More
    KreuOpinionÇfarë do të ndodhë me romanin pas kësaj? Mbi gjininë e pashmangshme...

    Çfarë do të ndodhë me romanin pas kësaj? Mbi gjininë e pashmangshme letrare pas-pandemike

    nga Emily Temple

    Kishin kaluar vetëm tre ditë në vetë-izolim kur im shoq u kthye nga unë dhe më tha: “A s’është dëshpëruese që tashmë e dimë se Ben Lerner-i do të shkruaj romanin më të mirë amerikan për këtë pandemi?” “Çështja është”, – shkroi një romancier atë natë në FaceTime, “a do të ketë ndokush interesin edhe më të vogël lexojë për këtë pasi të ketë mbaruar? Tashmë jam ngopur me këtë temë”.

    Sloane Crosley botoi në “New York Times”, [shiko linkun më poshtë] një ese të shkurtër për pashmangshmërinë e një stuhie të ardhshme të romaneve të koronavirusit. Ajo na paralajmëron për rreziqet e të shkruarit për tragjedinë pa pritur të kalojë një kohë e mjaftueshme (dhe nuk ështe vetmja: “Nëse po shkruani prozë letrare për këtë pandemi, ju lutem mos e bëni”, shkroi në Twitter Amber Sparks. “Jepini njëzet vjet kohë”) por ajo mendon se ne të gjithë do të shkruajmë, gjithsesi.

    Epo, ndoshta jemi duke e bërë, mbase nuk jemi, por le të shqyrtojmë disa gjëra. Pavarësisht nga çfarë thuhet vazhdimisht, shumë njerëz s’kanë shumë kohë të lirë. Veçanërisht ata me fëmijë, dhe veçanërisht gratë, kanë më pak kohë të lirë. (“Mbani shënime gjatë kësaj kohe! – porosisin shkrimtarët në Twitter. “Mbani ditar se si ndiheni çdo ditë! Do të jetë një dëshmi e këtyre kohërave!”) E kush e merrte me mend se pandemia do të shoqërohej me detyra shtëpie.

    Edhe ata që kanë shumë kohë të lirë për veten mund të mos ndihen krijues, sipas përvojës time, frika e vazhdueshme ekzistenciale s’është e volitshme për shkrimin krijues, veçanërisht nëse koha e lirë vjen për shkak të punës që të është mbyllur, dhe të ardhurat ulen. Artisti ideal i uritur që të gjithë e duam fort është mit shumë i dashur, dhe ka qenë gjithmonë. Kur duhet të punosh gjithë ditën për të përmbushur nevojat themelore, është e vështirë të shkruash romanin e madh amerikan gjatë orës që të ka mbetur para gjumit.

    Tani për tani, le të fillojmë me një hamendësim të thjeshtë si ai i Crosley-t, sipas të cilit shkrimtarët, do të vazhdojnë të shkruajnë për këtë temë dhe pas kësaj. Nga ana tjetër, si do të jetë romani? Me siguri s’jemi duke shkruar të gjithë romane pandemike. Ose mbase jemi, edhe nëse s’mendojmë se po e bëjmë.

    Ngjarjet e mëdha traumatike duhet dhe ndikojnë tek arti pasi ndodhin. Lufta e Parë Botërore ndihmoi në formësimin e traditës moderniste, dhe shumë klasik letrar që lexohen ende gjerësisht, u shkruan si përgjigje ndaj dhunës dhe trazirave shoqërore: “Zonja Dalloway”, “Tokë e shkretë”, “Lamtumirë armë”, etj. Lufta e Dytë Botërore solli një bum letrar, veçanërisht për letërsinë amerikane, e cila po ndërkombëtarizohej rishtasi, dhe lexuesit e saj u njohën me vepra të përkthyera. Ende botohen çdo vit shumë libra ngjarjet e të cilëve ndodhin gjatë Luftës së Dytë Botërore. Pas 11 shtatorit, patëm shumë romane të dobëta dhe disa të mirë. Shumica e tyre, të krijonë përshtypjen se janë jo me shumë vlerë. Ndoshta kur të kalojë më shumë kohë, kjo përshtypje do të ndryshojë.

     (Sipas mendimit tim, arti më i mirë për 11 shtatorin mbetet memoriali në Ground Zero: fjalët e vetme që duhen shkruar janë emrat e atyre që vdiqën.) Kriza financiare ishte relativisht e qetë, u përdor nga letërsia me zgjuarsi, megjithëse “Hoteli prej xhami” i Emily St. John Mandel-it është roman shumë i mirë që merret pjesërisht me një skemë mashtruese financiare të stilit Bernie Madoff. Romanet dhe tregimet që lidhen me Trump-in janë disa, por shumica prej nesh s’janë të gatshëm t’u kushtojnë shumë vëmendje.

    Nga këto ngjarje historike, krahasimi më i afërt me pandeminë e koronavirusit, të paktën në Shtetet e Bashkuara, dhe veçanërisht në Nju Jork, ku unë jam duke shkruar tani, është 11 shtatori. Ashtu si 11 shtatori, pandemia na goditi pa paralajmërim, ose për të qenë më të saktë, na goditi me një paralajmërim që qeveria jonë e shpërfilli. Dukej se gjithçka ndryshoi brenda një çasti. Ndiheshim të sigurt në realitetet tona relative, dhe të nesërmen zbuluam se ishim të pambrojtur në mënyrë të pashpresë. Ashtu si 11 shtatori, Covid-19 ka ndryshuar dhe do të ndryshojë mënyrën se si ne mendojmë për veten, për vendin dhe shoqërinë tonë.

    Por sigurisht, 11 shtatori s’është model i saktë për pandeminë e koronavirusit, asgjë nuk është, të paktën asgjë nga ajo që kanë përjetuar njerëzit që janë gjallë sot. Tani për tani, ndryshe nga koha pas 11 shtatorit, pothuajse të gjithë po e ndiejmë këtë ndryshim çdo ditë, dhe kjo s’do të thotë se njerëzit në të gjithë vendin s’kanë mbajtur zi për 11 shtatorin, vetëm se për shumicën e njerëzve jashtë qytetit të Nju Jorkut, rutina e jetës së përditshme nuk ndryshoi. Dhe tani, s’ka asnjë armik të dukshëm kundër qeverisë sonë të ngathët, megjithëse mund të përpiqen ta bëjnë racistët. Ndoshta pandemia është thjesht më pak e kuptueshme, dhe më pak e lehtë ta përfshish në një kategori të caktuar si 11 shtatorin. Është po aq destabilizuese sa zgjedhja e Trump-it, por pa absurdin. Mund ta krahasoni me gripin spanjoll nëse doni, por është ende shumë e madhe për ta krahasuar me ndonjë gjë. Ndjenja mbizotëruese është ajo e pasigurisë. Planet e të gjithëve janë anuluar. Duket sikur e ardhmja është anuluar.

    Kësisoj, them se po krijojmë njëfarë ideje se si do të ndihemi kur reshtim të mohuari faktet dhe efektet e ndryshimit të klimës. Kam menduar shumë, gjatë këtyre javëve të fundit për serinë e dokumentarëve të N.K. Jemisin-it “Toka e thyer”, në të cilën toka ka vendosur pak a shumë ta refuzojë njerëzimin, dhe po bën çmos për t’a shkundur nga vetja, megjithëse njerëzimi vazhdon të kacaviret. Kjo është ndjesia që krijohet tani. Duket sikur natyra ka prekur fundin.

    Po i përmend të gjitha këto vetëm që ta kemi parasysh si mund të shfaqen këto ndjenja të veçanta, ende të kudogjendura në romanet tona në vitet e ardhshme. Në fakt, librat Covid-19 po shfaqen. “Autorët po luftojnë për të botuar bestsellerin e parë Covid-19”, është një titull. Fituesi i dukshëm i kësaj beteje është shkrimtari skocez Peter May, romani pandemik i të cilit “Izolimi total” (Lockdown) u refuzua nga botuesit në 2005 si “tepër jorealist”, por ai arriti ta botojë këtë javë, për arsye mëse të dukshme. Pastaj kemi “PANDEMIA! Covid 19 trondit botën” të Slavoj Žižek-ut, ku në shënimin reklamues shkruhet: “Ndërsa një pandemi e paparë globale pushton planetin, kush më mirë se filozofi slloven plot ide, Slavoj Žižek mund të zbuloj kuptimet e tij më të thella, të mrekullohet nga paradokset e çuditshme dhe të hamendësoj thellësinë e pasojave, të gjitha në një mënyrë që të bën të djersish jo pak dhe të kërkosh të marrësh frymë thellë?”

    Žižek po i dhuron të gjitha të ardhurat nga libri për shoqatën “Mjekët pa kufij”, dhe natyrisht s’është një roman, por gjuha prapë ta jep atë ndjesi. Një mendim mbizotërues është se çdo gjë e shkruar për këtë kohë, ndërsa ende s’është tejkaluar, do të jetë pak a shumë e dobët. “Duke menduar për të gjithë letërsinë tejet të dobët që do të shkruhet për karantinën”, shkroi në Twitter Moira Donegan. Phoebe Morgan, drejtor redaksie në shtëpinë botuese “HarperCollins” në Mbretërinë e Bashkuar, pajtohet me shoqen time romanciere, duke shkruar se “po këshillon autorët e saj të mos e shtojnë pandeminë në romanet bashkëkohore. Arsyetimi: S’mendoj se dikush dëshiron ta kujtojë këtë përvojë ndërsa po përpiqet të arratiset në një botë të trilluar. Letërsia mbetet letërsi”. Sidoqoftë, ata që po shkruajnë tani libra ku ngjarjet ndodhin në “të tashmen” duhet të vendosin nëse do të pranojnë dy katastrofa vdekjeprurëse globale: Trump-in dhe Covid-19.

    Photo by MILKOVÍ on Unsplash

    Kultura letrare në gjuhën angleze s’është bllok guri, dhe ndërsa hapet (ngadalë, me dhimbje) për të përfshirë libra nga shkrimtarët e margjinalizuar dhe veprat e përkthyera, ajo po bëhet edhe më e shpërndarë, çka është një gjë e mirë. Por, në atë masë sa është e dobishme të flasim për romanin ose, e thënë më me elegancë, për prirjet e romaneve, hamendësimi im është që, pas një, ose dy apo tre vitesh, lexuesit dhe shkrimtarët do të vazhdojnë të rravgojnë të gjejnë atë që shumë prej nesh po rravgojnë ta gjejnë tani: arratisjen në botë të trilluar me fantazinë nga njëra anë, dhe katarsën nga ana tjetër. Katarsa mund të vijë në formën e parodisë, kritikës surrealiste, ose me në formën e krijimit me tis të hollë joletrar.

    Ndoshta do të kemi disa romane për epideminë e vitit 1918, ose mbase, s’e di, për difterinë. Ndoshta do të kemi studime të hollësishme personazhesh dhe romane të mëdha politike/shoqërore mbi kapitalizmin dhe korrupsionin dhe mënyrën se si po na vrasin. Mbase do kemi më pak drama të izoluara vetjake dhe marrëdhëniesh njerëzore pa jehona më të mëdha. Në fund të fundit, të paktën në këtë moment, lënda për këtë është tharë mjaft. Ndoshta do të kemi një roman tjetër si “Personazhe të dëshpëruar” e Paula Fox-it, ose një tjetër “Ditët e braktisjes” të Elena Ferrantes.

    Sipas terapistit tim, pandemia s’e ka ndryshuar natyrën e ndonjë prej klientëve të saj, gjithçka që po ndodhte më parë vijon të jetë aty, vetëm dendësohet. Kjo do të thotë se tani jemi të gjithë vetvetja, por më shumë. Jemi zhveshur nga modelet ngushëlluese të mjegullta të jetës së përditshme dhe jemi kthyer në versionet tona më të kulluara. Ndoshta e njëjta gjë do të ndodhë me romanin, trajektorja nuk do të ndryshojë, vetëm dendësia. Në fund të fundit, tashmë jemi në mes të një shpërthimit të një letërsie izolimi, e shkruar veçanërisht nga dhe për grate e reja dhe shpresoj se do të kemi edhe më shumë, sepse më shumë shkrimtarë do ta dinë se çfarë ndjesish ke kur nuk e sheh tjetrin për një kohë të pacaktuar. Kjo, meqë ra fjala, nuk është ankesë. Nga të gjitha mediumet që rrëfejnë, letërsia është më e mira për të rrëfyer çfarë ndodh brenda njeriut, kështu nëse romani i rikthehet kësaj force të pranuar zyrtarisht, aq më mirë.

    Për të përdorur 11 shtatorin si modelin më të afërt: romanet më të mira ngjallin atmosferën e vendit në atë kohë, të qytetit në veçanti, në krahasim me vetë ngjarjen. “Viti im i pushimit dhe çlodhjes” i Ottessa Moshfegh-it s’ka të bëjë me 11 shtatorin, por për mënyrën se si ndiheshe të ishe gjallë asokohe. Dhe ashtu si 11 shtatori pati jehonë në të gjithë kulturën amerikane, duke ndryshuar dinamikën edhe të mediave që s’u morën drejtpërdrejt me të, edhe pandemia e koronavirusit ka të ngjarë të infektojë me gjendjen e saj shpirtërore edhe ato romane që do ta kenë periferik, “letërsia pas-pandemike”, do të karakterizohet nga mosbesimi ndaj kapitalizmit, autoritetit, pranimit të korrupsionit, paqëndrueshmërisë dhe rrezikut si pikënisje fillestare e shformuar.

    Në të vërtetë, parashikoj që romanet më të mira të pandemisë do të jenë romane që pak e përmendin pandeminë, por përkundrazi hulumtojnë të çuditshmen, shqetësimin, ankthin e mjedisit, frikën dhe pasigurinë që ka krijuar në jetët e kaq shumë prej nesh. Për shembull, kush do të shkruajë roman për një çift i cili gjatë muajit të mjaltit mbetet në Maldive, të vetmit mysafirë në një hotel ku dhomat kushtojnë duke filluar me 750 dollarë nata, dhe janë fare vetëm ata dhe të gjithë pjesëtarët e stafit të hotelit, të cilët s’mund të shkojnë në shtëpi për shkak të rregullave të karantinës dhe prandaj duhet të vazhdojnën t’u shërbejë këtyre dy personave darka me shandanë, dhe me mërzitjen/nihilizmin e tyre, “ua nxjerrin inatin duke ngacmuar pa pushim çiftin”. Një roman si ky do të duhej të ishte rrëfim gjysmë surrealist për vetminë, kapitalizmin, monotoninë, burokracinë e tepërt, tërbimin, përkeqësimin mendor, dhe, me sa duket, marrjen frymë me maskë. Ndoshta mund të ndërkëmbehen rrëfimet sipas këndvështrimit të çiftit me rrëfimet e disa prej anëtarëve të stafit të hotelit. Ndoshta mund të ketë një rrëfim edhe nga këndvështrimi i hotelit. Ky është romani koronavirusit që dua të lexoj.

    Së fundi, përgjigja e vërtetë e pyetjes për fatin e romanit është e lidhur me fatin tonë: kjo do të thotë se gjithçka varet nga ajo që do të ndodh, dhe ne s’kemi asnjë ide se çfarë do të ndodhë. Nëse kjo pandemi zgjat disa muaj dhe pastaj përfundon, ose nëse shumë shpejt gjejmë një mënyrë për të mjekuar ata që janë të infektuar, ose nëse mundemi të prodhojmë një vaksinë, dhe (më e rëndësishmja) nëse jemi në gjendje të nxjerrim mësime dhe të mbrojmë vetveten sa më shumë të jetë e mundur nga pandemitë e ardhshme, shoqëria, dhe për këtë arsye, letërsia mund të gjejë qetësi pas stuhisë.

    Shumë shkrimtarë thjesht do t’i shpërfillin këto pak muaj të vitit 2020 kur të gjithë ishim në grackën e shtëpive tona dhe mijëra njerëz vdiqën. Në fund të fundit, shkrimtarët ende mëdyshen të përfshijnë telefonat celularë në krijimet e tyre, sipas meje sepse letërsia klasike me të cilën janë rritur duke lexuar dhe nderuar, majat e letërsisë, nuk i kanë ato. As këtë s’e kanë. Nëse, nga ana tjetër, do të përballemi për vite të tëra me këtë sëmundje, me frikë dhe paqëndrueshmëri ekonomike, mendoj se të gjithë do të duhet të merremi me pandeminë në një mënyrë apo një tjetër. Ndoshta do ta bëjmë gjithsesi. Vetëm koha do ta tregojë.

    Revista Letrare LitHub.

     Përktheu: Granit Zela

    Featured photo by Patrick Tomasso on Unsplash

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË