More
    KreuIn memoriamDr. Eris Rusi: Fundi është fillimi im - Genc Leka në kohën...

    Dr. Eris Rusi: Fundi është fillimi im – Genc Leka në kohën e harresës –

    “Vdekja nuk është asgjë. Thjesht sa kam kaluar në anën tjetër: zëre se jam fshehur në dhomën ngjitur. Unë jam i njëjti, gjithmonë, e ti je përherë ti. Ajo çka ishim për njëri tjetrin më parë, jemi akoma.” – Kjo frazë mbi domethënien e vdekjes, i është atribuuar gabimisht Shën Agostinit, por në realitet është një përshpirtje që teologu anglez Henri Skot Holand mbajti në katedralen e Shën Palit në Londër, pas vdekjes së mbretit Eduardi VII.

    Të krijohet ideja e ekzistencës me dy dhoma të ndara nga një mur i hollë, ku mund të ndjehet çdo fjalë pëshpërimë, të dëgjohen ofshamat, të kuptohet kërcitja e hapave të zbathur mbi dysheme. Sikur asgjë nuk ka marrë fund, e trishtimi nuk duhet të jetë dramë, për sa kohë në anën tjetër, në dhomën ngjitur, gjendet dikush që ende komunikon, që ende ndjen, që ende flet me ne.

    Por për çerek shekulli, dhoma e të gjallëve, që duhej të komunikonte me poetin Genc Leka ishte e zbrazët. E sa përfytyrim i kobshëm duhet të jetë pritja e përjetësisë, i ftohti i përtej botës, atje ku duhej të ndjehej (të paktën pas vdekjes) një lloj lehtësimi, çlirimi, rilidhjeje me botën dhe njerëzit. E në vend të gjithë kësaj, baltë mbi baltë, errësirë mbi errësirë, shurdhim mbi shurdhim, shpërfillje mbi shpërfillje, fillikat e përjetësisht brenda një dhome ku duhej të depërtonte zhurma e të gjallëve në dhomën ngjitur.

    Gjithçka e lënë pas fundit të jetës, është fillimi i letërsisë: shënime, vargje, poezi me dhe pa  titull, fragmente përkthimi, fragmente që donin ta lidhnin një jetë të gjymtuar, nën diktaturën e kobshme që kishte shënjuar si armik fatin e poetit Genc Leka. Trajtimi që i është bërë figurës së këtij poeti, jeta e të cilit u kryqëzua tragjikisht në diktaturë, vijon të synojë nxjerrjen në pah të shëmtisë së shoqërisë sonë. Më kot i atribuohet sistemit totalitar mëkati i madh, gjëma fatale. Ata njerëz që zgjoheshin në të njëjtën kohë, në të njëjtin vend me poetin, e dinin mirë që mund të përfitonin po të thoshin diçka kundër tij, po të kapnin qoftë edhe diçka e vogël që mund të servirej kundër djaloshit të mbetur pa baba. Në provinca, është mjaft e thjeshtë të bëhesh masë, e t’i kundërvihesh të dobtit, të shkelësh atë që është ndryshe, të shëmtosh jetën e dikujt që akoma s’e ka nisur një të tillë.

    Në atë që është tabloja e jetës dikur, fare mirë mund të përfytyrojmë lëvizjet e vogla, të ngadalta, të këtij të riu që përpiqej të mos binte në sy, të merrte frymë sic donin të tjerët të merrte, të qeshte kur donin ata, të mallëngjehej, të trishtohej e të kridhte vështtrimin e humbur diku, sipas busullës së turmës. Sepse e tillë ishte koha dhe nevoja për ekzistencë. E megjithatë, përpara se akrepat e orës të ngrinin lëvizjen për jetën e Genc Lekës, ky i fundit e kishte pasur një jetë që i shëmbëllente iluzionit, e ndonjëherë mund ta bënte edhe të ndjehej ngrohtë dhe i dashur. Këtu, nuk mund të mos përmendet nevoja për të krijuar një diell të vogël, artificial, me dritën e zbehtë, të ftohtë, që mundohej të krijonte përshtypjen e një të riu të nënshtruar ndaj klimës së kohës dhe frymës zyrtare të regjimit. Gjithçka, një fasadë e pafuqishme, për t’u mimetizuar, për t’i shpëtuar përndjekjes, për t’u bërë heshtje në një vend ku gjykoheshe edhe kur flisje nën zë, me vete. Të tilla janë krijimet në “Zërin e rinisë” ato pak vjersha të botuara të cilat kontrollohen, vlerësohen si të padëmshme, gjykohen si të shëndetshme për sistemin, e dalin të shtypura në gazetë:

    LUMES

    1

    Ja, këtu përpara shkollës sonë

    Ne e ngritëm lart një lapidar,

    Që të përkujtojmë gjithmonë,

    Shokët, ty… dhe vrullin çlirimtar…

    E vetmja gjë që ka rëndësi në këtë vjersshë, është emri i Gencit poshtë saj. E përfytyroni përballjen e Davidit me Golian, të njeriut me regjimin, e në rastin e Gencit njeriu ishte fillikat, pa Zotin në anën e tij, e regjimi ishte humnerë, hon i zi që përthithte brenda çdo sinjal drite e mirësie. Në këto poezi ku Genci u rrek më kot të krijonte një realitet fiktiv, lexuesi duhet të përfytyrojë dhimbjen e rrallë: të shkruash për diçka që nuk e ndjen se duhet shkruar, të jetosh sipas ideve që nuk e ndjen se duhet jetuar; të qeshësh, të luash, të punosh, të pranosh, me vetëdijen se vetëm ashtu, një midis të tjerëve, mund t’i shpëtosh e të bëhesh hije e pakapshme për makinerinë e regjimit.

    Titulli i kësaj poezie për mua sot duhet të tingëllojë: Unë jam askushi!

    Një hiç, askush, ishin të gjithë njerëzit e zakonshëm që mbusheshin me frymë nën regjimin komunist, por që mund të zgjoheshin një ditë të zgjedhur nga fati e keq. E pastaj vinte fundi.

    Megjithatë, këtë përpjekje, për t’i dhënë një dukje normale jetës, poeti Sadik Bejko e përshkruan kështu: “Me kalimin e viteve Genci mori hijen e njeriut që di të heqë dorë, që di ta pranojë domosdoshmërinë. Të jetë me një sy të hapur përbrenda vetes dhe me një sy të mbështetur fort te bota jashtë tij. {…} Nga ana tjetër, shkallë-shkallë ai u mësua të gjejë gëzime dhe kënaqësi të vogla dhe në punët e vështira që bënte.”

    A mësohet vallë njeriu me flatrat e prera të ëndrrave të tij? A hoqi dorë Ikariusi nga ëndrra e fluturimit, me gjithë pamundësinë për të lindur banor i qiejve që në fillim të ekzistencës? Dyshoj që Genci mund të kishte qoftë edhe një moment paqejeje, harresë e ngazëllimi në atë izolim. E vetmja që mund të shembëllente si shpresë, ishte harresa. Të harroje veten, njerëzit rreth teje, rrahjet e zemrës dhe trokitjen e kujtimeve. Pastaj të vishje maskën e të qeshurit, të përkushtuarit, të të mirit që mendon për të mirën e të tjerëve.

    Ka një dramë të madhe në krijimtarinë e Genc Lekës, ku rreket të ngjajë normal. Buzët e tua duan të thuash jo, e t’i rrekesh të bësh të kundërtën. Sepse e di që në atë jetë, edhe vetes duhej t’i flisje me frikë, e të ruaje shpinën edhe pasi mbylleshe me çelës brenda dhomës tënde.

    Pikërisht këtu, brenda dhomës që Genci ende nuk e dinte në i takonte jetës së të gjallëve, apo botës së të vdekurve, ngjizen ëndrrat e tij, si flokë të lëshuar Gorgone, ku spikat së largu pikëllimi:

    O hënë, pse dole, moj, aq e trishtuar,

     Mos vallë për mua po mban zi?

    …………

    Ç’më fsheh ashtu me sy të lotuar,

    Mos m’u sos jeta dhe unë nuk e di?

    Po dhe në vdeksha, jeta s’ka mbaruar,

    Dhe pse po shkruaj të fundmen poezi.

    Këto nuk janë thjesht fjalë, por zgjatime të shpirtit që të lidhin e të mbajnë fort pas poezisë. Janë një grusht që të godet fort në bark e të heq frymën, të bën të shtrëngosh sytë, e të mos nxjerrësh dot lot. Ç’gjë e mrekullueshme jeta e njeriut: arrin të ndjejë atë që është e paimagjinueshme, e të lërë trashëgim diçka që kthehet në eter, por është  përjetësi: një imazh, një vegim që e shënjon jetën e kujtdo që ka mundësi të lexojë dhe të depërtojë brenda këtyre vargjeve.

    Kjo është rruga më e mirë për të komunikuar me poetin Genc Leka. Të nisesh nga këto vargje, e ta kuptosh që përfytyrimi i të riut që mendon vdekjen, nuk është i veshur me terrin e errët të pashpresës.

    Kështu më ngjan, që toka e PASHPRESËS  nuk është trualli ku shkel Genc Leka i gjallë. Sa i afërt është ky njeri, me një tjetër krijues, të botës së lirë perëndimore, me shkrimtarin Ian Mek Evan, i cili në vitin 1994 do të shkruante romanin “Shpikësi i ëndrrave” e në një nga kapitujt do të përshkruante kështu:

    Nëse jeta ishte një ëndërr, atëherë vdekja duhej të ishte momenti kur njeriu zgjohet. Është aq e thjeshtë, sa kështu duhej të jetë medoemos. Njeriu vdes, ëndrra merr fund dhe vjen koha të zgjohet”.

    A s’është ky përfytyrim një simetri e çuditshme me vargjet : “Po dhe në vdeksha, jeta s’ka mbaruar ?” Një lloj drithërime që kërkon të mbajë në jetë atë që është esenca e ëndrrës, përjetësia? Një pritje e gjatë, në dhomën ngjitur i veçuar nga bota e nga njerëzit, i ndarë nga jeta e nga të gjallët, në pritje, për të dëgjuar të feksi kjo dritëz e shpirtit të tij tridhjetë vjet më vonë. E këtu më vijnë ndër mend vargjet e poetit Sergej Esenin:

    Butësisht i vrarë nga kujtime fëmijërie/

    Ëndërroj mjegullën, në një natë prilli!

    Sepse Esenini është stepa e lirisë së Gencit, toka ku ai rend, ngrihet në ajër e bëhet qiell, dëshirë, liri. Poshtë, e ç’i duhet të shohë poshtë, atje ku gjithçka është e qetë dhe e zhytur në në një kohë të palëvizshme, ku jeta dhe vdekja ngjajnë të jenë e njëjta gjë?

    Me këtë frymë, Genci shkruan:

    Horizont i largët, zogj në shtegëtim,

    Erë, pika shiu, fletë pa mbarim…

    Por a nuk është e mbledhur në këto vargje edhe fryma e Eseninit, rebelimi i poetit rus, që digjej së brendshmi me një dritë të çuditshme, që ishte vetë përjetësia, kur shkruante:

    Shkretëtirë bore, era farfurin

    Bora anembanë mbytur nën qefin

    Dhe mëshkenat qajnë pyjeve pa jetë

    Kush keshtu ka vdekur, mos vallë unë vete?

    Ka gjasë që Genci ta ketë lexuar këtë poezi, e të ketë gjetur në vargjet e saj kthinën ku mund të hiqte prej vetes pelerinën e shpirtit, ta varte diku, ku mund ta shihte veç shpirti i tij. Sepse përtej, në botën jashtë, ishim ne, njerëzit e thjeshtë e të përkushtuar, që donim të rrafshonim gjithçka, për hir të dëlirit të kohës, që ishte ideologji. Kështu, hap e mbyll sytë u rrafshua në themele shtëpia e fëmijërisë së poetit. A ka më keq se mos kesh një vend ku t’i fshehësh kujtimet e fëmijërisë? Atje ku kanë jetuar armiqtë, të arratisurit, kundërshtarët e regjimit, edhe gurët janë armiq, edhe balta është rrezik, edhe tjegullat janë kërcënim.

    Dhe poeti shkruan, pa e ditur që poezia e tij do të lexohet nga nëpunësit e regjimit, fatlum që ata s’e kuptojnë dot deri në fund, fatkeq që prapëseprapë e pushkatojnë në fund:

    Kur në dritare rri me mall

    Me lulet e saksisë,

    Më shfaqen si vegim, përballë,

    Gërmadhat e shtëpisë.

    Pastaj më ngjan sikur bën zë

    E ndrojtur fëminia,

    Që fle mes gurësh përgjithnjë,

    Mes ëndrrave të mia.

    Lexojini këto vargje, dhe mbushuni me frymë. Mendoni për gjërat dhe njerëzit që keni humbur, për kohën që nuk vjen më, për jetën, që është çast, e pastaj përjetësi. Ndjesia e harresës, e kohës që bëhet muzg, e vdekjes që merr gjithçka. Ç’aureolë poezi i vsh poezia këtij përfytyrimi.

    E humbëm Genc Lekën të dashur miq. Një poet kaq i freskët, kaq i vërtetë. Dhe në ç’mënyrë tragjike e humbëm. U largua i vrarë. E rrëzuan nga jeta, e u përmbys pa asnjë klithmë mërie, pa asnjë shenjë revolte.

    E megjithatë, e kemi sërish Genc Lekën, të dashur miq. Një poet kaq i freskët, kaq i vërtetë. I ringritur nga vdekja. Na fton për lexim!

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË