More
    KreuIntervistaArlinda Dudaj: Me Ernaux, lexova një letërsi krejt ndryshe nga ajo që...

    Arlinda Dudaj: Me Ernaux, lexova një letërsi krejt ndryshe nga ajo që isha mësuar të lexoja

    Andreas Dushi në bisedë me botuesen e nobelistes në shqip

    A.Dushi: E dashur Arlinda, tani që një autore e botuar nga Dudaj fitoi çmimin “Nobel”, ka disa gjëra që vërtetë do të doja t’i dija nga ju si botuese. Si për shembull, lidhur me faktin se kur dhe si u njohët me Annie Ernaux?

    A.Dudaj: E kam dëgjuar Annie Ernaux në Salone di Torino, mbase më shumë se pesë vjet më parë, ishte një e ftuar e sallonit dhe s’e kisha lexuar atëherë. Më bëri përshtypje mënyra aq pa komplekse se si fliste, më intrigoi menjëherë të merrja e t’i lexoja librat. Më mrekulluan! Lexova një letërsi krejt ndryshe nga ajo që isha mësuar të lexoja. Dukej mendja pa kufij lirie e një gruaje të madhe, shkurt gjeta një shkrimtare që më përfaqëson si lexuese dhe më nderon si botuese. Jam shumë e lumtur sot…

    A.Dushi: “Pasioni i thjeshtë”, përkthyer nga Klarita Lagji tregon pikërisht thjeshtësinë e një marrëdhënieje, jetën dhe fundin e saj krejt të natyrshëm. Mendoni se letërsia e sotme, ajo që lexohet e vlerësohet është e tillë, rrëfim i natyrshëm i thjeshtësisë?

    A.Dudaj: Ne kemi botuar edhe “Kujtime Vajze” dhe “Vendi i babait”, së shpejti vjen edhe “Vitet”, të gjithë libra kryevepra. Po, letërsia e sotme lypset të jetë e drejtpërdrejtë, e vërtetë, pa komplekse… Annie Ernaux i ka të gjitha këto. Përveçse ka mesazhe të jashtëzakonshme lidhur me lirinë e gruas, për të cilën nuk menon të marrë shembull jetën e saj personale. Nuk ka turp të flasë pa turp për turpin dhe kjo e bën atë universale.

    A.Dushi: Nga juria e “Nobelit”, ajo u quajt një autore kurajoze për zbulimin e rrënjëve të kujtesës së përbashkët (perifrazim). Si e shihni këtë qasje të letërsisë së saj në raport me kohën?

    A.Dudaj: Po, është pikërisht ashtu, ky motivacion më pëlqeu shumë dhe është i qëlluar për mua. Ajo flet për jetën e saj, pra kujton pa komplekse atë që ka kaluar dhe ndihet e lirë të mos censurojë asgjë nga kujtimet e saj të letrarizuara. Koha sot më shumë se kurrë kërkon letërsi ku të flitet për lirinë, lirinë e gruas, lirinë universale, kundër pabarazisë dhe cinizmit.

    A.Dushi: Vepra e saj u vlerësua mes të tjerash për qëndrueshmërinë dhe faktin se, paçka se e shtrirë në 50 vjet përherë ka mbetur e pakompromentuar. Nga pozita e botueses, pra e gruas në botën e botimeve, e shihni dhe mendoni si të vështirë ruajtjen e kësaj qëndrueshmërie për një autore grua me krijimtari të shtrirë mes dy shekujsh të shënjuar nga ngjarje me rëndësi shumë të madhe?

    A.Dudaj: Shumë pyetje e bukur: Do të qe e vështirë të ruhej në rast se do të qe e cenuar, pra e zbukuruar dhe e censuruar. E pra, Annie Ernaux këtë gjë s’e ka bërë kurrë. Është një kompromis që nuk e njeh fare. Madje siç e thotë dhe vetë, është përgjegjësi të jetë e tillë.

    A.Dushi: Sipas “Le Monde”, Ernaux është ikonë e feminizmit në Francë, ndërsa vetë ajo, në një intervistë për AFP këtë vit e ka përshkruar veten “si një grua që shkruan – kaq është e gjitha.” Duke pasur parasysh ndikimin e gjerë edhe jashtë letërsisë që “Nobeli” ka, besoni se shoqëria ka një mundësi për t’u përmirësuar edhe më tepër me zgjerimin e lexuesve të Ernaux?

    A.Dudaj: Ernaux nuk dëshiron të futet nëpër grupe dhe gjini, dhe ka të drejtë sepse edhe unë si lexuese e kap këtë veçanti të saj. Është feministe në fakt, mua si femër Ernaux më përfaqëson, por mund të jetë po aq maskiliste nga ana tjetër, kur flet për dobësinë e një gruaje, te “Pasion i thjeshtë”, nuk besoj se një feministeje te shpallur do t’i pëlqente edhe aq, por kur e lexon, mendon, ah po, sa i vërtetë është!!!

    A.Dushi: Vitet e fundit, nga 2008 kur laureat i “Nobel” u shpall Jean – Marie Gusyave le Clézio, 2014 Modiano Patrick e tani Annie Ernaux… Sipas vlerësimit tuaj, ka kjo lidhje me tendencat e fundit të letërsisë frënge?

    A.Dudaj: Annie Ernaux e shoh pak më ndryshe nga dy burrat më lart, por gra si ajo ka pasur Franca. Duras, Simone de Beauvoir. Gjithsesi të gjithë këto emra janë shkrimtarë klasi.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË