Kreu Arte pamore Dr. Bledar Kurti: "Dy Fridat" dhe heroina e dhimbjes

Dr. Bledar Kurti: “Dy Fridat” dhe heroina e dhimbjes

Unë pikturoj realitetin tim. E vetmja gjë që unë di është se unë duhet të pikturoj, dhe unë pikturoj çdo gjë që kalon nëpër kokën time.

Frida Kahlo

Nëse jeta e Frida Kahlo (1907-1954) do përmblidhej vetëm në tre fjalë, ato do ishin: pasion, dhimbje, politikë. Një zjarr i brendshëm kaq i madh i një artisteje, i shpalosur në ngjyra të flakta dhe kompozime të dhimbshme, përzier me elementë kombëtarë dhe feministë, nuk ishte shpalosur kurrë në art përpara pikturave të Fridës. Në përgjithësi çdo artist ka një vepër të spikatur si prej kritikëve ashtu edhe prej artdashësve, por veprat e Fridës nuk mund të veçohen dot, ato duhen parë të gjitha, si pjesë e një mozaiku të plotë, të cilat të bashkuara një e nga një, i paraqesin botës natyrën e vërtetë të saj dhe shpalosin një fytyrë të re të artit.

Tabloja Dy Fridat (1939) është një copëz e mozaikut të artit të saj, që ilustron, ashtu si të gjithë veprat e tjera, dybotshmërinë e saj, gruan pasionante dhe artisten e mbushur plot dhimbje.

Për të kuptuar veprat e Fridës së pari duhet njohur vetë Frida.

E lindur nga një baba gjerman me origjinë hebreo-hungareze, dhe nga nëna meksikane me origjinë të fiseve vendase, ashtu si përzierja e gjakut, edhe jeta e saj do ishte e shumanshme, madje deri në ekstremitete, si në aspektin personal ashtu edhe atë artistik. Jeta e Fridës ishte një jetë plot sëmundje, operacionesh kirurgjikale, vështirësish dhe pengesash derisa trupi dhe shpirti i saj të shuhej në moshën 47 vjeçare.

Që në fëmijëri ajo u sëmur nga poliomieliti duke e lënë atë me këmbën e djathtë të deformuar. Në moshën tetëmbëdhjetë vjeçare ajo pësoi një aksident me tramvaj teksa kthehej nga shkolla për në shtëpi. Shpina e saj u thye në tre vende, klavikula dhe legeni i saj u shkërmoqën, kofsha e djathtë dhe të dyja këmbët pësuan fraktura të shumta dhe u tejshpua nga një shufër metali në stomak dhe mitër. Fatmirësisht në vendngjarje arriti një burrë i veshur me rroba pune, i cili porsi një samaritan i mirë, e ndihmoi Fridën duke ia hequr shufrën që i kishte depërtuar trupin, teksa ajo ulërinte fort gjatë të gjithë kohën. Ai vuri këmbën e tij mbi të dhe e tërhoqi shufrën derisa doli nga trupi i saj. Me brinjë të shumta të thyera, dëmtime të rënda të shtyllës kurrizore, dhe me këmbë të thyera në 11 vende, kthesa e Fridës nga spitali në art, erdhi si rezultat i asaj traume.

Për pjesën tjetër të jetës së saj, Frida do përjetonte me dhjetëra operacione dhe në fund do amputonte njërën këmbë. Gjithashtu do të pësonte disa dështime dhe aborte si edhe do shpenzonte shumë muaj në shtrat me trupin në allçi, e muaj të tjerë në karrocë me rrota dhe me shumë dhimbje. Por, pavarësisht të gjitha këtyre vështirësive, Frida u shqua për vullnetin e pashoqë për t’i kapërcyer ato dhe ndihmuan për të nxitur personalitetin e saj të fortë.

Por, pas atij aksidenti fizik erdhi edhe aksidenti i dashurisë. Siç u shpreh edhe vetë ajo, “Kam pësuar dy aksidente të rënda në jetën time. Njëri ishte tramvaji. Dhe aksidenti tjetër është Diego.”

Frida ishte ende e re kur u takua me muralistin e njohur, artistin më të shquar të kohës dhe të gjithë artit meksikan, Diego Rivera, i cili në atë kohë po punonte në një vepër arti pranë shkollës së saj. Ndoshta ishte një shenjë e rebelimit të saj, ndoshta një flirt adoleshenteje, por Frida ia shpalli dashurinë atij burri që ishte dy dekada më i vjetër sesa ajo. Disa prej miteve që rrethojnë jetën e Fridës kanë të bëjnë me marrëdhënien e saj me Diegon, si edhe me burrat e gratë e tjera që hynë në jetën e tyre. Diego ishte katalizatori i Fridës, duke i dhënë asaj mësimin se rritja dhe pjekuria do të thoshte sakrificë dhe dhimbje, ndonëse sillte shoqëri apo ndoshta edhe dashuri.

Diego Rivera ishte admiruesi më i madh i Fridës dhe mësuesi më aktiv në artin e saj. Ai promovoi karrierën e saj në pikturë, inkurajoi stilin që ajo përdorte dhe ndikoi shumë në ndërtimin e identitetit të saj si artiste dhe si një grua meksikane e pavarur. Ishte Diego ai që i dhuroi Fridës veshjen e saj të parë tehuana. Këto veshje të paqepura, me ngjyra të ndezura, me këmishët e qëndisura dhe fundet e gjata të veshura në mënyrë tradicionale nga tehuanët, një fis vendas në juglindje të Meksikës, u bënë simbol si në jetën e saj ashtu edhe në autoportretet në pikturë. Ato veshje iu përshtatën nevojave të saj fizike, agjendës së saj politike dhe personalitetit të saj të fortë. Ato mundësonin që ajo të fshihte kofshën e saj të shtrembëruar nga poliomieliti, këmbët e saj të thyera dhe shpinën e dëmtuar. Ato veshje e lidhën atë me gratë tehuane të cilat njiheshin dhe vazhdojnë të njihen në Meksikë si matriarkat e shoqërisë së tyre.

Sado i vështirë, i komplikuar dhe i talentuar të ishte personaliteti i Fridës, Diego e mahniti por edhe e tmerroi atë. Ajo ishte një femër me trup të vogël ndërsa ai ishte një njeri trupmadh e në moshë mesatare. Ata kishin njëzetë vite diferencë dhe njiheshin prej të tjerëve si “pëllumbesha dhe elefanti.” Ai fliste me zë të lartë dhe mbante armë në brez; mburrej për gratë e shumta me të cilat shkonte; pinte me tepri dhe ishte anëtar i Partisë Komuniste. E te kush tjetër, përveç Diegos mund të shkonte Frida për këshilla mbi artin? Ajo mund të kishte takuar artistë të tjerë në Coyoacán, qytetin e saj, por ajo zgjodhi pikërisht atë. Ai simbolizonte gjithçka që ajo respektonte: ai ishte ndryshe, dallohej nga të tjerët, dhe sfidonte shoqërinë. Diego u bë sfida e saj emocionale. Në moshë të afërt me babanë e saj, Diego Rivera me siguri ishte një lojtar i përsosur për rebelimin e një adoleshenteje. Ai ishte i martuar, ndërsa ajo jetonte në shtëpi me prindërit e saj; ai ishte trupmadh dhe mendjemadh për veten, ajo ishte e vogël dhe e zjarrtë. Që prej ditës së parë kur u takuan, Frida u dha njoftimin të gjithëve se ajo do të martohej me Diegon.

Por marrëdhënia me Diegon rezultoi në një ferr emocional, ndaj shumë e vetëdijshme për ndërlikimet e jetesës me të, ajo e quajti Diegon “aksidenti i dytë.”

Ata u martuan, u ndanë, e u martuan sërish. Tradhtitë e Diegos nuk kishin fund. Diego i konsideronte femrat si profesion të dytë. Frida mori tronditjen më të rëndë të jetës së saj kur zbuloi se jo vetëm që Diego shkonte me gra të tjera, por ndër to ishte motra e saj Cristina. Ajo u shkatërrua tërësisht dhe u ndie e tradhtuar nga të dy ata. Sikur ky pikëllim të mos mjaftonte, shëndeti i Fridës përkeqësohej gjithnjë e më shumë. Ajo pësoi shumë dështime dhe aborte, e më vonë, këmbët iu infektuan sërish. Në një përpjekje për t’i dhënë fund dhimbjes tek këmbët asaj iu desh të priste gishtërinjtë e këmbës e më pas të gjithë këmbën e djathtë.

E gjithë dhimbja fizike dhe emocionale e Fridës u manifestua në mënyrën më unike dhe madhështore në tablotë e saj. Në to ajo pikturon veten, me bukurinë dhe veçantinë e vetullave të saj të trasha e të bashkuara, me lëkurën e saj zeshkane e flokët e errëta si nata, me veshjet shumëngjyrëshe që rrezatojnë ndriçimin, traditën, harenë dhe kulturën meksikane, por figurat e saj janë të kompozuara si skena torture e dhimbje, me artisten e shtruar në shtratin e spitalit teksa aborton, e gjakosur, e gjymtuar, si një drenushë e shigjetuar për vdekje, si një pemë që zgjeron degët në tokë të thatë, e shumë simbolika të tjera të cilat trazojnë emocionet e çdo shikuesi të sotëm por që e bëjnë atë edhe të ndiejë dhimbjen që ndiente vetë Frida. Nga një moment dhimbje e tillë buroi edhe vepra Dy Fridat.

Menjëherë pas divorcit me Diegon, Frida pikturoi një nga veprat e saj më të njohura, Dy Fridat. Kjo tablo ka përmasa më të mëdha në krahasim me standardet e saj të zakonshme të cilat ishin kryesisht të vogla. Kjo vepër, 173.5 × 173 cm, paraqet një portret të dyfishtë të Fridës, e cila është një radiografi e vërtetë e momentit kur dhimbja e saj emocionale dhe dhimbja e saj fizike garonin në mënyrë të barabartë se cila do e vriste më thellë atë.

Të dy Fridat, njëra në të majtë me fustan të bardhë serioz dhe tjetra me veshje tehuane i mbajnë duart e kapura sikur kombinojnë karakteristikat e tyre në një trup të vetëm, ose në shenjë mëshirimi me vuajtjet e njëra-tjetrës. Frida në të majtë është e butë dhe serioze, e mbuluar deri në grykë me një fustan të kollarisur dhe me flokë të rregulluara me kujdes. Ajo nuk ka bizhuteri por mban një palë gërshërë të vogla ose pinceta operacioni, një instrument që përdoret për të ndalur pikimet e gjakut në bardhësinë e fustanit. Zemra e saj është e prerë dhe e hapur, dhe barkushet e zemrës duket sikur punojnë për të pompuar gjakun, siç duhet të funksionojë në të vërtetë, madje edhe pse zemra është e hapur. Kurba e lehtë e gjoksit të Fridës është e dukshme nën zemrën dhe arteriet që përçojnë lëngun në pjesën tjetër të trupit të mbështjellë rreth qafës së saj, duke lidhur hapësirën ndërmjet dy Fridave dhe duke i bashkuar ato.

Frida në të djathtë e ka zemrën e saj të ekspozuar, por ajo nuk është e hapur. Edhe ajo duket se vazhdon së punuari. Të dyja Fridat kanë faqet e kuqe, që tregojnë për një furnizim të mirë dhe të qëndrueshëm me gjak, dhe tendrilat e saj, më të ngushta se arteriet e figurës tjetër, i spërdridhen rreth krahut. As këtu nuk ka gjakderdhje, vetëm një riciklim të vazhdueshëm të gjakut përmes trupave të dy grave.

Frida në të djathtë mban në dorë një portret të vogël. Pikturuar si një gur i gdhendur, aty tregohet një figurë e vogël e një djaloshi të skicuar me linja të errëta. Ajo figurë është e Diegos kur ishte fëmijë. Frida e riprodhoi portretin e tij nga një fotografi e hershme e Diegos, por dallohet me vështirësi për shkak të përmasave të vogla. Syri i shikuesit tërhiqet nga fytyrat dhe vuajtjet e dyfishta të dy figurave femërore, përmes detajeve të atij që gjendet në mes të skenës, e që është shkaktari i mundimit të tyre, por që arrin të duket vetëm pas një shqyrtimi të kujdesshëm.

Frida në të djathtë mban veshur një fund të gjatë që është pothuajse në ngjyrën e mustardës, ashtu si edhe toka poshtë dy Fridave; ajo ka një bluzë ngjyrë blu dhe të verdhë, të përafërt me një bluzë që Frida zotëronte në të vërtetë. Veshja formale në të majtë dhe veshja vendase në të djathtë bashkohen, për të na dhënë një Frida Kahlo me një identitet të dyfishtë, identitete të cilat banojnë brenda një jete të vetme. Dy trupa, dy origjina, dy pjesë të një misteri që vijnë së bashku për t’u bashkuar me forcat e natyrës duke vajtuar për një dashuri të humbur. Portreti në miniaturë i Diegos është një kujtesë e pabesive dhe tradhtive që arrijnë të shpojnë gjirin e një gruaje dhe të shkaktojnë dëshpërimin e saj të pafund dhe të thyejnë zemrën e saj. Retë e errëta blu prapa dy figurave shërbejnë për të nënvizuar turbullirat e figurave të ulura para tyre. Figurat kryesore dhe sfondi bashkohen së bashku për ta trazuar tërësisht shikuesin.

Dy Fridat janë të ulura në të njëjtën ndenjëse. Kanë një qëndrim tejet miqësor, e madje motror me njëra-tjetrën. Ato duken si të pandashme e të përjetshme në dhimbjen e tyre. Të dy figurat shohin drejtpërdrejt nga shikuesi, sikur të dyja përnjëherësh po flasin me telepati: Na shikon? Ne jemi Frida Kahlo. Ne – unë – kemi dhimbje! A e ndien dhimbjen time?

Edhe pse tabloja është dramatike, ngjyrat e ndezura mund të trazojnë vështrimin e një shikuesi evropian. Por Meksika është një vend plot ngjyrë e hare, me shumë dramë por edhe bukuri ndjenjash, dhe përmes ngjyrave të forta meksikanët, apo edhe kultura të tjera indigjene apo spanjolle të Amerikës Latine, shprehin si trishtimin ashtu edhe gëzimin përmes konstrastit të ngjyrave të forta. Në thelb të jetës së tyre është pasioni. Në cilindo skaj të tij, pasioni shprehet fuqishëm.

Veprat e Fridës nuk janë të përsosura estetikisht. Shpeshherë kanë defekte në linjat e figurave, në proporcionet e trupit, përshkrimin e perspektivës, etj., por ato kanë një pasion të paprecedentë për kohën e saj por edhe për kohët e sotme. Shikuesi përballet me këtë pasion tek veprat e Fridës dhe sytë e mendja nuk merren aspak me detajet e figurave por zemra pushtohet e tëra nga ndjenjat e forta që ato tablo përçojnë. Mua m’u desh të vizitoja Meksikën në mënyrë që të përjetoja emocionet e pashpjegueshme që përçojnë ngjyrat, muzika, kultura, tradita dhe arti meksikan, në fakt e gjithë atmosfera meksikane në tërësi. Arti manifestohet ndryshe në kultura të ndryshme, dhe ndjesitë që marrim nga njëri vend në tjetrin dallojnë për nga identiteti, botëkuptimi, dhe emocioni unik tradicional prej nga ku artisti vjen. Arti është universal por ai shfaq fytyrat e tij edhe në varësi të origjinës së artistit.

Në të gjithë veprat e Fridës dallohen elementët tradicionalë. Frida ishte “meksikane e vërtetë” pasi ajo kombinonte kaq shumë tradita në një. Ajo tërhiqte vëmendjen në çdo turmë. Në Fifth Avenue në New York, në rrugët e Parisit, ose pasi hynte në sallat në Mexico City për ndonjë koncert klasik, njerëzit ndalonin për ta parë. Veshjet shumëngjyrëshe të Fridës, bizhuteritë e saj meksikane, kordelet e flokëve, fundet e gjata, dhe fragranca franceze me të cilin parfumosej, krijonin një imazh që ishte vështirë të shpërfillej e madje edhe i vështirë për t’u harruar. Ndërsa me veprat e saj ajo na shpalos një fytyrë të paharrueshme, të një gruaje të bukur, të brishtë por edhe të fortë, e mbuluar me aureolën e pasionit, dhe e spikatur me vetullat e saj të trasha e të bashkuara, të cilat ditët e sotme janë shndërruar në një ikonë në nder të saj.

Ajo i ndërthuri më së miri elementët simbolik njerëzor me ato tradicionalë. Tek tabloja Autoportret Me Varëse me Gjemba dhe një Zog, e pikturuar një vit pas veprës Dy Fridat, ajo e portretizon veten si një mestiza e vërtetë dhe krenare, një meksikane me prejardhje të përzier evropiane dhe indiane amerikane. Në të ajo bashkon imazhet para-kolumbiane dhe ato të krishtera për ta paraqitur veten si një ndërthurje e figurës së Krishtit me një perëndeshë azteke. Ajo na shpaloset si një krijesë hyjnore sakrifikuese sipas traditës folklorike meksikane. Në këtë tablo ajo ka pikturuar gjethe të mëdha, flutura dhe pilivesa të cilat në krishterim simbolizojnë ringjallje ndërsa në traditën indigjene, shpresë dhe ripërtëritje. Në qafë ajo ka një varëse me gjemba, me të cilën simbolizon vuajtjen, dhe një zog, i cili në kulturën meksikane kishte kuptimin e të qenit “e pafatë në dashuri.”

E joshur nga origjina e kulturave ajo zbuloi nocionin lindor të syrit të tretë në mes të ballit, si një simbol i një realiteti më të lartë dhe e shndërroi atë në një motiv pikture për të përfaqësuar mendimet e saj të cilat vërtiteshin rreth njerëzve që kishte humbur, kujtimet e pjesëtarëve të familjes dhe nocionin e vdekjes si pjesë e vetë jetës. Dhe siç mund të imagjinohet, syri i tretë i autoportreteve të saj ishte Diego. Ndaj te vepra Diego Dhe Unë (1949), ajo ka pikturuar veten, me dy sytë e saj të përlotur dhe me syrin e tretë në qendër të ballit, ku dallohet fytyra e Diegos. Ai ishte gjithmonë në mendjen e saj, si një persekutor i përjetshëm.

Dhe pas divorcit ata u martuan sërish. Pavarësisht marrëdhënies së tyre gjithmonë të ndërlikuar, bisedat midis tyre dhe letërkëmbimet ishin shumë të bukura e lozonjare.  “Mi niña Frida” e quante ai, “Fisita” ose “Friducha.” Ndërsa ajo shkruante kështu në ditarin e saj: “Diego = bashkëshorti im / Diego = miku im / Diego = nëna ime / Diego = babai im / Diego = djali im / Diego = unë / Diego = Universi.”

Pasioni i Fridës nuk ishte vetëm për Diegon dhe jetën. Një pasion tjetër i saj ishte politika. Ajo ishte anëtare e Partisë Komuniste dhe bashkë me Diegon shquheshin për bindjet e tyre të thella majtiste. Por Frida, duke qenë Frida, hera-herës e bashkonte pasionin politik me atë dashuror. Gjatë azilit të tij politik në Meksikë, Leon Trotsky, një ndër figurat më të rëndësishme të Revolucionit të Tetorit, kundërshtar i thekur i Stalinit, u strehua bashkë me të shoqen për dy vjet në shtëpinë blu të Diegos dhe Fridës. Gjatë kësaj kohe Frida dhe Trotsky, i cili shquhej për tërheqjen që kishte ndaj femrave të bukura, pati një lidhje me Fridën, e cila pas një lidhje të gjatë midis tyre i dhuroi atij një autoportret tejet sensual e të bukur me rastin e ditëlindjes së tij. Në atë pikturë ajo shfaqet tërheqëse dhe joshëse, dhe mban në dorë një letër në të cilën shkruhet qartë: Për Leon Trotsky, me gjithë dashurinë time, ia kushtoj këtë pikturë më 7 nëntor 1937. Frida Kahlo në Saint Angel, Meksikë.

Lidhjet dashurore të Diegos dhe Fridës ishin të shumta, por një lidhje, në fakt artistike e jo dashurore, duket se ka një mospërputhje analitike. Andre Breton, babai i Surealizmit e vlerësoi stilin e Fridës si surrealist, ndërkohë që Surealizmi bazohej mbi piktura-ëndrra, në imazhet e të pandërgjegjshmes, dhe jo autoportrete reale e me një dhimbje të ndierë fizike e plot ndërgjegje që përmbante arti i saj. 

Frida krijoi rreth 200 piktura e vizatime gjatë karrierës së saj të shkurtër, dhe 55 prej tyre ishin autoportrete. Pikturat e Fridës janë përpjekje të përsëritura për të dokumentuar dhe materializuar përvojën e saj, për ta bërë atë të dukshme dhe të besueshme. Jo nëpërmjet ëndrrave si surrealistët por përmes vuajtjes reale. “Subjektet e mia kanë qenë gjithmonë ndjesitë e mia, gjendjet e mia mendore dhe reagimet e thella që jeta ka krijuar tek unë. Shpeshherë e kam konkretizuar të gjithë këtë te portretet e mia, të cilat ishin krijimet më të sinqerta dhe të vërteta për të shpalosur atë çfarë ndieja brenda dhe jashtë vetes.” Breton u mahnit vërtetë nga stili dhe tematikat e artit të Fridës dhe në një frazë të shkurtër, e cila u bë tejet e famshme ndër vite, ai deklaroi se “Arti i Frida Kahlo është një kordele e lidhur rreth një bombe.”

Përpara se të ndahej nga jeta Frida shkroi në ditarin e saj: “Espero alegre la salida—y espero no volver jamás” (Unë pres largimin tim të lumtur dhe shpresoj që kurrë të mos kthehem më). Kjo fjali shoqërohej me nënshkrimin me germa të mëdha, “FRIDA.” Artistja e përvuajtur fizikisht, i shndërroi fatkeqësitë e jetës së saj në një ngazëllim dhe frymëzim për brezat e ardhshëm. Sot Frida shihet jo vetëm si një figurë artistike por edhe si një ikonë bukurie, vullneti, vendosmërie, dhe frymëzim për të gjithë artistët të cilët duke marrë shembull prej kurajës dhe talentit të saj, të krijojnë jetë përmes artit edhe teksa gjenden në vështirësi të mëdha; të përçojnë ngjyrat dhe gëzimin e jetës, edhe kur dhimbja shkrihet në terrinat e thella të shpirtit.  

Me të mësuar për lajmin e vdekjes së Fridës, miku i saj Iduarte, teksa fliste në mikrofon përpara shumë njerëzve tha me trishtim, “Frida ka vdekur. Frida Kahlo ka vdekur. Mikja, motra e popullit, vajza e madhe e Meksikës, vazhdon të jetojë.” Në Meksikë, Frida Kahlo njihet si la heroína del dolor, ose “heroina e dhimbjes”, ndërsa ne e njohim atë si meksikanen e mrekullueshme që vetëm arti arriti t’ia zbuste dhimbjen.

SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

Ju lutem lini komentin tuaj!
Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

Artikujt më të fundit

Edison Çeraj: Magjikja e një udhëtimi

Cikli i fundit me piktura i skulptorit Artan Peqini, nën shënjuesin “Përtej kohës”, është nji arrati pa zhurmë nga habitati, ose nga siguria....

Marcel Proust: Dorëheqja e parë

Dorëheqja e parë është nxjerrë si tregim nga romani Në kërkim të kohës së humbur dhe është botuar me disa autorë të...

Dr. Feride Papleka: Marcel Proust, “Në kërkim të kohës së humbur” (À la recherche du temps perdu)

Një udhëtim i vërtetë zbulimi nuk do të thotë të kërkosh peizazhe të reja, por të kesh vështrim të ri.

Emin Azemi: Periferia dhe periferikët, dashurinë njerëzore mund ta bartin në qendër të botës

Në librin “Nënë Tereza, shenjtorja e periferive”, të studjueses Ines Murzaku, e shkruar me një metodologji të avancuar kërkimore e përmbajtësore, do të hasim...

KATEGORITË