Kreu Arte pamore Driant Zeneli — Fëmijët e minierave të Bulqizës në Bienalen e...

Driant Zeneli — Fëmijët e minierave të Bulqizës në Bienalen e Venecias

Nga Fatmira Nikolli

Ndodhemi në Bulqizë pranë minierave dhe kemi përballë 5 heronj. Janë pesë fëmijë që ecin nëpër zonën e minierës, zbulojnë një kapsulë kozmike dhe duan të ikin prej aty. “Vepra flet për 5 astronautë të vegjël që gjejnë një kapsulë dhe nisin udhëtimin e tyre. Udhëtimi i tyre ndiqet nga një person i gjashtë”. Artisti Driant Zeneli e shpjegon kështu këtë pjesë të veprës me të cilën Shqipëria shkon në Bienalen e Venecias. A është përfshirë në të drama sociale e fëmijëve të Bulqizës? A është përfshirë drama e një qyteti si Bulqiza apo drama e një qyteti si Elbasani me ndotjen e madhe për shkak të Metalurgjikut? A i prek vepra problemet tona?
Drianti thotë se përballë tragjedisë së të tjerëve secili ndihet ndryshe. “Edhe në revista ke në një krah tragjedinë dhe në anën tjetër është reklama. Disa prej nesh e shohin. Jam shumë i interesuar për aspektet sociale e politike. Krijoj narrativë paralele duke luajtur mes reales dhe fiksionit. Ka momente që biem e që ngrihemi. Kjo s’do të thotë që vepra nuk prek. Kjo s’do të thotë që s’po flas për situatë sociale. Por edhe si mund të ripërdoret situata sociale dhe si mund të ripërdoret metalurgjiku”, – tha ai. Ndërsa kuratorja Alicia Knock tha se Drianti ndërton triologji. “Ideja si gjëja lokale bëhet globale. Është e bukur të punosh me një projekt me këtë titull dhe kthehesh në një kohë që Shqipëria s’mund të shihte disa gjëra dhe ishte e mbyllur”. Sa i takon anës sociale ajo tha: “…nuk duhet të mohosh kaosin. Ne mund të fluturojmë. Ne mund ta provojmë. Ajo që ndiej është se ky projekt është shumë fiksional, tragjik dhe pothuaj pesimist.” Kështu u shpreh ajo duke folur për fëmijët e Bulqizës që duan të udhëtojnë e të ikin. Konck tha se ky është udhëtim në hapësirë për ata fëmijë që s’mund të lëvizin tokën jo më kozmosin.

VEPRA

Pavijoni shqiptar në Bienalen e Venecias i takon Driant Zenelit me titullin Maybe the cosmos is not so extraordinary. Këtë vit pavijoni qëndron hapur në datat 11 maj-24 nëntor 2019. “Ndoshta kozmosi nuk është aq i jashtëzakonshëm”, një projekt i artistit Driant Zeneli, kuruar nga Alicia Knock. Si i shtyjmë kufijtë tanë fizikë dhe mendorë pa u bërë superheronj? A mund të bashkëjetojnë e mundura/ realja dhe imagjinarja? Në thelb të hulumtimit të Driant Zenelit qëndron ripërkufizimi i dështimit, utopisë dhe ëndrrës. Nëpërmjet rrëfimit filmik dhe performancës, Driant Zeneli sfidon përpjekjen ngulmuese të njerëzve ndaj kufijve të tyre, duke nxjerrë në dritë përgjigjet e mundshme të brishtësisë së qenieve njerëzore dhe planetit Tokë. Ai sfidon marrëdhënien fizike dhe metafizike midis njeriut dhe hapësirës, materies dhe ëndrrës, gravitetit dhe kontrollit. Maybe the cosmos is not so extraordinary (2019) është një video-instalacion skulpturor, i cili bazohet në një projekt shumëdisiplinar emërtuar Beneath a surface there is just another surface, që nisi në vitin 2015 në Metalurgjik, një kompleks industrial dystopian, në qytetin e Elbasanit në Shqipëri. Projekti dhe titulli i tij rrjedhin nga novela fanatastiko-shkencore “Drejt Epsilonit të Eridanit” (1983) e shkruar nga fizikani dhe shkrimtari shqiptar Arion Hysenbegas. Instalacioni zhvillohet nga një film me dy kanale, ngjarjet e të cilit zhvillohen në minierat e Bulqizës, një qytet në verilindje të vendit, ku, që prej vitit 1918, është nxjerrë minerali i kromit.
Kromi përbën një burim kryesor për zhvillimin industrial të Shqipërisë dhe bie ndesh me përplasjet ekonomike dhe politike në Jugun Global (botën në zhvillim). Filmi paraqet një grup adoleshentësh nga Bulqiza që zbulojnë një kapsulë kozmike, e cila ndjek udhëtimin e kromit, nga nxjerrja dhe përpunimi i tij brenda fabrikës deri në eksportimin dhe shfrytëzimin e tij në mbarë botën. Prandaj ky udhëtim hapësinor “gjeopolitik” e kthen këtë mjedis industrial të errët dhe dramatik në një hapësirë shumëvlerëshe për kolaps dhe fluturim. Nëpërmjet rrëfimit binar, koreografisë së përpiktë të pamjes dhe zërit, fabrika mbarëvepron jo vetëm si një hapësirë industriale apo qendër gjeopolitike, por edhe si një forcë pamore performuese. Nxjerrja e kromit shndërrohet në një pamje skulpturore hipnotike dhe si pasojë, e tërë fabrika përkthehet në një instalacion të madh “paralel” të dritës dhe zërit, i vulosur organikisht në muret e Arsenales. Në këtë hapësirë produktive dhe magjepsëse, Driant Zeneli synon të krijojë tension midis një realiteti shtypës nëntokësor dhe një hapësire utopike të mundësisë dhe çlirimit. Maybe the cosmos is not so extraordinary përpiqet të zbulojë fizikisht aftësinë e së zakonshmes, madje edhe në qoshet e saj më të errëta, për të zgjeruar qenien tonë.
Driant Zeneli (lindi në vitin 1983, Shkodër, Shqipëri) jeton dhe punon mes Tiranës dhe Milanos. Në vitin 2008 fitoi çmimin ndërkombëtar të artit bashkëkohor “Onufri”, në Tiranë; në vitin 2009 çmimin e artistëve të rinj europianë “Trieste Contemporanea” dhe në vitin 2017 çmimin “MOROSO”, Itali. Ai ka qenë drejtor artistik i bienales së artistëve të rinj nga Europa dhe Mesdheu, “Mediterranea 18”, që u zhvillua për herë të parë në vitin 2017 në qytetet e Tiranës dhe Durrësit. Është bashkëthemelues i Platformës së Artit Bashkëkohor Harabel në Tiranë. Veprat e tij janë paraqitur në: GAMeC, muze i artit modern dhe bashkëkohor, Bergamo (2019); Passerelle, Centre d’art contemporain, Brest (2018); Mostyn Gallery, Uells, Britani e Madhe (2017); MuCEM, Marsejë (2016); Academie de France à Roma (2016); Centre Pompidou, Paris (2016); IV Bienal del Fin del Mundo, Kili (2015); GAM, muze i artit modern dhe bashkëkohor, Torino (2013); White House Biennial, Athinë (2013); KCCC, Klaipeda, Lituani (2013); ZKM, Karlsruhe (2012); MUSAC, Castilla León, Spanjë (2012); Bienalja e Pragës 5, Pragë (2011); Trongate 103, Glasgou (2011); Galeria Kombëtare e Kosovës, Prishtinë (2010); Museo d’Arte Contemporanea Villa Croce, Genoa (2009); Galeria Kombëtare e Tiranës (2008).

SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

Ju lutem lini komentin tuaj!
Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

Artikujt më të fundit

E përtejmja e qenies dhe e atjeshmja e poetit (Sprovë për një lexim pragmalinguistik të poezisë “Kur të jesh mërzitur shumë”) nga Tomorr...

Kur të jesh mërzitur shumëKëtu s’ do të jem, do jem larguar; Në tokë i tretur si të tjerët, Në kafenenë...

Alba Kepi: Gjurmë shqiptare në qytetin më antik italian

“Vrimat e zeza” të Levit “Përballë ishte një mal tullac e shterpë me një ngjyrë të shëmtuar gri, pa...

Shkrimtari i ri përballë kohës, vendit dhe besueshmërisë (Refleksion para “Panairit të Librit”) nga Andreas Dushi

Muaji i librit, tetori, dhe muaji i Panairit, nëntori, më bënë të mendoj se si një shkrimtar i ri qaset në realitetin e...

“Përshëndetja e nënës”, tregim nga Ljudmilla Petrushevskaja

Përktheu nga origjinali Aleksandër Koli Olegu, një djalosh i ri, kur i vdiq e ëma mbeti jetim. Mbeti...