More
    KreuLetërsiBibliotekë"Çorobojka", tregim nga Xhevair Lleshi

    “Çorobojka”, tregim nga Xhevair Lleshi

    Çorobojka ia ngjita unë se, me siguri, ajo kishte emër tjetër. Tjetrin e lashë pa emër. Sa e pashë, ai u mblodh kruspull sikur të donte të humbte brenda vetes. Ishte hija, ose një mënyrë e re e tij për të shprehur gjendjen në të cilën ndodhej. Qimezi, me ndonjë kaçurrel aty-këtu, trupin e ngrehur, sy të zjarrtë, pamja krenare, e kreshpëruar, si prej një inati të çuditshëm, koka e gdhendur enkas si me daltë fisnike që, hera-herës, bjerrej pikëllueshëm e që befas shfaqej kërcënueshëm, sidomos kur përvishte buzën e sipërme, me një lakim elegant e ku përvijohej shpotitëse në mënyrë të habitshme, me gjithë atë përhedhje e rrotullim elegant rreth vetes. Më tërhoqi e më mbajti pezull. Qafën e kishte të fortë, dukej, me atë qime që bënte dukje, t’pamë, pas asaj lëkure të shndritshme që s’mund të mos përfillej. Mbeta i shtangur para tij dhe s’ngopesha dot duke e parë!

    Kur ja tek çatisi ajo, eleganca tjetër, Çorobojka, sikur një dorë jo tokësore e solli para meje edhe atë. Ndonëse ngjyra e qimes ndryshonte, një e kuqe fund e majë flakëritëse, i jepte një paraqitje të tillë që të rrëmbente menjëherë. T’i ngulte sytë dhe nuk t’i largonte kurrë, sikur do t’i fshihte ata papritur e pa kujtuar diku brenda vetes, mirëpo, siç dukej, s’donte që ta bënte këtë. E gjithë kjo skenë m’u duk zbavitëse gjer në dalldi, sidomos përulja e saj aq e harmonizuar me gjithçka, një sjellje pa truk dhe që të bënte për vete, megjithëse, siç kuptova më pas, s’kishte fare kujdes, që edhe donte edhe s’donte, ashtu e përhiruar, pa kurrfarë ndrojtjeje, që të afrohej pa e prishur fare gjendjen e krijuar që në shikimin e parë, gjersa erdhi ky çast që i dhuroi dritë dhe prej saj më fitoi zemrën.

    Ai, në fillim me delikatesë, të cilën për çudi e zotëronte admirueshëm, iu afrua, duke bërë një belbëzim që natyrisht s’merrej vesh, po që tingëllonte bukur. Pas pak ai u qesh i tëri, u argalis përbrenda që iu shfaq në sy, pa kurrfarë maske, por me një tis mjegulle që nuk e shmangte dot nga pamja e tij, duke e fshehur synimin që megjithatë shfaqej teksa largoheshin disa re shqetësimi të përkorë. E mati tjetrën dhe iu duk se ajo e pranoi shikimin e tij dhe, ngjyra e kuqe, madhështore, herë i bëhej si e djegur, e që, po brenda atij momenti kthehej në një nur që të mbante mbërthyer, sidomos shikimi kërkues kaq shumë hamgjitës, ku bënin xixë sytë e mëdhenj përplot tundim. Ai e quajti diçka të arsyeshme t’i hej sikur donte t’i thoshte një të fshehtë, gjithnjë në një stil lozonjar e përkëdhelës, ashtu siç i kish ndodhur me të tjerat, kur bënte edhe si i cofur po ta donte puna, të shtirej pse jo si i plakur por gjithnjë pa zhubra e rrudha, duke tundur madhërishëm bishtin, por që kuptohej se ruante fshehtas pyetje tronditëse, sa ajo, dora vetë, po ta dëgjonte me vëmendje do të bëhej tjetër gjë brenda atij momenti. Ai dukej krejt i gatshëm ta merrte në këmbët e përparme, ta ndukte e ta rrokulliste, duke u përpirë i gjithi në një frymëmarrje të ndezur, me frikën se mos pëshpërimat do t’i derdheshin përujshëm si një rënie nga gryka e shishes. Siç po ia shoh huqin, ka për ta gjetur kunjin…

    Dhe gjithmonë po ajo e qeshur në sytë e tij prej djallushi, që dukej menjëherë se i kish rënë në kokë, përzierë me pak naze nga ato të flamosura që ta largonin me magji ndrojtjen. Këmba e përparme e ledhatoi në qafë, pastaj si të qe nginjur nga një gjendje e zbrujtur prej një furie të shkurtër, e hoqi dhe afshi i tronditur gjer në rrënjë iu bë i hatashëm, si diçka e fshehur por ama ulërinte pangopësisht e s’binte në fashë gjersa ai të shkrehej i tëri. Atij i kërkohej të qe para saj fjalëmbël, i dhembshur, i qeshur, përplot humor, që ta bënte atë të shkrihej, të tretej, aq sa t’i mbante brinjët me dorë, e tunduar gjer në fund, pa u shkrehur para kohe. Gjë që do të shkaktonte kaq shumë dhembshuri! E shikonte Kuqen elegante dhe i hipte në kokë ta bënte copa-copa, ta kollofiste, po pastaj menjëherë e mblidhte veten, donte që rrëmbimthi të flijonte diçka për të, pa e kuptuar shkakun, veç ashtu kot, vetëm që atë çast magjiplotë ta zotëronte gjer në fund. I tundte bishtin me një përkëdhelje që do ta rrafshonte këdo tjetër, do ta nënshtronte po se po, madje edhe ta bënte që ta përkëdhelte edhe ajo, me frymë, me shumë fisnikëri dhe doemos me sy të zjarrtë. Por ajo paskej qenë krejt e ftohtë, duke mbytur ndijimin që për çudi i shkonte aq shumë dhe që e tregonte tejet bindëse, përplot sharm, gjithmonë mendjeprishur. Pastaj ajo duhma e saj ishte e një lloji të veçantë, ku hunda e tij e hollë mund ta dallonte qartë si një aromë tejet ngacmuese, gjë që i zgjeronte flegrat, rrjedhjen e shpejtë të gjakut dhe, megjithatë, të ndihej më i freskët.

    Ç’ishte kjo magji e fshehtë aty rrotull që e ndizte flakë si një molisje e ëmbël dashurie që s’mund të arrihej dot kurrë? Kjo pyetje ia qëndiste edhe më bukur gjendjen ku e pruri fati, (duket se ai gjithnjë ia priste rrugën asaj!) ndërsa s’i shpëtonte dot afshi ndjellës që dilte prej atij trupi. Ai qimezi, mashkull i vërtetë, i qeshur, me sytë e mëdhenj plot dritë, me trupin e fortë gjithë muskuj, që i bënin majë lakmueshëm e që dukej sikur do të shpërthenin jashtë, mori një përkëdhelje të befasishme, ia thithi aq fort sa, pastaj iu bë se po dridhej si purtekë. Atij i dukej sesi ajo do ta përfshinte në këmbët e saj të përparme, do të dhelej pa fund, do t’i fërkohej me vështrimin gjemba-gjemba që të fuste shtatë pashë në dhé, sikur t’i pëshpëriste me zjarr ca shprehje rrëqethëse. Por nuk ndodhi një gjë e tillë. I erdhi rrotull, iu fërkua plot gafrrim e mburrje, saqë atij do t’i dukej një delikatesë e përkryer, një ëndje e paparë, që më pas do t’i pëshpëriste gjëra të bukura dhe që me siguri kjo do të ndodhte përsëri e përsëri. Pati një ankth të befasishëm… saqë nuk e mbaroi atë që i erdhi ndërmend dhe gati u mbyt. Të fillonin një bashkim, së s’bën, me përkëdheli, patjetër me përkëdheli! Ai, qimezi me nam, me një bukuri që i detyronte të gjithë të binin përmbys, pse ta çonte dëm gjithë atë parfum dehës, ta shijonte si duhej të paktën, pa le të përmendej kudo nëpër rrugë, i kafshuar, i përthithur, i ndezur e tërë erë, t’i hidhej përsipër, pa ajo le ta shtynte lehtë e duke i pëshpëritur…

    Pëshpërima të nxehta natyrisht, të kreshpëruara, që digjeshin mbytur gjer në fyt e që ia shtrëngonte në grykë, e ligështuar prej keqardhjes. Ai do ta ndiente si njëfarë përçmimi për këtë dobësi të shenjtë, që ngjallte papritur përkujdesje të veçanta. Po në kohën që ai po bënte përpjekje të kota për t’ia thënë në vesh ato që i trazoheshin në kokë, mes asaj batërdie lutjesh që s’kishin fund, një dhëmb i mprehtë e bëri të ulërijë pa zë, e shkëputi prej saj me furi, u bë gati madje të angullinte nga dhimbja. Ajo u hepua paksa me një hijeshi tërbuese, përposh, si duke qeshur, e mbuluar me një duhmë përvëluese prej shqetësimit, u bë gati për një akt therorie. Ia pa inatin më tepër sesa dhembjen. Asaj po i gurgullonte e qeshura elegante, pa u spërdredhur dhe pa u lajkatuar, por me një hijeshi përplot tharm. Dukej se po i vinte keq, por qe ai që e detyroi t’ia ngulte atë dhëmb të mprehtë. Atij i përcëlloi shikimi i saj, po sytë, amà, sikur i luteshin që të duronte ca…

    Befas pështyma iu tha, goja i mbeti e hapur prej dhimbjes, mërisë dhe dalldisë që e kishte aq pranë dhe s’po ia gjente dot anën. I erdhi në kujtesë një trill. Një mënyrë tjetër, me një lloj trishtimi që të bënte për vete. Me siguri do të bënte efekt tek ajo nazelie që po ia hante kokën. Po, ky kish për të qenë një stil i hatashëm dhe këto lojëra instinktive ai dinte t’i bënte me sy mbyllur, pa iu shqitur asnjë çast. Do të vinte një moment, i thoshte kujtesa e tij e shkurtër, që nga kënaqësia do të bënte sikur ta kafshonte në qafë gjoja me egërsi e trimërim që, si gjithçka do tretej e do humbte kot. E ndjeu që ajo donte të ulërinte prej dëshirës, por nuk e jepte veten. Atë kohë të prerë pati një gjendje dehëse. O, ç’ditë e bukur ishte! Diell pranvere dhe frynte fllad i lehtë. Gjithçka përreth ndrinte dhe ajri i qiqërimtë bëhej më ndjellës. Ah, pëshpëriti, do t’i përmbushej më në fund dëshira e tij e mbuluar me hir, aq çuditshëm sa askush s’mund ta merrte vesh thellësinë dhe të bukurën e saj. E vendosi: do t’i pëshpëriste me drithërimë: e bukura ime si askush tjetër, e bekuara ime plot naze! S’do ta harroj kurrë këtë ditë me diell të bukur! S’ka tjetër si ty! Ajo ia preku shkarazi këmbën e parë, me kthetrat lëmuar, por si gjithnjë me një ashpërsi për t’u admiruar. I ndjeu pëshpërimat e tij edhe trimëruese, edhe lutëse, gati të bënte gjithçka. Dhe ndjeu se do të qe më mirë të përvëlohej, pastaj, pastaj ta mbyllte të ndrysur në guaskën e saj. Atëherë t’ia shihje sa i vlente lëkura!…

    Ti të ndjell e të përmbush dëshirën, po edhe unë ama! Deri tani është vetëm kocka që lëpihet, me shijen e instinktit, se shuhet uria, po ja ku m’u shfaqe ti dhe unë mbeta pa gojë. Po më lë pa mend… E ndjeu edhe vet që mori një shkëlqim ngashënjyes, i kreshpëruar si prush zjarri, as parë e as dëgjuar! Kur jam para teje s’di sesi pësoj një tronditje të madhe, më bëhet si një kënaqësi e fundit që ta falin e ti s’e di ende. Ajo i pëshpëriste në gjuhën e saj (ai këtë e kuptonte, por ja që trembej!), bëri gjeste pranë tij, i dolën djersë dhe pastaj, krejt papritur iu përkëdhel gjithnjë me sy të qeshur e nuk pushonte së luturi, donte ta kafshonte sërish por e la le, i erdhi keq ndoshta, ndërsa ai, solli në kujtesë të sillej edhe si sarhosh, edhe si i bytymtë, le të dukej tuhaf e teveqel, pa ditur pse ato bëheshin prej kësaj sjelljeje dhe gjendjeje të krijuar me një keqardhje të afruar e të nënshtruar, madje me një tjetër spikatje. Po, kjo do të qe një maskë triumfuese! Me siguri që do të përfundonte bukur. Tërë këtë pamje të tij, ajo e çmoi të shëmtuar, por nga ana tjetër s’mund të mos e bënte buzën në gaz. As këtë çast ajo s’do të harronte, sido që harresa i duhej mjaft…! Mirëpo menjëherë e mblodhi veten duke u skërmitur dhe se e ndjeu që i ishte zgjuar bisha përbrenda. E dinte ç’ndodhte pas furisë së parë të këtij bukuroshi, por ja që ajo i jepte zgjidhje duke u bërë më melankolike, sikur pendohej, e ligështuar nga padurimi… Por, dale pak, a mund të nënshtrohej ajo? Kurrë! Ta harronte! Kushdo të ishte. Le ta mallkonte ditën që u takuan…

    Po duhma e saj? Çfarë mrekullie! Shqisa e tij e nuhatjes qe e përsosur. Por duhet pranuar se të dy e lakmonin njëri-tjetrin. Oh, ç’sy po e shihnin! Llavë vullkani që po rroposte gjithçka. Jam i dhënë me mish e me shpirt pas teje, të dukej se pëshpëriste ai, si për t’u shfajësuar, me pamjen gjithnjë të mjerë e të qeshur, pa e hequr shpresën, përplot ngashërim e duke mbajtur sytë ulur. Ajo nuk bëri shenjë, as edhe të shtirej për mirësjellje. Se e tillë do të quhej: mirësjellje… U kthye me shpinë nga ai, lëvizi këmbët. Qimeziu i ndritshëm, i përkëdhelur nga fati përfytyroi se po i përgjunjej, se po e lëpinte me një drithërimë të pa treguar dhe doemos s’mund të ndodhte që ajo të mos e ndiente, do ta fërkonte, do ta kafshonte paksa edhe me hijeshi të rrallë, që atij i përshtatej aq shumë, pastaj dalëngadalë do të zbutej (do të zbutej edhe ajo!), do lëshonte një psherëtimë të shpenguar, si bukuri e rrallë, do t’i binte ankthi, i cili do ta çlironte prej etheve, do të zgjaste këmbën e parë të stërvitur dhe do t’i lëmonte kokën, do të bënte një lëvizje të hapur dhe e tërë pamja e tij mashkullore do të merrte ngjyrë trëndafili… 

    Ndjeu menjëherë dhimbje në kokë, i theri fort, mbase nga një presion i brendshëm, ose prej një ndezullimi të beftë që e përvëloi! Çfarë torture! Një ngjethje si kjo s’e kish provuar kurrë, po ama qe fort e ëmbël, duke e trallisur pa anë e fund. Kështu… Po ajo me bisht të syrit e vuri re dhe s’e la t’i shpëtonte nga dora. Ngjitur e ngjitur, duke e fshehur aq mirë hallin, me maskë e pa maskë, me hirin prej mashkulli të vërtetë, si gjithmonë, përpiqej dhe nuk dilte dot nga gjendja e tij, siç merret me mend, gati doli nga vetja… Ah, të duronte dhe pak, t’i shikoja gjer në fund dhe le të mbetej aty me kokën në gjoksin e saj… E ç’më duhej më jeta? Por s’qenka e thënë! Po më duket se nuk do. Po mirë… Fundja një ditë edhe ajo do të dojë… Ja, me këto trazime ma heq petullën, madje duket se po më jep shenja që të gjej më mirë një tjetër. Le të plaste nga zilia pastaj, po ja që trembej se mos bëhej vetë për t’u ngushëlluar…

    I pashë dhe s’di pse më erdhi keq për të. Çorobojka e djallit, mendova, ajo të çon në shtatë kroje dhe s’të jep ujë. Edhe e do, edhe tallet. Po, Çorobojka do ta kish emrin! I njoh mirë se ç’janë çorobojkat. Përgjërimi i ndezur dhe elegant i Qimeziut m’u mblodh si tënk në gjoks, m’u ngurtësua. Ku vajtën gjithë ato hovje, përkulje, pëshpërima, sjellje që ia shtonin vlerën forcës dhe dëshirës së papërmbajtur… Dhe më erdhi keq. Ajo, qimekuqja, madhërishëm e me sytë për tokë, me bishtin gati zvarrë, pa i dhënë kurrfarë shenje, po largohej. Nuk e ktheu kokën pas. Ai mbeti aty si hu, nën diellin pranveror. U largova dhe unë… E ktheva kokën pas. Ai aty, i ligështuar, si leckë e hedhur. Si qyq. S’më besohej që ai të qe dashuruar dhe për këtë arsye qante aq bukur, me një fisnikëri të rrallë. Thua ta tërhiqte era e saj? Ndoshta. Po, kjo erë është ajo që i tërbon meshkujt. Tani s’ka më shije asgjë për mua, dukej se më vinte pëshpërima e tij e nxehtë…

    Dhe nuk i pashë më.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË