More
    KreuArte pamoreDr. Bledar Kurti: "Gratë që bëjnë banjë" nga Cézanne

    Dr. Bledar Kurti: “Gratë që bëjnë banjë” nga Cézanne

    Cézanne është babai i të gjithëve prej nesh” u shpreh Pablo Picasso, teksa fliste në emër të gjithë artistëve modernë. Por, jo vetëm piktorë, edhe shkrimtarë të shquar si Ernest Hemingway shprehën vlerësimin më të madh për Paul Cézanne duke u shprehur se ishte Cézanne ai që e kishte mësuar atë se si të ndërtonte peizazhet e tij foljore. “Të shkruash mirë,” ankohej Hemingway, është po aq e vështirë sa të pikturosh një tablo të Cézanne.”

    Paul Cézanne (1839-1906) ishte artisti që shërbeu si një urë lidhëse midis shekullit të 19-të dhe atij të 20-të. I njohur si babai i artit modern, nuk ka “izëm” që i përshtatet artit të tij: ai nuk i përkiste impresionizmit edhe pse ishte i atij brezi, dhe ai nuk i përkiste as modernizmit, sado që kubistët u frymëzuan prej tij. Madhështia e artit të Cézanne është se është i pa-kategorizueshëm ndërkohë që transmeton një qartësi formash figurative, një thjeshtësi të natyrshme, dhe shpalos një çlodhje pamore dhe mendore.

    Vepra Gratë që Bëjnë Banjë (1905), më e njohura ndër veprat e tij, përshkruan një skenë të çuditshme por të mrekullueshme. Tabloja është vaj në kanavacë ndonëse duket sikur është pikturuar me akuarel. Në të mbizotërojnë bluja, okra dhe jeshilja. Figurat femërore nudo dominojnë tablonë dhe skena zhvillohet në një breg lumi në fshat. Ishte në modë në Francën në fund të shekullit të 19-të që njerëzit të bënin banjë në lumenj, apo edhe vizitorë të ndryshëm nga qytetet të shkonin për piknik e laheshin në zonat rurale, duke lënë pas jetën e ngarkuar apo mjedisin e ndotur për shkak të industrializimit.

    Kjo tablo nuk ka asnjë mesazh tematik, por është një shpërthim absolut artistik. Vepra përfundoi në prag të vdekjes së artistit por zgjati rreth shtatë vjet për t’u kryer. Dhe, pavarësisht se mund të duket si e shkujdesur, e shpejtë dhe impulsive, në fakt ajo është e organizuar dhe e pikturuar me një kujdes të madh. Ndodhte që Cézanne priste edhe njëzetë minuta duke u menduar përpara se të hidhte një penelatë nga tjetra. Figurat dhe kompozimi në tërësi i veprave të tij nuk janë kurrë rastësore por të paramenduara me imtësi. Edhe në këtë tablo, figurat e shumta duken të shpërndara por ndërkohë janë të gjitha të pikturuara në formën gjeometrike të trekëndëshit.

    Nëse ndjekim me sy dy qoshet e poshtme të tablosë ato krijojnë një trekëndësh të madh që ngjitet drejt kulmit përmes dy figurave në këmbë, më pas dy trungjeve të pemëve në plan të parë, duke arritur në majë të kanavacës. Edhe gratë që lahen janë të ndara në dy grupe prej të cilave krijohen dy trekëndësh të tjerë, e madje çdo trup i tyre është modeluar për të treguar një trekëndësh më vete. Hapësira në qendër të figurës krijon gjithashtu një trekëndësh me kokë poshtë.

    Kjo është një vepër arkitektonike. Figurat dhe pemët janë kompozuar për të ndërtuar një arkitekturë plastike të pikturës. Në të vërtetë, sipas disa kritikëve, madhështia e kësaj tabloje të kujton fasadën e një katedraleje. E gjithë tabloja është e kulluar, e shpalosur me një art të pastër dhe solid, me një përshkrim integral të natyrës, e mbuluar me një ndjesi të dukshme gjallërie, vlera estetike dhe elementë të harmonizuar. Ndërsa lakuriqësia e femrave i jep veprës edhe një emocion dramatik.

    Shporta me mollë

    Cézanne u tërhoq marrëzisht me përdorimin e formës femërore si një motiv. Ndjesia e tij plastike e trupave femërore manifestohet me vëllime të bollshme dhe të përcaktuara në mënyrë të thjeshtë. Ndjenjat e artistit në raport me femrat ishin të komplikuara dhe ai terrorizohej nga gjinia femërore. Ai nuk guxonte të tërhiqej nga modelet nudo dhe nuk ndihej komod në praninë e tyre. Kjo na bën të kuptojmë se çfarë humbje e madhe ishte kjo pengesë për artin e tij. Ai e shpjegoi këtë drojë të tijën ndaj trupit femëror me një traumë fëmijërie, teksa një ditë në shkollë një shok e kishte goditur shumë fort e dhunshëm me shkelm teksa ai po qëndronte në një palë shkallë. Ky incident, bashkë me kompleksin që kishte për pamjen e tij, e shtyu të mos kishte shumë besim tek njerëzit dhe të mbyllej në vetvete. Për më tepër, për shkak se vinte nga një fshat me mentalitet provincial ai nuk arriti të mposhte druajtjen ndaj femrave. Për këtë arsye femrat në këtë tablo nuk kanë fytyrë, e duken si qenie të pa-personalizuara, pa personalitet dhe shprehi. Ato janë prototipa. Për artistin forma ishte më e rëndësishme se sa individualiteti i tyre. Cézanne ishte më shumë i interesuar në kompozimin e tërë, në harmoninë midis figurave dhe natyrës, formës dhe ngjyrave. Kësisoj, nuk dallohet asnjë element erotizmi në trupat e tyre. Përkundrazi ato janë me forma të rënda trupore, kokë të vogla, gjymtyrë të tejzgjatura. Ato duken të mbyllura në botën e tyre, duke ekzistuar vetëm për veten e tyre, një pasqyrë e vetë personalitetit të Cézanne. Ato nuk janë të shpalosura mbi një piedestal të idealizuar, e nuk kanë as finesë e as elegancë, por shpalosen si figura të jetës së përditshme. Një trajtim i tillë hapi udhën për një lloj të ri arti në të cilin kompozimi, forma dhe ngjyrat janë kryesore në një vepër.

    E gjithë tabloja duket sikur shfytyrohet e tërhiqet me magnetizëm drejt majës së piramidës. Figurat dhe natyra duket sikur kanë si pikë graviteti majën e trekëndëshit në krye të tablosë. Duket sikur figurat dhe natyra reagojnë e kundërveprojnë nga një thirrje prej së larti, dhe kjo vihet re më qartë jo vetëm nga dy trungjet e pemëve bojëkafe në qendër të kanavacës por edhe tek figura femërore e shtrirë në të djathtë të veprës. Ajo buron nga këndi i poshtëm e pluskon drejt majës. Kjo qasje i jep kompozimit një aspekt shpirtëror pasi Cézanne ishte gjithnjë në kërkim të Tokës së Premtuar. Në një letër ai shkroi, “E shoh Tokën e Premtuar përpara meje. A do kem edhe unë të njëjtin fat si udhëheqësi madhështor i hebrenjve (Moisiu), apo do lejohem të hy në Tokën e Premtuar?” Dhe, kjo përforcohet edhe nga figura e vogël e turbullt përtej lumit e cila, duke simbolizuar vetë artistin, nën kullën e dukshme të kishës, e vështron nga bregu tjetër me admirim atë skenë lumturie dhe harmonie, duke pyetur veten nëse do mund ta kapërcejë atë lumë e të mund të shkojë në atë Tokë të Premtuar.

    Kjo vepër ka përmasat më të mëdha se çdo vepër tjetër e Cézanne e madje ishte më e rëndësishmja për të. Cézanne e pikturoi atë brenda studios së tij, por për shkak se ishte e madhe ai hapi një të çarë në mur në mënyrë që ta nxirrte veprën jashtë për ta parë nën dritën e diellit. Risia e veprës ka të bëjë edhe me konceptin e thellësisë dhe dimensionit të tretë. Ai refuzonte ta konsideronte pikturën si dy dimensionale, por tentonte të shihte edhe anën e padukshme të figurave dhe natyrës, duke e bërë edhe shikuesin të dallonte të padukshmen. “Shiheni natyrën si cilindër, sferë dhe kon,” shkroi ai, “të gjitha në perspektivë, në mënyrë që secila anë e një objekti apo plani të drejtohet për nga një pikë qendrore … Natyra është për ne më shumë një çështje thellësie sesa sipërfaqe.” Dhe kjo vepër përfaqëson më së miri teorinë e tij të thellësisë, të cilën ai e arriti përmes ndërtimit arkitektonik, formave gjeometrike, dhe integrimit të okrës me blunë. Në të ai ka shpalosur dashurinë e tij për vëllimin dhe format plastike të arritura përmes ngjyrave.

    Cézanne bëri vetëm tre tablo të ndryshme të mëdha mbi tematikën e banjës. Repertori i veprave të tij përbëhet kryesisht nga peizazhe, portrete dhe natyra të qeta me frutjera. “Unë do ta befasoj Parisin me një mollë “, tha në rini Paul Cézanne për një nga pikturat e tij me natyrë të qetë frutash. Megjithatë, mollës së tij iu desh kohë e gjatë për t’u pjekur: ai nuk shiti as edhe një tablo të vetme jashtë rrethit të tij miqësor derisa ishte 35 vjeç dhe nuk hapi asnjë ekspozitë vetjake derisa ishte 56 vjeç. Dhe, artisti që lindi në fshat e që doli vetëm një herë të vetme jashtë Francës, madje vetëm sa kaloi kufirin për në Zvicër, revolucionoi një botë të tërë të artit. Kurrë bota nuk kishte parë frutat e frutjerat, pjatat dhe shishet të shpaloseshin me madhështi të papërshkrueshme. Objektet e tij trajtoheshin si njerëz ndërsa figurat njerëzore integroheshin mrekullisht me natyrën. Ndaj edhe Cézanne i kërkonte modeleve që pikturonte të qëndronin pa lëvizur për orë të tëra sikur të ishin objekte të një natyre të qetë. Për të, një kokë njeriu nuk dallonte nga një mollë për sa i përkiste kompozimit, sikurse edhe një mollë nuk dallonte nga një portret njeriu. Emocionet nuk i interesonin aspak, as individualiteti, por vetëm kompozimi dhe tabloja si e tërë, si një njësi artistike dhe pioniere e dimensioneve të panjohura të artit.

    Cézanne jetoi vetëm për pikturën. Ai vinte nga një familje e pasur, ndaj edhe pse nuk arrinte të shiste piktura nuk i duhej të siguronte jetesën përmes artit. Ai punoi për shumë vite si bankier në bankën e babait të tij, por pasi babai e kuptoi pasionin e të birit për artin e la të lirë dhe e mbështeti financiarisht. Një herë Cézanne shkroi mbi një faturë llogarie: “Bankieri Cézanne frikë ka shumë / Pas kësaj tavoline një artist ndihem unë.” Ai e njihte artistin brenda vetes, por për shkak të refuzimit të madh që iu bë veprave të tij, dhe prishjes së miqësisë së ngushtë me shkrimtarin e njohur Émile Zola, ai vuajti nga depresioni dhe paranoja. Ai jetoi shumë vite në Paris por mbarti gjithnjë me vete rëndesën e refuzimit dhe kompleksitetit të tij si provincial ashtu edhe personal.

    Burrat që luajnë me letra

    Cézanne shpesh fliste për fundin e tij dhe betohej se “unë do të vdes duke pikturuar.” Për një herë të vetme në jetën e tij, dëshira iu plotësua. Më 15 tetor 1906, teksa po pikturonte në natyrë, e zuri një shtrëngatë e fortë.  Ai qëndroi me orë të tëra jashtë i lagur dhe e sollën në shtëpi me karrocë. Të nesërmen doli në oborr të pikturonte dhe kur u kthye në shtrat nuk u ngrit më. Ai vdiq për shkak të pneumonisë më 22 tetor 1906 duke mos e kuptuar kurrë ndikimin e jashtëzakonshëm që do linte në artin e shekullit të 20-të.

    “I përulur dhe kolosal” e përshkroi poeti gjerman Rainer Maria Rilke, “i urtë por madhështor.” Cézanne, artisti më i kritikuar e i tallur nga shtypi dhe publiku i kohës, sot njihet si më të rëndësishmit në historinë e artit. Ato tablo që askush nuk donte t’i blinte tashmë kanë vlera marramendëse, si në rastin e tablosë Burrat Që Luajnë Me Letra (1895), e cila u shit me vlerën e mbi 250 milionë dollarëve në vitin 2012, dhe emrat e kritikëve janë harruar nga historia ose kujtohen me turp, ndërkohë Paul Cézanne do njihet ndër shekuj si pionieri i modernizmit.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË