E nderuara Familje Quku!
E nderuara rektore e Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”
Zonja dhe Zotërinj!
In memoriami i dekadës së ikjes në amshim
Jemi mbledhur sot ta kujtojmë një dekadë të ikjes në amshim të babait, mikut, studiuesit, intelektualit, edukatorit dhe personalitetit të shquar të botës shqiptare, Mentor Qukun. Jemi bashkuar sot të kujtojmë ato veçori intelektuale e qytetare, me të cilat ai si rrallë të tjerë ka ditur ta stolis biografinë e tij, kohën e tij, institucionet ku ka punuar, Shkodrën e tij dhe hapësirën etnike, për të cilën është angazhuar shumë me jetën dhe veprën e tij, i nderuari studiuesi ynë Mentor Quku.
Po takohemi sot të kujtojmë mësuesin, intelektualin, studiuesin e përkushtuar në dhjetëvjetorin e vdekjes së tij edhe pse e di, që më parë se, duke kujtuar Mentor Qukun, ne kujtojmë formimin e tij prej edukatori, përkushtimin e tij prej studiuesi, rolin e tij prej organizatori të Seminarit “Shkodra në shekuj”, me të cilën krijoi kolanën më të madhe shkencore të një qyteti të etnisë shqiptare dhe në mënyrë të veçantë studiuesin e pazakonshëm të një shkkrimtari shqiptar, Ndre Mjedës.
Le të thuhet këtu, se këto janë edhe referencat për të cilat jemi njohur dhe për të cilat jemi angazhuar gjatë një periudhe prej rreth dy dekadash dhe për të cilat ende nuk jemi ndarë, sepse jemi njohur duke u angazhuar për bashkimin e studiuesive rreth kolanës “Shkodra në shekuj”, për të cilën unë fillimisht isha vetëm një i ftuar, bashkë me gruan time, pastaj organizator i studiuesve nga Kosova, që do të merrnin pjesë në Seminar dhe së fundi edhe ideator i disa prej temave me interes për Enciklopedinë e Shkodrës.
Sot po e theksoj faktin se ne ende nuk jemi ndarë, pavarësisht se ai është larguar prej një dekade, sepse reflektimi i njohjes sonë është sforcuar gjatë kohës sa kemi vazhduar të punojmë rreth kolanës për Ndre Mjedën, në të cilën unë fillimisht isha vetëm recensent i vëllimeve të para në shtypin ditor e shkencor, pastaj autor i parathënive të vëllimeve në vazhdim, për të vazhduar si hulumtues i teksteve të botuara në shtypin e Prishtinës për Mjedën, plotësues i bibliografisë së Mjedës dhe si fundi ideator i projekteve sintetike për Kolonën e Mjedës, njëri prej të cilëve, për Poezinë, shpresoj të betohet gjatë këtij viti, ndërsa shpresoj se kështu do të veprohet edhe me kritikën e përzgjedhur letrare, në kontekstin historik, krijues dhe publicistik.
I. ‘Takohemi në kufi – kufiri mos qoftë!’
Me Mentor Qukun jam njohur fillimisht diku në prill të vitit 2000, kur ai erdhi në Institutin Albanologjik të Prishtinës të bënte ftesën për ata që do të merrnin pjesë në Seminarin “Shkodra në Shekuj”. Megjithëse, drejtuesit e Institutit i kishin premtuar pjesëmarrjen e disa studiuesve, në tetor të atij viti, pra në muaj para mbajtjes së Seminarit ai kishte vetëm dy tituj kumtesash, e asnjë më shumë. Në mesin e tetorit të vitit 2000, më vjen një letër nga Profesor Jup Kastrati, i cili më kërkonte të ndihmoja organizimin e studiuesve nga Kosova. Ma kishte dërguar numrin e telefonit të Mentor Qukut, por kushtet e një asistenti të atëhershëm nuk ishin të bisedonte me telefonin e postës së madhe, me një drejtor që telefonin e kishte në tavolinën e pushtetarit, prandaj shpejt komunikimin e kalova përmes internetit. Për dy muaj dërgova 46 kumtesa me 56 autorë e bashkautorë. Studiuesit i organizova me një autobus deri në kufirin Kosovë-Shqipëri, atëherë i kontrolluar nga Kombet e Bashkuara, ndërsa aty na priste autobusi i seminarit. Mbaj mend se si në mesazhin e fundit në internet (sikurisht duke mos pasur kohë për shkak të ngarkesave të mëdha që kishte) më kishte shkruar: Takohemi në kufi ora 9; ndërsa unë duke dashur të kurseja shpenzimet e një asistenti në kafe-internet, i shkruaja: “Takohemi në kufi, kufiri mos qoftë!”
Për herë të dytë e kam njohur kur ai erdhi në Institutin Albanologjik për të përuruar vëllimet e para të botuara për Ndre Mjedën, që në të vërtetë ishin vëllimet ku ishin trajtuar temat për lirinë dhe albanologjinë. Nuk isha në pozitën, që të flas në një institucion kaq të lartë, e megjithatë e kisha pozitën që të shkruaj për revistat shkencore, sidomos për veprën mbi kontributin e Ndre Mjedës për albanologjinë, ndërkohë që unë shkruajta jo vetëm për revistat shkencore të kohës po edhe një sintezë shkencore për pikëpamjet linguistike të Ndre Mjedës, duke u mbëlshtetur edhe në veprën e Mentor Qukut.
Nga viti 2006 e deri në vitin 2014 kam shkruar shumë recensione, artikuj dhe parathënie për veprat e Mentor Qukut kushtuar Mjedës, ndërsa në vitin 2012 kam paralajmëruar vëllimin “Rilindja e Mjedës (Kërkime në kolanën e veprave të Mentor Qukut për Ndre Mjedën), të cilin nuk e kam botuar deri tani, në pritje të përmbylljes së kolanës Mjeda. Këtu po i sjell disa veçori të kësaj vepreje të papërmbyllur.
II. Themeluesi i mjedologjisë
Duke shkruar recensionin e vëllimit të parë (Mjeda 1, Rinia: 1866-1888, Tiranë, 2004), të botuar në Kolanën MJEDA të studiuesit Mentor Quku, dhe duke parë projektin e tërësishëm të kësaj Kolane, e cila më tej jo vetëm është zgjeruar, por ka marrë përmasa të tjera kërkimi e vlerësimi, kisha vënë re me kënaqësi se si brenda dijes së albanologjisë po themelohej një disiplinë e re: mjedologjia, në përmasën që dijet e tjera simotra europiane kishin themeluar vite më parë, si: homerologji, shekspirologji etj. Prandaj recensionin tim të parë e kisha quajtur “Nga Ndre Mjeda te mjedologjia”.
Kisha vënë re jo pa dëshpërim se dijen që nuk kishim mundur ta themelonim për bardët e Rilindjes Kombëtare, Jeronim de Radën e Naim Frashërin, për Shkrimtarin nacional Gjergj Fishtën, apo shkrimtarin më të madh të gjysmës së dytë të shekullit XX Ismail Kadarenë, ja po e themelonim për një studiues, për njërin prej poetëve të gjysmës së parë të shekullit XX: Ndre Mjedën. Kështu, për rilindësin e madh Jeronim de Radën, ishin shkruar vëllime të tëra në gjuhën shqipe dhe në gjuhën italiane, e megjithatë një dije a një katedër akademike për studimin e veprës së tij nuk arrihej të ngrihej. Ndonëse për atin e shqiptarizmës, Naim Frashërin, ishin shkruar disa dhjetëra vepra e qindra artikuj shkencorë e publicistikë dhe në emër të tij ishte ngritur ideali i institucioneve shkollore në hapësirën shqiptare, e megjithatë nuk arritëm dot të themelojmë një katedër akademike a një institut nacional në emër të të cilit do të studiohej vepra e tij dhe njëra prej vlerave më të rëndësishme të identitetit nacional: gjuha shqipe. Po kështu mund të thuhet edhe për Gjergj Fishtën, në emrin e jetës dhe veprës së të cilit janë të lidhura shumë bëma në atdheut tonë, e megjithatë nuk kemi arritur ende të ndërtojmë një institucion, i cili do të merrej ekskluzivisht me jetën dhe veprën e tij, si dhe temën e madhe të idealeve të tij: për fe e atme!
Pse mund të flitet këtu për dijen mbi Ndre Mjedën dhe veprën e tij, që po e quajmë disiplinë shkencore: mjedologji, dhe pse për institucionin e saj. Sepse për të themeluar një disiplinë shkencore është e nevojshme të ndërtohet edhe metoda e studimit të saj, e për të institucionalizuar një disiplinë shkencore duhet krijuar institucioni i veçantë i studimit të saj. Këto parime themeluesi të kësaj dijeje i ka përgatitur dhe sistemuar një kohë të gjatë, madje edhe atëherë kur nuk i besonte së nesërmes së tij. Mirëpo shpresa e mbante të bënte qoftë edhe punën e një murgu sepse përpara kishte Yllin e tij polar: Ndre Mjedën dhe misionin e tij. Pra, projekti i studiuesit Mentor Quku në biografinë e Ndre Mjedës i kalon caqet e një kërkimi për jetën dhe veprën e tij dhe kjo është arsyeja pse mund të flitet për një institucionalizim të kësaj dijeje.
Në qendër të ridimensionimit të kërkimeve të tij për Ndre Mjedën, studiuesi Mentor Quku nga aspekti metodologjik ka vënë metodën gjithëpërfshirëse të shtrirë në hapësirën e lëvizjes së tij dhe kronologjinë e moshës së tij, edhe pse nga njëra vepër në tjetrën, sigurisht për shkaqe kohe dhe mundësie financiare, jo gjithmonë ka mundur të ju përmbahet këtyre parimeve: jeta – misioni – shoqëria – (identiteti); fëmijëria – rinia – pleqëria – (identiteti); vepra: alfabeti – poezia – gjuha – letërsia-(identietit).
Në të vërtetë, në studimet historike, përkatësisht albanologjike, e brenda saj historiko-gjuhësore dhe historiko-letrare, asnjëherë nuk kanë munguar veprat me shtrirje përgjithësuese për autorë a vepra letrare, por asnjëherë deri më tash për autorë, vepra dhe perceptime të tyre në përmasën shteruese, si kjo për Ndre Mjedën. Deri më tash jo njëherë janë shkruar vepra për veçantitë e disa prej krijuesve, por asnjëherë për të gjitha të veçantat e një krijuesi, si kjo për Ndre Mjedën.
I gjithë kërkimi i tij për të ndërtuar veprën jetësore dhe mendore të Ndre Mjedës është strukturuar në tri linja a parime dhe në disa referenca themelore: a) kronologjinë e jetës (formimi jetësor); b) përmasën e shtrirjes së aktiviteteve shkencore dhe letrare; dhe c) krijimin e referencës bartëse të kësaj periudhe dhe këtij aktiviteti (albanologu, alfabeti, identiteti, gjuhëtari, Liria, albumi, bashkëkohësit), të cilat me një emër do të mund të quheshin referenca identitare të tij.
Po kështu mund të thuhet edhe për parimet që ka ndjekur autori në institucionalizimin e veprës së tij. Kërkimet e tij nisin me themelimin e dosjeve për gjithë pasurinë materiale e shpirtërore të tij, me prezantimin sintetik të dijes, përkatësisht mendimit shkencor të tij, themelimin e bibliotekës së tij dhe më në fund themelimit të institucionit të tij. Nëse dosje të tilla kemi pasur edhe më parë, ato i kishim në përmasa të shkrimit të një vepre shkencore, po jo edhe në përmasa të kërkimeve shteruese, me synim formimin e një dosjeje unike për personalitete dhe kontribute të tyre në kulturën dhe shkencën nacionale. Dosja e Ndre Mjedës, e përgatitur nga studiuesi Mentor Quku i tejkalon caqet e një kërkimi personal: ajo përfshinë dokumentaritetin e jetës së Ndre Mjedës nga fotografitë dhe dorëshkrimet deri te dëshmitë autentike të bashkëkohësve për bëmat e tij; ajo ndërtohet nga tekstet personale me vlerësime të bashkëkohësve të tij deri te dokumentet institucionale të komunikimit me te; ajo e nxjerr Ndre Mjedën edhe nga përmasa e poetit edhe nga veladoni i priftit kryengritës ashtu sikur jemi mësuar ta njohim për më se një shekull; ajo e nxjerr Ndre Mjedën nga prifti i përkushtuar për hapësirën krishtare dhe e vë në plan të parë intelektualin e përkushtuar për hapësirën etnike shqiptare; ajo i vendos përmasat e humanitetit shpirtëror të meshtarit, përtej rrëfimit biblik dhe e vë në planë të parë përmasën semantike të gjuhëtarit përtej ndjenjës letrare brenda poezisë së tij.
Sado nuk është thënë më parë në mënyrë të prerë në studimet historiko-letrare, Ndre Mjedës edhe më parë i është njohur vlera e mjeshtrit të vargut. Në të vërtetë, në studimet historiko-letrare Ndre Mjedës i njihej vlera letrare e gjuhësore e mjeshtërisë së vargut letrar, por jo në përmasën e shqiptarësisë së gjuhës së Naim Frashërit dhe jo në përmasën epike të gjuhës së Gjergj Fishtës. Studiuesit Mentor Quku i takon merita në këtë drejtim, për shkak se para vlerësimit të mjeshtrit të vargut vuri dijen e tij teorike përkatësisht konceptet e tij për alfabetin, si dhe dijen e tij për etimologjinë dhe semantikën e fjalësit të saj. Duke i njohur këto dy parime teorike dhe historike Mjeda e bëri gjuhën e tij bazë të fuqishme të ndërtimit përkatësisht strukturimit të vargut të tij. Deri më tash parimet e dijes së ndërtimit të vargut letrar të tij ndërtoheshin mbi dijen për vargun klasik greko-romak dhe njohjet e tij për teoritë letrar të kohës. Kështu Mentor Quku këtë koncept e barti nga njohja për letërsinë, si dije e përgjithshme, në njohjen për gjuhën si dije e veçantë.
Në këtë rrjedhë mjeshtri ynë ka bërë disa përmbysje që e zhvendosin vendin e Ndre Mjedës në historinë e qytetërimit letrar. Poeti i mirë dhe prifti kryengritës tash e tutje nuk është më pak i rëndësishëm për alfabetin e gjuhës; për gjuhësinë shqiptare – përkatësisht etimologjinë e saj; për historinë e gjuhës shqipe – përkatësisht vendin e formimit të popullit shqiptar dhe gjuhës së tij; që bashkërisht do të mbulonin dijen mbi mjedologjinë.
Më në fund, a nuk mjafton vetëm ndikimi gjuhësor mbi letërsinë, si një nga parimet e Ndre Mjedës, të identifikohej me mjedologjinë si dije. E kjo tashmë nuk është vetëm në interes të studimit të veprës përgjithësisht apo poezisë veçanërisht të Ndre Mjedës, po edhe studimit të një numri shkrimtarësh pararendës dhe pasardhës të tij. Ndikimet janë parë edhe më parë, por vendosja e tyre në historinë e letrave tona ka munguar.
A nuk mjaftojnë të gjitha këto vlera materiale dhe diturore të bëhen objekt studimi brenda një institucioni, si ky, që tashmë po themelohet nga bardi i tij, studiuesi Mentor Quku.
III. Kolana e papërmbyllur e Mjedës
Të nderuar të pranishëm, duke e përmbyllur fjalën time, po i rikthehem edhe njëherë njohjes përkatësisht ditëve të fundit të komunikimit me studiuesin Mentor Quku, në kontkest pothuajse gjithnjë të përgatitjes dhe botimit të Kolanës Mjeda, një komunikimim shumë i dendur por, ndryshe nga komunikimi që kisha me, bie fjala, Profesor Jup Kastratin, me letra të gjata deri në 15 faqe, letërkëmbimi me Mentor Qukun nuk ka pasur asnjëherë më shumë se 15 rreshta. Po e shkëputi një nga ato: “Begzad, kam gati librin për Mjedën Albumi. Është një vëllim me fotografi e dokumente. Më duhet një Parathënie e gjatë. Shumë e gjatë. Si di ti.”
Për veprën e parafundit “Përzgjedhje” nuk më njoftoi. Ma dërgoi vetëm veprën e botuar. Nuk më kishte folur asnjëherë për gjendjen shëndetsore. Nuk e prisja. Kishim biseduar për një vëllim me proza dhe një tjetër me poezi. I kisha thënë një ide që do të ishte mirë të botoheshin, një poezi një studim përcjellës dhe për këtë i kisha dhënë shembullin e Profesor Agim Vincës. Por ai kishte frikë se për një vëllim poezish nuk ishte problem të siguroheshin tekstet kritike si përcjellëse të tyre, por ishte problem tëp gjendeshin vlerësime të prozave. Po kështu kishim diskutuar edhe për studimet gjuhësore.
Një vëllim më vete me shumë tekste antologjike e kishim ideuar për Mjedën në syrin e kritikës, ndërsa një vëllim më vete për të cilin “unë nuk mund ta ndihmoja” ishte vëllimi me fjalime politike të Ndre Mjedës, si dhe dokumente në Parlamentin shqiptar, të cilat i kishte përgatitur Ndre Mjeda. Tani që kishim dy vëllime bibliografike: Bibliografinë e studimeve për Ndre Mjedën dhe Bibliografinë e botimeve të Ndre Mjedës, nuk do të kishim shumë vështirësi për gjetjen dhe përgatitjen e teksteve. Vepra e parafundit do të ishte vëllimi i parathënieve, recensioneve dhe vlerësimeve të të gjitha veprave, ndërsa e fundit do të ishte vepra ime “Rilindja e Mjedës (Kërkime në kolanën e veprave të Mentor Qukut për Ndre Mjedën), e cila do të ishte sintezë shkencore e gjithë Kolanës.
Të nderuar të pranishëm!
Desha të them që botimi për Kolanen Mjeda i projektuar nga Mentor Quku, nuk është përmbyllur ende. Desha të them që komunikimi im me Mentor Qukun nuk është përmbyllur, veç se tani bëhet në anë të kundërt, përmes veprës së Mjedës.
Faleminderit!
Shkodër, më 8 qershor 2024
Një përshëndetje zotniut Begzadit, një uresë pune shumë të çmuar qe ënde i mungon- studjuar Gjuhës Shqipe përkatsisht letërsisë autorëve krijues të ,,traditës sonë kombëtare. Studimët, vlerësimet e letërsisë së traditës do mbetën gjithnjë angazhim-kërkesë e dijes , mbase të nevojshme për edukimin , mësimin e brezave. N. Mjeda krijuesin, poetin dhe klerikun as një herë deri me tash nuk e njohem ,, taman” por as t”tjerët të kohës së tij sikur Gj. Fishtën fjala vjen e disa tjerë duke mos i shmangur as ata përtej detit adriatik sikur të çmuarin, të madhin De, Radë , e tjerë. Komtributi i M,Q pa dyshim se është i madh, i çmuar, por edhe të gjithë tjerëve qe kanë shtrirë dorën, mendjen me komunikimët, vlerësimet për krijuesit, poetët- prozatorët e kohës qe mendoj se gjithmonë do kët vend- interes të shkruhet- thuhet si një borxh për ta, për kulturën -gjuhën tonë kombëtare në menyrë qe të ngjjitmi në vargun e lartësisë së udhëtuar tash më, me kombët tjera . Mergimtari