More
    KreuLetërsiBibliotekë"Bruno", tregim nga Hajri Shaqiri

    “Bruno”, tregim nga Hajri Shaqiri

    H.J. u trishtua si asnjëherë më pare kur u kthye nga puna i rraskapitur i tëri dhe hapi derën e shtëpisë me mendjen të futej brenda, të hidhej menjëherë mbi krevat dhe të zhytej në një gjumë të thellë që do të zgjaste jo më pak se deri të nesërmen pasdreke, kur fillonte me punë turni i dytë në fabrikën e helikopterëve.

    “Oh,. my God!… Oh, my God!…”, u trishtua fort dhe thirri në ndihmë Zotin me zë të lartë, si të ulërinte. Skena që i doli përpara ia preu këmbët. Brunoja qëndronte i shtrirë në dysheme, i tëri i mbuluar në gjak dhe rënkonte. Kokën e kishte të dërmuar, sytë nuk ia vëreje dot, hunda i ishte lëvarur dhe sa nuk i binte përdhe. Mendoi se edhe një vesh nuk e kishte. Dukej shumë keq. Në një qoshe të dhomës ia kapën sytë Fazin, që ishte strukur me frikën mos ta gjente fati i Brunos. Ndërkaq,  Zaku, mbase siç do të sillej çdo fajtor tjetër në të tilla raste, qëndronte në kanape dhe vështronte në një pikë të papërcaktuar, diku në murin e dhomës, për të mos puqur shikimin me njeriun që hyri nga dera. Rënkimet e dhimbshme dhe të pandërprera tregonin se Brunoja po kalonte nëpër një ferr të vërtetë, në të cilin u fut papritur edhe H. J. Autoambulanca çante rrugën me shpejtësi, ndërkaq ai nuk ishte i sigurt nëse fatkeqi do të shpëtonte nga plagët që kishte marrë, megjithëse ende kishte shpirt.

    Në tokën e premtuar ishte vendosur pas qëndrimit disamujor në një kamp refugjatësh në Romë të Italisë, si një shqiptar adoleshent i ikur nga Ballkani. Dhe, gjatë viteve që pasuan, kishte ndërruar  shumë qytete, disa gra që pastaj, të përfundonte në vendin e “kaubojcave”, në bungallonë që e kishte vendosur në një lagje, të paraparë enkas për këtë lloj shtëpishë mobile. Megjithëse kishte mundur të blinte edhe shtëpi të zakonshme (të tilla në  Amerikë i quajnë shtëpitë e ndërtuara prej dërrasash), ato që mund t’i bartje nga një vend në vendin tjetër, i pëlqenin më shumë. Kur mundohej të gjente shkakun e një parapëlqimi të tillë, atij gjithnjë i vinte në mendje, përveç të tjerave, mundësia për t’u zhvendosur pa telashe të mëdha diku tjetër, sa herë që do të dëshironte, madje, pa ndryshuar ambientin e brendshëm të folesë së tij. Megjithatë. përkundër përparësive të tilla, pasi u vendos në Dallas, ai nuk pati dëshirë thuaja asnjëherë të zhvendoste shtëpinë, siç nuk pati dëshirë as të martohej sërish, pas ndarjes me gruan e tij të fundit. Bungalloja numër shtatë e vendosur në periferi të qytetit, dukej e mjaftë madje edhe komode për të, për Brunon, Fazin dhe Zakun.

    Në spital, mjeku e pranoi pacientin urgjentisht. Pa njëherë Brunon, pastaj i hodhi një shikim edhe H. J. Mbylli buzët duke i shtërnguar aq fort sa mbeti vëtëm një vijë e shtrembër midis tyrë dhe luajti kokën me mosbesim…”Çojeni shpejt!”, u bërtiti ndihmësve të tij dhe shoqëroi urdhrin edhe me dorën e shtrirë në drejtim të sallës së operacionit. Kur po futej mjeku në sallë dhe ky ia pa vetëm krahun që i kishte mbetur jashtë, si pjesën e fundit të trupit të njeriut tek i cili kishte mbështetur të gjitha shpresat, mendoi se po kalonte një periudhë të vështirë të jetës.

    Vetëm ca ditë më parë kishte qenë te mjeku i tij personal. Një kohë të gjatë nuk ndihej mirë, jetonte në ankth dhe i ndodhnin gjera të çuditshme për të cilat s’gjente dot asnjë shpjegim. Një ditë, bie fjala, kishte shkuar në qytet dhe, pasi kishte shetitur deri sa ishte lodhur nëpër qendrat e mëdha tregëtare, ishte ulur për të ngrënë në restorantin e tij të preferuar. Dhe pikërisht në kohën kur kishte vendosur të këthehej në shtëpi, i kishte ndodhur e pabesueshmja. Me orë të tëra kishte qëndruar i hutuar në mes të parkingut të madh. Ishte përpjekur të përdorte edhe truqe që do t’ia ngacmonin trurin dhe t’ia kujtonin çastin kur ishte futur në atë vend, si qindra herë të tjera. Por çdo gjë kishte qenë e kotë, nuk kishte mundur ta kapte fillin dhe nuk i ishte kujtuar se ku e kishte parkuar veturën edhe sikur ta kishe vrarë. Përkundër kësaj, pasi kishte futur dorën në xhep, kishte konstatuar se i kishte humbur, në të vërtetë, edhe çelësat. Në fund kishte hequr dorë nga aksioni i kërkimit dhe nga parkingu ishte larguar me taksi. Kur kishte arritur në shtëpi, kishte rënë në përfundim se nuk e kishte humbur fare veturën, ajo kishte qenë aty, përpara shtëpisë, madje me çelësat brenda. “Budalla!”, i kishte bërtitur vetes. Kur ia pat treguar ngjarjen mjekut, ai e kishte pyetur nëse i kishte ndodhur diçka e nagjashme edhe ndonjë herë tjetër. Kishte pohuar me kokë dhe ia kishte treguar rastin kur, duke u kthyer nga puna, e kishte humbur rrugën dhe mezi e kishte gjetur kthesën për në shtëpi. Mjeku nuk i kishte thënë gjë, por e kishte çuar tek mjekë të tjerë. Ata e kishin inçizuar në kokë, e kishin pyetur për gjëra, që ai i kishte cilësuar, të parëndësishme, madje i kishin dhënë të kryente edhe disa teste logjike. Në fund fare, njëri nga ata ia kishte përmendur shenjat e dallueshme të sëmundjes së alzheimerit dhe pastaj, në ikje, para se ta mbyllte derën, i kishte rekomanduar të lexonte libra, çfarë do lloji të ishin ato, të bënte ushtrime të thjeshta matematikore dhe të konsumonte sa më shumë kos të përzier me boronica.

     Pasi u ul në karrigen prej plastike në koridorin e spitalit, afër sallës së operacionit, sytë e përlotur i kapën një portret të varur në murin përballë, të mbyllur në një kornizë të zezë metali. Gruaja flokëverdhë, me një buzëqeshje të ëmbël dhe eksituese njëkohësisht, i hodhi një shikim përkëdhelës, i shkeli syrin dhe i foli butësisht: “ke dëshirë të vi e të ulem pranë teje?” “Merilin Monro”, belbëzoi i hutuar dhe nuk arriti t’i përgjigjej ofertës që i erdhi papritur. Nuk tha as “po” dhe as “jo”. Aktorja e bukur vërtet doli nga korniza, por nuk erdhi te ai. Vendin e saj e zunë ca portrete grash të tjera që ky, sa herë që i kujtonte, i kujtonte me numra dhe jo me emrat e tyre të vërtetë. E para, mendoi, nuk do ta ngushëllente shumë edhe sikur të qe aty në ato çaste. Në fakt as ai vetë nuk do të kishte dashur ta ketë pranë. Pasi e kishte marrë në Amerikë, si një vajzë nga vendlindja, i shtyrë para së gjithash nga nostalgjia, ajo nuk kishte qendruar gjatë me të. Kishte mësuar ca gjera për Amerikën, kishte marrë “Green cart”- ën dhe në fund, ia kishte mbathur. Të dytën, poashtu nuk e quajti të përshtatshme për të qenë me të në ato çaste të dhimbshme. Megjithëse i kishin bërë ca vite martese, asnjëherë nuk kishin fjetur bashkë. Kur një ditë ia kishte qarë hallin shokut të tij të punës, ai i pat thënë se gruan e kishte frigjide dhe, kur ky i kishte zgurdulluar sytë, shoku i kishte dhënë edhe një sqarim plotësues. Gratë e tilla, i kishte thënë, nuk kanë dëshirë të bëjnë seks, me asnjë burrë. Për të tretën ishte plotësisht i sigurt se do të ishte një mbështetje e mirë për të zbutur ankthin nëpër të cilin kalonte. Dhe vërtet, ajo kishte një simpati të veçantë edhe për Brunon por, ç’është më e rëndësihmja, kur bëhej fjalë për dashurinë, ajo asnjëherë s’i thoshte jo. Bënte seks sa herë t’i kërkoje, madje e bënte me dëshirë. Megjithatë, një ditë ajo u zhduk, edhe pse ky asnjëherë s’i kishte thënë të ikte dhe ç’është e vërteta, as ajo nuk kishe shfaqur në asnjë rast ndonjë shenjë që tregonte se nuk dëshironte të jetonte me të. Dikur u kuptua se prirjen e saj në fushën e seksit, e kishin zbuluar edhe të tjerë dhe një ditë njëri nga ata, e kishte marrë…

    Dikush e lëkundi dhe ai doli nga ankthi, i pasigurt nëse kishte bërë ndonjë copë gjumë në karrigen e sallonit të pritjes dhe, nëse kishte fjetur, nuk i kujtohej nëse i kishte mbyllur sytë apo i kishte lënë hapur? Vërejti dorën që i ishte qepur në sup dhe po e lëkundte. Ngriti kokën me trishtim dhe pa sytë e lodhur të mjekut. Megjithëse nuk e dinte saktësisht ç’kohë kishte kaluar duke rikujtuar të shkuarën të përzier me një përfytyrim të aktores holivudiane, ndjeu një dhimbje koke që po ia ndrydhte trurin dhe nuk i jipte mundësinë të mendonte  dhe, aq më pak të fliste.

    “Shpëtoi, zotëri. Kishit fat, edhe ju edhe ai… Do t’ju lajmërojmë kur do të mund ta mirrni në shtëpi”, tha mjeku në ikje e sipër…

    H. J. vazhdonte të ishte i hutuar. Nuk arriti të nxirrte asnjë fjalë të vetme nga goja. U mundua së paku të thoshte një “faleminderit”, por, kur iu kujtua fjala, sytë nuk ia kapën mjekun që, tani më ishte futur në njërin nga bërrylat e shumtë të korridoreve të spitalit. Fshiu lotët me mëngën e këmishës, por nuk arriti të hiqte edhe ndjenjën e boshllëkut që e mundonte. Mbështeti kokën në murin me pllaka të bardha, hodhi shikimin e turbullt në drejtim të tavanit dhe pastaj e zbriti deri te korniza e zezë prej metali. Merilin Monro ishte kthyer, ishte futur sërish brenda saj dhe vazhdonte t’i buzëqeshte ëmbëlsisht. Pasi ofshani thellë, tha: “Thenks God…” Ndjeu një valë të ngrohtë që i erdhi nga këmbët dhe u zgjerua gjithandej që pastaj të përqendrohej diku në kraharor. Nuk deshi ta prishte atë ndjenjë. U afrohej të shtatëdhjetave dhe kishte kohë që kishte humbur besimin tek vetja… tek gratë… tek njerëzit, në përgjithësi. Qentë, Bruno, Faz dhe Zak, për të ishin çdo gjë, madje, shpesh i dukeshin edhe më njerëzorë se vetë njerëzit. Ndenji edhe një copë herë në karrige pa lëvizur fare dhe mendoi se ishte i lumtur, megjthatë.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË