1.
Semafori i kambësorëve urdhnonte me u ndalë, madje m’i numëronte edhe shtatëdhetë e tetë sekonda të kuqe. Por kur ktheva kryet majtas me pa mos po vjen ndoj veturë, vuna re se ato të rrugës përmatanë merrnin të parën kthesë tekëndej në kryqëzim, tue ua zanë, kësodore, shtegun veturave që kishin me ardhë drejt meje. Prandej mora me kapërcye pjesën e parë të zebrës, për me ndalue në ishullin mes dy rrugësh të gjana.
Njani, që vlerësoi se po ecja me hap të sigurtë të dikujt që e dinte ç’po bante, pa pritë gjatë, u vu me e ba hapërimin bardhezi gati fill mbas meje. Kur hetoi se ngadalësova sapo u avita te mesi i shtegut kambësorësh, bash mbi vetë boshtin imagjinar të ishullit trotuar, edhe ai, pa vonue, u ndal aty me mue.
Mbetëm ashtu përbri do çaste. Nuk pashë, me bishtin e vëmendjes, përtej nji manteli bezhë, veshë pa mbërthye rreth nji trupi të hajthëm e të gjatë. Kaq di me thanë për qenien majtas simes.
Semafori përballë shënonte edhe katërdhetë e tre sekonda pritjeje të kuqe. Ajo që unë e dija, e që, me ç’dëshmova prej hapave që m’i ndoqën të mitë, zotnia përbri nuk e dinte, asht se kur ato dy shifra të ndërronin vende, makinat, që tashma po vinin nga e djathta, do të ndalonin hov e do të banin aty radhën vetjake të pritjes së palëvizun, kurse unë, pa i pritë çastet me u harxhue, rrjedhë e përngeshme rane nëpër grykë të ngushtë qelqi, do ta kaloja gjysmën e mbetun të shtegut, kalorës urban i zebrës asfalti.
Çasti erdhi. Nji veturë e bardhë që avitej, u ndal matanë vijës së gjanë perpendikularisht të bardhë. Unë mora me qitë hap. Vendosa me e riecë ritmin fillestar. Ai, që si unë, po nxitonte rrugës së vet, do të bindej me më ndjekë risht me të njejtën bindje si ma parë, tue i ba lak pritjes mbigjysëminutëshe për shifrat e blerta.
Me nji ngurrim, këtë herë ma të shkurtë, hapi i tij ndoqi timin.
Në trotuar, manteli bezhë që rrypat po i valëviteshin, bani drejt. Unë mora djathtas.
Ndonji i tretë, që mund të ketë qenë dëshmitar i këtij ngadhënjimi modest, nuk kish me thanë kurrë se na të dy kalimtarët, nëpër të kuqen tonë të përbashkët kuvendëm, se unë ftova, e se tjetri më besoi e më ndoqi.
Por po, dy energjitë tona, ato që mbas gjase i quejnë shpirtna, kuvendën vërtet. Ç’asht kryesorja, vetë shpirtnat këtë gja e ditën, sepse gjithmonë e paskishin ditë. Të pavëmendshëm ishim veç na, egot prej mishi e truni, mbetë me ecë këtyne rrugëve edhe ndonji vit a ditë. Veç të ndrymë kësisoj, harrokemi se në thellin ma të thjeshtë të gjanave, jemi nji dhe e njejta, pjesë të pandashme të të tanës që ka.
2.
Lagë shiu tashma të prajtun, trotuari qe prarue nën diellin krejt të ulun të mbasdites së vonë, që ia skiconte nji mozaik dritëhijesh nëpër rrasat e gërryeme. Hapat përsipër tyne më trokëllinin me nji ritëm vetmitar, secili nji tjetër kumb në simfoninë përndryshe të prajshme të qytetit në atë buzëmbramje. Prejnjiherë, njifarë si copëze kujtese, si mejtim bredharak nisi të më kërcente e të më lodronte nëpër cepat e vetëdijes, tue refuzue me u ba zap nën përqendrimin e vëmendjes. Dhe, veç atëherë kur figura përballë, grueja që po hallakaste në përmbajtjen e nji çante të vjetrueme, e çoi kryet dhe ma nguli shikimin tek i saji, kujtimi, bishë e harbueme, u kap në çark.
Sytë na u takuen në atë t’imtë, dhe krejt nji jetë e tanë, jase disa sosh mbase, u ngjeshën tok në atë nji vështrim të vetëm. Në sytë e saj, dhe në sytë veç, tashma prej mesogrueje të kolme, nuk pati askund asnji fërkemë prej barrës së motmoteve. Ishim dy kalimtarë sall, dy të huej në nji trotuar të lenuem njerëzish, e megjithatë, krejt nji kuvend të pafjalë e ndërruem në t’imtën e atij vështrimi të ndërsjelltë.
M’u kujtue. Ka pasë qenë nxanëse e mësueses sime, nji brezni para meje veçse – prani krejt anësore, vetje kalimtare në ato vite të largëta, para se të më zhdukej përfundimisht dikah përmbrapa mjegullnajës së viteve të vogëlisë. Kureshtar, këtunjiherë ia hetoja gjestet gjatë vizitave të rralla që ia bante mësueses në klasë. Ndoshta ishte eglendia që i shquhej në cepat e syve e të buzëve tek fliste, jase mënyra se si, tash e parë, i fuste bishtat e flokëve përmbrapa veshit. Këto pamje, hollësi të parandësi, më paskan gjetë disi strukë në qilarin e pluhnuem të kujtesës, tue pritë çastin e duhun, njikëtë takim të rastësishëm shikimesh, me u rishfaqë.
E, qe tek ishim, dy kurrkusha për njani-tjetrin, troç me e thanë, njisue prej njatij filli të padukshëm të nji të kaluemeje, aq rrallë e tek të përbashkët. Njohja, i bindun jam, qe edhe e anasjelltë. Në zgurdullimin e beftë dallova nji vizëllimë hutie njiherë, tevona nji gazmim të ngadaltë e ngurrues të cepave të syve veç – hije pos e buzagazeve të dikurshme që i mbaja mend prej nji jete të jetueme qyshkur.
E njai fill i përbashkët, tjerrë prej shikimesh të ndërsjellta, nuk pati si të zgjaste përtej se lejonin rregullat e pashkrueme të mirësjelljes shoqnore, që rahatinë e heshtun e tendosin sakaq në sticim të bezdisshëm. Prandaj, të dy palë syve tanë u erdhi radha për cikje qepallash, të cilën vetiu e shfrytëzuem me e shkëputë lidhjen wireless përmes të cilës po shkarkoheshin fotografi kujtimesh andej e këndej.
Përballja e shkurtë më la njifarësoj të hutuem. Si i bahet, a thue, që ajo që asht thelbi i nji vetjeje, xixa e saj fëminore, të ngulmojë me u ruejtë e paçartun përjetë në ata sy, kryeneçësisht tue i ba ballë dhambit të kohës, si farë kodi sekret që sall ata që na njihnin këtunjiherë të mund ta deshifrojnë. Çka ka diçka në sy, a në shikimin e tyne ndoshta, që kurrnjiherë nuk plaket?
Ecja e matejme drejt shpisë ishte nji lloj turbullime, përftue prej reflektimeve rreth kësaj pikëpyetjeje dhe ndjenjës që, tash se pranoj, mall paskish qenë.
Kujtimi, gazmor po aq sa i trishtë, pati njifarë hijeshie. Ishte jo veç dëshmi se në gjithin e pamatë të të qenit, edhe ma të imat e ndodhinave të kalueme, sado të largëta a të papesha në dukje, dikund mbeten, e se në pakohësinë e gjithëkohësisë, a ma parë, përtashësinë e saj, të mbërthyeshme mirëfilli veç për zotat, edhe e kaluemja, e shkuemja, e dikurshmja, e tashme asht.