Kreu In memoriam Dr. Primo Shllaku: Mbi dukunitë jashtametodike në letërsinë e kohës së socializmit...

Dr. Primo Shllaku: Mbi dukunitë jashtametodike në letërsinë e kohës së socializmit real – rasti Blloshmi

Tashma asht e kjartë për të gjithë ne se gjatë periudhës së socilaizmit real dhe, konkretisht, gjatë kohës kur realizmi socialist shpallej si e vetmja metodë mbisunduese në letërsinë dhe artet e Shqipnisë socialiste, në mënyrë të fshehtë dhe të padukshme shkruhej edhe nji letërsi tjetër, e cila me parim dhe me përvijim shkonte në kahe të kundërt me atë zyrtaren, për mos me thane se ishte një kundramajë e saj.

Kjo letërsi shpërfillte estetikisht dhe intuitivisht parimet, praktikat, tematologjinë dhe strukturën skematike të ideologjisë që i rrinte metodës së realizmit socialist në bazën e tij dhe zhvillohej në veçantitë e saj të klandestinitetit si nji letërsi e orientueme prej dy qendrave të gravitetit.

1.    Tradita gati dyshekullore e letërsisë shqipe

2.    Përpjekja për t’u vu për hap me letërsinë europiane pak a shum bashkëkohore.

Të dyja këto qendra orientimi e çojnë këtë letërsi paralele, për të cilën po flasim, në nji refuzim të dukshem estetik ndaj zyrtares dhe shofim tek ajo përpjekjen, sado në vetmi dhe pa ndjesinë e qenies komunitet, të vetafirmohet në heshtjen e saj e vetminë e thellë si nji fjalë e së nesërmes, e cila për hir të së vërtetës nuk i bani të shquhen lavruesit e saj për kurrfarë profecie lidhun me të ardhmen, përveç faktit që ajo letërsi duhej shkrue dhe duhet të ishte fakt, pa e ditë askush as përspektivën, as të ardhmen e saj në logjikë shifrash e numrash që ma së paku të kishin lidhje me kohën dhe rrjedhjen e saj. Ardhja e këtij produkti në pakohën e tij dhe njilloj verbimi parashikues i autorëve mbase lidhet me transcendencën e historisë dhe përvojat ende shum të gjalla të intelektualëve e qytetarëve shqiptarë që, në kohë të vështira për ta, të cilat përsëriteshin shpesh, kishin zhvillue sisteme të menduemi dhe praktika adekuate të thana me njifarë proverbialiteti si: “ma mirë puno kot se rri kot” ose “ma mirë ta kesh se të mos e kesh diçka,  sepse nuk i dihet, gjithçkasë i vjen koha e vet”. Në mesin e këtyne autorëve që ende shkenca zyrtare e studimeve letrare nuk e ka vu ujin në zjarr me iu gjetë nji emën përgjithësues, por edhe përfaqësues lidhë me aktin qytetar dhe antikonformizmin që përmban, hyjnë me pikë të plota autorë si Trifon Xhagjika, Zef Zorba, Avzi Nela, Sandër Gera, Muhamet Ademi, Lec P.Shllaku, Anton Çefa, Luigj Toni, Nest Përdoda, Genc Leka dhe, ma së fundi, biri i Librazhdit e poeti në kantier, për të cilin edhe jemi mbledhë sot, Vilson Blloshmi.

Por mungesa e nji kritike të mirëfilltë e kryesisht institucionale, e besueshme dhe dhe e larmishme në vlerësimet e saj ka ba që ndër ne të ketë ngatërrim të kritereve të vlerësimit të figurave. Zakonisht mendojmë se lajthitjet ma të mëdha kanë ndodhë kur asht përzie e pështjellue kriteri moral me atë estetik. Dihet se ky problem, përsa ndamja e kriterit moral nga ai estetik asht zgjidhë në mënyrë të plotë dhe shteruese nga filozofi grek, Aristoteli, dhe se etika dhe estetika (edhe pse aso kohe nuk quheshin bash kështu) janë pa si të ndame njena prej tjetrs dhe se zavendësimi i njenës me tjetrën, sidomos i estetikës me etikën na çon në përfundime iluzore që, për të qëndrue sa ma gjatë mbrenda hapësinave të së vërtetës, kanë nevojë për gabime që përsëriten. Këto ngatërrime të parimeve dhe kritereve të qasjes kritike që nuk janë të vetmet dhe që trashëgohen, me sa duket nga vetë doktrina marksiste, e cila i sheshonte ligjet vepruese në fushën e ekonomisë me atë të fushës shoqnore dhe shpirtnore, tek na, edhe gjatë këtyne vjetëve të tranzicionit, kanë vazhdue me prodhue shum mitologji dhe tabu. Pra për studiuesin e vemendshëm dhe kritik të letrave shqipe ma të fundit, fusha e letërsisë asht mjerisht nji fushë e minosun dhe ku nuk duhet hy sepse “bathët janë nda”, titujt janë dhanë, vlerat janë identifikue dhe konkluzionet janë ba. Mbase për këtë shkak në letrat tona ka kaq heshje, ka kaq solizëm të disave që u ka kalue vakti dhe janë kthye në lëvozhga vezësh që u ka ikë njiherë e mirë zogu etj.

Në qoftë se e ndajmë aktin biografik të Vilson Blloshmit nga akti i tij letrar, por pa e degdisë këtë të fundit drejt të pakonsultueshmes dhe të të papërfillshmes, a mundemi na sot, mbas 45 vjetësh nga vdekja tragjike e dy çunave të Librazhdit, të ulemi me gjakftoftësi dhe të analizojmë shkrimet e tyne nga nji pikëpamje artistike dhe estetike, si letërsi dhe si poetikë? A e pranon sot ndjeshmënia populiste nji operacion të tillë, prej të cilit unë kam bindjen se vende-vende mund të dalim edhe me poetë dhe poezi të mirëfilltë, pa e prekë aspak figurën heroike apo prej dëshmori të nji emni ose të disa emnave? A e pranon mendësia e jonë e trashë mitologjike se të jesh dëshmor dhe hero e të jesh poet janë dy gjana të ndryshme dhe se ato nuk shkojnë detyrimisht bashkë? A e pranon establishmenti ynë letrar se duhen rishikue në këtë kandvështrim shum emna dhe prodhime letrare që deri tashti kanë fitue nji status të paprekshëm dhe të paanalizueshëm? A po e vemë na kritikën dhe mendimin tonë kritik, opinionet tona sporadike kritike dhe bisedat tona ma të thjeshta por ma të angazhueme para faktesh të kryeme lidhë me vlerësimet e disa emnave që janë të primë prej nji akti shoqnor heroik ose gjysmëheroik? A kanë vlera të mirëfillta estetike dhe poetike prodhimet që na lanë mbrapa disa emna që për biografinë e e tyne kanë nji aureolë të meritueshme dinjiteti e karakteri  njerëzor të pacen? Kjo letërsi që u shkrue në rrethana të tilla: ishte protestë, shfrim ndjenjash, sintonizim empatik me dhimbjen e magazinueme në artin botnor lidhë me gjendjen në diktaturë ose pamundësi historike apo edhe për shkak të ngujimit të njeriut në kohë? A ishte letërsi sistemike kjo, si pjesë e nji korpusi letrar që, në rrethana të tjera, do të kishte nji zhvillim të plotë fazash, pjesësh, gjinish apo edhe kreshendosh? Mandej pse kjo letërsi kishte nji unë poetik kaq të  gushtë dhe se shpesh mbetej në paraqitjen e nji rasti të vetëm dhe rezonancat e saj mezi delnin nga hapësinat e rastit vetiak? Këta dëshmorë ose heroj a mund t’i bishtnonin diktaturës pa i ra asaj në sy apo dëshpërimi kulturor e qytetar i çonte ata në nji dehje a gjendje jermi që nuk po e kuptonin vlerën unikale të jetës dhe papërsëritshmëninë e saj? Çfarë përcaktoi që Blloshmi e Leka të mos ishin sot këtu në mes nesh, të thinjur e të bardhë, në të shtatëdhjetë e katërtin mot të jetës së tyne, moshë kjo e arritshme për ma se 50% të popullsisë së globit? Dhe për fund nji pyetje të fundit ekzistenciale: A asht ma e vështirë me jetue apo me vdekë për nji kauzë të madhe si ajo e lirisë, letërsisë dhe e artit?

Unë mendoj se njerëzit që shënuen epokat dhe pragepokat ose kthesat historike na duhet t’i pranojmë mbas analizës dhe jo t’i gëlltisim ata të pashqyrtuem dhe me ngutin e dehjes së mitologjisë historike që aq sufiçitare ka qenë ndër ne qysh se e mbajmë mend na veten tonë. Ata duhet të kthehen në fakte kulture dhe studimi dhe jo t’ia ekspozojmë vetëm kujtesës fizike të nji ose disa brezave, sepse kujtesa fizike shtjerret dhe zbehet deri në zerim të imazheve. Librat, analizat kritike, debatet janë të vetmet rrugë që do ta seleksionojnë produktin që duhet t’i dorëzohet kujtesës sonë kulturore në formën e saj rezistente ndaj harresës dhe deformimeve, minimizimeve dhe ekzagjerimeve, të cilat vetëm sa i damtojnë objektet e subjektet tona të studimit. Kritika e fortë do të jetë ajo që, tue e zhveshë sendin nën studim prej ambalazhit të saj mitik, do të distilojë dhe do të na japë në dorë atë pak “mineral” të pashkatërrueshëm, të pavdekshëm (por jo të padiskutueshëm) që na do t’ia kalojmë së ardhmes si produkt konstruktiv të ngrehinës së vlerave.

Fillimisht do të dëshiroja me shtrue si problem parësor, raportin që ka Vilson Blloshmi me poezinë dhe shkrimet letrare, përfshi aty edhe përkthimet jo të pakta dhe selektive të tij. Në mungesë të studios, në mungesë të ngesë eksistenciale, në mungesë të qetësisë krijimtare dhe në prani të nji gjuetie shtrigash të cilës na duket se Blloshmii i nënshtrohet sidomos në 12 vjetët e fundit të jetës së tij të shkurtë, ky djalosh që mbeti i tillë në imagjinaren tonë nuk e kishte luksin me e pasë letërsinë si profesion apo si prirje për profesion. Këtë e vërteton në radhë të parë numri relativisht i vogël i poezive, tematika e tyne e hallakatun, shkrimet e tij heterogjene dhe eklektike, mungesa e nji boshti letrar që do të shifej si veçanti e nji periudhe etj.

Gjithsesi ndodhemi përballë leximesh të zgjedhuna të Blloshmit, lexime dhe autorë francezë kryesisht që mesa duket janë edhe autorët që ai ka arritë me i gjetë në formën e librave. Klasikët Voltaire, Hugo e Baudelaire-i janë libra që kanë ekzistue në bibliotekat shqiptare qysh para Lufte. Pra vemë re mungesë të shkrimtarëve e poetëve francezë të shek. XX, të cilët gjendeshin shum rrallë dhe me shum vështirësi huazoheshin për arsye të tejndjeshmënisë së regjimit ndaj modernizmit dhe autorëve të tij. Muza e Blloshmit duket e ankorueme fort tek romantikët dhe postromantikët, ku gjendjet shpirtnore të pikëllimit, trishtimit, të mosrrugëdaljes, si dhe temat e vdekjes, të varreve, të errësinës e të hiçit janë edhe bulmeti i preferuem i tyne. Ekzistojnë teori të cilat merren me shkakësitë e paratekstësisë së autorëve dhe gjithnji asht lehtë të deduktosh se klimat e barabarta vehen ma shpejt në raporte sintonie e bashkëtingëllimi se sa ato të ndryshmet. Romantizmi shfaqi interes të hershëm për situatat negative shpirtnore, për dhimbjen, për papërballueshmëninë e fatkeqësive, madje edhe për epshin përmanent të viktimizimit si rrugë për të mbërritë sa ma shpejt tek librimi ose prehja fizike ose shpirtnore. Mos të harrojmë reaksionin zinxhir të vetvrasjeve mbas botimit të “Vuejtjeve të djaloshit Ëerter” të J.Ë. Goethe-s. Mos të harrojmë se fryma romantike në letërsi dhe ndjeshmënia romantike në jetë vetëm njiherë janë takue me pasoje prodhimtare. Herët e tjera romantizmi vazhdoi me qenë pjesë e jetës dhe kryekreje e rinisë, por jo edhe e letërsisë e arteve, paçka se pesimizmi mbeti përjetësisht nji mëlmesë e pamungueshme mbi tryezën e artistëve. Për universalitetin dhe kultin e ndjenjës romantizmi u ba edhe mënyrë jetese, sidomos e të rinjve që ende nuk kanë ba zap mbrenda vetes disa forca që gjithsesi i quejmë tundime.

Pra V. Blloshmi kërkonte libra dhe gjente libra. Gjente libra që i flisnin për nji epokë  tjetër dhe për nji modë tjetër të sjelluni në shoqni dhe me vetveten. Me gjasa ai e shkruente poezinë sepse ajo ia përfshinte ma mirë e ma shpejt mendimet dhe vegimet e tij mbi veten dhe gjendjen e tij familjare e shoqnore. Duhet shënue se, nga ana tjetër, leximet për të ishin nji hapje e madhe nga vetmia e izolimi i fshateve malore të Librazhdit, kontrasti i ambjentit rural kooperativist me shtegun e gjetun prej këtij djaloshi që donte me çdo kusht të afirmonte aspiratat e tij në nji mënyrë sa ma të qytetnueme siç ishte shkollimi e vartësia prej librave. Edhe për Vilsonin librat e leximet ishin mjete “udhëtimi” dhe arratisjeje nga e përditshmja dhe e rëndomta. Ai i shilonte librat si të ishin kuaj ose avionë pasagjerësh dhe kryente në shpinën e tyne ata udhëtime e lëvizje që për të dhe për shqiptarët ishin kaq rreptësisht të pamunduna. Mbase ai kërkonte tek këto “udhëtime” nji amortizues të pamumundësive të tij vetiake por edhe gjeneracionale për të jetue kulturalisht në nji mjedis ma të gjanë e ma vibrues. larg monotonisë tematike dhe obsesionit ideologjik të letërsisë zyrtare.

Gjithsesi mosha e Blloshmit asht nji kohë specifike e jetës së njeriut. Asht kaq e vrullshme, kaq e energjizueme sa shpesh herë ka prirjen me i ikë edhe komandave të arsyes dhe me e ekspozue rrezikshëm individin. Kjo na ka ndodhë të gjithëve dhe sidomos e dukshme dhe e ndjeshme kjo gja bahet në kohë të vështira, kur për çdo derë njeriu rrinte në pritë nji cerber.

Le të marrim pak në shqyrtim poezinë e tij ma të njoftun “Saharaja” dhe të analizojmë disa veçanti të vjerrshërimit të saj si poemë dhe si përkatësi metode.

Dukshëm “Saharaja” asht nji poemë e shkrueme nën ndikimin e Baudelaire-it dhe ma gjanë, nën ndikimin e simbolizmit. Në të dalin të kjarta dhe të lexueshme “gjegjësitë” bodleriane. Saharaja asht ngritë në simbolin e gjendjes në Shqipninë e regjimit komunist. Pra nëse tentojmë ta “përkthejmë” Saharanë në nji koncept a nocion tjetëër gjegjës dalim  tek  Shqipnia e asaj kohe, tek regjimi që sundonte tek na, tek shteti shqiptar i kohës së diktaturës 1944-1990, pra kemi nji poezi simboliste në të cilat “gjegjësitë” nuk na japin adekuatisht nji nocion tjetër të njoftun ose edhe të panjoftun që shestohet atypëraty në praninë e poetit dhe të lexuesit të parë, por kemi nji nocion të sugjeruem pak a shum polisemantik, të gjanë dhe të përgjithshëm. Kurse paralelizmat kuptimisht janë krejt të kjarta dhe vetëfolëse për këdo që e ka përjetue atë epokë me nji ndjeshmëni në kahen e lirisë dhe të diponibilitetit të vetvetes.  Saharaja paraqitet si një qenie dhe mund të themi me plot gojën se figura bazë e saj asht personifikimi i kësaj shkretine. Ajo asht e izolueme, e rreshkun nga dielli, shterpë dhe e shkrumosun fund e maje. S’ka shoqe tjetër përveç vetes së saj, asht unikale në egërsinë dhe mosmikpritjen e saj proverbiale, nji antimjedis, nji anti tokë, që as andrra nuk shef dot dhe kësisoj asht prodhim i mosandrrës. Saharaja asht barkthatë në të gjitha kuptimet, edhe në të urisë së përjetshme dhe mungesës së ushqimit, por edhe se ajo nuk pjell, asht shterpë e nuk ka trashëgues. Madje Blloshmi na thotë se edhe vetë nata, e pame kjo si simbol i errësinës dhe i verbimit pasiv të synit njerëzor, nuk e do Saharanë, pra Saharaja asht nji e keqe në shkallën sipërore, nji e keqe limit, që nuk ka ma përtej saj. Blloshmi ngre edhe nji pyetje tjetër: si ndodhi që njerëzimi dhe shtëpia e tij, rruzulli tokësor, arritën ta marrin mbi shpinë këtë plagë, thotë autori.

Paralelet e autorit me gjendjen e përgjithshme dhe punët e regjimit janë të dukshme dhe të përvijueshme. Në ndonji vend ai, madje me fjalët e tij, por tue prekë esencën godet edhe luftën e klasave kur thotë:

Kur ai për keq e mban në gojë,

Saharaja e mban vesh e qesh

Saharaja fillon të gëzojë

Kur ne mallkohemi mes nesh.

Kjo poezi emblematike e tij në mënyrë të pakundërshtueshme ishte nji poezi politike e ndërtueme me simbole dhe e përvijueme simbas rrugëve simboliste të gjegjësive ose korrespondencave.

Çuditërisht finalja e poemës “Saharaja” tingëllon si gjykim i Blloshmit për Shqipninë, për të ardhmen e regjimit dhe të diktaturës, ku shquejmë nji dritë jo të pakët gjykimi dhe vlerësimi për të gjithë tabllonë e përshkrueme prej tij:

Shkretëtirë e shkretë mbetet shkretë.

Ky varg me vlerën e një shenje të thekshme pikësimi nënvizon me të madhe kotësinë e eksperimentit socialist dhe shkatërrimin progresiv që do të shkaktojë. Gati nji profeci e tij ! Poezia në fjalë mbetet nji poezi politike, nji refuzim i fort dhe gati direkt i gjendjes në Shqipninë e 1973-74, nji dëshmi e refuzimit të tij, por edhe nji dëshmi mbi të cilën akuza duhet të jetë mbështetë për dënimin kapital të Blloshmit.

Meqë nisem me gjetë shenja të sigurta të nji talenti letrar dhe të nji teknike po letrare të ushqyeme nga leximet formuese, do të kisha dëshirë me përmendë nji poezi tjetër, e cila ndryshe nga të 26 poezitë e botueme tek libri Vilson Blloshmi – Vepra, botim i Klubit të Poezië më 2020, asht prej atyne të pakave që kanë titull, pra e kam fjalën për  poezinë Sonet vjeshte.  Risi në këtë poezi asht struktura e saj e përbame prej vargjesh të alternueme me gjatësi ekstremisht të ndryshme.  Vargjet e gjata janë  11rrokëshe, kurse vargu mbasardhës asht 2rrokësh. Kjo sinkopë që krijohet këtu, gati si aritmi zemre apo si ramje e papritun dhe e përsëritun në boshllëk, na flet se Blloshmi në atë stinë dëshprimi po kërkonte edhe forma të reja për ta skandue gjendjen e tij të mbrendshme, shpirtin e tij të çalë dhe krenarinë e tij të vrame. Gjatë leximit me za të kësaj poezie vargjet 2rrokëshe e godisnin randë interpretimin dhe më ngjanin si lemza të shkurta, por të egra që ndërpresin nji bisedë a ligjërim.

Blloshmi iku me nji grusht të vogël poezish, gjithsejt 26, pjesa ma e madhe pa titull, gja që tregon se ato poezi ishin ndoshta pjesë e ankthit të tij dhe e ndjenjës së zymtë se ai nuk do të kishte rrugëdalje, se nuk do t’i jepeshin ato që kërkonte. Dhe unë shof që Blloshmi nuk kërkonte t’i jepej akses në shtëpitë botuese as edhe ndonji privilegj që ai si njeri me prejardhje të përsekutuemish, nuk mund ta fitonte kurrsesi. Ai shkroi, sepse ishte njeri i leximit dhe i shkrimit, pra ai nuk mund të mos tundohej nga shkrimi i jetës së tij. Këtë ai e bani me anë poezish, të cilat për fatin e tij të madh shpëtuen pa u asgjasue, por edhe shpëtuen nga ndonji hipëregoizëm i autorit që, kur e ndien rrezikun, i këndon vetëm rastit të vet. Ai rezonon fort me fatin e Saharasë dhe me fatin e atdheut të tij që aq keq u soll me të gjatë gjithë viteve të 20 të jetës së tij. Kurr nuk u shfaq 3 në krye të numrit të moshës së tij e që tregon fundin e pranverës së jetës së njeriut. Vepra e tij e pambarueme qe ndoshta nji prelud i paralajmëruem i nji fundi tragjik, ku ai vetë na duket se kishte vendosë të mbërrinte për dëshpërim apo ndoshta për sosje durimi.

SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

Ju lutem lini komentin tuaj!
Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

Artikujt më të fundit

Henri Matisse, “Shënimet e një piktori”, 1908

Një piktor i cili i drejtohet publikut jo vetëm që t’i paraqesë veprat e tij, por për t’i shfaqur edhe ca nga...

Anisa Markarian: Disa pikla dëshmi në oqeanin e kujtesës së përbashkët

Bisedoi Andreas Dushi A.D: Tuj rrëmue n’do gjana t’vjetra / gjeta nji fotografi. Këto dy vargje nga një...

Anisa Markarian: Trupat e rinj

fragment nga romani «15 ditë prilli» – Botime Çabej Tavolina e laboratorit të anatomisë, e gjatë dhe e...

Sevdai Kastrati: Romanet që janë konsideruar gabimisht (pjesa 5)

Më bën përshtypje se si Fotaq Andrea nuk ngurron para hipotezave dhe ec përpara pa fakte. Pajtohem pjesërisht se Konica nuk...

KATEGORITË