Kreu Opinion Ch. Baudelaire: Palimpsesti

Ch. Baudelaire: Palimpsesti

Përktheu nga origjinali Fabiola Kadi

“Ç’është truri i njeriut, përveçse një palimpsest i stërmadh i natyrshëm? Truri im është një palimpsest dhe i juaji gjithashtu, lexues. Shtresa të panumërta idesh, imazhesh, ndjenjash kanë rënë njëra pas tjetrës në trurin tuaj, po aq butësisht sa edhe drita. Duket sikur secila prej këtyre shtresave ka varrosur atë të mëparshmen. Por, në realitet, asnjëra nuk ka humbur përgjithmonë.” Gjithsesi, midis palimpsestit që mban, njëra pas tjetrës një tragjedi greke, një legjendë asketësh dhe një histori kalorësie, dhe palimpsestit hyjnor të krijuar nga Perëndia, që është kujtesa jonë e pamatshme, shfaqet ky dallim, që në vend të parë ka një kaos fantastik, grotesk, një përplasje mes elementeve heterogjenë; ndërsa në vend të dytë ndodhet fataliteti i temperamentit që sjell harmoni mes elementeve nga më të larmishmit. Sado jokoherente të jetë një ekzistencë, uniteti njerëzor nuk turbullohet. Të gjithë zërat e kujtesës, nëse do të mundeshim t’i zgjonim në të njëjtën kohë, do të formonin një koncert, të këndshëm dhe vajtues, por logjik dhe pa konflikte.

Shpesh disa qenie, që pësojnë një aksident të papritur, të mbytur përnjëherësh nga uji, dhe në rrezik vdekjeje, kanë parë tek ndizet në trurin e tyre gjithë teatrin e jetës së tyre t’u kalojë përpara syve. Kohës nuk i kanë mbetur më gjurmë, dhe disa sekonda kanë qenë të mjaftueshme për të mbajtur brenda një sasi ndjenjash dhe imazhesh të barabarta me disa vite bashkë. Dhe ajo që është më e çuditshmja në këtë përvojë, që rastësia ka sjellë më tepër se një herë, nuk është njëkohësia e shumë elementeve që ishin të njëpasnjëshëm, është rishfaqja e gjithçkaje që qenia vetë nuk e njihte më, por që është tashmë e detyruar ta njohë sikur të ishin pjesë e saj. Harresa është veçse e përkohshme; dhe në rrethana të tilla solemne, në vdekje ndoshta, dhe në përgjithësi në eksitimet e forta, të krijuara nga opiumi, i gjithë palimpsesti i stërmadh dhe i ndërlikuar i kujtesës ndodh menjëherë, me të gjitha shtresat e mbivendosura të ndjenjave të vdekura, ta balsamosura në mënyrë të mistershme në atë që ne e quajmë harresë.

Një njeri gjenial, melankolik, mizantrop, dhe që ka dashur të hakmerret për padrejtësinë e shekullit, hedh një ditë në zjarr të gjitha veprat e shkruara me shkrim dore. Dhe meqenëse është qortuar për këtë holokaust të tmerrshëm të bërë në urrejtje e sipër, e cila, për më tepër, ishte flijimi i të gjitha shpresave, ai u përgjigj: “E ç’rëndësi ka? Ajo që ishte e rëndësishme është që këto gjëra u krijuan; ato janë krijuar tashmë; ato janë të krijuara, pra ato janë.” Ai u vishte të gjitha gjërave të krijuara një karakter të pashkatërrueshëm. Sa e aplikojmë këtë ide më saktë në gjithë mendimet tona, në gjithë veprimet tona, të mira apo të këqija! Dhe nëse duke besuar kështu ka diçka pafundësisht ngushëlluese, në rastin kur shpirti ynë kthehet nga ajo anë e vetvetes të cilën ne e konsiderojmë vetëm me dashamirësi, a nuk ka edhe diçka pambarimisht të tmerrshme, në rastin e ardhshëm, të paevitueshme, ku shpirtit ynë do të kthehet nga kjo anë e vetvetes me të cilën mund të përballemi vetëm me një lloj tmerri? Në botën shpirtërore si në atë materiale, asgjë nuk humbet. Dhe edhe çdo veprim, i gjendur në vorbullën e veprimit universal, është në vetvete i pakthyeshëm dhe nuk mund të ndreqet, abstragim i arritur nga rezultatet e mundshme, ashtu si çdo mendim nuk mund të fshihet. Palimpsesti i kujtesës është i pashkatërrueshëm.

“Po, lexues, të panumërta janë poemat e gëzimit apo hidhërimit që janë gdhendur njëra pas tjetrës në trurin tuaj, dhe si gjethet e pyjeve të virgjër, si dëborat e pashkrira të Himalajeve, si drita që bie mbi dritën, shtresat e tyre të pambarimta janë mbledhur dhe me radhë janë mbuluar në harresë. Por në çastin e vdekjes, apo në një moment ethesh, apo ndërsa je në kërkim të opiumit, të gjitha këto poema mund të rikthehen në jetë dhe të rimarrin fuqi.  Ato nuk kanë vdekur, janë veçse në gjumë. Besojmë gabimisht se tragjedia greke është nxjerrë jashtë dhe është zëvendësuar nga legjenda e murgut, legjenda e murgut nga romani kalorsiak; por nuk është kështu. Sa më shumë përparon qenia njerëzore në jetë, romani që në rini e mrekullonte, legjenda e mahnitshme që e joshte në fëmijërinë e vet, e humbasin madhështinë dhe mbulohen nga errësira. Por tragjeditë e thella të fëmijërisë, – krahë të rrëmbyer me forcë njëherë e përgjithmonë nga qafa e nënave të tyre, buzë fëmijësh të ndara përgjithmonë nga puthjet e motrave të tyre, – jetojnë përgjithmonë të fshehura, nën legjendat e tjera të palimpsestit. Pasioni apo sëmundja nuk kanë kimi aq mjaftueshëm për të djegur këto gjurmë të pavdekshme.”

SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

Ju lutem lini komentin tuaj!
Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

Artikujt më të fundit

Durs Grünbein: Fjalët, çfarë janë ato, miq apo armiq?

Intervistoi Arno Widmann(botuar më 30.10.2020, në Frankfurter Rundschau) Përktheu nga gjermanishtja Valon Veliqi Z. Grünbein, cila...

“E verdhë mbi të zezë”, cikël poetik nga Nafije Zogaj

GJETHE TË GJELBËRTA FILLUAN TË BININ dielli u shkëput nga yjetqë i rrinin larg zërit të zi të natësu...

“Kush ma gjen lisin e moçëm?” tregim nga Mehmet elezi

1. Qyteti dhe vetë kalaja mbi lumë u mpakën prej tute. Çka po u shihnin sytë, nuk ishte parë...

“Paris mon amour”, tregim nga Roland Gjoza

Nuk e di a beson në Krisht e, nëse beson në Krisht, beson dhe te Viktor Hygoi, i cili ta dëgjon fjalën...

KATEGORITË