendin tim?
A do të jetë e nesërmja aq e ndritur,
siç i këndoi me mall rilindësi Naim?
Buzë këtij deti të trazuar,
ç’përgjigje t’i kthej kapitenit riosh?
Ndodhka të jesh poet mbushur plot me shpresë,
dhe përsëri në këtë vend të ndihesh bosh!
Kupën e së sotmes e kthej me fund
te ky liman ku ish Naimi doganier,
këtu ku i dha udhë vjershërimit shqip,
dhe si qiri mandej për mëmëdhe u ter.
Brigjeve të Kaonisë i nis motivet,
si grigjë kuajsh ranishtes me revan,
nxitoj të bëj çka mundem si poet,
teksa më prin udhën ylli naimian.
EKLIPS
1.
Thonë se
sot do të ndodhë
eklipsi i diellit
unë them
s’ka hënë
që e mbulon diellin
tënd.
2.
Në syrin tënd të kthjellët
shoh pasqyrimin e kësaj bote.
3.
Qysh kur të njoha ty
pranverën e thërras me emrin
tënd.
4.
Ti lë përherë pas
një shtjellë të bardhë
në të cilën mbyten
vetëm ata
që dinë të notojnë.
5.
Duhet të kesh diçka diellore,
vërtet.
Ndryshe,
si ta shpjegoj ndryshimin e kursit
të Tokës dhe rrotullimin e saj
rreth teje?!
6.
Prej gjelbërimit të syve
të tu
zë fill
lulëzimi i pranverave.
7.
Jetoja me imazhin tënd
magjepsës
jetoja
deri në momentin
që u bëre reale.
8.
Në rrugën
ku koha treti dhe gurët
ti
kalon si dikur.
9.
Ti je aty përherë,
në qendër dhe rrezeartë,
ndërsa unë ka kohë që bëj
udhën që bën
luledielli.
10.
Ti ke qenë këtu në të katra stinët
një flamur i blertë shprese
thjesht ne nuk kemi dashur
të të vëmë re.
11.
Kalove bregut
e kaltra e hijes sat
kaltëroi detin.
12.
Erdhe kësaj ane,
ia more gjithë ngjyrat
perëndimit
dhe ike.
Dua të takoj
atë,
njeriun që pa lindjen i pari.
13.
Gjelbërim i katër stinëve
gjelbërim
ti
edhe hijen e ke
të blertë.
14.
Dimrit si ke dimëruar,
këtij vendi ku je kotur,
dhe vjen bregut kaonik
këtë mbrëmje e përlotur?
15.
Hodha farë ugareve të tua.
Ti, tokë e dëlirë, e bekuar,
më mirëprite
në çdo stinë.
Urime për poezitë Dashamir!