ExLibris – sponsor medial i konferencës shkencore ndërkombëtare, “ÇËSHTJE TË GJUHËS, LETËRSISË DHE PËRKTHIMIT LETRAR”. Fakulteti i Filologjisë i Universitetit “Fehmi Agani”, Gjakovë
Hyrje
Koncepti i tjetrit- i të huajit në letërsi është koncept i vjetër sa edhe vetë letërsia. Brenda relacioneve gjeokulturore, historike, ideopolitike, etj, koncepti i tjetrit- i të huajit, ka zënë vend në letërsi, që në oralitet e tutje në letërsinë e shkruar, në të gjitha periudhat letare. Mjafton ta kujtojmë eposin shqiptar me një varg figurash të heronjve (kreshnikëve) që urrejnë e luftojnë Arapin e zi, Bajlozin e zi, ose si adhurojnë vashat e bukura, bijat e të huajve, qofshin ato romake, turke, hebreje, sllave etj. (Jevreninë e bukur- vajzën hebreje, Llatinken e bardhë- vajzën romake, Begzaden e bardhë – vajzen turke, Tanushen –bijën e Krajlit të Shkjenisë,), apo edhe në rrethana alencash në luftëra, kryesisht kundër otomanëve, shihet edhe koncepti i të huajit si joarmiqësor-aleat. Ndërkaq në rrethanat kur tjetri është armiku (qoftë turku, malazezi, shkjau etj), dihet qartë edhe figura e tij e trajtuar brenda letërsisë sonë, ku brenda temës së madhe nacionale reflektohen rrjedhat e lëvizjeve dhe kthesave të mëdha historike të popullit tonë, me miqtë e armiqtë nëpër kohë.
Kemi vepra të shumta në periudha të ndryshme kohore nëpër të cilat shtrihet koncepti i tjetrit. T`i kujtojmë disa vepra ku p.sh. shihet italiani me gjykimet dhe paragjykimet për të dhe në relacione reciproke: Fshati midis ujërave (K. Jakova), Qyteti i Fundit, Hasta la vista (Petro Markos), Gjenerali i ushtrisë së vdekur, Kronikë në gur (Kadaresë), Njeriu me top (D. Agolli,) etj.
Tani do ta shohim si trajtohet i huaji (turku, malazezi, shkjau etj.) te vargjet e Fishtës, i cili në mënyrë ekspresive i veçon, i etiketon ata, por edhe e vë diferencën me njëri tjetrin”: “Un Shqiptar e ata janë shkje, /ne na danë nji gjak e ‘i fe; /n’mëni t’sho’shoqit kemi lè: /kemë ndërmjet nji qiellë e ’i dhè!” (L. e Malcis). Duke ecur nëpër historinë kombëtare, Fishta me epikën e tij dhe diskursin tejet personal, nxjerr në pah figurën e të huajit dhe rolet e tij brenda zhvillimeve historike, politike në Ballkan dhe Evropë, ku shqiptarët kanë rënie e ngritje të përgjakshme, të dhembshme e të lavdishme.
Punimi trajton shkurtimisht veprat: Lahuta e Malcis dhe Mrizi i Zanavet, ku përmblidhet eposi dhe lirikat fishtjane, në të cilat reflektohet shpirti artistik që ushqehet nga dashuria, revolta e dhembja, ndjenja që lidhen ngushtë me temën e ruajtjes së identitetit kombëtar. Në rrezik të cënimit të këtij identiteti, Fishta nuk e sheh ndryshe të huajin veç se: “Përse i huej, kushdo qi kjoftë/Ai gjithmonë a augur i zi/ Për të mjeren moj Shqypni/Si njaj korbi që ndiell zi” (L. e Malcis).
Shembuj të shumtë dhe mesazhe plot transparencë so të shohim më tutje, ku koncepti i Fishtës për të huajin shihet në disa perspektiva. Ama koncepti i të huajit është koncept filozofik si edhe edhe koncepte tjera të hershme të filozofëve të njohur, që duhet dhe mund t`i shohin ndërlidhur. Atë që nuk mund ta shohësh te vetja e sheh te tjetri, ose që tjetri është gjithçka tjetër pas vetes sonë, pas asaj çfarë është e jona, dhe ne nuk mund ta heqim qafe (Derrida). Duke parë marrëdhëniet në mes njëri-tjetrit, mes nesh dhe të huajit, mënyrës se si ndikohen ato, atëherë lehtësisht e shohim domethënien e të huajit/ tjetrit edhe te vargjet e Fishtes dhe të kujdo tjetër. E kur jemi këtu e dimë mirë që vargjet e tij në bazament kanë qenien shqiptare dhe ruajtjen e identitetit, gjë që edhe mund të vështrohet gjithçka në kuptimin metafizik (koncept i Kantit) si njohje racionale të të qenurit qenie.
Pragmatistët besojnë se të gjitha konceptet filozofike duhet të gjykohet sipas përdorimeve dhe sukseseve të tyre praktike, prandaj edhe unë konceptin e të huajit do ta përdor, do ta shoh brenda objektit të trajtimit, në relacion me idetë dhe qëndrimet e Fishtës, të artikuluara në vargje.
Idetë fishtjane dhe roli shoqëror i Fishtës
Siç e dimë, idetë kulturore të shek. IX-XX ndërlidhen me idetë për shtetin, me idetë për kombin, me idetë çlirimtare, me idetë politike, me idetë shoqërore, me idetë për arsimin, etj. Këto ide të shoqërisë sonë janë formësuar në kolonitë e ndryshme shqiptare: Bukuresht, Itali, Sofje, Stamboll dhe në të gjitha trojet shqiptare. Të gjitha këto ide janë të dukshme në veprat e Fishtës dhe se idetë e Fishtës janë ngushtë të lidhura me idetë kulturore, politike dhe idetë për shtetin flet vetë roli i tij në shoqërinë e kohës. Pra Gjergj Fishtën e shohim si themelues të Shoqërisë Bashkimi në Shkodër (1899) ku punoi për alfabetin, fjalorin, gjuhën shqipe. Punoi në themelimin e teatrit kombëtar. Më 1913 themeloi revistën e famshme Hylli i Dritës dhe fletoren politike-letrare Posta e Shqypnisë (1916). Ishte kryetar i Komisionit të Alfabetit Shqip në Kongresin e Manastirit (1908). Më vonë drejtor i shkollës Françeskane në Shkodër ku e futi në proces mësimor lëndën e gjuhës shqipe, pastaj ishte themelues i Komisisë letrare (1916) dhe i Liceut Françeskan në Shkodër (1921). Ndërkaq ishte edhe deputet i Shkodrës në Parlamentin e parë shqiptar dhe nënkryetar i tij, por edhe përfaqësues i Shqipërisë në konferenca ndërballkanike (Merita B. Januzi, Figura, 2016).
Karshi ideve dhe temave që i trajton Fishta në veprat e tij, do të shohim me rend relacionin me të huajin, i cili s`ishte ndryshe veç kundërshtar i këtyre ideve nacionale. Dhe në këtë linjë e shohim të huajin si pushtes, armik, por edhe aleat diku-diku.
I huaji si pushtues, armik
I huaji armik tregohet që në fillimin e Lahutës së Malcis, te nisma e këngës Cubat, ku natyrshëm ndërlidhen të gjitha kodet ligjërimore, pra kodi fetar dhe atë historik, mitologjik, përshkrues, etj.:
” Ndihmò, Zot, si m’kè ndihmue!
Pesëqind vjet kishin kalue
Çëse të buk›rën ketë Shqypni Turku e mbate në robnì,
Krejt tu’ e là t’ mjerën në gjak, Frymën tue ia xanun njak,
E as tu’ e lanë, jo, dritë me pà: Kurr të keqen pa ia dà:
Rrihe e mos e lèn me kjà:
Me iu dhimbtë, po, minit n’ murë, Me iu dhimbtë gjarpnit nën gurë!”
“Ndihmo, Zot si m`ke ndihmue, një obsekracion/lutje ku shihet qartë enumeracioni tek autori bën përshkrim të detajuar të rrjedhave historike.
Në kulmin e revoltës, autori ngre idenë për kryengritje dhe thirrjen e bën me emocion ku retiçenca dhe pyetja retorike të japin hapësirë për të vlerësuar edhe në mes rreshtash gjendjen e krijuar dhe të ardhmen për vendin e dashur që poetit i shkakton dhembje, vuajtje, ndërkohë që nga titulli shihet ironia e tij: Surgite mortui që ka kuptimin e thirrjes drejtuar heronjve të vdekur apo edhe të gjallëve që i konsideron si të vdekur. Prandaj, në situatat kur ai e ndjen veten të pafuqishëm për t`i ndryshuar gjërat shpërthen me ekskrekacion (namë) siç shihen shpesh në vargjet e tij:
” Mallkue kjoftë hera, n`t`cillën shkau pik` s`parit
Vuni kambën dhunuese m`tokë t`shqyptarit
E mallkue kjoftë Evropa! Atë e vraftë Zoti
……
Pse krahët pa dhimbë Shqypnis` kshtu me ja thye
E prej Lirijet me ia ndalum hovin?”
(Surgite mortui)
Kryekëput për shkak të ideve të tij nacionaliste të shprehura troç në veprat e tij dhe për qasjen ndaj të huajit, ky autor për vite të tëra ka qenë i anatemuar si në Shqipëri edhe në Kosovë, por libri i tij ka qarkulluar fshehurazi te lexuesit, adhurues të shkrimit fishtjan.
E dimë gjithashtu qëfigurat mitologjike, në mënyrë imagjinare e fantastike, Fishta i vë në funksion të paraqitjes së ngjarjeve, rrethanave, duke u dhënë role e pozicione të ndryshme, disave në radhët e heronjve tanë – pro Shqipërisë e disave në radhët e armikut- kundër Shqipërisë. Ora e Shqipërisë e përkrah Ali Pashën e Gucisë kur është çasti që luhet me fatin e kombit. Zana e madhe është vetë muza e poetit, e cila i jep trimëri, i jep shpirt për të ndjekur zhvillimin e ngjarjeve dhe bashkë me autorin uron, mallkon, lutet, gëzohet e hidhërohet. Po kështu, zana shqiptare shihet të jetë në konflikt me zanat që përkrahin armiqtë e Shqipërisë. (Merita B. januzi, Figura, 2016). Pra edhe zanat i shohim pro dhe kundër të huajit. P.sh. Zana e Vizitorit, zanë shqiptare, është në konflikt me Zanën e Durmitorit, zanën malazeze, e cila e nxitë Mark Milanin kundër shqiptarëve:
“Hider, bre! Ti me i ndihmue
Mark Milanit t`birit t`shkines,
Qi Shqypnin aj rreth m`e shtrue
Per nen kamë t`Knjazit t`Cetinës…
Po a kujton, mori gabele,
Se shqyptarët kan dalun fare,
Qi me ardhë Knjazi, me `i kal zhele.
Per t`sunduem mbi tokë shqiptare?”
(Gjaku i marrun)
Fjalët hider dhe gabele janë epiteteve fyrëse, nëpërmjet të cilave autori shprehet me nënçmim ndaj përkrahëses së të huajit- armikut (Zanës së durmitorit), ndërkaq edhe pyetja retorike nxjerr në pah nënvlerësimin e fuqisë së Knjazit për t`i pushtuar trojet shqiptare.
I huaji- aleat, mik
Janë evidente edhe vargjet kur Fishta flet për alenaca mes shtetesh kundër një pushtuesi, por edhe kur thur lavde për figura misionare e aleate të popullit shqiptar që me veprimet e tyre përkrahnin idetë qendrestare dhe emancipuese shqiptare. P.sh vargjet dedikuar një misionari të huaj franceskan, At Anastas Vincenzoni:
” Prej hijesh s’ Apeninit,
I thirrun prej Parrizit,
Nen petka t’ Serafinit
T’ vobekut Shejt t’ Asizit,
Po del nji djalë i ri
Plot Fé e plot dashtni.”
…
“N’ dorë me njatë shej shelbimit
Bjen maleve t’ Shqypnis,
Tue nxjerrun njerzt verbimit,
N’ Fjalë t’ ambel t’ Perendis.
Kah t’shklasë ai, dridhet ferri,
E hupë padieja e terri.”
(Mrizi i Zanavet, Nji misionar Franceskan)
Vetja përball të huajit- trim
Kryesisht ndër vargje e Fishtës, që para së gjithash kanë qëllim rritjen e ndërgjegjes shqiptare dhe ruajtjen e vendit, gjuhës dhe kombit, ne ndjejmë fuqishëm frymën himnizuese që shihet dendur te Lahuta e Malcis, ku autori i këndon trimërisë shqiptare dhe e lartëson atë:
” Kta ma të parët janë n`fushë të mejdanit
Kta ma të rrepët janë n`ballë t`dushmanit
Janë çelik për tef t`taganit
Marre vedit kurrë s`i lanë
Pa kësul m`krye e opangë n`kambë.”
(Oso Kuka)
Ose
Ah kadalë, Nikollë të vraftë Zoti
Pse k`tu i thonë Oso baroti
Se s`ke pa shqyptar me sy
Se djegë veten edhe ty! “
(Deka)
Sa u përket figurave poetike, këtu shohim anaforën, metaforën te vargu i tretë dhe asonancën në fund të vargjeve. Nëpërmjet tyre, Fishta veçon aspekte të trimërisë, besës dhe gatishmërisë së shqiptarëve për të rënë fli për trojet e veta. Pra, përballë të huajit, shqiptari është trim, çelik dhe vetëmohues.
Vetja përballë të huajit- servil, i nënshtruar, tradhëtuar
Si autor me vepër esencialisht kombëtare, idetë e tij ngrisin kritika të ashpra në relacion me situatat historike nëpër të cilat kalonte Shqipëria, përballë të cilave shumë shqiptarë silleshin me neglizhencë, prandaj në vargjet e tij e shohim shpesh edhe figurën e ironisë, ku autori tallet me sjelljen e shqiptarëve në kohën robërie:
” Ç`ka bajnë shqiptarët? Han fiq e kastraveca
E pijnë mastikë e qesin petlla n`uej
e ngrehen rrugës, fryhen si gjeldeca
e rrijnë tuj i kqyr udhës ushtartë e hu.”
(Mrizi i zanavet, Sugite, mortui)
Ose në rrethanë pushtimi, kur autori e sheh shqiptarin të nënshkruar e të tradhëtuar, vjen natyrshëm me gjamë e dëshprim:
“Mbaroi Malcija! Lekë ma sot nuk ka;
Nuk ka ma burra, qi, me drrasë t’krahnorit
Mburojë mndêjë Shqypnis. Anmiku shkjá
Mbas sodit s’ka pse dron mâ prej Malcorit:
Malcori asht thye; e, i dbuem ai me trathti,
Pa Atme sot ka mbetë, pa plang, pa shpi!”
(Mrizi i Zanavet, Një gjamë dëshprimi)
Përfundim
Mund të themi në tërësi se veprën e Fishtës duhet lexuar duke parë e vlerësuar modelet orale, fiksionale, fantastike, reale, historike, kulturore, me gjithë funksionet dhe relacionet konceptuale e ideore që i bartë vepra e tij. Me diskursin e tij popullor, e gjuhën ekspresive plot gjamë, lutje (obsekracion), mallkim (eksrekacion), ironi, tonalitete dhembje, dëshprimi, por edhe mburrje e lavdie, të bën pjesë të përjetimeve dhe të shkarkon emocionalisht, sidomos lexuesin shqiptar. E këtu i huaji ndjehet dhe shihet me vellon e së keqes, të errtes, si njaj korb i zi, siç thotë vetë autori. Qenia shqiptare, trimi shqiptar është heroi i përjetshëm përballë të huajit, pushtuesit nëpër kohëra. Ky është dallimi, differenca, siç do ta zbërthente një dekonstruksionist si Derrida, të cilit iu referova që në fillim.