Buzën!
I keq, ti…!
Pse m’rri hutueshëm
i randë plumb prej heshtjes?
Diellore jam unë
s’jam nemë e zezë.
I panjohun mund t’jetë
veç çasti që mblatoi
këtë joshje t’egër,
çmendunisht thellë.
Pse druhesh?
Nji ditë as ti e as unë
s’kemi me kenë ma
kemi me humbë,
kemi me u zhba.
Ti ke me u kthye n’moçal,
unë n’llavë vullkani,
ti n’ndonji prrue n’vërshim,
e unë kam me shndritë si ylber,
si ylber shumëngjyrash plot gzim!
Mos u tkurr,
Shpërthe si vrushkull gjaku!
Shndritma zemrën,
përflakma trupin.
Dhe po: Buzën!
Qenie e dobët që do lutje:
Buzën!
Jam msu me u dhanë
deri n’kthetra t’vdekjes
me u lshue tan’ buzëqeshje.
Akull me gjak kam shkri,
pa ndi kurrë sa kam marrë,
i marrë!
Kam me t’dhanë frymë,
kam me t’dhanë shpirt,
kam me t’dhanë jetë,
ty gur i heshtun
unë diellorja!
Se ta du buzën,
mor qenie e dobët.
Ta du buzën,
mor i marrë!
Dashnisë së nji nate
Erën tande nuhas
trupi lehtë m’dridhet,
zemra m’rreh ngadalë,
prej frikës që s’ke me ardhë-
mos gabo
se shpirti copë do t’më bahet,
e ma e fortë se vdekja
asht’ dëshrimi jem për ty.
Due me ba tuj kanë
n’nji shkretinë të paanë
a n’nji ishull plot det,
ku dallditë frymojnë
n’fillin e vet,
n’zall e n’lloç,
n’ujë e n’djersë,
n’natë me yje e hanë,
t’due si s’kam dashtë kurrë,
asnjiherë ma parë…
Dashni soji t’bajmë,
pa fjalë e andrra
veç afsh.
Kurrë s’t’kam thanë
se ti je hamshor
e unë harlisun jam,
për gja tjetër n’kët’ jetë
zhig s’më mbet’
prekmë,
pa fjalë…
për net pa gjumë
ta bajmë.
Due me iu dhanë natës
qysh i jepet nana fmisë,
pa asnji fjalë
asnji peng
asnji kusht.
Due me t’pasë krejt,
t’zhveshun deri n’asht,
e me vlu,
e me u shkri,
e me shpërthy
e me kenë e lumtun
veç që jam n’këtë botë
veç që jam me ty.
Sall për këtë çast
kam me luftue deri n’frymë t’fundit.
Gjithçka asht’ andërr, shpirti jem…
Gjithçka asht’ andërr, shpirti jem,
nji andërr e bukur, nji andërr e keqe…
Merre si t’dush’, njilloj asht’,
krejt njilloj…pse çuditesh?
S’ka ndonji ndryshim mes “mos me kenë”
dhe hapave t’lehtë që ikin n’mjes
për t’mos u kthye ma,
për t’mos u kthye kurrë.
Aroma n’shtroja,
si fllad i lehtë pranvere
përbirue xhamave
asht’ mbetja e fundit.
Mundesh me e lypë nji fije lumnije
tuj zmadhue sytë mbytun lotsh
me ba be n’ta, se ishe ti, se ish ai…
me u kapë mas do urtive t’moçme
me thanë kshtu qenka shkrue
e me rrnue tuj e mbyllë dhimtën
thellë bordurave t’shpirtit…
Ose, mundesh me i kërcitë dhambët,
me u jargavitë, me u çkrry, me u çky,
me e vjerrë ni guri n’qafë e me u mbytë,
por, prapë andërr mbetet, shpirti jem, veç andërr,
nji andërr e bukur, nji andërr e keqe,
krejt njilloj, punemadhe si e emnojmë,
diçkanë që fund e krye kaplue asht’ prej trishtimi…
[…] Lexo edhe: […]
[…] Lexo edhe: […]