More
    KreuUncategorisedDhurata Hoti: Ungjilli sipas meje

    Dhurata Hoti: Ungjilli sipas meje

    Zoti, i madhi e i plotëfuqishmi, i pagabueshmi e i papërsëritshmi, përderisa po shfletonte krijimet e tij, papritmas, vërejti një dhomë të kuqe që s’mbante mend ta kishte krijuar a menduar kurrë. I habitur sa më s’ka, por edhe i entuziazmuar dhe kurioz, sepse kjo nuk kishte ndodhur kurrë, ai vëzhgoi këtë pjesë misterioze që nuk e mbante mend, por si ishte e mundur që diçka e tillë t’i kishte ikur atij që s’i ikte asgjë, ai disi u ndje falenderues që kishte diçka që po e çudiste. Dhoma e kuqe ekzistonte brenda universit të tij, megjithatë ishte veçmas gjithçkaje, dhe dukej që pjesa tjetër e krijimit të tij  nuk mund të ndërhynte në këtë dhomë. Nuk ishte shtëpi a ndërtesë, ishte vetëm një dhomë e vetmuar në qendër të universit, me një derë të zezë, e lyer me një ngjyrë që ende dukej e freskët, apo kishte mbetur e tillë sepse nuk ishte përdorur. Brenda kësaj dhome, ndodhesha unë, e ulur në një divan prej plishi të shkëlqyeshëm të zi, një mace e bardhë që po lëpinte putrat, indiferente ndaj gjithçkaje, dhe një dhi ngjyrë hiri. Përreth mureve të dhomës, të vendosur në rresht nga tri në secilën anë qëndronin krijesa trupa të së cilave u ngjanin femrave deri të pjesa e barkut, ndërsa në pjesën e poshtme të trupit kishin penisë. Të gjitha kishin veshur nga një pelerinë të bardhë që u varej krahëve, e qëndronte e lidhur me një shirit të gjatë të kuq. Flokët e tyre të gjata pambarim, lëkura e tyre e bardhë ndriçonte dhomën, ato pëshpërisnin fjalë të padëgjueshme, të cilat përsëriteshin prej njëra tjetrës me pak sekonda dallim.

    Sapo pamë njëri-tjerin, Zoti e unë u habitem tejmase pwr ekzistencen e njëri-tjetrit, ai pak më shumë sepse fundja ai ishte Zoti. Gjithsesi shpejt e mori veten dhe më pyeti se pse dhoma ime nuk kishte dritare. Unë e pavetedijshme për ekzistencën e dritareve e pyeta se pse nevojiten. Nuk e kuptova se pse u duk sikur iu thye zemra kur unë u përgjigja. Më vështroi me gjithë mëshirën hyjnore në sytë e tij dhe më pyeti nëse e njihja lumturinë. Në atë moment e kuptova që mungesa e dritareve më kishte mbyllur mundësinë për të përjetuar lumturinë por edhe dhimbjen dhe u bëra e vetëdijshme për të dyja, apo më mirë të them për mungesën e tyre. Nuk e di pse kjo fjalë më bëri ta shoh në një drite sensuale. Mu duk sikur ndjeva dhimbjen e gjithë botës brenda tij, trishtim sharmant dhe një lloj kimie shumë karnale. E dëshirova dhe ai që di gjithcka e lexoi dëshirën time Në dyshemenw e ftohtë të rrethuar me mure të kuqe, unë dhe Zoti bëmw dashuri përderisa dhija dukej sikur na shikonte me ngulm, ndwrsa macja flinte e ngrihej e lepinte putrat, shtriqej, por pa na vënë veshin, e pa interesuar aspak nëse ishte Zoti, djalli apo një fqinj i ri.

    E pyeta veten se çfare ndodhte me botën ndërsa zoti bënte dashuri, dhe vetëm në atë moment u bëra e vetëdijshme që ai kurrë nuk më ishte prezentuar dhe se në momentin që ai kishte hyrë në dhomë, unë kisha marrë për të mirëqenë shenjëtërin e tij si diçka që kishte mbushur dhomën me një të vërtetë të padukshme e të padëgjuar. Fillova të mendoj nëse Zotin e kisha krijuar unë, ose të paktën këtë Zot, karnal e konfuz, të cilit i iknin ekzistenca brenda krijimit të tij. Ky mendim sikur e pushtoi dhomën dhe perderisa po ndjeja penetrimet e tij, hapa sytë dhe përballë, ngerthyer mes këmbëve të mia pashw veten, ose atë që e mendoja si vetja ime. U afrova drejt krijesës që po shihja, e eksituar, ekzaltuar, dhe pashë ngultas në sytë e saj dhe imazhi që mu reflektua ishte Zoti, ashtu sikur e kisha parë pak momente më herët. Në vend të trupit tim pash trupin e tij, pastaj u shëndrrova në embrion vetëm për tu transportuar në hapësirën e pamasë të universit, ku një qetësi shurdhuese më bën të kuptoj që jam krejtësisht vetëm, anipse papushim kërkoj për një frymë tjetër, por pas pak e shoh që universi dhe gjithçka tjetër është krijuar prej mendjes sime dhe unë jam vetëm, krejtësisht vetëm, vetmia njerëzore kurrë nuk mund të krahasohet më këtë që po përjetoj tani dhe ndoshta e kam përjetuar gjithmonë.

    Për të zbutur dhimbjen e këtij zbulimi u përpjeka të kujtoja momentin kur Zoti kishte hyrë në dhomën time dhe më kishte pyetur për dritaret. Mendimi për mungesën e dritareve tashmë mw po zinte frymën, po më frikësonte, por nuk jam e sigurtë a isha e frikësuar prej mungesës së dritareve apo asaj çfarë do të shihja nëse do të kisha të tilla. Nuk e di sa zgjati, sepse koha nuk ekzistonte deri në momentin që fillova të mendoja për të dhe në momentin që u bëra e vetëdijshme për kohën, ajo mori formën e realitetit tim dhe jeta ime u shpërfaq, duke tentuar të më bëjw të harroj kuptimin dhe Zotin në të cilin isha shëndrruar.

    Mendova për dritën, detin, muzikën, kuajt, kërmijtë, telefonat, armët, mallin, kripën, rrugët, kafen, të qeshurën, mëngjesin, filmat, natën, puthjen dhe sakaq, krijesa që kisha përballë meje që mbante pamjen që mendoja që e kisha, u zbeh deri sa u zhduk dhe unë e kuptova që ajo dhe dhoma e kuqe kishte një rreng që ia kisha punuar vetes nga papërballueshmëria e vetmisë. Unë jam një Zot i vetmuar, një Zot – fëmijë i trishtuar që shpreson në një ekzistencë të barabartë që diku, dikur, mund t’i ketë ikur. Që të mund të luaj pastaj me të si më një bashkëmoshatar duke iu mburrur për të gjitha krijimet si lojëra kreative që do ta fashionin. Një dhimbje therëse më përshkoi mes trupit, ose asaj që e konsideroja si trup por në të vërtetë ishte krejt bota, realiteti që më ishte mërzitur. Filloi të më mungonte, të më dhimbte, mungesa e iluzionit që më kishte lumturuar dhe vendosa që për ta përjtuar përsëri, duhej të shkatërroja gjithçka, të shëndrrohesha në asgjë dhe të lindja prap.

    Kuptimi i gjithë kësaj sikur hapi një dritare në dhomë, të cilën nuk po e shihja, por po e ndjeja ajrin që përshkonte dhomën. U shëndrrova në fjalën e parë që nxiti krijimin, u shëndrrova në tokë, qiell, hanë e diell, në krijesën e parë, në njeriun e parë, në mëkatin e parë, në vdekjen e parë, në stërgjyshen time, nënën time, embrionin në barkun e saj, u bëra unë – bebe, qava, qesha, fjeta, u zgjova, eca, vrapova, u rrëzova, pastaj dhimbja e kënaqësia, sa e vështirë të dallohesh njërën prej tjetrës kur ke harruar që gjithçka vjen prej diçka-së së vetme, pastaj rritja, dashuria, mllefi, urrejtja, paknaqësia, dështimi, bukuria, ngërqet, klithamat, lotët, orgazmat, thyerja, shkatërrimi dhe rikuptimi që asgjë nuk përfundon. U shëndrrova që çdo njeri, planet, element, krijesë e atom që ka ekzistuar derisa u ktheva e ndjeva dorën e tij që rrinte ngjitur pas shpinës time, tek më përshkonte barkun, një lloj ëmbëlsie e dhimbshme që nuk dija pse më befasonte, kur sapo kisha përjtuar gjithçka që mund të përjtohet. Pa mundur të rezistoj më shumë, hapa sytë në vend të dhomës së kuqe, isha në një dhomë të errët, ku pas disa përpëlitjesh së syve arrita të dalloj një shkëlqim të kuqërremtë. Ishin drita të vogla që u përngjanin atyre të vitit të ri, të cilat ishin ngjitur rreth një pasqyre të madhe që ndodhej përpara meje, ku pashw veten, ndërsa përbri meje rrinte shtrirë ai. Në një kënd të dhomës, një disco ball po reflektonte dritat e kuqërremta nëpër trupat tanë, ajri i dhomës kundërmonte erë cigaresh, prej derës që nuk ishte e mbyllur mirë dëgjoheshin disa zëra, koka po më dhimbte dhe isha e uritur, por kurrë nuk kisha qenë më e lumtur. Mendova se kush kujdesej për botën ndëkohë që unë rrija e shtrirë pranë tij, e te këmbët e mia macja u zgjua, u shtriq me indiferencë ndaj pranisë time, me këmbë më shtypi këmbët për të bërë vendin e saj dhe mes gërr gërr-ave e zuri gjumi sërish. Unë jam zoti, në pushime verore.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË