Ron Kubati përfaqëson një nga zërat më të shquar të lëvizjes italofone me prejardhje shqiptare. Ai ka shkruar veprat e veta në gjuhën italiane që prej viteve Nëntëdhjetë dhe ka ditur të ndërtojë një rrugëtim jashtëzakonisht origjinal, të karakterizuar nga një lloj anomalie krahasuar me temat e trajtuara nga bashkëatdhetarët e tjerë. Mund të thuhet që, ndërkohë që shkrimtarë të tjerë të të njëjtit brez i janë larguar gradualisht tematikave dhe ambientimeve shqiptare nga të cilat ishin nisur, Kubati ka përshkuar një itinerar të anasjelltë duke u shkëputur rrënjësisht nga bota shqiptare në vitet e fillimit, për t`iu rikthyer ngadalë në vitet pasuese.
Procesi i integrimit – gjuhësor dhe mjedisor – me të cilin përballet Kubati duket plotësisht i realizuar që në një nga veprat e tij të para, Va e non torna (2000). Në këtë roman lexuesit nuk i krijohet kurrsesi përshtypja se po i flet një zë me prejardhje shqiptare, përkundrazi; ai ka përballë pjekurinë reflektuese të një personazhi të integruar tashmë në mënyrë perfekte në dinamikat italiane. E shkuara e tij, e cila rishfaqet me flash-back të rrëfyer në vetën e tretë dhe i kushtohet kryesisht burgosjes së të atit në Shqipëri, është lënë pas krahëve, ndërsa aftësia për të lexuar e përshkruar situatat italiane është e përvijuar me qartësi të madhe.
Me romanin e radhës, M (2002), Kubati, sipas këndvështrimit tim, prek një kulm shumë interesant duke i dhuruar letërsisë bashkëkohore italiane një vepër për të cilën kishte nevojë. Bëhet fjalë për një histori izolimi dhe vuajtjeje, të populluar nga personazhe margjinalë të vendosur në një komunitet të shenjuar nga nevoja, që di të ndihmojë njëri-tjetrin dhe të dialogojë duke vënë në dukje dallimet e gjithësecilit. Në këtë pikë ama, fillon një farë udhëtimi mbrapa në zgjedhjet dhe ambientimet e Kubatit. Në librin pasues, Il buio del mare (2007), lexuesi përballet me një rikthimi të papritur në Shqipëri. Dimensioni merr trajtën e romanit historik dhe ndodhitë e një protagonisti pa emër, një fëmijë i ngelur jetim i cili provon mbi lëkurën e vet një çorientim që simbolizon atë të një gjeneratë të tërë, tregojnë për një vend të braktisur tashmë në mëshirën e fatit. Së fundmi, në La vita dell`eroe (2016) Kubati konfirmon zgjedhjen e analizës së thelluar me karakter historiografik, me ngjarje edhe një herë tërësisht shqiptare të vendosura afërsisht mes viteve Dyzetë dhe Gjashtëdhjetë. Heroi komunist Sami Keçi, i dalluar në luftën partizane kundër pushtuesve nazifashistë, bëhet, pas disa vitesh, viktimë e regjimit, i njollosur – edhe për shkak të një loje të rafinuar hakmarrjesh – nga turpi i një tradhtie që në të vërtetë nuk ka kryer kurrë.
Kjo trajektore tematike nuk përbën asesi një regres, të jemi të qartë. Siç do të shikojmë, pjekuria stilistike dhe disa zgjedhje gjuhësore të veçanta, dëshmojnë për një njohje të mjeteve retorike dhe një strategji narrative gjithmonë të përshtatshme te Kubati. Thjesht, profili i një kërkimi tejet origjinal në brendësi të aktualitetit të ngushtë italian i la hapësirë, në vitet pas debutimit të Kubatit, temave tashmë të trajtuara nga shumica e shkrimtarëve të lëvizjes italofone. Flasim për tema që janë ndoshta më afër zgjedhjeve të tregut botues, në gjendje të stimulojnë tek lexuesi italian atë dëshirën për ekzotizëm, pjesërisht të ushqyer nga të dhënat historike, e cila shpesh lind – nuk është e qartë për shkak të cilit stereotip – nga prania e një zëri shqiptar.
Dinamika e identiteteve në konflikt
Siç mund të shihet nga excursus i mësipërrm, nëpërmjet të cilit rrekem të rindërtoj të paktën hartën tematike që ka karakterizuar evolucionin e veprave të Ron Kubatit, një pikë dallon mbi të tjerat. Ekziston një reflektim i përhershëm, kushtuar zbulimit të një identiteti problematik dhe shpeshherë të thyer, kusht në të njëjtën kohë nisjeje dhe mbërritjeje për protagonistin tipik të vënë në skenë nga ky shkrimtar. Edhe në bibliografinë kritike (për të cilën citoj disa tituj në fund të këtij artikulli) studiuesit kanë ngritur pyetje mbi këtë aspekt: si përjetohet problemi i identitetit të dyfishtë nga një shkrimtar që ndeshet me një botë tjetër, të ndryshme nga ajo e lindjes? Si zgjidhet problemi i rindërtimit të vetvetes pasi je detyruar të fillosh një jetë të re? Përgjigja e Kubatit është e qartë dhe vjen nga një shtjellim i vazhdueshëm i thyerjes që pashmangshmërisht ndodh kur braktiset toka mëmë.
Ama, duhet t`i njohim një zgjedhje domethënëse: narrativa e Ron Kubatit nuk është në asnjë mënyrë e ndikuar nga përdorimi i modelit autobiografik që ka karakterizuar ngaherë letërsinë e dëshmisë. Përkundrazi. Pikërisht mbi termin dëshmi, në romanin Va e non torna, gjejmë një polemikë, e cila distancohet nga kjo mani editoriale, tipike e shkrimtarëve të ardhur në Itali nga tjetërkund. Në një moment personazhi rrëfyes i Kubatit thotë: «Cominciai ad irritarmi. La parola testimonianza mi irritava. Avevo conosciuto tante persone che si erano scoperte vittime e per questo si sentivano autorizzate a paragonarsi a Gesù in croce e ad andare in giro eccitati, a portare la loro “testimonianza”» (fq. 75) («Fillova të acarohem. Fjala dëshmi më acaroi. Kisha njohur shumë persona që kishin qenë viktima dhe për këtë arsye ndiheshin të autorizuar të krahasoheshin me Jezusin në kryq dhe të silleshin lart e poshtë të emocionuar për të dhënë «dëshminë» e tyre»). Ky pasazh i referohet mbi të gjitha një konteksti gjyqësor dhe rolit të protagonistit si përkthyes për policinë, por deklarata mund të interpretohet edhe në një kontekst më të gjerë për të identifikuar abuzimin që iu bë përvojës së migrimit – nga një moment i caktuar e më pas – vetëm për të shitur disa kopje më tepër apo për t`i shkelur syrin ndjenjës së fajit aq thellë të rrënjosur në kulturën e ndërgjegjes perëndimore. Bëhet fjalë për atë «mercato del vissuto» («tregu i jetës») siç e ka përkufizuar Juliette Râabe, që ka përcaktuar zgjedhjet mbi publikimet në lëmin e letërsisë së migrimit.
Të gjitha historitë e Kubatit, fatmirësisht, janë të zhveshura nga kjo sjellje viktimizimi – të zhveshura nga ky truk narrativ, le ta themi – dhe të nxitura nga origjinaliteti dhe sensi kritik. Çështja e identitetit të personazheve të tij kryesorë është e përshkruar në mënyrë progresive dhe jomekanike. Nuk hasim të mirët dhe të këqijtë, por, një zonë të papërcaktuar, plot dritëhije, e cila përkon me pasiguritë e jetës reale. Kjo zonë gri përshkruhet nëpërmjet analizave të natyrës sociologjike dhe psikologjike, një rrethanë që i bën figurat letrare të Kubatit jashtëzakonisht reale, të prekshme, të udhëhequra nga arsyetime ku mbizotëron logjika. Te ato gjejmë gjurmët –në shumë raste edhe plagët – e asaj gjendjeje unike të përjetuar nga brezi i lindur midis fundit të viteve Gjashtëdhjetë dhe fillimit të viteve Shtatëdhjetë, në një vend komunist të Europës Lindore. Një rrethanë që detyroi shumë individë të riprogramonin vetveten në arrati e sipër dhe të pajtoheshin me një botë që deri atëherë ishte konsideruar e ndaluar dhe armiqësore. I bëri të linin mënjanë rrënjët e tyre për të përvetësuar një këndvështrim të ndryshëm ndaj jetës. Vetë Kubati thotë, duke përmbledhur më së miri atë proces të veçantë antropologjik dhe historik që përcaktoi fatin e shumë të rinjve të lindur në atë epokë, dhe, që u detyruan në pragun e të njëzetave të ndërronin identitet: «Volente o nolente io, come molti altri, ho esperito tre tra i principali modelli del nostro contesto storico: il totalitarismo, il tardocapitalismo, la migrazione» («Me apo pa dëshirë, si shumë të tjerë, kam provuar tre nga modelet kryesore të kontekstit tonë historik: totalitarizmin, kapitalizmin e vonë, migrimin»).
Mes diskriminimit dhe solidaritetit. Romani M.
Sipas meje, kjo është prova narrative më e frymëzuar e Ron Kubatit për momentin. Nëse do të më pyesnin për disa tituj romanesh bashkëkohorë që më shumë se të tjerët kanë arritur të përshkruajnë realitetin social italian të ditëve të sotme, M do të shfaqej patjetër ndër zgjedhjet e mia të para. Arsyeja është konteksti i veçantë në të cilin është vendosur vepra. Kubati e kishte kuptuar më së miri se si do të transformohej Italia pas njëzetë vitesh, falë një përfaqësimi profetik të atyre viteve (2002), ku, në njërën anë gjendeshin nevojat e reja të imponuara nga një shoqëri shumëkulturore, dhe, në anën tjetër, një sërë personazhesh që jetonin ditët e tyre në pasiguri të plotë ekonomike. Një pasiguri që – sipas asaj që në atë kohë mund të dukej thjesht një intuitë, por që u vërtetua më pas nga faktet – nuk kishte të bënte vetëm me të ashtuquajturit të huaj, por edhe me vetë italianët. Dhe realisht, të dhënat e analizuara nga historianët e sociologët na dimostrojnë që gjatë dhjetëvjeçarit të fundit varfëria në Itali i është afruar edhe asaj shtrese që dikur përbënte borgjezinë e vogël. Mjafton të citohet një libër, i tmerrshëm në dobishmërinë dhe konkluzionet e veta, si Il capitalismo in-finito i Aldo Bonomit për të kuptuar që stina e mirëqenies së gjerë që kishte karakterizuar ekonominë italiane të pasluftës i ka lënë vendin një varfërie gjithnjë në rritje.
E pra, në këtë roman Kubati vë në skenë një mori personazhesh të paharrueshëm, të gjithë me veçorinë e përbashkët të prejardhjes nga shtresat më margjinale të një shoqërie që nuk arrin të konsolidohet dhe që jeton e zhytur në vështirësi dhe paragjykim. Këta të diskriminuar përfundojnë duke u mbledhur rastësisht në shtëpinë e profesor Andrea, një individ që nuk arrin t`i përshtatet kolektivitetit dhe as të gjejë një ekuilibër vetjak. Mungesa e qëndrueshmërisë tek këta losers bëhet motiv solidariteti ndërnjerëzor, çka përfaqëson mesazhin e vërtetë të shpresës të një historie të bukur të kohëve tona, krejtësisht e zhveshur nga paternalizmi, madje e frymëzuar nga një ndjenjë e fortë realiteti. Prostituta që duhet shpëtuar (Betti), funksionari i vogël (asistenti i trafikut rrugor, Fabio) janë vetëm disa nga arketipet letrare – përshtatshmërisht të modernizuar – që rrjedhin nga romani europian i shekullit të nëntëmbëdhjetë. Në një kontekst të tillë, nuk mund të mungonte një bazament simbolik mjaftushmërisht i gjerë për të përmbajtur të gjitha këto fate: metropoli i madh – emri, njësoj si ai i protagonistit, nuk përmendet asnjëherë, duke transmetuar rrjedhimisht një vlerë absolute – i cili përmban të gjitha këto mikro-histori duke na ofruar një fotografi të detajuar të shoqërisë bashkëkohore. Imazhi i M-së së metrosë, që i jep titullin romanit, është alegori e një qytetërimi të vërtetë nëntokësor për të cilën këta protagonistë të margjinalizuar zhduken periodikisht nën nivelin urban, për t’u rishfaqur pastaj nga askundi dhe për të rifilluar betejën e tyre të përditshme.
Edhe nga pikëpamja e stilit, në romanin M Kubati manifestohet më krijues krahasur me standardin e tij, pra, i aftë të luajë me strukturat semantike duke sjellë risi që e bëjnë më të pasur dhe të papritur kuptimin e fjalëve të zakonshme për folësin amtar. Kemi të bëjmë me kombinime të shpikura nga vetë autori si, «percepirmi discontinuo» fq. 16 («perceptohem i pandërprerë»), «sensazione storta» fq. 71 («ndjesi e shtrembër»), «lunga estate bianca» fq. 109 («verë e gjatë e bardhë»), dhe «sentivo proprio nero» fq. 130 («ndjeja zi»). Në këta shembuj, vlera sintagmatike e termave që rrjedhin nga sfera shqisore të ndryshme dhe që normalisht nuk mund të konceptohen në një marrëdhënie së bashku, i lejon fjalisë të mbartë në vetvete një nivel më të lartë përkufizues, duke rritur ngarkesën figurative të prozës.
Një tipologji që përsëritet: personazhi që sheh.
Pra, çfarë lloj shkrimtarie na ofron Ron Kubati? Aftësia e tij për analizë sociale dhe historike bashkohet, në katër veprat kryesore të shkruara deri më tani në gjuhën italiane, me një tiplogji të veçantë personazhi: një individ, shpesh pa emër, që merr mbi vete të gjithë ngarkesën e rrëfimit dhe që spostohet e vështron gjërat për llogari të lexuesit. Skena dhe momente vendimtare, të veshura me kuptime simbolike, filtrohen nga këndvështrimi i tij dhe tregohen në faqet e librit përmes një stili esencial, pa zbukurime. Është rasti i fëmijës protagonist të Il buio del mare, i shkrimtarit të ri në romanin M dhe Eltonit në Va e non torna, madje, ndonëse në një masë më të vogël, edhe i personazhit të Samiut në La vita dell`eroe, pikërisht në momentin në të cilin sapo mbërrin në Itali përballet me një tronditje të sistemit vetjak të vlerave dhe të sigurive të deriatëhershme. Në këtë rast zëri filtrohet në vetën e tretë nga ndërhyrjet e rrëfyesit të gjithëdijshëm, por mekanizmi i vizionit tregues, në thelb, nuk ndryshon.
Ndarja mes “ne” dhe “ju”, dy hemisfera të nënkuptuara në çdo histori që i përket temave migratore të fillimit të mijëvjeçarit, është vërtet e zbehur dhe interpretuar me shumë origjinalitet. Ron Kubati shkruan – ndër të parët e brezit të vet – duke përdorur një gjuhë italiane standarde jashtëzakonisht të pastër dhe lineare, duke i`u përshtatur një perspektive krejtësisht të brendshme të shoqërisë italiane, sidomos në dy veprat e para. Për këtë arsye – siç kam shpjeguar në një pasazh të librit tim dedikuar zërave të parë të italofonisë shqiptare (Le prime voci dell`italofonia albanese) – ndonëse e kisha cituar disa herë, kisha vendosur të mos e analizoja në atë rrethanë ku nevojat e personazheve femra dhe ruajtja e një imagjinari ndërkulturor të ndryshëm, e bënin tejet homogjene treshen e përbërë nga Dones, Vorpsi e Ibrahimi.
Në dy romanet e para të Ron Kubatit, të shkruar siç pamë mes viteve 2000 dhe 2002, rrëfimi mbi transferimin në një vend të huaj duket se fillon në medias res, pra pasi ngjarja ka ndodhur. Procesi i përshkrimit të së shkuarës bëhet përmes rikuperimit të kujtimeve – kaosi i revoltës studentore të vitit 1991, burgosja e një figure atësore në burgun e Spaçit, ekzekutimet në sheshin publik me varje – duke manifestuar në këtë mënyrë shtypjen nga një barrë traumatike ende jo të zgjidhur, gjithsesi, të lënë pas krahëve në mënyrë gati të dhunshme. Me tematikën e ndërhyrjes së qytetit të madh perëndimor dhe raportin e krijuar mes këtij të fundit dhe një individi të pajisur me cinizëm mbrojtës dhe pjesë e një komunitet shokësh, Kubati arrin të përshkruajë prej brendësisë së shoqërisë, njësoj si një italian në të gjitha aspektet, duke ravijëzuar një figurë stilistike që nuk dominohet nga egoja për të dëshmuar, por nga instinkti analitik. Është ky instinkt që e transformon në një romancier të kompletuar. Sipas meje, fakti që prej vitesh është tranferuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka pasuruar padyshim bagazhin e tij të eksperiencave me përshtypje të reja. Uroj që këto përshtypje t`i japin së shpejti jetë një krijimi të ri. Sepse, sinqerisht, kam akoma dëshirë të lexoj historitë e tij dhe të admiroj aftësinë që ka për t`i treguar.
Veprat kryesore dhe shkrimet e Ron Kubatit mbi narrativën e vet
Ron Kubati, Va e non torna, Besa, Nardò (Lecce), 2000.
Ron Kubati, M, Besa, Nardò (Lecce), 2002.
Ron Kubati, Il buio del mare, Giunti, Firenze, 2007.
Ron Kubati, La vita dell’eroe, Besa, Nardò (Lecce), 2016.
Ron Kubati, Alla ricerca dell’altrimenti, “Va e non torna” e “M”, në Allattati dalla lupa. Scritture migranti, nën kujdesin e Armando Gnisci, Sinnos, Roma, 2005, fq. 49-65.
Ron Kubati, L’altrimenti del tempo, në «Moderna. Semestrale di teoria e critica della letteratura», 2010, 1, XII, fq. 83-86.
Bibliografia Kritike
Anna Clara Bova, La scrittura estranea nei romanzi di Ron Kubati, në «Allegoria», n. 43, 2003, fq. 150 dhe në vazhdim.
Simona Wright, “Va e non torna” e “M” ovvero la poetica dell’altrove e dell’altrimenti nei romanzi di Ron Kubati, «NEMLA Italian Studies», n. 27-28, 2003-2004, fq. 113- 133.
Carla Carotenuto, La voce migrante di Ron Kubati, in Italia e Europa: dalla cultura nazionale all’interculturalismo, vol. 1, nën kujdesin e Bart Van den Bossche, Michel Bastiaensen, Corina Salvadori Lonergan, Stanislaw Widlak, Franco Cesati Editore, Firenze, 2006, fq. 431 dhe në vazhdim.
Camilotti, Silvia, Il buio del mare – Ron Kubati, në «Il Gioco degli Specchi», 2009, http://www.ilgiocodeglispecchi.org/libri/scheda/il-buio-del-mare (aksesimi i fundit në datë 3 tetor 2022).
Chiara Mengozzi, Scena interlocutoria e paradigma giudiziario nelle scritture italiane della migrazione, në «Between», II, n.3, 2012, fq. 1-22.
Maria Cristina Mauceri, Variazioni sul tema dello sguardo nei romanzi d’esordio di Dones e Kubati, në Emma Bond, Daniele Comberiati, Il confine liquido. Rapporti letterari e interculturali fra Italia e Albania, Besa, Nardò (Lecce), 2013, fq. 195 dhe në vazhdim.
Karol Karp, Viaggiare e vivere altrove. Sulla condizione del migrante nel paese d’adozione nel romanzo “M” di Ron Kubati, në «Studia Europea Gnesnensia», n.18, 2018, fq. 97-113.
Karol Karp, L’identità nazionale nella letteratura italo-albanese contemporanea. Un’analisi del romanzo “La vita dell’eroe” di Ron Kubati, në: «Verbum Analecta Neolatina», nn.1-2, 2020, fq. 233-247.
Flora Shabaj, Contatti linguistici e culturali tra le due sponde dell’Adriatico. L’italiano degli scrittori di origine albanese, në «Italianistica Debreceniensis», vol. XXVI, 2020, fq. 69-86.
Fiorella De Rosa, L’identità rinnovata in “Va e non torna” e “M” di Ron Kubati, në «Palaver», vol. X, 2021, fq. 487-511.