More
    KreuLetërsiBibliotekë"Cose animate", poezi nga Luan Rama

    “Cose animate”, poezi nga Luan Rama

    Tre poetë italianë mbi vëllimin poetik Cose animate:

    Dy – tri gjëra që di mbi Luanin

    Duke rrëfyer një botë të egër dhe të padrejtë, autori mirëpret gjithmonë atë çka për shumë njerëz tani është vetëm një mit: Shpresa! Një botë më e mirë, sigurisht – edhe kur ai rrëfen ngjarjet që kanë goditur vendin e tij (Shqipërinë), ku gjejmë gjurmë të thella dhimbjeje, të përziera me përgjërim, pa asnjë aluzion mllefi apo urrejtjeje.

    Duket sikur poezia e tij të ishte gjithmonë gati për të shëruar (por edhe për të justifikuar) atë që hyjnorja ka vendosur disi, ashtu siç bëhet, e butë dhe sensuale, kur kujton dashuritë e dikujt, kur i pasqyron ato dhe/ose i krahason me artistët e mëdhenj të së shkuarës, nga Verlaine te Mozart, nga Apollinaire te Rimbaud deri te Nënë Tereza e Kalkutës dhe Camus.

    Vargjet rrjedhin duke përfaqësuar jo vetëm historinë e autorit dhe të vendit të tij me çaste delikate e të thella, por edhe me gjendje të tjera mahnitëse, thuajse narrative. Tekste që duhen mbajtur në sy në tavolinën e shtratit për të na kujtuar se duhet të jemi njerëz.

    Beppe Costa, poet, botues

    Të shkruash poezi si të bësh pikturë

    Poezia e Luan Ramës është nje model shëmbullor i “ekuacionit të artit”. Strofat dhe ngjyrat që evokohen në të, shkrihen e derdhen në fragmente të lumtura imazhesh dhe ndjesish të sublimuara, në horizonte të brendëshme që lundrojnë në ujrat e shpirtit dhe në një botë mistike (“Baba Mondi dëgjon Mozart”). Është një lloj poezie që ngërthen në vetvete çdo fenomen të brendshëm dhe ku Luan Rama, në të vërtetë i përkëdhel si të ishte duke i pikturuar këto lirika në telajo.

    Përmes vargjeve intime e të sinqerta, ai u drejtohet artistëve të mëdhenj, të artit e të poezisë, të ngjyrës e të muzikës dhe dialogon me ta. Duke dëgjuar zërin e «Poetëve të Mallkuar », ai nuk harron as romantikët e ekzistencialistët, apo Diderot, Prevert, Camus… të cilëve u pëshpërit emocionet e tij, dialogon me ta, duke u dhënë jetë ndjesive të çmuara dhe ku poezia e tij është muzikale dhe fluide.

    Janë elegjiake vargjet në homazh të poetit Edward Estlin Cummings dhe po aq e bukur është dhe poezia për Yllka Mujon. Në poezitë e tij nuk mungon as dashuria e tij për mjeshtrit e pikturës, prej të cilëve ai frymëzohet, siç ndodh në lirikën intime kushtuar Botticelli-it. E mrekullueshme është po ashtu « Flutura e purpurt », vargje që lindin si një nimfë në « E zeza është ngjyrë » e Matisit. Do doja të shkruaja për çdo poezi, një e nga një dhe tu këndoja madhështisë së tyre, por këtë botë plot ngjyra po e lë mënjanë që secili ta shijojë sipas syve të tij. Megjithatë mund të them se të gjitha poezitë e përfshira në Cose animate janë si një lumë plot ujë, me një shpirt ku ai ngjyen penën e tij dhe ku ndihet bagazhi dhe spiritualiteti i tij i fuqishëm. Përmes tyre ai na ofron një poezi me një forcë të rrallë emocionale.

    Çdo poezi e tij duhet lexuar e shijuar duke e lënë veten të mbështillesh nga një dritë manjetike që të ngre lart Vargun që nënkupton Emocion të thellë, një Vend të shenjtë.

    Annamaria Vezio, kritike e artit dhe e letërsisë, shkrimtare

    Bukuri të pafundme të botës që ngjiz ky libër

    Poezia e gjallë dhe e shumëllojshme e Luan Ramës në librin « Cose animate » të tërheq shumë jo vetëm për talentin e tij të pastër por veçanërisht dhe për finesën në lidhjen e poetikës me format e tjera të artit, si të pikturës, muzikës apo krijimeve kinematografike. Janë poezi të ngacmuara nga histori të përjetuara, të treguara poetikisht dhe që i ofrohen lexuesit përmes një frymëzimi të lindur nga ky dialogim me vetveten, duke nxitur kështu refleksionin.

    Në « Cose animate », siç quhen « nature mort » në pikturë, ka krijime të vrullshme poetike, ku nganjëherë ai rikthehet për të testuar siç duket efektin që ato kanë, dhe të ngjan sikur përballë një ekrani të madh, këto imazhe të shfaqen për të treguar dritën e vetë poezisë. Ka në to referenca të fotografisë apo teatrit dhe kështu, ne hyjmë në një dimension të çliruar nga kushtëzimet sociale ku mbi të gjitha mbizotëron shija e artit poetik, spazmat e dashurisë.

    Me një ritëm krenar e të lirë, ai eksperimenton duke këmbëngulur në ndjenat e tij poetike, ku gjen ritmin dhe tingëllimet në mënyrën sesi ai e shkruan poezinë. Mbi të gjitha, në këto poezi ka homazhe për atdheun, Shqipërinë dhe më tej për gratë, sensualitetin, ndjesitë e tyre, mbi ethosin, patetikën dhe poetikës së njeriut, dhe në të njëjtën kohë, bukurisë së jetës, pasazhe këto poetike që shpërndajnë dhe mbartin njëkohësisht në vetvete emocione. Dhe gjithçka në këto poezi ka gjurmën e kureshtjes, gjurmën e aromave dhe parfumeve kapur nga jeta për bukuritë e pafundme të botës, çka i jep shpirt vëllimit poetik, « Cosa animate », ku format, ngjyrat, shenjat dhe fjalët bashkëkzistojnë në gjuhë dhe sipërfaqe të lira. Syri dhe mendimi që përmbajnë dhe i japin ritëm aksionit poetik, rreshta të një qetësie të zjarrtë që të shtyjnë dhe të japin kurajo për të ndjekur udhën e tyre, poezi të përcjella ikonografikisht e të ngjizura nga pasioni dhe ngjarjet e jetës, kjo është poezia e Luan Ramës.

    Annitta Di Mineo, poete


    Tavani yt ka ngjyrën e të gjelbërtës

    Aktores Yllka Mujo…

    Ti më shkruaje për tavanin
    dhe trishtin që ndonjëherë nderet
    mbi sytë dhe trupin tënd,
    dhe unë përpiqem të shoh atje
    tërë një qiell me rrugët e tua,
    një det me dallgët e tua,
    vetë shkumbëzimin e gjakut
    dhe furtunat që buzët t’i kanë rreshkur,
    në tavanin tënd shoh tani yjet e mëngjesit
    me «Princin e Vogël» të Exupery-së mbi krye,
    aty janë gjurmët e ëndrrave që mbetën ëndrra
    bashkë me okrën e «gjetheve të rëna» të Jacques Prevert,
    aty janë disa jetë të jetuara,
    një palimpsest i dehur,
    taverna gëzimi plot zhurmë,
    skena të fjalës së shenjtë
    apo një ekran ku janë ngjizur sytë e tu
    për mos tu shqitur kurrë,
    tavani yt më ngjan me një horizont të pafund mikja ime,
    në këtë fllad që të ngre fustanin
    dhe e çon tutje shpirtin tënd në lëndina të tjera,
    tavani yt ka ende ngjyrën e të gjelbërtës…

    Zemra e poetit

    Homazh për Edwards Cummings

    «Kam gjithnjë zemrën tënde brenda meje” shkruante Cummings
    dhe shkonte i përhumbur jo vetëm me një
    por me tri zemra në duart që i digjnin
    të dashurat e tij ngjyrë purpuri që donte ti ruante gjer në fund
    ato zemra me pritjet e gjata ku nuk kishte trofe
    me çmenduritë, qortimet dhe dehjet,
    me lotët dhe ndarjet,
    udhëkryq pas udhëkryqi,
    në erë, në mjegull,
    pa mundur ti ndalte vrullet e tij
    në kërkim gjithnjë të fytyrës së dashurisë
    e vetmja që e magjepste
    e vetmja që i këndonte gjer në agun e ditës
    fytyra ku ndodhnin të gjitha habitë e natyrës
    vesa e mëngjesit, rrebeshet, ekslipset
    zemërimet që shkonin si meteorë
    dhe shuheshin në qiejtë e zymtë
    dhe përsëri tri dashuri aq të ngjashme
    me pëshpërimat nën shiun e ëmbël të verës
    me diellin që perëndonte dhe ai që e ndiqte pas
    për të parë në dritën e bardhë
    buzë të pulpta
    sy që ngjasonin aq shumë nga njëri portret në tjetrin
    sy dashurie që nuk e njohën mërinë
    fjalë dhe frymë që e mbanin në ajër,
    zgjuar midis qiellit dhe tokës
    gjersa një ditë u zhduk me nxitim me tri zemrat e tij ndër duar
    për mos tu kthyer më,
    ishte koha e qershive…

    Feliçeta…

    1.

    Eja Liçi, luaj tani,
    vëre shpirtin tënd mbi tastierë
    dua të të dëgjoj tani si dikur,
    mbi pianon tënde të vjetër veshur në velur
    luaj e dashur me gishtërinjtë e tu të bukur
    me gjithë dashuritë dhe bohemitë e kësaj jete,
    luaj, mos pusho, ashtu si gjithnjë
    me një Hendel dehës
    dhe gjithë trishtin e shpirtit,
    bemoli yt është një dashuri e pafund,
    është syri yt më i bukur se hëna e plotë,
    dua të të dëgjoj sot, ty dashuria jonë e parreshtur,
    kënga që n’a zgjonte gjithnjë në ag,
    luaj Liçi, kërce mbi tastiera
    pasi shpirti yt është një këngë e pambarimtë,
    ti Liçi gjithnjë ke luajtur veç dashuri,
    sytë e tu janë sytë e vetë dashurisë,
    është gjaku yt që shkon diku
    për të kënduar dhe njëherë dashurinë e kësaj bote,
    gjaku ynë i ëmbël që di të luash veç “dashuri”…

    2.

    Të pashë në ëndërr
    luaje piano në mes të natës që të tjerët të flinin,
    luaje pa parë akrepat e orës së vjetër,
    mbyllje sytë dhe luaje me mall, në dehje,
    me gishtërinjte që binin lehtë
    mbi dashuri jete dhe njëmijë fytyra,
    të gjallësh dhe të vdekurish,
    mbi mijra sy që të kanë adhuruar,
    të pashë në ëndërr
    duke luajtur piano gjer në ag
    fqinjët e përgjumur kishin hapur dritaret
    të dëgjonin sonatën tënde,
    një sonatë hëne e mjalti,
    kishe vite pa luajtur,
    piano dergjej tutje në trishtin e madh të gishtërinjve të tu…
    të pashë në ëndërr
    ti luaje përsëri Mozart
    si atëherë në stinë lulëkuqesh.

    Ti, psalmi im i shenjtë

    Kishe kaq kohë që kërkoje një kishë
    një kambanore për të lajmëruar dashurinë
    ndërsa unë kërkoja një psalm të vetëm
    kënduar në kantikat e vjetra të Solomonit të vdekur
    por të gjitha psallmet ishin thënë
    në shkulmën dhe trishtin e mijra vjetëve
    gojë më gojë
    shtrat më shtrat
    frymë më frymë
    në sinagoga e kisha të rrënuara
    që nuk janë më.
    Atëherë kërkova psalmën time
    të përhumburën, të përunjurën, të hirtën
    psallmin e buzëve që zgjojnë të vdekurit dhe agun
    që mbushin krahërorët e vegjël të zogjve dhe shtëpive
    psallmin me hapin e lehtë të barit
    me sytë e të gjelbërtës,
    me lëngun e shegës së hapur bashkë
    psallmin për një kishë të ngritur në natyrë
    ku veç një altar guri ka
    a muranë kulti të harruar
    ku murgjit kanë lënë një milionë fjalë e lutje
    aty nën kubenë qiellore
    me zotër e hyjni të dashuruar.
    Ti kërkoje një kishë
    unë gjeta psalmin e purpurt
    në palimpsestin e të gjitha kohrave
    Laudamus shpirtit që ka nderur duart
    dhe më mban me frymën e vet
    sot është dita e lëvduar
    plot harqe të Mozart
    oboe dhe violinçelë
    që e ngrejnë lart botën dhe trupat tanë
    lëvduar, psalmi im i shenjtë!

    Frutat e Omerit

    Zotëri, keni etje… doni një frut?
    Një mollë, një dardhë, një ftua…?
    Kujdes, këto fruta nuk duhen kafshuar,
    janë tablo, janë vepra arti,
    fruta me forma njerëzore,
    me aromë mishi e gjaku,
    me linjat e një gruaje të parë diku,
    shkarazi, kur këputet hëna,
    duke lënë pas një peng okër,
    fruta me linja gruaje,
    vithe, gjinj, pleksje simbolike,
    janë frutat e mikut tim Omer,
    pinjoll i Omeriadës së vjetër.
    Midis seancave të lodhshme
    piktori kërkon të shlodhet, ka etje,
    kërkon frutat në atelier,
    dhe endet si i dehur, në ëndërr,
    me imazhet e një gruaje që veç e ka fshikur,
    s’dihet kur,
    dhe atëherë ngjyen spatulën e tij në paletë,
    pleks bojrat
    pak llavë që djeg,
    një të blertë bregoreje që ngjitet drejt diellit,
    dhe pak të zezë trishti,
    e bardha është e vetë telajos,
    ajo pret dorën e tij,
    të ngjesh spatulën mbi të,
    si të prekë barkun e njomë të saj,
    të pështetet paqësisht,
    dashurisht.
    Omer hedh ngjyra, hedh farë,
    mbjell ashtu si një farëmbjellës i Onufrit,
    në forma gruaje ai fal dashuri,
    krijon fruta femërorë
    aty, ofruar në atë tabaka të bardhë,
    në sofrën e telajos së madhe,
    mund t’i shijoni
    ashtu siç shijojmë shpirtrat e krijuar
    në një sallon arti…

    ”Cose animate”

    Janë fruta në ngjyra
    fiq të pjekur nëpër shportat e mureve të Pompeit
    që hiri i zjarrtë nuk arriti ti shuajë,
    ftonj e limona të Zurbaran në muzeun El Prado,
    mollë të ëmbla të Cezanne,
    dardhë në kavaletin e Chardin,
    pjeshkë në tavolinën bujare të artit të Manet,
    Bakusi i vogël i Caravage shuan etjen
    me një vesh rrush që vezullon,
    i eturi i përjetshëm vdekur me buzë të thara
    nën diellin përvëlues të Porto Ercole
    Ç’dashuri fruti e arti
    të rikrijosh mrekullinë e natyrës
    duhet të jesh i uritur apo i dehur si Baudelaire.
    Gjithë këto fruta në banketin e shekujve
    “cose naturali” – shkruante Vasari
    “cose inanimate” – shtonte Diderot
    ”stille-life”, “një jetë në heshtje e palëvizshmëri”
    thonin dikur flamandët e banketeve frutore
    e megjithatë, po tu afrohesh
    gjithçka gjallon nën ato forma magjiplote
    shegët hapen në ekstazë e kullojnë
    e ti endesh në frutikulturën e artistëve të botës
    dehur nga aromat e tyre dhe lëngun e jetës,
    jo, nuk janë “cose inanimate”…

    Flutura e purpurt

    “E zeza është ngjyrë”, thoshte Matisse
    Abedin Dino pikturonte dikur
    tulipanë të zinj në fllad vjeshte,
    Këtë pasdite tetori,
    çuditërisht, 
    okra e perëndimit ka një tjetër ngjyrë veluri.
    Gjithçka merr ngjyrën e të zezës,
    me kumbimin e një honi të pafund.
    Ditë tetori të zeza pa peshë, pa frymë,
    në oborret e botës trëndafilat janë të zinj,
    me qiej të errët pis mbi krye 
    dhe një shpirt që endet në humbëtirë,
    ku trupi fundoset ngadalë 
    si një Titanik në zhytjen e fundit…
    Papritur një flutur e purpurt më shfaqet,
    tek ngrihet e rreh flatrat pa zhurmë, 
    në këtë botë memece, pa gravitet.
    Është flutura e dikurshme, që kërkon të hapë
    qepallat e tua…

    Motra ime…

    Reja mbi kokë
    mali mbi shpinë
    dielli në gjoks
    lulet e dashurisë
    dhe hëna që të humbet papritur
    e ti rend për ta kërkuar atë
    në të zezën e natës
    si në përrallën e gjyshes së vdekur
    gjer në fund të botës.
    Veç dy sy të mbeten në hapësirë
    dhe puthja e ballit që të përvëlon…
    motra, një gjysmë hëne
    një gjysmë diell.

    Ti shkoje…

    Nën dritën e bardhë të neonit
    shtrirë në agoni
    ti ngrije duart lart për të ikur si engjëlli
    «Dhashë shpirt!» më the ti
    ndërsa unë të shihja i plagosur
    pa mundur ta ndal ikjen tënde,
    Si vallë kështu?
    Duar të nderur që dridheshin
    që dikur mbi pëllëmbë kishin mbajtur
    veç jetë e dashuri,
    pjellën dhe dhimbjen e kohës së mbrapshtë
    vdekjen e mëmës dhe atit,
    shkoje me duart ngritur
    duke shkelur mbi një liqen lotësh…
    ti motër,
    Hirësia ime,
    Dashuria ime e gjakut,
    gjithnjë e purpurt
    në zemrën time mavi
    bërë nga plaga e hapur që ende klith
    nën zë,
    nën qiej vetmitarë pa zogj,
    mërmërimë murgu,
    pëshpërimë…
    Ti shkoje,
    ti më rivjen dhe më ikën sërish
    shket në botën tjetër
    e unë s’di ç’të bëj
    me këtë flutur të bukur
    që më trazon çdo çast në natën time kaq të gjatë
    në këtë humbëtirë të pafund…

    NJË KOMENT

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË